More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Veselaj: Një satirë kundërvënëse ndaj realitetit sarkastik

    Arben Veselaj: Një satirë kundërvënëse ndaj realitetit sarkastik

    Përsiatje eseistike për librin me poezi të Bajram Lanit “50 të dielat e Prishtinës”)

    Libri “50 të dielat e Prishtinës” është i shkruar me një dorë të lehtë. Përmes një shqipe të thjeshtë dhe të këndshme, me një sistem unik frazash, tropesh dhe figurash stilistike, autori, Bajram Lani, ka bërë dëshmi se gjuha shqipe vërtetë është gjuhë e poezisë.

    Pesëdhjetë poezitë e këtij libri përshkruajnë pesëdhjetë të diela të qeta kryeqytetase, por brenda tyre seç përvijohet dhe oshtin një sfond dramatik.

    Poezitë e Bajram Lanit në këtë libër e kanë muzikën dhe kritikën në një vend – muzikën e një poeti dhe kritikën e një gazetari.

    Libri i Bajram Lanit “50 të dielat e Prishtinës” është një këngëtim satirik mbi një kryeqytet që i përket një “civilizimi bujqësor”; kryefjalë është Prishtina.

    Bajram Lani shkruan për Prishtinën e gëzuar, për Prishtinën e pikëlluar, për Prishtinën e ngrirë nga akulli, për Prishtinën e zhuritur nga vapa, për Prishtinën e sëmurë, shkruan për kafenetë e Prishtinës, për qentë e Prishtinës, për korbat e Prishtinës, për pëllumbat e Prishtinës, për lypsarët e Prishtinës, për qeveritarët e Prishtinës. 

    Prishtina këtu është metaforë – një vend ku ende ka bagëti që kullosin përskaj trotuareve dhe “profesionistë që n’tokë pështyjnë në çdo pesë metra”.

    Prishtina e Bajram Lanit është metafora e një katundi (imagjinar) ku kanë zbritur të gjitha marrëzitë e Kosovës, si dhe metafora e një metropoli (imagjinar) ku jo rrallë kryhen krime monstruoze e pandehen për të bëma humanitare.

    Të gjitha të pathënat e Prishtinës, të padukshmet e Prishtinës, sekret e saj, dëshirat e saj, përbetimet e saj, autori, Bajram Lani, i artikulon me një kod të veçantë poetik duke i ngreh si shqetësim artistik. E, përderisa Prishtina vazhdon të jetë “një punë hajgare”  bejtexhiut të saj s’i mbetet veçse t’i thurë satira.

    Libri “50 të dielat e Prishtinës” i ka pesëdhjetë poezi tristrofshe, me katrena (strofa katërshe) me vargje dhjetërrokëshe, e nganjëherë edhe njëmbëdhjetërrokëshe, me rimën e alternuar ABAB.

    Vargu është harmonik – më shumë i koloritit popullor, e më pak i atij jambik. Kthjelltësia e vargut e bënë tërësinë poetike lehtësisht të kuptueshme, andaj edhe parabola politike që mbivendoset del ironi e nënkuptueshme.

    Sidoqoftë, mbi të gjitha ka diçka që e veçon këtë libër: gjatë leximit të tij na bëhet se po shfletojmë ndonjë poemë apo vjershë nga ato shumëstrofshe të Ismail Kadaresë. Mendoj se poezitë e këtij vëllimi kanë frymë thellësisht kadareane jo vetëm për nga forma e vjershërimit, por herë-herë edhe për nga tematikat që shtjellojnë. Kujtoj këtu poemën e Kadaresë me 35 strofa katërshe “Tirana në dimër”, vetëm se Tirana e Kadaresë është disi e përzishme – baladike, kurse Prishtina e Bajram Lanit, disi e përhitur , e thartqeshur – sarkastike.

    Brenda shtresimeve semantike, ndërkaq, edhe libri i Bajram Lanit “50 të dielat e Prishtinës” mund të lexohet si një poemë. Në të dy rastet subjekti letrar, që komunikon me lexuesin (apo ai të cilin shpesh jemi mësuar ta quajmë “hero letrar”) është një kryeqytet; në rastin e parë – Tirana, në të dytin – Prishtina.

    Shëtitjet nëpër motivet, nëpër fushat tematike si dhe ndërthurjet me tekstet kadareane, që i hasim te libri i Bajram Lanit “50 të dielat e Prishtinës”, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si kritikë. Përkundrazi. Nuk kanë thënë kot babazotët e letërsisë se ta imitosh Homerin është sikur t’ia marrësh shpatën Herkulit.

    Ky libër, veç tjerash, do të thoshim se është edhe një lloj eksperimenti poetik i Bajram Lanit. Në këtë kontekst ai na del të jetë një poet “aksidental”, poet që “profesionalisht” nuk u nënshtrohet ligjësive dhe shkollave poetike. Ai është poet i lirë, eksperimenton lirshëm, poezinë nuk e shkruan në mënyrë akademike.

    Bajram Lani më shumë është poet i lindur se sa i kultivuar. Ai e zotëron satirën me talent të lindur. Me shumë lehtësi arrin të krijojë tablo të ndiera letrare me shtresime sarkastike – kritike. Kritika e tij nuk është e egër, është e butë. Ka shumëçka drenicake në satirën Bajram Lanit: ther me pupël! Pra satira e tij nuk lë vragë, është shëruese.

    Për fund mund të thuhet se ky libër nuk është një akuzë, e shumta mund të jetë një denoncim. Me një fjalë ky libër është një protestë poetike e një “bejtexhiu”, fjalëve të të cilit rrallëkush se ua varë veshin, por që ka zgjedhur satirën për t’ia zbuluar fytyrën absurde realitetit sarkastik.

    A s’është thënë që prej kohës së Aristofanit se satira është arma e vetme e poetëve kundër realitetit sarkastik?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË