More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFrano Kulli: Fishta... Akademiku, “Opera Omnia” dhe Koliqi ndërmjet

    Frano Kulli: Fishta… Akademiku, “Opera Omnia” dhe Koliqi ndërmjet

    1- Dy fjalë për rileximin

    Me Gjergj Fishtën, ka ndodhë diçka prej feniksi; një ringjallje prej hirit të vet. Rikthimi ka ndodhë vetvetishëm, si një duf i mbrendshëm, i ndrymë, që shpërthen e përhapet në ajrí sapo të bjerë në kontaktin e parë me lirinë. Kjo ndodhi atëherë, kur agoi sërish liria mbas territ të gjatë të dhunës, në kapërcyellin e vitit ‘90 të shekullit që shkoi.

    Fotografia e tij nuk u shfaq menjëherë. Solucionet e lirisë e shfaqen figurën e tij  me ngadalë dhe në paqe, tamam sikur stampohet një pelikul e vjetër filmi në dhomën e errët.

    Jashtë dhomës së errët, te korridoret e lirisë kishte nisë një garë e rrëmujëshme e e furishme, me turravrap se kush të merrte më shumë kredite emërpërmendjeje. Në sintoni me gjithëçka tjetër euforike që ndodhte asokohe.

    Për do vite të mira flitej e përmendej, me rend e pa rend,  i mvisheshin atij edhe lávde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me té, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e Shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcye ende pragun e dritës. Tek tuk filluan të dalin prej skutliqeve të shtëpive qytetëse e të periferive, kopje të “Lahutës…”, ndonjena edhe me autografin e vetë autorit, më së tepërmi për të dëshmuar rezistencën e heshtur ndaj dhunës e rregjimit që e administronte até, sikurse do persona të tjerë, në të njëjtën sintoni, mund të recitonin pa u ndalë njëmijë e më shumë vargje prej saj.

    U rikthye botimi i “Hyllit të Dritës”, filluan të ribotohen disa prej veprave (“Lahuta…e para), Kurse nga Roma, në shtatorin e 1992-shit do të na kthehej retrospektiva e parë e shkruar: “Gjergj Fishta-Jeta dhe veprat” me autor Pal Duka Gjinin (Daniel Gjeçaj), ish nxënësi e më pas bashkëmësues me vetë Fishtën në Liceun “Ilyricum”- shkollën françeskane në Shkodër. E para përmbledhje jetëshkruese e Poetit mbas asaj që më 1941, kishte përgatitë At Benedikt Dema, e tjetrës së po të njëjtit vit, që e kishte nxjerrë revista “Shkëndija” në Tiranë, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit, një vit mbasi Fishta ishte nisë në botën e qiellit…Po pati edhe studime serioze përreth kryeveprës sës tij; “Lahuta…ngjizja mitologjike”(Tonin Çobani) ase “Fishta satirik” (Stefan Çapaliku). Kurse sipërmarrja e parë për një “Opera omnia”, e cila pati mbetë një projekt i paplotësuar i Institutit të Studimeve Shqiptare nga viti 1942, filloi në vitin 2001 dhe mbaroi ne vitin 2012. Që është edhe botimi i parë, i plotë i veprës së Fishtës (Enti botues “Gjergj Fishta”).

    Duke qenë në krye të këtij projekti editorial, në bashkëpunim me një redaksi të zgjedhur studiuesish, njohësit më të thellë të shkrimtarit dhe veprës e kam ndjekë në të gjitha dimensionet krejt atë që mund të thirrej “rikthimi i Fishtës”. Me linjën e drejtë e me zigzaget që ajo ka përshkruar përgjatë dekadave te kohës së lirisë; me pohimin dhe me heshtimin si një mënyrë mohimi, me moskuptime dhe me keqkuptime, me paragjykime jashtëletrare prej nostalgjikësh të së shkuarës e me shpërfillje prej podiumeve të epërme “moderniste” të parisë letrare.

    Përpjekja ime modeste për t’i shqyrtuar këto dukuri është ajo që kam dashtë të përcjell në faqet e këtij libri, si një njeri i dhomës së errët të laboratorit fishtian.

     2-Dëshmia e Ernest Koliqit: [1]

    Emnimi i At Gjergj Fishtës antar i Akademisë Italiane.

    “…Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çështjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo.

    U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me këté rast. Ndjej si detyrë me e zbulue këté të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.

    Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Terenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse më pyeti  “Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.

    Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për t’u pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës.

    Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.

    Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII:

    “Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”

    Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës.

    Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”

    Letër e Prof.dott. Angelo Leoti

    Prof.dott. Angelo Leoti, i Universitetit të Bolonjës, ekspert i gjuhës shqipe, i diplomuar për gjuhët orientale në Institutin oriental të Napolit, autor i “L’albanese parlato” vocabolario italiano-albanese-albanese italiano (dialetto gegho), Milano 1916, i shkruan Fishtës:

    Letër e Prof.dott. Angelo Leoti i Universitetit të Bolonjës. Arkivi qëndror i Shtetit, F.17, (Gjergj Fishta) D.5.F.4.

    (Bolognia 16 giugno 1939-XVII

    Eccelenza:

    La nomina ad accademico d’Italia della E.V. colma di viva ed infinita gioia il cuore del Vostro modesto, ma appassionato ammiratore.

    A voi, che con la forza gigante della Montagna, avete dato il meraviglioso poema “Lahuta e Malcis’” ( che non mi stanco mai di leggere e di gustare), il quale ben puo stare a fronte dei poemi dei piu grandi nostri autori latini ed italiani; a Voi, che con “Anzat e Parnasit” e con tutte le altre Vostre opere preziose avete saputo immortalarVi ed assurgere ad unico, vero rappresentante della letteratura albanese, giugnano le mie piu vive, sentiti, cordiali congratulazioni.

    L’accademia d’italia puo ben esssere onorata ed orghogliosa di annoverare fra i propri membri il cantore di “Marash Uci” e di “Oso Kuka”.

    Vogliate, Eccellenza, gradire, con le rinovate mie felicitazioni, i sensi della mia profonda stima ed i miei cordiali saluti.

    prof.dott. Angelo Leoti-Via Clemente Primodi N.10 Bologna)

    Bolonja 16 qershor 1937-XVII

    Shkëlqesi:

    Emërimi si akademik i Italisë i Shkëlqesisë Suaj mbush me gëzim të gjallë e të pafund zemrën e admiruesit tuaj modest, por admirues i pasionuar.

    Ju, që me forcën gjigante të Malësisë, keni dhuruar poemën e mrekullueshme “Lahuta e Malcis’” (të cilën nuk lodhem duke e  lexuar  dhe shijuar), e që fare mirë mund t’u rezistojë poemave të autorëve tanë më të mëdhenj latinë dhe italianë; Ju, që me “Anzat e Parnasit” dhe me gjithë veprat e tjera të çmuara keni mundur të përjetësoni veten dhe të bëheni përfaqësuesi i vetëm, i vërtetë i letërsisë shqipe, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta.

    Akademia Italiane do të mund të jetë e nderuar dhe krenare të përfshijë mes anëtarëve të saj autorin e këngëve “Marash Uci” dhe “Oso Kuka”.

    Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni, me urimet e mia të përtërira, sigurinë e vlerësimit tim të thellë dhe përshëndetjet e mia të përzemërta.

    3 – “Opera omnia”

    Sipërmarrja e parë dhe më serioze për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma zë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me :”I dashuni shok – dhe vijon – Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.”[2] Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori: I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari…

    Siç shihet ideuesit e botimit të “Opera Omnia”, pra veprës së plotë kanë arsyetuar të përfshihet e gjithë vepra e tij e të gjitha gjinive. Edhe publicistika e epistolari, letërkëmbimi pra, një “gjini” përtej krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Ndërsa, as nuk përmendet në këtë rast arkitektura. Qoftë vetëm si një produkt i krijimtarisë së tij intelektuale a artistike. Gjë që nuk ka ndodhë me teatrin, bie fjala. Ashtu siç është botuar si gjini më vehte krijimtaria dramturgjike, mjaft e begatë, janë bërë edhe studime e botime të thelluara për veprimtarinë teatrore të Fishtës. Madje janë sjellë e publikuar përfundime se Fishta është edhe themelues i teatrit kombëtar, aty në Kuvendin e shkollën “Illyricum” të Shkodrës. Po a mund të zinin disa prej skicave më të zgjedhura, qoftë edhe ndonjë fashikull të “Opera Omnia”?

    Pasë parasysh se jemi , jo më shumë se një vit e do muaj mbasi Fishta ka ndërruar jetë e ka kaluar në amshim e, gjithçka e lënë prej tij është ende e paprekur, e e ruajtur me kujdes e sqimë të posaçme, deri atëherë. Jemi, gjithashtu, dy vite e do muaj para se me nisë ai çasti i anatemës e rroposjes “shtatë pash nen dhé” të autorit e veprës së tij…

    Letër e Institutit të Studimeve (firmosur nga drejtori Ernest Koliqi) dërguar Atë Anton Harapit, Provinciali i Françeskanëve të Shqipërisë për botimin e “Opera omnia”. Arkivi i shtetit F. 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), V. 1942, D. 37 F.200-1942
    Përgjigje e At Anton Harapit, Institutit të Studimeve: “Plani i botimit të “Opera Omnia” të At Gjergj Fishtës”. Arkivi i shtetit F. 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), V. 1942, D. 37 F.200-1942

    [1]  Ernest Koliqi ,Veprat, Vëllimi i pestë: Publicistikë , fq.128 (Nga “Shejzat” nr. 9-12/1972)

    [2]  Arkivi i shtetit, F. 200, V. 1942, D.37

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË