More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSali Bashota: Rizbulimi studimor i veprës së Hafiz Ali Korçës

    Sali Bashota: Rizbulimi studimor i veprës së Hafiz Ali Korçës

    Hyrje

    Studimet e sotme letrare, të cilat mbështeten në trajtimin e veprimtarisë së autorëve të panjohur për lexuesin, gjithsesi, janë të rëndësishme jo vetëm për qëllimin kryesor që kanë, por edhe për rezultatin shkencor që sjellin. Pa dyshim, vlera e tyre dëshmohet kur ato shkruhen për t’i funksionalizuar dhe karakterizuar dukuritë apo fenomenet letrare apo kur bëhen pikë referimi, pikërisht me cilësime dhe vlerësime të qëndrueshme dhe argumentuese kritike për autorë të veçantë, siç është rasti me monografinë letrare për Hafiz Ali Korçën.

    Gjithsesi, shenjat e tilla, qoftë në konceptin studimor apo qoftë në metodën shkencore, janë të pranishme në veprën studimore “Hafiz Ali Korça, jeta dhe veprat” të Ismail Ahmedit, profesorit universitar, studiuesit, përkthyesit letrar, autorit të disa veprave në shqip dhe arabisht.

    Për më tepër, këto shenja janë paraqitur dhe konkretizuar me përkushtim të rrallë nga studiuesi i kësaj monografie, në radhë të parë, duke sjellë pikëpamje interesante përbrenda sfondit të kritikës letrare, madje duke e zgjeruar dhe pasuruar vështrimin për njohjen dhe studimin e krijimtarisë së Hafiz Ali Korçës në përgjithësi. 

    Monografitë e tilla letrare i kanë përparësitë e tyre edhe me të dhënat bio-bibliografike, pastaj për të tërhequr vëmendjen për vlerën dhe rëndësinë e krijimtarisë së një autori, por edhe për ta njohur periudhën e zhvillimit të kulturës dhe letërsisë kombëtare.

    Monografia letrare: Karakterizime dhe konkretizime

    Në kompletin e veprave prej tetë vëllimesh, të autorit Ismail Ahmedi, botuar nga Shtëpia Botuese “Logos-A” (Shkup, 2020), në mesin e shumë veprave të tjera që u përkasin llojeve dhe zhanreve të ndryshme letrare, shkencore dhe përkthimore, gjithsesi, shquhet studimi monografik për Hafiz Ali Korçën.

    Projekti studimor i Ismail Ahmedit për ta trajtuar veprimtarinë e Hafiz Ali Korçës është realizuar me përkushtim, dije dhe invencion. Ky fakt, dëshmon për vlerën dhe rëndësinë që ka një studim i tillë për studimet letrare, sidomos kur trajtohet krijimtaria e një personaliteti për të cilin deri më tani ka njohuri të pakta apo kanë munguar studime të karakterit monografik.

    Portreti atdhetar, letrar, iluminist, fetar etj., i Hafiz Ali Korcës, i realizuar përmes qasjes së Ismail Ahmedit krijon mundësinë e analizës, interpretimit dhe vlerësimit kritik, për t’i njohur idetë dhe pikëpamjet e Korçës, në njërën anë, si dhe për t’i trajtuar veprat e tij të shumta, në anën tjetër.

    Hafiz Ali Korça veprimtar dhe krijues është trajtuar në studimin monografik të Ismail Ahmedit në shumë fusha: kontributi i tij në shërbim të atdheut, kontributi i tij në fushën e letërsisë, kontributi i tij për alfabetin e gjuhës shqipe; pastaj angazhimi në fushën e arsimin kombëtar dhe në arsimin fetar, por edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, në fushën e publicistikës etj.

    Në pjesën e dytë të studimit monografik për veprën e Korçës, Ahmedi i funksionalizon kërkimet e tij në trajtimin e shëmbëlltyrës së Korçës në fushën arsimore dhe edukative, kryesisht në përpilimin e teksteve shkollore, pastaj të abetaresë, alfabetit arabisht, si dhe të gramatikës së parë të gjuhës arabe të botuar në shqip.

    Duke i studiuar disa nga pikëpamjet më të rëndësishme të Hafi Ali Korçës, autori i kësaj monografie, i artikulon idetë e tij kryesore në relacion me tekstin dhe kontekstin e çështjeve dhe problemeve të trajtuara. Një lexim dhe interpretim i tillë mbështetet në shumë të dhëna dhe fakte, të cilat përqendrohen përbrenda misionit dhe veprimtarisë së Korçës, aty ku vlerësohet kontributi i tij i veçantë arsimor, edukativ e fetar.

    Analiza letrare dhe vlerësim kritik

    Në kaptinën e parë të pjesës së tretë të veprës monografike për Hafiz Ali Korçën, studiuesi Ahmedi vë në dukje veçori dhe tipare të tematikës kombëtare, të ndërlidhura me veprën “Shtat ëndrat e Shqipërisë”. Këtu analizohet një vëllim poetik i veçantë i Hafiz Ali Korçës, siç është “Shtat ëndrat e Shqipërisë”, për të cilin kanë munguar deri më tani interpretime dhe vlerësime kritike.

    Ahmedi bën një interpretim analitik, në njërën anë dhe një interpretim krahasimtar, në anën tjetër, duke e fuqizuar konceptin e tij shkrimor në evidentimin dhe në karakterizimin e poetikës së Korçës, të përbërësve ligjërimorë, në pikëshikim me poezinë romantike shqipe, pra me poetët: Naimi, Mjedja, Asdreni, Shiroka etj., për të shkuar më tutje në karakterizimin e veprës së Korçës, si vepër me rëndësi, letrare, kulturore dhe kombëtare.

    Domethënia e vlerësimit kritik në analizën e poezive të Korçës, sikur e ndërton një komunikim letrar për një vepër të panjohur, duke e fuqizuar komponenten e interpretimit përmes trajtimit të temës së atdheut. Studiuesi evidenton, karakterizon, sistemon dhe vlerëson çështje dhe probleme, por edhe fenomene dhe dukuri, të cilat janë të pranishme në poezinë e Korçës.

    Gjithashtu, në fokus të interpretimit është edhe rrjedha historike, gjendja reale e kombit, konvergjenca kombëtare, por edhe veçoritë e sentimentalizmit dhe të romantizmit.

    Më tutje, në kaptinën e dytë të kësaj pjese, trajtohet tematika islame në veprën letrare të Hafiz Ali Korçës, me një përqendrim te Mevludi, si dhe te prania e temës së Kur’anit në poemën “Jusufi me Zelihanë”. Studiuesi, Ismail Ahmedi ka arritur ta trajtojë më gjerësisht veprën letrare të Korçës, duke u mbështetur në rrafshe dhe dimensione të ndryshme, kryesisht te motivet dhe temat e veprave me tematikë fetare, por edhe të veprave të caktuara letrare. Kështu, funksionalizohet komunikimi edhe me kultura të tjera, të cilat kanë ndikuar në formimin e personalitetit të Hafiz Ali Korçës.

    Pjesa e katërt e veprës monografike për Hafiz Ali Korçën përfshin veprimtarinë përkthyese nga letërsia persiane. Pra, ka të bëjë me veprimtarinë e Hafiz Ali Korçës si përkthyes, cili shquhet me përkthimin e veprave të letërsisë mesjetare persiane, siç është përkthimi i dy kryeveprave  të letërsisë botërore: “Gjylistani A Trëndafilishta” e Sadi-ut dhe “Rubaijjati, katroret” e Umer Khajamit.

    Studiuesi, me analizën dhe interpretimin e tij kritik është përqendruar që t’i trajtojë veç e veç karakteristikat e përkthimit të këtyre dy veprave nga Korça, si dhe të merret me krahasime të modeleve të përkthimit të Korçës me përkthyes të tjerë, duke u nisur nga kriteret themelore për të mbërrituar tek analiza mikrostrukturore e teksteve të shqyrtuara. Kjo kaptinë, në të vërtetë, është një ndër pjesët më interesante që ka të bëjë me veprimtarinë përkthimore të Hafiz Ali Korçës.

    Po kështu, veprimtaria e Hafiz Ali Korçës është e rëndësishme edhe në fushën e publicistikës. Edhe këtu shquhet kontributi i tij në paraqitjen dhe në sensibilizimin e ideve, në komentimin e tyre ashtu të ndërlidhura me primesën kombëtare e fetare, si dhe për lirinë e mendimit, por edhe për çështje të kulturës e të qytetërimit.

    Monografia letrare e Ismail Ahmedit për Hafiz Ali Korçën shquhet edhe për koncepte të argumentuara teoriko-letrare, si dhe për trajtimin e vlerave metrike e ritmike të poezisë së Korçës. Studiuesi jep një pamje të veprimtarisë së përgjithshme të Korçës, duke filluar që nga akti i frymëzimit poetik i veprave të Korçës, pastaj te zgjedhja e motivit, akti i krijimit poetik, gjuha poetike, ritmi i poezisë, rima, metri, si dhe te struktura rrokjesore, figuracioni poetik etj.

    Përfundim

    Vepra studimore me karakter monografik e Ismail Ahmedit, është sistemuar dhe funksionalizuar përmes kritereve të qarta shkencore, të cilat dëshmojnë për një argumentim të qëndrueshëm të pikëpamjeve kritike. Kështu, në nivelin e artikulimit të ligjërimit kritik portretizohet shëmbëlltyra e Korçës në disa rrafshe të interpretimit, si dhe zbërthehen çështje dhe fenomene, të cilat u përkasin rrethanave të caktuara kohore, ku veprimtaria e Korçës shquhet për veçantitë dhe botëpërjetimin e synimeve atdhetare. Në fakt, autoriteti i tij dëshmon për një personalitet që me jetën dhe veprën e tij është ndër të rrallët në letërsinë dhe kulturën shqipe.

    Në anën tjetër, lënda e pasur që trajtohet, pastaj depërtimi në thelbin e motiveve dhe temave të veprave me karakter letrar e fetar, kodet e komunikimit, mesazhi i veprave etj., ofrojnë mundësinë për të njohur autorin, si dhe vlerën letrare dhe estetike të krijimtarisë së tij në përgjithësi.

    Libri “Hafiz Ali Korça, jeta dhe veprat” e Ismail Ahmedit, pa dyshim, është një rizbulim studimor i veprës së Korçës. Në këtë mënyrë, historia, gjuha, identiteti, kultura, edukimi, religjioni etj., të cilat janë të pranishme në veprat e Korçës, në interpretimin të Ismail Ahmedit trajtohen dhe argumentohen me pasion të veçantë, duke dëshmuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj monografie letrare. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË