More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAkademik Vasil S. Tole: Lasgush Poradeci, si etnograf i muzikës, rasti i...

    Akademik Vasil S. Tole: Lasgush Poradeci, si etnograf i muzikës, rasti i këngëve të Usta Isuf Myzyrit

    Dy botimet më të fundit me autor Lasgush Poradecin, “Vjersha (këngë) popullore grarishte Pogradec dhe të fshatit Dardhë, Korçë”- Vëllimi I dhe “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”- Vëllimi II, që të dyja me shënimin mbledhur prej gojës së popullit, të përgatitura nga Marie Gusho-Poradeci dhe të botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, janë ngjarje e veçantë kulturore në vitin e 50-të jubilar të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të 35-vjetorit të ndarjes së Tij nga jeta. Rasti i mbledhjes së këngëve të Isuf Myzyrit (1881-1956) prej Lasgush Poradecit (1899-1987) është ndoshta procesi etnografik më i dokumentuar dhe më i strukturuar, që tregon se si Lasgush Poradeci, ky personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë shqiptare, ia doli të dokumentojë dhe të regjistrojë këtë trashëgimi muziko-letrare të mjeshtrit Isuf Myzyri, e cila sot bën pjesë në “Listën Kombëtare të Kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore”, shpallur nga Ministria e Kulturës. Lasgushi e konsideronte me të drejtë traditën si “fuqinë e një kombi”, e kësisoj edhe për veten e tij si krijues ai thoshte “unë jam tradicionalist”, pasi tradita për të ishte “fuqija shpirtërore dhe materiale e kombit”[1].

    Këngët e Usta Isuf Myzyrit[2] janë mbledhur drejtpërsëdrejti të kënduara nga goja e tij në 2 ditë shtatori të vitit 1940, përkatësisht në datat 26 dhe 29 shtator, kohë kur poeti Lasgush Poradeci qëndronte për kurim në “Banjat e Elbasanit”, ose siç njihen edhe si “Llixhat e Elbasanit”. Në shënimin hyrës, para paraqitjes së këtyre këngëve, gjendet teksti i mëposhtëm i bërë nga vetë Lasgushi: …. këngë të Isuf Myzyrit, vjershëtorit popullor elbasanas. Sot nj’a pesëdhjetë e tetëvjeçar, lindur në Elbasan. Të dëgjuara prej gojës së tij. Isufi ishte bektashi. Është bërë myhyp para 26 vjetësh në teqen e Elbasanit prej Baba Ahmet Elbasanit, në teqenë e madhe të Elbasanit. I vëllaj i Baba Ahmetit është Baba Mustafaj-I I teqesë së Elbasanit. Baba Mustafaj është gjysh[3].

    Vitet 1930 dhe fillimi i viteve 1940, kohë kur Lasgushi u mor intensivisht me mbledhjen e folklorit, ishin vite të rizgjimit të interesit publik e shtetëror për trashëgiminë kulturore dhe për shkencën albanologjike në veçanti. Me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare[4] në vitin 1940, institut i cili kishte si synim edhe botimin e përmbledhjeve të punimeve për folklorin, Lasgushi u bë një nga pjesëtarët kryesorë themelues të tij, së bashku me personalitete të tjera të artit dhe shkencës si Aleksandër Xhuvani, Ekrem bej Vlora, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, Odhise Paskali, Zef Valentini etj.

    Në këtë kohë, e cila kishte zgjuar interesimin për trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, botohet i pari libër i quajtur “Udhëheqësi i vogël për mbledhjen e Thesarit Folkloristik”[5], nga folkloristi i shquar shqiptar i shek. XX Stavro Th. Frashëri (1900-1965), në të cilin një vend të veçantë zinte kujdesi që duhet treguar për mbledhjen e folklorit e posaçërisht të muzikës popullore shqiptare. Ky botim i parë në këtë fushë gërshetonte përvojën më të mirë të krijuar nga vetë autori në mbledhjen e folklorit, me atë të studiuesve të huaj. Eksponenti tjetër, Ai që Stavro Frashëri kërkonte “të lartësonte muzikën tonë në shkallën e merituar”, ishte Lasgushi, i cili kishte vite që i kishte paraprirë reagimit shtetëror me mbledhjet e tij vetjake të folklorit, e që përmes personalitetit të tij tërhoqi vëmendjen e duhur ndaj trashëgimisë europiane të shqiptarëve pikërisht atëherë kur nuk bëhej fjalë për ekspedita të organizuara nga institucionet e specializuara ose ato arsimore të shtetit për ta mbledhur dhe dokumentuar atë.

    Në thelb të tyre, dokumentimi i këngëve të Usta Isuf Myzyrit është një tekst etnografik, pasi etnografia nuk është gjë tjetër veçse të shkruash për njerëzit (nga greqishtja ethnos-popull dhe graphien-shkruaj). Dihet se etnografia, e posaçërisht ajo e muzikës, nuk përcaktohet përmes perspektivave apo linjave të tipit teorik. Më së shumti ajo lidhet me elementet përshkruese të muzikës, të cilat kalojnë nga shkrimi i thjeshtë i tingujve drejt mënyrës se si këta tinguj janë konceptuar, si janë realizuar, si janë kombinuar me fjalët, si janë vlerësuar dhe si ndikojnë mbi individë të tjerë, mbi grupet shoqërore, deri edhe te vetë proceset muzikore. Pra, etnografia e muzikës merret para së gjithash me mënyrën se si njerëzit bëjnë muzikë e për këtë arsye, shpesh, ajo mund të ngjasojë me analizimin e ngjarjeve, sesa thjesht me analizimin e tingujve muzikorë.

    Për të kuptuar “etnografinë e muzikës” së Lasgush Poradecit, në ndihmë na vjen ditari i tij i cili është mjeti i analizimit të ngjarjeve etnografike. Ritheksojmë se këngët e Usta Isufit janë mbledhur që të gjitha gjatë kohës që Lasgushi qëndronte për pushime në “Banjat e Elbasanit”, te të cilat u nis nga Poradeci në datën 16 shtator 1940[6]. Në datat 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23 dhe 24 shtator 1940, Lasgushi ndjek një procedurë standarde që përfshin kryerjen e banjave të squfurit disa herë në ditë, ngrënien e drekës që zakonisht e konsumonte në natyrë pranë krojeve (kroi i Lindjes ose i Juglindjes, ose në mal nën drurë, ngrënien e zemërherës etj.). Në shënimin e datës 25 shtator 1940, e mërkurë, Lasgushi shkruan: … ardhi në Lixhë vjershëtori-violinist popullor Isuf Myzyri nga Elbasani, u poq me mua (me qënë që siç më tha, nuk mundi të vijë vjet kur e thirra). Kish sjellë dhe violinë dhe i ra disa këngëve të tija[7]. Në këtë shënim dalin qartë dy elemente. Së pari, fakti që Usta Isufi[8] i ka kënduar këngët të shoqëruara me violinë e në prezencë të Lasgushit e po ashtu, edhe interesi i Lasgushit për trashëgiminë muzikore të Usta Isufit, të paktën prej vitit 1939, kohë kur po në “Llixhat e Elbasanit”, Lasgushi kishte mbledhur nga goja e Kíma (= Jaqim) Bueadàn, nga Elbasani (aromën), dy nga këngët më të njohura të Usta Isufit: “Moj fullanxe moj mitare” dhe “Iku nata, agun malet”. Këngën e dytë e kishte mbledhur si motërzim edhe nga një tjetër bartëse, zonja Shaqe Zef Llupi, nga Shkodra, po në Llixhat e Elbasanit, më 26 shtator 1939.

    Në lidhje me takimin e parë nga afër me Usta Isufin, kemi edhe një shënim tjetër të Lasgushit, i shkruar pasi ata ishin takuar, i cili i bën akoma më të qarta synimet e tij: :… Isuf Myzyrin nga Elbasani e kam takuar kur shkova njëherë në Llixhë. I dërgova të vinte të më takonte dhe më erdhi. Ishte veshur me brekushe të bardha, shumë të pastra. Ndenjmë e biseduam. Unë desha të di poezitë që bënte ai. Isuf Myzyri vetë i bënte fjalët e këngëve, vetë i këndonte dhe vetë i shoqëronte me violinë. Për atë kam shkrojtur dhe një artikull atëherë[9]. Lasgushi e ndien dhe e di fare mirë se muziktarët si Myzyri kanë sjelljen dhe qasjen e tyre për atë që po ndodh gjatë takimit dhe interpretimit, i cili shoqërohet edhe me aspekte psikologjike e emotive, e për më tepër në kushtet kur ata, bartësit që intervistohen, nuk kanë dëshirë që të flasin për to.

    E duke i ditur të gjitha këto, thelbi i interesimit të Lasgushit qartazi fokusohet në dy elemente të rëndësishme:

    Nga buron aftësia krijuese muzikore e Usta Isufit?

    Cili është roli i tij si pjesë dhe kontribues në traditën e madhe të muzikës popullore qytetare?

    Në vitin 1940, Usta Isuf Myzyri ishte kryemjeshtri i muzikës qytetare të Elbasanit dhe një ndër mjeshtrit më të njohur të muzikës qytetare shqiptare. Ndikimi i muzikës së krijuar dhe interpretuar prej tij dhe orkestrinës së përbërë nga Mitat Stringa, Leksi Vini, Mustafa Bodini, Rustem Serica, Mahmut Ashiku, Arif Topalli, Met Balashi, Demir Shore, Ali Zena etj., i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Elbasanit, për të shkuar në qytetet kryesore shqiptare e më tej, në Kosovë e Maqedoni. Ai kishte mundur që krijimtarinë e tij ta shndërronte në një gjuhë komunikimi mes njerëzve, pasi muzika popullore nuk mund të ekzistojë e ndarë nga krijuesi, interpretuesi dhe publiku i saj.

    Dihet p.sh. se në vitet 1920-1930, një vend të posaçëm në formatimin e tipareve të këngës popullore qytetare të qytetit të Tiranës zunë lidhjet profesionale dhe miqësore të Usta Isuf Myzyrit me Tiranën dhe muziktarët popullorë të Tiranës[10], miqësi e cila ka ndikuar fort në tiparet e muzikës popullore të kryeqytetit të ri të Shqipërisë. Një këngë popullore e ahengut tiranas e ka përjetuar këtë miqësi në vargje e melodi:

    Po kënoj nji kong të vjetër, për arshikët në Tiron,

    i kujtojmë ne për gjith jetën, asiher s’do t’i harrojm.

    Sa i bukur osht Uqini, lezetlliku osht m’Tiron,  

    e ka thon Mustafa Budini dhe Myzyri n’Elbason.

    Nëpër kafe nër mihone, kongët tona tuj kenu,

    Liu i Nushit me qemone, xhevahir që s’ka të ç’mu.

    Vje Isufi prej Elbasoni, bon ahengun n’tabakhon[11],

    Me Bet Shyrben e Dull Dërhemin, arshikët jon m’Tiron.

    Në fotot që njohim nga Usta Isuf Myzyri, ai mbante në kokë një qeleshe tiranase, të cilat ishin më të lartat që mbaheshin në Shqipëri[12], dhe se ai ishte vetë një zanatçi që punonte qeleshe. Zanatin e qeleshexhiut-qeleshepunuesit ai e mësoi në Tiranë nga miku i tij Rexhep Murthi dhe e ushtronte atë paralelisht me muzikën, të cilën e kishte filluar rreth vitit 1905.  Nuk është e tepërt të pohojmë se, Tirana ishte një nga qendrat kryesore për punimin e qelesheve[13], ku ka dhe nji grumbull zejtarësh që kët zanat e ushtrojnë pothue den-babaden[14]. Janë këto vitet të cilat e njohën atë në rrethet e artizanëve të Tiranës edhe si muzikant popullor[15]. Me të drejtë është pohuar nga studimet tona muzikologjike se krijimtaria e tij, e mbështetur në trashëgiminë e këngëve tradicionale elbasanase si dhe më gjerë, të Shqipërisë së Mesme, edhe pse mjaft personale është e mbrujtur fort me këtë traditë[16]

    ***

    Ditët kur Lasgushi ka dokumentuar këngët e Usta Isufit janë ato të 26 shtatorit 1940 (e enjte) dhe 29 shtatorit 1940 (e diel). Në ditarin e datës 26 shtator, Lasgushi shkruan: … hëngra drekë ne kroj i Jug-Perëndimit (krua në lloj pusi). Sot përpara dhe pas dreke shkrojta 9 këngë të Isuf Myzyrit prej gojës së tij (në Lixhë)[17]; dhe shënimi tjetër i datës 29 shtator, që thotë: … u fjalosa për herën e fundit me këngëtorin popullor Isuf Myzyri. Ardhi që në mëngjes (ora 7.30’) në hotel “Park”. Pasdreke shkoj në Elbasan[18].

    Edhe pse nuk ka sqarime konkrete për këngët që ka mbledhur ditën e dytë, është e qartë se atë ditë janë mbledhur 5 këngët e tjera të tij. Pra, 14 këngët që gjithsej janë mbledhur drejtpërsëdrejti prej Usta Isuf Myzyrit, të cilat i gjejmë të publikuara në librat për të cilët po flasim, u përkasin 26 dhe 29 shtatorit të vitit 1940. Dimë se Lasgushi ka shkuar edhe herë të tjera në Elbasan apo edhe te “Banjat e Elbasanit”, por ai nuk është takuar më me Usta Isuf Myzyrin. Për këtë na ndihmon një tjetër shënim i bërë prej Lasgushit, ku rikonfirmohet se takimi i tij i fundit me të ishte ai i datës 29 shtator i vitit 1940. Lasgushi shkruan: …. më vonë desha ta takoj përsëri. Shkova te kafeneja ku rrinte zakonisht. Pyeta – ishin ca pleq bektashinj. Ka kalue – më thanë. Shiko sa bukur! Nuk më thanë vdiq apo ka vdekur, por ka kalue d.m.th. ka kaluar në jetën tjetër. Isuf Myzyri ka kalue, por poezinë e tij e mbaj mend: Sevdaja në pleqëni S’asht memqym me u durue/ S’më besojn as miqt e mij/ Mjeri un si kam pësue[19].

    14 këngët e mbledhura nga goja e Usta Isuf Myzyrit[20] janë ato me titujt: “Ah më paç në qaf që më vrave mu”, “Iku nata, agun malet”, “Si bilbili në pranverë”, “Kënga e shokut t’im Ali Bilalit”, “Nji lulisht me trandafila”, “U dëshirush me të pa”, “E paskim pas fatn e zi”, “Kumrija bën gu-gu”, “S’paske pas moj pik mëshire”, “Dashënija si rrufe”, “Përse më rri kaq vranu”, “Errësin’ e pyllit”, “Ma mir në pyll se në qytet”, dhe “Harap u bash un’ i mjeri”.

    Të mbledhura prej një këngëtari dhe instrumentisti të vetëm siç ishte Usta Isufi, referuar Kurt Sachsit (një studiues i kualifikuar si në historinë e artit, ashtu edhe në historinë e muzikës), pohojmë se tipari mbizotërues i natyrës së këtyre mbledhjeve prej Lasgushit është dokumentimi i «stilit patogjenik», me origjinë në “pasionin dhe impulset motorike”, që ndjek relaksimin e energjisë së këngëtarit i cili pason çdo shpërthim të emocionit të fortë. Për këtë arsye, të gjitha këngët shoqërohen me sqarime të natyrës shpjeguese të historisë së krijimit të tyre dhe kujt i kushtohet kënga, të fjalëve të përdorura në to, të vitit kur ato janë krijuar si dhe të mënyrës se si vargjet e këtyre këngëve janë mbledhur. Dokumentimi i këngëve popullore mbledhur nga Lasgush Poradeci prej këndimit dhe interpretimit të Usta Isuf Myzyrit duket se do të shenjojë një precedent pozitiv në etnomuzikologjinë shqiptare. Edhe pse këto këngë janë mbledhur vetëm si vargje dhe jo si notizime, ky rast dëshmon se sa e rëndësishme është për vërtetësinë e procesit të dokumentimit që vargjet të mblidhen si të kënduara kur vijnë prej këngës, dhe si të folura kur vijnë prej rrëfimit. Duket se Lasgushi e ka pasur shumë të qartë këtë gjë, derisa thekson disa herë, duke filluar prej titullit të librit “Vjersha (këngë) popullore… mbledhur prej gojës së popullit”.

    Para se Lasgushi të mblidhte trashëgiminë kulturore shpirtërore, mbledhje dhe botime të këngëve popullore duke filluar nga shek. XVIII kanë bërë Reinholdi, Hani, Pukëvili, Dozoni, Mitkoja, Hekardi, Basile, Camarda, Crispi, Staffa, Biondelli, Schiroi, De Rada etj. Gjithashtu, një lëndë të pasur do të gjejmë edhe në veprat e para të letërsisë së vjetër shqipe duke filluar me Buzukun, Budin, Bogdanin, Frang Bardhin, Marin Barletin etj. Pas tyre ishte Mitko e më pas françeskanët, që kishin hedhur hapat e parë edhe për botimin e mbledhjeve të folklorit. Ajo që ndryshon te Lasgushi në raport me ta është pikërisht informacioni plotësues-shtesë e i detajuar që ai sjell sa u përket rrethanave të mbledhjes së materialeve burimore folklorike, gjë të cilën e gjejmë akoma më të konkretizuar te mbledhjet me nota të folklorit muzikor mbarëshqiptar, si te “Lyra”[21] e Pjetër Dungut-1940 dhe ato të folklorit muzikor shkodran që Gjon Kujxhia[22] transkriptoi dhe botoi në Itali, në vitin 1943. Vdekja e parakohshme e Kujxhisë i ndërpreu:….:… planet guximtare me mbledhë e komentue folklorin muzikuer shqiptar dhe m’e shfrytëzue në krijesa origjinale ku të ndihej  fryma autoktone[23], ndër to edhe punën e pambaruar “Hengu Shkodran”, të cilin autori e la në dorëshkrim.

    Janë me shumë interes shënimet plotësuese të bëra prej Lasgushit për rrethanat se si këngët e Usta Isufit u krijuan, për shpjegimet e fjalëve, e sidomos për kohën e krijimit të këngëve. P.sh. për këngën shumë të njohur “Si bilbili në pranverë” shkruan se “kjo këngë ka nja 13 vjet që është bërë”; për këngën “Ah më paç më qaf që më vrave mu” shkruan se “Isuf Myzyri ia ka vënë edhe melodinë vetë dhe mund të ketë qenë nja 14-15 vjeç”; për “Kënga e shokut tim Ali Bilalit” shkruan se “ka nja pesë vjet që e ka bërë, në parëverë”; për “Nji lulisht me trëndafila” thotë “mund të ketë nja 4-5 vjet që e ka bërë”; për këngën “U dëshirush për me të pa” dhe “E paskim pas fatn e zi” shkruan se “nuk mban mend kur e ka bërë”; për këngën “Kumrija bën gu-gu” pohon se “e ka bërë para 4,5, ose 3 vjetësh”; për këngën “S’paske pas moj pik mëshire” nuk ka informacion për kohën e krijimit; për këngën “Dashënija si rrufe” pohon se “ka nja 7-8 vjet që e bëri”; për këngën “Përse më rri kaq vranu”- “mund të ketë nja 10-12 vjet që e ka bërë”; për këngën “Errësin’ e pyllit”- “krijuar para 5-6 vjetësh”; për kryekëngën “Ma mir në pyll se në qytet” shkruan “bërë para tre vjetësh” dhe për këngën “Harap u bash un’ i mjeri” bën shënimin “Këtë vjershë e ka bërë simvjet, 1940. Nuk e di asnjeri tjetër, vetë shoku Aliu e ka dëgjuar një herë. Vetëm një herë, por Aliu nuk e di me gojë”.

    I theksuam sa më sipër pasi koha e krijimit të këngëve ka shumë rëndësi, sepse përmes njohjes së saj kuptojmë shpejtësinë e përhapjes si dhe zonën e përhapjes së tyre. Këtë fenomen e ka konstatuar edhe Eqrem bej Vlora kur shkruante:… del një këngë, poeti dhe kompozitori i saj në më të shumtën mbeten anonim, ndonjë nga këngëtaret e pëlqyera e benë të njohur dhe atëhere, këndohet e këndohet pa pushim[24]. Pasi njihesh me këto dy volume të mbledhjeve folklorike prej tij, bëhet shumë e qartë situata sa i përket vendit që zë krijimtaria popullore dhe ndikimi i saj në gjuhën e tij poetike. Në jetën e tij Lasgushi pati kontakte dhe bëri përpjekje të rëndësishme për të njohur e më pas studiuar trashëgiminë kulturore shpirtërore të popullit. Në dy botimet për të cilat po flasim, gjejmë trashëgimi shpirtërore nga e gjithë Shqipëria: nga Labëria, Toskëria e Gegëria, polifoni me iso e njëzërësh, këngë lahute e këngë çiftelie, folklor muzikor qytetar dhe folklor muzikor të fshatit etj. Ai, qysh fëmijë, u mëkua me këngët dhe vajet e vendlindjes, jo më kot një pjesë e bartësve të dokumentuar janë pjesëtarë të ngushtë të familjes së tij. Më pas, në periudhën e studimeve në Athinë, bie në kontakt me librin e A. Kulluriotit me vjersha, fabula e rrëfime të mbledhura nga goja e popullit, i botuar më 1882. Vite më pas, studimi i tij i doktoraturës “Mihal Eminesku, lidhja e tij me filozofinë popullore” (1933), ishte një qasje madhore e shkencore e Lasgushit mbi rëndësinë e folklorit te krijuesi, rasti i Emineskut, e jo vetëm për të.

    I pari që theksoi rëndësinë e Lasgushit si poet ishte Eqrem Çabej, dhe këtë e bëri përmes një shkrimi që mbarte brenda një thirrje: “Djalëri shqiptare, lexo Lasgushin dhe vdis”! Po në këtë shkrim të botuar më 1929, disa vite përpara se Lasgushi të botonte vëllimet e tij poetike, Çabej bëri pohimin emblematik se stili i Lasgushit ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte si, bie fjala, një pjesë mozartiane nga një pjesë beethoveniane”[25]. Më 1933 botohet VALLJA E YJEVE në Kostancë të Rumanisë dhe më 1937, “Ylli i zemrës” në Bukuresht. Këto dy vëllime kryesore të krijimtarisë së tij janë shkruar e botuar në dhjetëvjeçarin që përfshin vitet 1930-1940, kohë kur Lasgushi ishte tërësisht i fokusuar edhe si mbledhës folklori, gjë e cila është konstatuar edhe në studimet e tjera kushtuar veprës së tij, kur pohohet se: … arti i Lasgushit ushqehet nga disa burime. Imagjinata e lindur dhe pasioni i ndezur u fuqizuan nga kultura e gjerë dhe arti popullor. Arti popullor nuk erdhi në poezinë e tij si një material i përpunuar, por si element strukturor i rëndësishëm. Kështu poezia e tij nisi te tradita më e mirë e letërsisë sonë popullore, te folklori i Jugut[26], se … një numër i konsiderueshëm i poezive të Lasgushit ka një strukturë që përgjithësisht na kujton strukturën e këngëve popullore[27], etj. Fjala në poezinë e Lasgush Poradecit, me mënyrën e veçantë të formimit dhe përdorimit, ka peshë të madhe e cilësi të rralla. Në të, ashtu si harmonizohet mendimi me bukurinë, harmonizohet edhe shqetësimi i brendshëm me qetësinë e jashtme, tingulli me ritmin. Muzikaliteti i saj është i pandarë nga atributet e tjera[28]; apo … aktivizimi melodik dhe muzikor  i interpunkcionit”[29]si dhe “…muzikaliteti i vargjeve të Lasgush Poradecit … nuk mund të jetë i pavarur nga fondi i poezisë, madje ai përbën një kusht parësor të vlerës poetike”[30].  

    Lasgushi, përveçse një poet i dorës së parë, një shkencëtar i historisë së gjuhës dhe letërsisë kishte një formim dhe afinitet të veçantë për muzikën. Në djalëri, në liceun rumun të Manastirit i binte flautit, ndërsa kur shkoi në liceun francez, në Athinë, mësoi të luante në klarinetë[31], duke qenë edhe pjesëtar i orkestrës së shkollës. Dimë se kur ishte në Bukuresht, pas vitit 1920, ndoqi për 6 muaj konservatorin e muzikës dhe se kishte formuar dije thelbësore për historinë e muzikës e për lëndët teknike të saj, si për solfezhin, harmoninë e polifoninë. Pas kthimit nga Graci, Austri në Shqipëri, dimë se solli me vete një klarinetë në sib[32] me të cilën ushtrohej rregullisht në kopshtet e jeshiluara të Pogradecit. Një provë më shumë për formimin muzikor të :Asgushit është edhe një dorëshkrim muzikor i tij që përmban një këngë në notizim, me fjalë e muzikë të krijuar prej tij.

    Nga ana tjetër, në vitet 1930 ai kishte shkruar vargjet më të bukura për disa këngë e romanca të cilat ishin muzikuar nga kompozitorët e kohës, miq të tij, si Kristo Kono (1907-1991), që shkroi muzikën e “Kur m’u rite vogëloshe” dhe “E mora shoqezën përkrah”; “Marshi i djalërisë” kompozuar nga Dhimitër Mihailesku-Toskani në Rumani; “Kroi i fshatit tonë”, “Të ritë e viteve të mi”, “Fryn veriu në Mal-të-thatë”, “Foli nëna me vajtim”, “Ku shtrohet vala përmi zall”, melodi të krijuara prej shokut të tij, Eftim (Miçe) Kovaçit etj. Sipas Lasgushit: … këto 5 poezi të muzikuara prej Miçe Kovaçit që ish një artist-baritor shumë idealist korçar dhe një atdhetar shumë idealist rilindas bukureshtjan, i pat kënduar gjithënjë në koncertet e saj personale që jipte në Tiranë, Korçë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe qytete të tjera të Shqipërisë, sopranoja lirike, e famëshmja Tefta Tashko, e akompanjuar në piano prej Lola Aleksit[33].

    Duke u përpjekur të kuptojmë se përse Lasgushi mbetet një figurë ideale si etnograf i muzikës, na duhet të ritheksojmë talentin dhe formimin e tij të veçantë jo vetëm si poet, por dhe aftësinë e tij në kuptimin dhe zbërthimin e gjuhës muzikore, pasazhe të mrekullueshme të të cilave i gjejmë në korrespodencën e tij me këngëtaret tona të njohura dhe me kompozitorin Kristo Kono. P.sh., në letrën[34] e vitit 1931 drejtuar sopranos Jorgjie Truja, ai i drejtohet asaj si “këngëtarja shqiptare gryk ergjëndi” dhe “zëri me vala të florinjta”, ndërkohë që me këngëtaren Tefta Tashko Koço kishte vendosur marrëdhënie profesionale të ngushta, kishte shkruar dhe përkthyer disa materiale sipas kërkesave të saj, ndër to tekstin e “Serenatës” së Franc Shubertit, “Pensee d’automne” të Jules Massenet etj. Në korrespodencën e vitit 1937 me Tefta Tashko Koçon, ajo ndër të tjera i kërkon Lasgushit “zgjatimin e këngës popullore shqiptare “Kur më vjen burri nga stani”[35], si dhe i pohon faktin se “do të jetë e para herë që do më epet rasti të këndoj fjalët e një poeti shqiptar që gjithë atdheu ynë e njeh dhe admiron talentin e tij”[36]. Nga kjo pjesëz e shkëputur nga letra, kuptojmë shumë si për raportin e Lasgushit me këngët popullore e po ashtu procesin e ndikimit të saj në krijimtarinë e tij poetike të atyre viteve.

    Në një tjetër letër, tashmë drejtuar kompozitorit Kristo Kono[37], Lasgushi përshfaqet si muzikolog i thekur në analizën që i bën romancës së Konos “E mora shoqezën përkrah”, mbi poezinë e tij. Ai shkruan:… i ke dhënë Kono muzikës shumë fond poetik dhe një stil të kulluar, të drejtuar me serenitet përmes kadencave të ndryshme dhe modulacioneve të variuara të saj. E kuptoj mendimin t’ënd, temën e përgjithëshme të ndarë trimëzaj, të përbërë prej tri idesh muzikale që konkordojnë me njëra tjetrën drejt efektit kryesor: melodija e përmallëshme me taktet e mbëdha të pjesës së parë – hovi i intesifikuar me shpejtimin ritmik të së dytës – ekspansioni i pasionit në të tretën që kulminon me atë akord largo të masës finale. Më pas, në të njëjtën letër, shkruan raportin e artë që ekziston mes tingullit dhe fjalës, ky i konkretizuar në raportin mes Konos si kompozitor dhe Poradecit si poet: … kështu Kono, muzikant hije-rëndë, me tonet valonjëse dhe fluturonjëse nër qiej harmonish të pasosura. Kur se unë vargëtar fat-plumb, i lidhur prej materjes së fjalës, prej fjalës fizike, lëndore, së dheshme – lëndë e rëndë kjo, e shkrumbtë, e plumbtë o Kono – i lidhur unë kështu prej kësaj martirizonjëse për të shprehur atë përmjet saj, harmoninë e padëgjuarshme sepse vetëm të ndjerë të zemrës – luftoj me fjalën e lëndtë luftë mizore, mundohem, digjem, ndizem, piqem edhe përpiqem, zjej dhe brej, flas e buças, mëndem e çmëndem, vdes po prapë nuk vdes fare dyke rrojtur i vdekur i gjallë – gjer sa me kaq luftë dhe kaq kotësirë mund të nxjerr më në fund një harmoni të pakët: të cilën lavdi Zotit, ja se ku vjen muzikanti sepse ndryshe ajo mbetet e dergjur dhe e cekët, ja ku vjen muzikanti për t’a shumuar dhe fuqizuar, për t’a ngritur dhe vërsulur lart qiejve si me kraha të leta me fuqinë dhe magjinë e toneve fluturimtare.

    Ndërkohë, Lasgushi nuk ka nguruar që afinitetin dhe lidhjen e tij me muzikën ta bëjë publik edhe në shtypin shqiptar, fillimisht me një artikull për historikun e krijimit të Himnin tonë Kombëtar, të titulluar “Himni kombëtar Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, botuar fillimisht në gazetën “Tomorri”, në vitin 1942. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi: … me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si “Himn Kombëtar”, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit. Kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”[38].

    Në një tjetër artikull të shkruar me titullin “Koncerti Konstantin Papajorgji”, i botuar në revistën “Bota e Re”, nr. 4, viti 1945, për të konstatohet se “nuk është thjesht një raportim gazetaresk për një koncert harqesh, por një tekst që i përmban të gjitha elementet e kritikës muzikore”[39]. Aty, ndër të tjera, Lasgushi thekson se:… “Rapsodia shqiptare, për hirin e motivit popullor “Trandafil në Shkodër”, të zhvilluar më së miri në stilin e kompozicionit modern, gjë e cila vërteton mundësinë e rikrijimit të muzikës popullore shqiptare”[40] etj.

    Referuar botimeve me mbledhje folklori të Lasgushit, ripohojmë se vitet 1930-1940 ishin vitet më intensive kur ai iu përkushtua mbledhjes së folklorit drejtpërsëdrejti nga goja e popullit. Janë disa krijime që provojnë praninë e tij fizike gjatë mbledhjes së folklorit. Po sjell dy prej tyre. I pari, një krijim popullor që quhet “O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur” dhe i dyti, një krijim letrar i Lasgushit me titullin “Kënga Pleqërishte”. Te krijimi i parë kuptojmë se sa familjar ishte Lasgushi me bartësit e folklorit, saqë prezenca e tij në ambientet ku këndohej dhe kërcehej është përjetuar tashmë edhe në krijimin popullor “O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur”[41]Kurse tek i dyti, kuptojmë jo vetëm atmosferën ku Lasgushi gjendet, pra në mes të një grupi polifonik, por edhe faktin se duke qenë mes tyre është frymëzuar për këtë poezi unike, e cila në thelb është përshkrimi poetik i këndimit polifonik popullor, nisur nga mënyra si zërat solistikë dhe iso e grupit komunikojnë mes tyre në kontekstin e peizazhit tipik malor shqiptar.

    Këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit tem!

    Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem!

    Tani jam dëshëruar së largu të më vish:

    Dëgjoju, as dëgjoju! Moj këngë pleqërish!

    Pa u zgjatur më tej, dokumentimi i këngëve të Usta Isuf Myzyrit ka vlerë të shumëfishtë, pasi:


    1. Për të parën herë, prej vetë Usta Isufit dëshmohet se cilat janë këngët e krijuara prej tij, këto në raport me një repertor më të gjerë këngësh që i atribuohen Atij si autor, si në muzikën qytetare të Elbasanit, ashtu edhe në atë të Tiranës.

    2. Provohet katërçipërisht origjinaliteti i vargjeve të këngëve të krijuara prej Usta Isufit, kjo përmes vargjeve të kënduara, të dëgjuara në prezencë e më pas të dokumentuara prej Lasgush Poradecit, me kompetencë e korrektesë letrare si dhe me saktësi shkencore. Për këtë arsye, këto këngë duhen konsideruar si vullneti i Usta Isufit, dhe si të tilla ato duhen respektuar në këndimet e mëpastajme sipas variantit që Lasgush Poradeci mblodhi prej gojës së tij.

    3. Mbledhja e këngëve të Tij nga Lasgush Poradeci dëshmon se procesi i krijimit të muzikës popullore qytetare të Elbasanit[42] ishte aktiv në vitet 1939-1940 dhe se Usta Isuf Myzyri pranohej dhe konsiderohej nga të gjithë si emblema më e re e kësaj trashëgimie muzikore qytetare.

    4. Këngët e Usta Isuf Myzyrit janë prova e qartë e rikrijimit të muzikës popullore të qytetit të Elbasanit pas një periudhe të gjatë shumëshekullore të ndikimit otoman, duke shënuar reformimin e praktikave të ahengut qytetar elbasanas. Në muzikën qytetare këto këngë shenjojnë një kthesë drejt veçorive muzikore paraosmane, drejt shkallëve modale hemitonike, me fare pak kromatizma, me përdorimin e metrave dhe të masave muzikore të lidhura me mendimin poetik e individual të krijuesit dhe jo me krijime të prejardhura, të ndikuara apo të mbishtresuara e të huazuara.

    Përmes këtij botimi, Lasgush Poradeci e rendit veten në më të mëdhenjtë mbledhës të folklorit shqiptar të të gjitha kohëve, prej Frang Bardhit, Thimi Mitkos, Spiro Dines, Dozonit, Hahnit, Majerit, Pedersenit e deri te Jeronim de Rada e Ramadan Sokoli.

    Njohja e kësaj pune kolosale të kryer nga Lasgush Poradeci në lëmin e mbledhjes së trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar do të sjellë një interesim të çdo kategorie lexuesi ndaj këtyre librave, për t’u njohur me pasurinë e folklorit tonë e, padyshim, një qasje të re të studiuesve të veprës së Tij, për të parë tanimë konkretisht marrëdhëniet e pandashme të Lasgushit me folklorin, ashtu siç ai shkruan te poezia “Përjetësia”:

    Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi,

    Bashkohesh brenda me përjashtësi,

    Bashkohesh jashta me përbrendësi,

    Bashkohesh fellë me përjetësi!


    [1]  Shih Poradeci Lasgush, “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”, vëllimi II, Tiranë, 2022, f. 7. Libër i perifrazuar.

    [2]  Për Usta Isuf Myzyrin shih: Ceka, H. “Usta Isuf Myzyri, muzikant i dëgjuar i Shqipërisë së Mesme”, gaz. “Bashkimi”, 1957, 12 korrik; Bebeti Mehmet, Shëngjergji Rrapush, “Luftëtar dhe këngëtar i lirisë”, gaz. Shkumbini, 1982, 12 shtator; Filja Hysen, “Isuf Myzyri, krijues i njohur i këngës popullore”, “Drita”, 1986, 9 mars; Dedej Sulë, Balliçi Alfons, “Isuf Myzyri”, Onufri, 1996; “Isuf Myzyri”, broshurë, Elbasan; Shuteriqi Dhimitër, “Nga kënga e popullit”, Tiranë, 1991; Poradeci. Lasgush, “Vepra 3”, Tiranë, 200; Meksi. Thanas, “Mjeshtër i këngës popullore”, Elbasan, 2001 etj.

    [3]  Po aty f. 497. Libër i cituar. Shënim i datës 26 shtator 1940.

    [4]  Shih për më shumë “50 vjet Akademi e Shkencave e Shqipërisë”, Tiranë, 2022, f. 15.

    [5] Botuar në tre numra radhazi të gazetës “Tomorri”, më 18, 19, dhe 21 korrik të vitit 1942.

    [6] Shënim nga ditari personal i Lasgush Poradecit. Aty shkruan: … sot u nisa prej Poradeci për në Banjat e Elbasanit. Vajta ne nëna i putha dorën, po zemrën e kam të thyer që nuk jam ngopur as simvjet me nënë, (sepse simvjet ndenja fare pak, vetëm 6 javë). Vinja 2 herë në ditë te nëna, i bëra dhe gjithë mveshjet dhe hamjet që ka nevojë, po ajo simvjet ka rënë shumë dhe mua zemra m’u coptua. Zoti më faltë!

    [7]  Shënim nga ditari personal i Lasgush Poradecit.

    [8]  Për Usta Isufin shih gjithashtu Minga Mikaela, “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen”, Tiranë, 2020, f. 163-165.

    [9] Shënim nga ditari personal i Lasgush Poradecit. Deri më tani nuk kemi mundur ta identifikojmë artikullin që Lasgushi përmend më sipër dhe as organin se ku mund të jetë botuar.

    [10]  Për më shumë shih Tole Vasil S, “Trashëgimia Shpirtërore e Tiranës në muzikë”, Tiranë, 2020.

    [11] Dyqan i regjjes dhe përpunimit të lëkurëve të kafshëve të buta dhe të egra. Sipas Dizdarit tabak, tabaku është ai që ka mjeshtëri të regjë lëkurë, lëkuraregjës. Te Dizdari Tahir, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2005, fq. 978. Sipas Gazmend A. Bakiu, tabakhana konsiderohej edhe si “shtëpia e lëkurëve”. Në Tiranë regjja e lëkurëve kryhej në vende ku kishte ujë, dhe bëhej pranë Lanës dhe Urës së Tabakëve. Madje, e gjithë lagjja juglindore e Tiranës së atëhershme mori emrin Lagjja e Tabakëve. Shih “Tirana e vjetër”, Tiranë, 2014, f. 113-114. Studim i cituar.

    [12] Shih Gjergji Andromaqi, “Veshjet popullore në rrethin e Tiranës”, te “Veshje Popullore Shqiptare”, Volumi 3, Tiranë, 2004, fq. 80. Studim i cituar.

    [13] Qeleshja është një kësulë e bardhë prej plisi, e punueme në vend, në forma të ndryshme sipas krahinave. Për llojet e qelesheve të përdorura në Tiranë shih Dizdari Tahir, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2005, fq. 793.

    [14] Sipas Dizdari Tahir, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2005, fq. 793. Studim i cituar.

    [15]  Shih Dedej Sulë, Balliçi Alfons, “Isuf Myzyri”, ONUFRI, 1996, f. 12.

    [16]  Koço Eno,“Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930”, Tiranë, 2002, f. 8. Studim i cituar.

    [17] Shënim nga ditari personal i Lasgush Poradecit.

    [18] Shënim nga ditari personal i Lasgush Poradecit.

    [19]  Shënim nga ditari personal i Lasgush Poradecit.

    [20] Usta Isuf Myzyri lindi në Elbasan më 8 mars 1880 dhe vdiq po në Elbasan, më 21 tetor 1956. Mban titullin “Artist i Popullit”- pas vdekjes. Mjeshtër popullor i njohur gjithandej me emrin Usta. Krijues, këngëtar-tenor dhe interpret i shquar popullor në veglën e violinës, i gjysmës së parë të shek. XX. Në fëmijëri, Isuf Myzyri punoi në zanate të ndryshme. Martohet në moshë të re dhe ndahet pas disa vitesh. Tërë jetën e tij e kaloi së bashku me motrën e tij, dhe nuk u martua përsëri. Më 1905 formon formacionin e tij me vegla popullore të përbërë nga Simon Vela me çyr, Mahmut Ashiku me lahutë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Prifti me gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimin me çyr bishtëgjatë, Myrteza Gracenin dhe Riza Beratin me violinë. Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues “Usta Isufi” e filloi në moshë të madhe, në fillim të viteve 1920 Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase, ku spikatin bukuria e frazës muzikore si dhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit. Për të mund të thuhet se i hoqi perçen e orientit muzikës qytetare të Elbasanit. Si besimtar bektashian, Usta Isufi ka kënduar edhe një pjesë të repertorit muzikor fetar të këtij besimi, në ndonjë rast të njohura edhe si këngët e ashikisë. Në vitin 1950 i jepet titulli “Dervish nderi” nga ana e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njeri këngëtar në tjetrin jo vetëm në Elbasan, por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe te shqiptarët e Maqedonisë. Në vitin 1950, në qytetin e Elbasanit, formacioni muzikor i Usta Isufit ka regjistruar disa disqe me këngë popullore në një shtëpi diskografike të ish-Bashkimit Sovjetik. Më 31.08.1978 (pas vdekjes), i jepet titulli i lartë “Artist i Popullit”, me motivacionin: Si këngëtar popullor, ka dhënë një ndihmë të shquar në pasurimin dhe zhvillimin e këngëve folklorike. Një meritë të veçantë në grumbullimin dhe sistemimin e krijimtarisë së Usta Isufit ka dhënë muziktari elbasanas Mitat Mehmetali Stringa (Elbasan 1924 – Tiranë 14.11.1989). Emri i Isuf Myzyrit është përjetuar në Shtëpinë e Kulturës të Elbasanit. Traditën e mrekullueshme të krijuar nga Isuf Myzyri, pas viteve ’50 e vazhduan këngëtarë të tjerë, pasues të tij si vëllezërit Zena, Albert Tafani, Agim Saliu, Mustafa Mehja etj. Një pjesë e madhe e këngëve të tij janë kënduar edhe nga këngëtarët lirikë shqiptarë si Tefta Tashko Koço, Marie Kraja etj.

    [21] Në vitin 1940, kompozitorit Pjetër Dungu i përket merita kryesore e botimit të parë me nota të muzikës popullore shqiptare. Botimi i tij “Lyra shqiptare” përmblidhte 50 këngë popullore shqiptare, ndër to: 19 këngë popullore shkodrane, 15 korçare, 7 kosovare, 5 beratase, 2 elbasanase, 1 vlonjate dhe 1 durrsake.

    [22]  Për më shumë shih “Gjon Kolë Kujxhia “një ilir i ndezun”, Tiranë, 2018.

    [23]  Shih Koliqi Ernest, “Vepra 6”, Prishtinë, 2003, f. 535. Studim i cit.

    [24]  Cituar nga Dervishi Fatbardh, “Muzika popullore e qytetit muze të Beratit”, Berat, 2011, f. 35.

    [25]  Çabej, Eqrem, “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”, tek “Gazeta e re”, 23 shkurt 1929, f. 3.

    [26]  Poradeci Lasgush, “Vepra letrare”, Tiranë, 1990, f. 37. Hyrje e cituar.

    [27]  Matoshi, Hysen, “Poezia e Lasgush Poradecit në kontekstin e poezisë evropiane”, Prishtinë, 2000, f. 139. Libër i cituar.

    [28]  Poradeci Lasgush, “Vepra letrare”, Tiranë, 1990, f. 38. Hyrje e cituar.

    [29]  Qosja Rexhep, “Antologji e Lirikës Shqipe”, Hyrje, Prishtinë, 1970, f. 30. Libër i cituar. 

    [30] Kuteli Mitrush, “Disa vërejtje mbi studimin ALBANICA të zotit Dr. Anton B. Y. Balota”, 1937. Studim i cituar.

    [31]  Shih Bello Pandi, “Lasgushi dhe muzika”, te Pandi Bello: Lasgushi dhe muzika — ExLibris

    [32]  Shih Mato Tomi, “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”, Tiranë, 2006, f. 20.

    [33]  Fragment nga letra drejtuar Dhimitër Pilikës më 15 korrik 1979. Letër e cituar.

    [34] Letër drejtuar znj. Jorgjija Truja (Filce) Via Uffici del Vicario, Nr. 11 Roma (Itala) Graz, 14 dhjetor 1931.

    [35]  Shih Koço Eno, “Tefta Tashko Koço”, familja dhe bashkëkohësit e saj në imazhe”, Tiranë, 2016, f. 95. Letër e datës 5 maj 1937. Letër e cituar.

    [36]  Po aty, f. 95.

    [37]  Letër e datës 18 shkurt 1948. Letër e cituar.

    [38] Poradeci Lasgush, “Vepra”, Tiranë 1990,  fq. 356-373. Lasgushi nuk ka qënë dëshmitar i zhvillimit të ngjarjeve që përshkruan në punimin e tij, por burimi i tij kryesor i informacionit duhet të ketë qënë vetë Asdreni, me të cilin e lidhte një miqësi e gjatë, çka e bën këtë punim dokumentin më të besueshëm në lidhje me krijimin e himnit tonë kombëtar dhe rrethanat e lindjes së tij.

    [39]  Shih Yzeiri Ilir, “Semiopragmatika e realizmit socialist”, Onufri, Tiranë, f. 119-129. Libër i cituar. Sipas Yzeirit: … Poradeci na shfaqet si gazetar brilant, kritik muzikor klasi. Me një stil konçiz, përndryshe karakteristik edhe për poezinë e tij, ai e ndërton rrëfimin duke i dhënë çdo fjale një histori më vete.

    [40]  Shih Pogradeci Lasgush, “Koncerti Konstantin Papajorgji”, revista “Bota e Re”, nr. 4, viti 1945, f. 55. Artikull i cituar.

    [41]  Shih Poradeci Lasgush, “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”, vëllimi II, Tiranë, 2022, f. 166. Libër i cituar.

    [42] Përpara se Isuf Myzyri të hynte në jetën muzikore popullore të qytetit të Elbasanit, tradita e këngëve të vjetra popullore elbasanase ishte mbledhur dhe sistemuar nga Spiro Papajani më 1859 dhe Harallamb Papajani më 1877. Sipas prof. Shuteriqit, në Elbasan dëgjoheshin sidomos ato që i quajnë “këngë të vjetra”. Janë këngë qyteti, plot melizma. I përdorin edhe pak fshatra veriore pranë, ku melizmat ua shtojnë, si në krahinën e Zaranikës. Cituar sipas Tole Vasil S, « Fjalori i muzikës popullore homofonike », Tiranë, 2012.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË