More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Ditar Kabashi: Streha magjike e ‘Talës’

    Dr. Ditar Kabashi: Streha magjike e ‘Talës’

    Fatlum cilësohet njeriu kur e bën një gjë të cilën e admiron, sado e madhe të jetë ajo gjë. Poeti i madh turk Nâzım Hikmet, i cili ishte dëbuar nga atdheu dhe kishte mbyllur sytë larg tij, thotë: “Dua një lumturi të vogël. Le të jetë aq e vogël, sa askush të mos ma kërkojë”. Të shkruash qoftë edhe pak rreshta për veprimtarinë e dikujt që ka shkrirë jetën për letrat në gjuhën e vet, është një mundësi por edhe lumturi e madhe. Megjithatë, privilegjin për të shkruar një përshtypje të thukët për veprën “Tala” të z. Xhevair Lleshi, prirem ta konsideroj “lumturi të vogël”, me lajtmotivin e Hikmetit, “që askush të mos ma kërkojë”, pra që të jetë nën zotërimin tim.

    Pedanteria e fjalës, e përftuar nga përshkrimi psikanalitik dhe një gjuhë tejet e pasur rrëfyese që dyzohet në unin e shkrimtarit Lleshi, merr trajtën e një romani që lexohet me një frymë. Dhe ky lexim nuk bëhet “me një frymë” nga thjeshtësia e tematikës që trajtohet në roman, porse nga narracioni i qëndisur mjeshtërisht, ku sapo ftillohet një e ngjarë, ajo di t’i hapë udhë personazheve që dalin në arenën e ndodhive të njëpasnjëshme. Kjo sendërgjon ritmikën e nevojshme për të mbajtur gjallë interesimin se çfarë të pret në faqen vijuese.

    Duke qenë se në fokusin e romanit radhitet një vargan ngjarjesh që kanë ndodhur në qytetin antik e përrallor të Shqipërisë, të cilat zënë fill si rrjedhojë e luftës së fundit në Kosovë, natyra e veprës merr një kolorit verbues stinësh. Aty ka shtrëngatë: eksod të egër, vdekje, vrasje, përdhunim, tradhti, vjedhje, luftë… me një fjalë, elemente tragjike që ngrijnë gjakun dhe lexuesi nis e vret mendjen nëse secili humanoid që ecën me dy këmbë është në të vërtetë njeri. Në anën tjetër, në margjinat e fletëve të këtij libri, hera-herës na shoqëron mot i këndellur gjallërues: solidariteti njerëzor, mikpritja shqiptare, biblioteka si dritare për botën, mensa që bashkon njerëz rreth bereqetit që quhet bukë, hareja e bashkëjetesës (qoftë e përkohshme dhe në rrethana të pazakonta), bukuria e dialekteve të degëzuara që hijeshon trungun e gjuhës shqipe, dëshira dhe motivi për të çarë rrugën tej pavarësisht sprovave e sfidave të jetës… thënë shkurt: përkundër të gjithave, gjurmimi për të vazhduar jetën. Jetën, meqë ajo e mund edhe vdekjen. Jetën që rilind pas secilës vdekje, sikur sythat që çelin rishtas e rishtas edhe pas dimrave më të acartë. Kështu rilindi edhe populli ynë. Kësaj radhe më i bashkuar e më pranë pjesës tjetër që jetonte matanë kufirit.

    Barrierat u thyhen; kosovarët gjetën strehimin në kampin e refugjatëve të qytetit antik (natyrisht, jo vetëm aty). Në këtë rast, strehimi nuk parakuptonte banimin e disa të shpërngulurve dhunshëm, që kishin ikur nga vendlindjet e tyre, siç përkufizohet rëndom. Përkundrazi, kjo ishte një prekje e dy copëzave të një zemre, që kishin funksionuar çuditërisht ndaras për një kohë të gjatë, por që të dyja kishin kryer funksionin e tyre për të mbajtur gjallë organizmin: shqiptarinë. Shi për këtë, pa kaluar një copë kohe, Tala zë e nis të flasë me dialekt kosovar. Ky efekt origjinal ndriçon errësirën artificiale të mosnjohjes me njëri-tjetrin. As malet e larta që ndajnë hapësirat gjeografike nuk mund të ishin pengesë për afrinë. Siç thuhet me të drejtë në këtë libër “mali s’ngre mure, po shkëmbinj” (f. 47). Këta shkëmbinj dëshmojnë për qëndrueshmërinë e këtyre trojeve. Fundja, toponimet ishin kthyer qëmoti në emra njerëzish.  

    Dhimbja, që është njëra ndër elementet më të spikatura në këtë libër, në dukje të parë i sjell angështi personazheve të caktuara. Por, sakaq, ajo shtrihet në dimension përbashkues, ku gjithsecili e ndjen atë gjer në inde. Kësisoj, skenat në të cilat krijohet empatia mes nikoqirëve dhe mysafirëve në kamp kalon rrugëtimin “e nisjes nga vetja për të mbërritur po te vetja” (f. 93). Ngase, në të vërtetë, në situata të tilla, vetat e shumtë dinë të bëhen një. Së këndejmi, autori, me gojën e rrëfimtarit Buli, hedh edhe një hipotezë indikative për fatin e përbashkët të Kosovës me Shqipërinë. Rrëmuja politike e publike e vitit 1997 në Shqipëri, (të cilën Buli e quan revolucion komunist) ishte një faktor i pashmangshëm për çlirimin e Kosovës. Po të mos ngjante ajo katrahurë civile, gjithsesi do të kishte shpërthyer lufta për armatimet midis Serbisë dhe Shqipërisë (f. 130). Pra, edhe në këtë pikë ka një kauzalitet. Dhe po ta marrim si të mirëqenë këtë pohim, kjo na përkujton që edhe në fatkeqësi mund të ketë fat. Përkundër të gjitha mynxyrave që u erdhën në kokë personazheve nga Kosova, ata zgjodhën rrugën e krenarisë dhe të betejës në secilën formë. Nuk e pranuan nënshtrimin dhe as përuljen.

    Drejtësia është një element tjetër që përvidhet mes rreshtash. Keqpërdorimi i financave në kampin e refugjatëve u dogji kokën përgjegjësve. Batakçinjtë morën dënimin e merituar se prekën hakun e të pafajshmëve.  

    Ky roman është pasqyrim i një pune të palodhshme të autorit në parashtrimin e personazheve që i dhanë jetë librit. Duke e njohur karakterin e fortë e të palodhshëm të autorit, s’do mend se i gjithë ky mund i tij vetëm se i ka dhënë kënaqësi dhe aspak bezdi. Ngaqë, sikurse theksohet në fund të f. 229, “puna e bëri njeriun njeri”. Andaj, duhet t’i shprehim mirënjohje z. Lleshi, i cili para se të jetë shkrimtar është njeri, që na freskoi një kujtesë kolektive me hije të rëndë duke e kthyer në një libër që meriton vëmendje.

    Për ta ruajtur magjinë e leximit të kësaj vepre nuk do ishte në interes që këtu të shpalosen shumë hollësi. Hëpërhë mjafton t’i gëzohemi pranisë së Talës, mbase jo si person fizik dhe me ymër të caktuar, e aq më pak me jehonën e saj në hollin e Grand Hotelit, por si sinonim bujarie dhe si kronikë që do të zërë vend përgjithmonë në shtratin e shkronjave shqipe.

    10.6.2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË