More
    KreuLetërsiBibliotekëStefan Çapaliku: Virusi më përndjekë, por unë jam ma i shpejtë -...

    Stefan Çapaliku: Virusi më përndjekë, por unë jam ma i shpejtë – pjesa II

    – nga ditari i Martin Cukut –

    Lexoni pjesën e parë këtu: https://exlibris.al/stefan-capaliku-virusi-me-perndjeke-por-une-jam-ma-i-shpejte-pjesa-i/

    18. Duke më dhanë pretencën gjykatësi italian më tha me za të naltë, se gjatë këtyne ditëve shtesë, as nuk duhej ta çoja nëpër mend se ekziston coronavirusi. Nëse e çon nëpër mend, tha ai, nuk duhet ta za në gojë me askënd. Dhe mandej nëse e çoja nëpër mend dhe e zija në gojë, të mos ia shkruja emnin askund. Dhe në përfundim e si konkluzion, nëse e çoja nëpër mend, e zija në gojë dhe ia shkruja emnin, atëhere duhej t’i laja mirë durt para ngranies!

    19. “Tash që mora dënimin po më duket se jam ba pa u qethë. Nuk di si me ia ba. Flokët e gjatë nuk më kanë shku kurrë. Këtu në Cinquantina punën e berberit e ban një italian që ka pasë drejtu një autokombanjë. Merr 20 euro për qethje. Po ia ha dreqi shpirtin, se po i jap unë 20 euro! Ma mirë qethem vetë. Do shkoj e të marr zdrukthin që mban në dorë skulptura e Sh’Jozefit te kisha.”

    20. 12 Mars 2020. Që mbramë na kanë braktisë rojet. Natyrisht që s’ka ma kuptim që dikush të rujë kufinin midis fshatit Cianquantina me Trentina, kur të gjithë jemi përfshirë në zonën e kuqe. Nuk di ma ku të shkoj. As unë nuk di ku të shkoj, erdhi e më tha ai roja arbëresh. Çfarë t’i thoja. Thjesht i dhashë të lexonte “Kanga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu”.

    21. “Natë. Dëgjoja kërcitje të lehta te xhami, si të ishin bremje miu. Hapa me kujdes dritaren dhe gjeta mbatanë një përson që pëshpëriste emnin tem. Një përson që kishte ardhë të më kontaktonte fshehurazi. Ishte një tip nga ambasada shqiptare në Romë. Ai më lëshoi një pusull në dorë. Kujdes, më tha, asht një listë me disa këshilla nga ministrja e kulturës që tregon se çfarë filmash shqiptarë asht e mira të shohësh këtu në Cinquantina. Sa mirë, mendova, që shteti im në një formë a një tjetër nuk më len vetëm. Nuk më braktis. E hapa gjithë lezet. Në krye të listës kishin vendosë filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”.”

    22.“Të nesërmen unë me Abdelkabirin pamë deri mbas mesnate filmin “Përballimi”. Ky ishte filmi i dytë në listen e rekomandimeve të ministres së kulturës. U mundova boll t’ia perktheja Abdelkabirit, por nuk qe e lehtë. Atij i pelqenin me shumë aktorët. Ju shqiptarët, më tha, keni aktorë të nivelit botnor. Faleminderit shumë, ia ktheva krenar. Ejvallah!”

    23. “Andej nga mjesi, së bashku me Abdelkabirin dhe me ish rojen arbëresh, bamë gati dy dengje me rroba të vjetra me i nisë për Shqipëri. Vjen i merr dikush që i shet në Tiranë, andej nga Shkolla e Baletit. Se çfarë lidhje ka baleti me këtë biznes nuk e di, por me rëndësi asht që Abdelkabiri më siguroi, që zonjat në Tiranë mund t’i prekin pa merak, se janë të painfektume”

    24. “Dhe meqë ra fjala te infeksioni, kam dyshime se ajo kongolezja asht infektu randë. Kështu mendonte edhe Abdelkabiri. Pse? E pyeta una, ka temperaturë, ka dhimbje fyti? Jo mor jo, por ka fillu me folë pak si mirë italisht, më tha ai. S’di pse Abdelkabiri e ka këtë përshtypje se coronavirusi ka edhe anë të mira. Të ndriçon mendjen, përshembull”

    25. “Ne shqiptarëve të ngujum këtu në Itali na erdhi edhe një udhëzim tjetër nga ambasada jonë në Romë. Duhet të dalim nga Cinquantina dhe të deklarojmë të ardhurat tona. S’kam ç’të bëj. Prej respektit që kam për shtetin tim u nisa të dal ilegalisht dhe të shkoj te të gjitha bankat e katundit, për të vertetu se nuk kam asnjë lek dhe asnjë kokërr euro. E di se do më kapin që te banka e parë, por nuk kam çfarë të baj. Më mirë të më kapin duke kry detyrën para shtetit tim, sesa para një shteti tjetër. Se kush e duron mandej nofkën spijun”

    26. “Mbramë mbas mesnate, gjatë kohës që me Abdelkabirin dhe atë kongolezen, Aminatën, po shihnim filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”, ra dera. Ishin disa dëshmitarë të Jehovait. Hej more dreq, nuk na u hiqnin qafe pa na lexu me za të naltë fragmente nga libri “Te udhëtosh nga kjo botë për botën tjetër, sa e lehtë dhe e bukur!”

    27. “Sot në mëngjes më erdhi prapë një radiogramë. Kësaj radhe ishte nga Minstria e Arsimit e shtetit amë. I dashtun zoti Martin Cuku, shkruhej në të, meqënëse këndej e mbrapa mësimi do zhvillohet online, a keni ju ndonjë pyetje për zonjën ministre? Tani, t’i thoja se unë ka kohë që i kam la durt me shkollën dhe se nuk kam as fëmijë për shkollë, më erdhi si turp, prandaj i thashë vetes, bëja edhe ti një pyetje s’e s’u ba nami, ndoshta i hyn në punë. Dhe aty për aty i nisa zonjës ministre pyetjen, si më poshtë vijon: Zonja Ministre a asht mbyllë shkolla vetëm për nxansit apo edhe për msusit?”

    28. “15 Mars 2020. Nuk rrihet ma këtu. Jena ba derr. Aminata, Imrani me Harunin, Calixto, Beatriz dhe Caridad, me mu në kry dhe Abdelkabirin jemi betu dhe i kemi dhanë besën njeni-tjetrit, natyrisht pa shtërngime dursh, se do t’ia mbathim nga Cinquantina. E dimë se rruga do jetë e gjatë, e vështirë dhe do ketë shumë të paprituna, por me randësi asht që ne do ikim. E ç’punë kemi ne me virusin Italian? E aq ma pak kinez…. Jo, kjo s’asht e drejtë”.

    29. “Me dy fjalë ideja kryesore është të hyjmë ilegalisht në Shqipri. Imrani me Harunin andrrojnë të hapin një furrë buke; Calixto, Beatriz dhe Caridad dëshrojnë të rihapin ambasadën kubane në Shqipri, të mbyllun mbas, gjoja, rrzimit të komunizmit; Aminata pandeh se do mund të kërcej për një klub nate, sapo të shërohet nga coronavirusi, kurse unë me Abdelkabirin dum të celim një shkollë për bletrritës. Lutuni për ne!”

    30. “U nisëm dhe kemi ecë gjithë natën. Ec rrugë pa rrugë dhe ban kujdes nga policia. Ka ardhë me ne edhe prifti, don Tarcisio. Gjithmonë kam dashtë të jem misionar në Shqipri, më tha. Don Tarcisio ka një busull me të cilën po orientohemi. Diku mbas 10 km rrugë vumë re një hije që po na afrohej. Fillimisht u trembëm, mandej vumë re se ishte një femën bionde dhe u qetësum. Nga po shkoni, pyeti ajo. Hiç, kemi dalë për qejf, ia priti Don Tarcisio. A do vish edhe ti me ne, u hodh dhe pyeti  Abdelkabiri. Jo, tha ajo, kam frikë, se sa herë që dal për qejf mbes shtatzanë. S’e ku e kisha pa atë fëtyrë.”

    31. “Kemi vendosë të marshojmë nga 40 km në ditë, por qenka punë që s’bahet, aq më tepër kur je në grup. Imrani me Harunin janë dembelë të mëdhenj, kështuqë na duhet edhe ne të tjerëve të mbajmë ritmin e tyne. Nga ana tjetër asht e nevojshme të rrimë sa ma pranë njëni-tjetrit dhe të mos shpërndahemi, për shkak që të mos biem në sy të policisë. Pra, nga njëra anë dum të ikim nga Cinquantina për arësye të quarantinës, dhe nga ana tjetër nuk arrijmë të respektojmë asnjë rregull kundër virusit”.

    32. “Në kilometrin e gjashtë ka plasë sherri midis Calixto, kubanezit dhe Don Tarcisios. Është fjala për Che Guevarën. Calixto, si marksist i thekun, e çon në qiell, kurse Don Tarcisio thotë se ai ka qenë një mut muti. Tashti unë, me atë italishten time, nuk e di tamam sesi e shanë Don Tarcisio Che-në, por më tingëllon si diçka e tillë. Tamam mut muti ose shkërllatë.”

    33. “Sipas Don Tarcisios, që ka jo vetëm busull, por edhe internet, dje kemi arritë të ecim vetëm 28 km. Ai thotë se jemi shumë larg objektivit. Por ne nga ana tjetër vumë re se na kanë ndodhë dy gjana: jemi të gjithë të bllokum muskujsh, përvec Don Tarcisios që ka qenë skautist, dhe e dyta dhe ma e çuditshmja asht se kemi pa të gjithë të njajtën andërr: sikur një lakuriq nate qenka sjellë gjithë darkën mbi kokat tona, duke na pëshpëritë te veshi që të mos shkojmë në Shqipri, se gjoja atje gjendja do rëndohet edhe më shumë se këtu në Itali”.

    34. “U nisëm mbasdite vonë, mbasiqë Don Tarcisio na bani masazhe kambëve të të gjithëve. Fillimisht Beatriz dhe Caridad nuk pranun medemek se kishin marre, mirëpo në fund dolën të dyja duke fluturu prej lezeti. Ec e mbaji tani.  Calixto vazhdon ta mbajë inatin e ngatrresës me priftin. Ai pothujse asht mbyllë krejt më vete. Ecën duke lexu një manual të luftës gurreile, të hartum nga vetë Fidel Castro. Dy binjakët nga Bosnja flasin në gjuhën e tyre diçka që ka lidhje me tezat globaliste të Alija Izetbegovic. Veç unë me Aminatën dhe Abdelkabirin nuk flasim kur ecim. Nuk flasim ngaqë asnjeni prej nesh nuk di italisht. Mbetemi me shpresë se diçka do mësojmë gjatë rrugës.”  

    35. “E ndjeja se në një farë mënyre të gjithë më pyesnin dhe donin që t’i tregoja diçka për atdheun tim, pra për vendin për ku ishim nisë. E kisha të vështirë, shumë të vështirë t’ia thoja në italisht, megjithatë u shtërngova dhe diçka belbëzova, të tipit: “Il mio posto è molto bello. È pieno di montanari, mari, laghi e paludi. Ha anche pochissimi terreni agricoli verde. Il mio posto ha brave persone. Ci sono anche le persone che lavorano molto bene e lavorano sodo. Tutti sono dei padroni di casa eccezionali.” 

    36. “Abdelkabiri mban me vete një fotografi të Immacolatës dhe çdo 1.5 km ndalet dhe vajton. Në një përllogaritje të shpejtë që kam ba i takon që dje, përgjatë 28 km që kemi përshku, Abdelkabiri të jetë ndalë për të qarë vetëm 14 herë. Unë mendoj se asht shumë të qashë 14 herë për Immacolatën. Ai duhet ta rikonsiderojë këtë çështje. Do Zoti dhe sot do qajë më pak.”

    37. “Frikë e madhe se mos na kapnin sepse na u desh të kalonim mespërmes një qyteze të vogël, ngaqë s’kishte shteg tjetër. Për fatin tonë askush në rrugë, madje as policia. Mu kujtu Shkodra në kohën e komunizmit, darkën e ndeshjes finale Itali-Gjermani më 1982. Por jo sivjet do ketë olimpiadë e jo kampionat botnor futbolli.”

    38. “Jemi shtri të gjithë ndën strehën e një stalle të braktisun. Secili në çantën e vet të shpinës mban nga një tapet, që në kushte normale shërben për joga a diçka tjetër. Veç dy binjakët nga Bosnja kanë një. Ata flejnë si fanti spathi. Aty ku vë kokën njeni, mbështet kambët tjetri. Jastëk ka vetëm Don Tarcisio. Asht jastëk gome, që Abdelkabiri ia fryn përnatë, në shenj respekti”.

    39. Mu më janë ba çorapet pa u la. Dy gjana nuk kam ditë me ba në jetë: me la enë dhe tesha. I them Animatës, por ajo refuzon. Aq premë më refuzon sa kam idenë se ajo asht e bindun se koronavirusi fshihet tek unë. Diku në trupin tim. Në mos te çorapet, diku tjetër. Kaq është e fiksume pas kësaj, sa jam i frikësum se mos çohet ndonjë natë tinzash dhe më heqë qafe…” 

    40. “Abdelkabiri ka qilimin e faljes. Po të mos ishte me ne Don Tarcisio që ka busull, ai kurrë nuk mund ta gjente drejtimin e Kiblës dhe kushedi se nga cila anë do ta kish drejtu qilimin e faljeve. Ai falë sabahun, dreken, ikindinë, akshamin dhe jacianë. Pra 14 herë qan për Immacolatën dhe 5 herë falet. Kjo e bën Abdelkabirin një person shumë të dashtun për të gjithë ne”. 

    41. “Sot në mjes më kanë ça bythën të gjithë me radhë, duke u anku se gërhas shumë natën. Je i padurushëm, e nisën të parët shamatën binjakët nga Bosnja. Po të kishim pasë burrë do të të kishim ndarë në vend, u hodhën e thanë Beatriz dhe Caridadën. Ju skeni pse më ndani, u thashë, mjafton të më ktheni nga ana tjetër dhe unë pushoj. E të plasi një rrotë sherri prej kësaj që fola. Dashke edhe të të prekim! Ti s’je në vete! E të tjera si këto. Vetëm Aminata nuk fliste. Ia dalloja urrjetjen te të bardhat e syve.”

    42. “Tema e gërhitjes u trajtu edhe gjatë rrugës që kalonte nëpër një pyll gështenjash, që sipas Don Tarcisios të çon në anën tjetër të lumit “Jo”. Mund ta vazhdonin edhe më gjatë këtë bisedë, nëse s’do na kishte dalë përpara një rojtar pyjesh, i armatosur me një çifte. U ngrimë në vend. Nëse nuk doni t’ju shkep me gjoba për shkelje të rregullores së sjelljes ndër zona të pyllëzume, më merrni me vete, urdhnoi ai. Më qujnë Giacinto, për shkurt Cinto. Jam edhe kuzhinier. Mund të hapi një restorant të vogël në Shqipri. Me që ra fjala te restoranti, qe ku po ju them se mu më ka këputë malli për groshë”.

    43. 18 Mars 2020. Me ardhjen e Cintos u bamë fiks dhjetë vetë në grup: Imrani me Harunin, Aminata, Calixto, Beatriz dhe Caridad, Abdelkabiri, Unë, Don Tarcisio dhe Cinto. Na mungon edhe një për t’u ba një ekip futbolli. Apo edhe s’jemi mirë me kambët mbas gjithë kësaj ecje. Unë ç’asht e verteta jam mësu me ecë kur isha në katund. Gjithmonë më çonte baba me nji thes kallomoq në shpinë me shku e me e blu te mullini. Por kësaj radhe puna asht ngusht. Ma mirë me një thes në shpinë sesa me dhimbje fyti e temperaturë…

    44. “Arsyja e vertetë se pse Giacinto iu bashku grupit na qenka se ai, si rojtar pyjesh, na paska grabitë gjatë natës një farmaci dhe e kishte kapw frika. Ka mbushë një cantë me maska dhe me vitamina c. Tesh kemi maska sa me fshi bythen me ta. Ndërkaq të gjithë morën nga dy vitamina c. Unë shkova e piva katër. E më kanë hapë një oreks, që jam ba gati me i hangër të dy binjakët boshnjakë me një kafshatë…”  

    45. “E shoh se Imrani me Harunin janë lodhë. Ata nuk janë për sporte rezistence. Një lojë shahu po, atë do ta kishin përballu që ç’ke me të. Dhe doli tamam ashtu si thashë unë. Ata u shtrinë në breg të lumit “Jo” dhe thëritën me të madhe policinë, që të vinte e t’i merrte e t’i çonte edhe njëherë në karantinë. Në një karantinë dosido, qoftë edhe në Cinquantina. E shkreta polici italiane. Kështu që mbetem tetë…”

    46. “A ke lajme nga Shqipria? Më pyeti Don Tarcisio, sot në muzgun e 20 Marsit 2020. Asnjë lajm, i thashë. Unë nuk kam internet. Atëhere Don Tarcisio filloi të rrëmonte diçka te celulari i vet dhe u kthye prapë nga unë: Cilin portal mendon se duhet të shikojmë për situatën në Shqipëri? Kush është më i besushmi? Ai i Akademisë Ushtarake Skenderbeu, ma merr mendja, i thashë”.

    47. “Sipas gjasave ka shumë mundësi që e kemi kalu prej kohësh një farë vendi që thirret Pescara. Aminata dhe Caridad patën një farë të përqethune në shtat kur ia shpjegova se çka donte me thanë kjo fjalë në gjuhën time amtare. Hoqa dreqin me ia shpjegu. Të dyja harronin shumë shpejt. Sa arrin robi te fjala e tretë ata harronin të parën e kështuqë duhej me ia nisë prej fillimi…” 

    48. “Më janë ajntë shumë variçet. Prej të ecunit. Jo, jo, prej të ecunit, por prej coronavirusit, më tha Aminata. Mirë të bahet, shtoi ajo. S’po e marr vesh nga e ka gjithë këtë inat me mu kjo femën. A ka ba vaki me t’u anjtë e me t’u eksitu variçet prej coronavirusit?! Këto nuk don me të lanë me vdekë prej asnjë arësye tjetër, përveç coronavirusit”.

    49. “Giacinto ka qenë alpin. Ai ecën më shpejt se Don Tarcisio dhe i di mirë shtigjet. I njeh shumë mirë edhe kërpudhat. Ai ka një nuhatje të jashtzakonshme edhe për tartuf. Unë nuk e di se cka asht ky tartufi, por i pashë sesi ata të dy e rendonin mbi makarona tinzash nesh. Po na e bajnë me hile. Abdelkabiri me Animatën janë miqsu shumë. Ata seç gatujnë në hesapin e vet, kurse ata kubanët jetojnë veç me kallama sheqeri dhe rum. Unë mbarova për groshë”.

    50. “I është mbushë mendja të gjithëve që, gjatë kohës që ecim deri në Otranto, të mësojnë shqip dhe më janë lutur që të hapi një kurs. Unë hapa dy kurse. Në të parin kam futur Abdelkabirin, Calixton, Beatriz dhe Caridadën. Kurse në grupin e dytë janë: Don Tarcisio, Giacinto dhe Aminata. Dhe meqënëse i duhet ta mësojnë gjuhën shumë shpejt kam mendu që t’ia nis mësimin e shqipes me disa fjalëshpejta. Fjalëshpejta e parë për të dy grupet është: Në karantinë karikaturisti karikaturon një karikaturë karakteristike”

    51. “Calixto, si marksist i çmendun që asht ka një teori të veten për këtë që po ndodhë. Ai thotë se ky është një plan i fshehtë i borgjezisë ndërkombëtare për të shu zjarrin poshtë kazanit të madh proletar, që na paska pas mbërritë pikën e vlimit. Dhe me italishten e tij e reciton me vete kësisoj: “Questo è un piano segreto della borghesia internazionale per estinguere il fuoco sotto il grande calderone proletario che ha appena raggiunto il suo punto di ebollizione”. Mbasi dëgjova për të njëmbëdhjetën here deklaratat e Calixto i thashë Abdelkabirt se jJam ma se i sigurtë se, nëse kjo histori ka me pasë fund, atëhere në finale, do të rezultojnë ma shumë të çmendun se të infektum,”     

    52. Aminata na paska pa andërr, kur ka qenë duke ecë, se po more tetë thelpinj hudra dhe i vlojmë në shtatë gota uji dhe i pijmë me gjithë hudra atëhere coronavirusi pirdhet prej nesh, si të mos kishte qenë. Për ty duhen tridhjet e dy thelpinj, më tha mu. Hajde të dalim tashti nëpër bahce e të mbledhim hudra?! Jam i sigurtë që do na kapë policia. Mandej, nga ana tjetër, ba me hangër tridhjet e dy thelpinj hudra, kam frikë se vdes.

    /©/stefan /çapaliku/tiranë/mars/2020/

    Lexoni këtu pjesën e tretë: https://exlibris.al/stefan-capaliku-virusi-me-perndjeke-por-une-jam-ma-i-shpejte-pjesa-iii/

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË