Muzeu Marubi merr pjesë në PhEST, festivalin ndërkombëtar të artit dhe të fotografisë që zhvillohet në Monopoli dhe këtë vit ka si tematikë besimin dhe mitet.
E quajtur “Muzeu Ateist”, një ekspozitë e kuruar nga drejtori i muzeut Luciano Bedeni paraqet një përzgjedhje imazhesh të paekspozuara më parë nga koleksioni “Marubi” të hapësirave, objekteve, stendave të ekspozitave të ish-Muzeut Ateist në Shkodër, ndërthurur me disa imazhe nga transformimi i objekteve në kultit sipas ideologjisë komuniste.
Sipas kuratorit do të paraqiten 25 imazhe të paekspozuara më parë të Marubit dhe Neshatëve, do të vendosen krah emrave më të njohur të fotografisë europiane e më tej.
“Pasi morëm këtë ftesë, reflektuam për sa i përket pjesëmarrjes së muzeut, për të paraqitur imazhe të asaj që nuk ekziston, siç e dëshmon muzeu ateist, që ishte muzeu i vetëm në botë i ngritur kundër besimeve. Ky ishte i nxitur nga ajo se çfarë na kanë lanë trashëgim të parët, si një mënyrë për të mos harruar, por edhe për të kujtuar gabimet që janë bërë më përpara. Kjo ekspozitë tenton të risjellë këtë utopi që u instalua për vite me radhë në qytetin tonë. Një ekspozitë e tillë është menduar të jetë edhe për publikun shqiptar në vitin 2021, të kujtojmë këtu faktin që vetë Muzeu Marubi e ka gati programin e ekspozitave të përkohshme deri në vitin 2022, me një cikël programesh dhe bisedash me publikun”, – është shprehur Bedeni për mediat. Më tej ai ka thënë se zona ku organizohet ekspozita, në Itali, ka një fluks të madh turistësh dhe në këtë kohë shënon kulmin e saj, që padyshim do të tërheqë vëmendjen te paraqitja shqiptare. Ekspozita do të jetë e hapur deri në fillim të muajit nëntor dhe sipas Bedenit, priten të organizohen gjatë kësaj kohe një seri bisedash, duke iu referuar këtu edhe interpretimeve të ndryshme që do të sillen mbi imazhet, por edhe dëshmi të gjalla persekucioni që ka përjetuar vendi ynë.
Ekspozita përmban një përzgjedhje të imazheve nga Muzeu Ateist, i hapur në vitin 1973, të cilat janë pjesë e arkivit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi dhe është e organizuar nga dy anë: nga njëra anë kulti kishtar dhe arkitektura që erdhi përshtatur me nevojat e reja kulturore të regjimit dhe nga ana tjetër objektet e sekuestruara dhe të ekspozuara në një çelës ideologjik.
Muzeu u mbyll në vitin 1990 dhe aktualisht disa nga objektet e tij janë ekspozuar në Muzeun Dioqezan të Shkodrës. Edhe sot kjo pjesë e historisë së këtij Muzeu është një shembull i utopisë së regjimit, i nevojës për të krijuar një botë të re dhe në të njëjtën kohë, edhe të besimeve të reja.
Prezantimi i “Marubit” bëhet në kështjellën e “Karlit të 5-të”, ku ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 6 shtatori deri më 3 nëntor.