More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLulzim Logu: Besnik Mustafaj dhe fryma e paharruar e vendlindjes

    Lulzim Logu: Besnik Mustafaj dhe fryma e paharruar e vendlindjes

    Me Besnik Mustafaj jemi miq të mirë që nga fëminia.

    Student në vitin e parë të fakultetit të shkencave, në dhomën e tij ndihesha ngrohtë mes librave dhe miqve të tij dhe shkëmbenim mendime rreth letërsisë dhe shkrimtarëve të preferuar. Dhoma ishte e thjeshtë, një dollap, dy krevatë dhe një tavolinë e vogël prej druri, e mbushur përplot libra dhe ku kishte sadopak vend për të vendosur ndonjë gotë ujë dhe bërrylat tanë së bashku, duke diskutuar me plot pasion dhe ndjenjë.

    Gjithmonë përpos letërsisë dhe krijimit vendlindja vinte midis nesh në çdo çast pauze dhe pushimi, pas diskutimeve të gjata, duke kujtuar sidomos kohën kur bora ja mësynte viseve tona dhe të ngjante se pas grisë së pejsazhit alpin, dita kishte vetëm muzg, stacionuar që poshtë reve të borës së maleve dhe në fluturimin e ultë të zogjve që vinin papushim në pragje dritaresh, për të gjetur ndonjë thërrime buke nga mbulesat e shkundura të nënave tona pas vakteve…

    Krejt krijimtaria eMustafajt, sidomos poezia e tij e hershme , novelat dhe romanet e tij, pavarësisht tematikës dhe frymës së realitetit të përshkruar, imagjinuar apo përpunuar në subkoshiencën e tij krijuese, ka në thelb vendlindjen, sidomos vendlindjen e fiksuar thellë në fëmininë e tij, kohë aktive që shkrimtari e jetoi thellësisht i rritur dhe mëkuar nga fryma e ngrohtë e kujtimeve dhe rrefimeve të gjyshërve, në dasma dhe morte, me kodin dhe protokollin e mistershëm të odave të burrave, ku ai mësoi mënyrën e dëgjimit dhe leximit të mesazhit, duke ditur të gjejë vendin e tij.Duke mësuar pak nga pak rolin e negociatorit dhe diplomatit të ardhshëm. Të dëgjimit dhe të gjykimit të kujdesshëm, gjithmonë pas mendimit objektiv dhe realist.

    Por dhe porositë e pandalshme të prinderve për shkollën dhe të ardhmen dhe lojnat e pafajshme naïve me bashkëmoshatarët e tij rugicave të shkurtra dhe lëndinave me bar të qytetit të ri, të sapozgjuar në udhëtimin e tij nga e ardhmja. Ku natyrshëm mbi të gjitha lojnat, printe leximi, strukur në qoshen e tij të preferuar me librat që gjente, për fëmijë, por shpesh edhe librat për të rritur, sidomos librat e babës së vet. Spikat dhe lë gjurmë këtë kohë influenca artistike, përcjellë me delikatesë nga nëna e tij, artiste e qëndisjes dhe punës me dorë për krijimin e veshjeve popullore.

    Përtej fëminisë, ndërsa rritej dhe në fytyrën e tij të bukur shfaqeshin tiparet e burrit, ai nis udhëtimin e dinjitetshëm të dijes, ndërkohë që buisin dhe filizat e parë të krijimit, por edhe sinjalet e para të njeriut aktiv shoqëror dhe të angazhuar për fatet e vendit të tij, në momente të ndryshme të vizionit të tij social dhe politik dhe të ndryshimeve të mëdha politike dhe shoqërore të Shqipërisë.

    Kudo ku shkoi të mësojë, studjojë dhe të rritet si njeri, krijues dhe politikan i së ardhmes, vendlindja është brenda tij si lajtmotiv dhe shtysë, si forcë dhe energji, si frymëzim dhe etje karakteri.

    Ndërsa zbulonte dashurinë e parë, njëkohësisht krah tij poezia ngulmonte për terrenin e saj brënda qënies së tij, ndërkohë që ishte në shkollën e mesme, bile ajo zuri vend më të madh kur poezitë e Besnikut pushtuan faqet letrare. Nga një adoleshent i mënjanuar në këndet e tij të fshehta të shtëpisë private, mes qytetit Bajram Curri, asokohe as fshat, por as qytet i vertetë, tek i riu me afshin e ëndrrave  i sapoardhur në kryeqytetin e bukur

    I kthyer për pak kohë në vendlindje, në vitet ’80, punoi dhe krijoi si mësues në Tropojë, konsolidoi në vetvete qëllimin dhe ëndrrat e skajuara dhe më pas ju ngjit të përpjetës së madhe të karrierës dhe u shfaq me ngadhnjim në hapësirën e rrëmujshme , plot vlime shoqërore dhe letrare të Tiranës , në letërsi dhe politikë,me armët e tij të suksseshme, fjalën me peshë, maturi dhe vizion dhe komunikimin e kulturuar me ngarkesë të jashtëzakonshme dhe karakter.

    Pikërisht ndikimet e vendlindjes, këmbëngulja për të synuar atë që mendon se e meriton, gjykimin objektiv dhe të qënit bashkëkohor me zhvillimet, duke parashikuar me qetësi dhe objektivitet të ardhmen dhe rrugën e duhur që duhet ndjekur e mbushin dhe pjekin plotësisht njeriun kronikan, shkrimtar, diplomat dhe politikan.

    E ajo, vendlindja, është aty, thellë tij në formën e mësimeve të gjyshit, modeleve të nënës, pedantërisë së babait dhe leximeve të hershme dhe furisë së pandalshme të ëndrrës.Nëse u hedh një sy titujve të veprave të tij të botuara, sidomos në periudhën e tij të parë letrare të bie në sy fryma e vendlindjes dhe përditësimi kronologjik dhe real i realitetit shqiptar të kohës. Motive të gëzuara, kronikë vere, gjinkalla, brigje lumi, daulle që bien, saga të vogla, ditare, legjenda lindje, rrëfenja dhe histori…

    Ajo periudha, e cila siç çshtë shprehur shkrimtari “është periudha kur në kokën time u sqaruan përfundimisht shumë gjëra dhe u përcaktuan pothuaj të gjitha horizontet, drejt të cilave kam ecur gjatë gjithë viteve në jetën time, qoftë në atë private e qoftë në atë publike”

    Ngërthimi i vazhdueshëm i elementëve të vendlindjes me ballafaqimin e guximshëm me të vertetat e realitetit të dhimbshëm, por krenar të Shqipërisë, paqyruar me delikatesën fine prej njeriut të mënçur dhe të lexuar, kapërcimi i hershëm dhe me dinjitet i kompleksit të inferioritetit, që shpesh rrezikon ti rrëzojë talentet e ardhura nga provinca të largëta drejt kryeqyteteve evropiane dhe mbështetja pa frikë në temat e mëdha të kohës i dhanë veprës artistike të Mustafait gradualisht pranimim e gjithkohshëm dhe audiencën cilësore të leximit.

    Brenda dhe jashtë vendit ai gjeti strehën e sigurtë të shkrimtarit të konsoliduar i cili midis dy kohëve u shfaq edhe si njeriu i angazhuar politikisht, por edhe si shkrimtari , i cili e sjell realitetin tek lexuesi me objektivitet dhe bashkëkohësi, duke qëlluar të kuptojë natyrshëm sesi të gjendet vazhdimisht tek halli dhe dhimbja e njeriut bashkëkohor, duke prekur me guxim në nervat e kohës dhe fatet historike të popujve.

    Si shkrimtar i interesuar për të kuptuar e për të treguar përmes imagjinatës dhe gjuhës marrëdhënien komplekse që ka politika me historinë dhe ndikimin e kësaj mbi fatin e individit shqiptar, Besnik Mustafaj ka dy pozicione të konsoliduara, të cilat janë zevëndësuar hera herës në kohë dhe vepra, duke e bërë veprën e tij komplekse , koha për të lexuar dhe koha për të shkruar , ëndrrimtari nga vendlindja dhe parashikuesi nga e sotmja, njeriu tashmë i përkushtuar totalisht letërsisë dhe realitetit të gjykuar me penën e shkrimtarit dhe bazuar në përvojën e madhe jetësore prej diplomati dhe politikani.

    Ndërsa shkruan në shtëpinë e tij private në Tiranë, rrethuar mes pemëve në kopshtin rrethues, njëjtë si shtëpia e fëminisë, në mes të qytetit Bajram Curri, me kopshtin ekzistues, rrethuar me kangjella të zeza, me mure të paprekura nga e kaluara, ku banojnë tashmë kujtimet e shtrenjta të shkrimtarit.

    Në mënyrë paralele kujtimet udhëtojnë vitualisht nga Tropoja në Tiranë, nga Tirana në Paris, nga Parisi në Prishtinë dhe kësisoj galeria e ngjarjeve dhe personazheve të Mustafajt rritet, ai i gdhend portretet e tyre në mënyrë skrupuloze, ashtu siç nëna e tij dikur gdhente me pe’ dhe gjilpërë veshjet popullore, fjalori i tyre vjen i pasuruar edhe nga gjuha e odave të dikurshme të gjyshit të tij, gjuha e librave vibron nga tregimet dhe rrëfenjat e fëminisë, nga përjetimet e karrierës së tij diplomatike dhe shoqëruar me kujdesin e moderuar prej politikani modern si dhe thjeshtësinë e njeriut gjithmonë të dashuruar me të bukurën dhe jetën.

    Formimi i individualitetit krijues e njerëzor i Besnik Mustafajt, ka kaluar nga e shkuara tek e ardhmja ,shkrimtari e përdori vendlindjen dhe kujtimet e saj si përpunim letrar në laboratorin e tij krijues, duke i shpallur pa bujë, por figurativisht bukur përmes një stili të drejtëpërdrejtë rrëfimi, duke qënë gjithmonë shkrimtari përballë politikanit dhe diplomatit, në rrethanat dhe ndërveprimin mes tij dhe lexuesit, shoqëruar me dimension të qartë dhe të pasur kulturor që e bëri letërsinë e tij bashkëkohore. Ai i besoi më shumë ndërgjegjes së tij prej krijuesi sesa begraundit të tij të pasur diplomatik dhe politik, si një gjetje që i shkon më së miri përvojës së tij krijuese.

    Lidhshmërinë me vendin e tij, me identitetin, me vendlindjen,por edhe me kontekstin kohor e politik në të cilin është është zhvilluar jeta e tij personale si njeri dhe krijues e përcakton dhe e shënjon përfundimisht harta e tij e botimeve, përfshirja brenda saj e dimensioneve aktuale të historisë së kombit si Kosova dhe Çamëria, me realizmin dhe përditësimin e duhur historik dhe pas një analize logjike të rrjedhave të historisë, i jep veprës së Mustafajt vlera të pakontestueshme në nivel evropian dhe padyshim se ai u ngjan fort figurave të shquara të letërsisë së shquar evropiane.

    Diku në një intervistë Besnik Mustafaj është shprehur:

    Nuk e di çfarë dhe si do të ishte Besnik Mustafaj nëse nuk do të kishte lindur në Tropojë dhe aq më pak në Shqipëri. Nuk e kam çuar kurrë përfytyrimin në një drejtim të tillë, qoftë sepse nuk kam asnjë ankim ndaj fatit pse kam lindur në Tropojë dhe pse jam shqiptar, qoftë edhe se do të ishte një përfytyrim i pamundur për mua. Kam pasur qysh nga fëmijëria një jetë fantastike, aspak të mërzitshme, me kapërcime të mëdha nga një horizont në tjetrin, që rrallëkush e ka pasur, gjë që ka kërkuar nga unë në vazhdimësi sidomos dy cilësi: vullnet të fortë për ta mbajtur timonin në drejtimin që përputhej me dëshirat e mia më të thella dhe aftësi për të marrë në kohën e duhur vendimet, për të cilat nuk do të pendohesha në gjyqin që do t’i bëja vetes më vonë”.

    Për fund, shkrimtari gjithmonë e ka konsideruar veten si “Njeri i malit, që se duron vapën”, në këtë rast mali i veprave të tij të dinjitetshme shfaqet tashmë i hijshëm në korpusin e letërsisë shqiptare dhe motivet e tij të vendlindjes dhe bashkëkohësisë e mbajnë përherë të freskët dhe adekuate krijimtarinë e tij.

    Tropojë, 19.01.2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË