JETA QË NUK E KAM JETUAR
Kush do ta jetojë jetën
Që nuk munda ta jetoja
Ose që nuk dita ta jetoja?
Në ç’pikë të gjithësisë ka shkuar
Ajo jetë?
A mos ka vdekur
E mbyllur në një sarkofag guri
Në një arkivol plumbi?
A mos është ruajtur diku
Në arkiva misterioze
Si një projekt i dështuar?
A mos është mbyllur
Në ndonjë frigorifer special
Me qëllim që të çakullohet e të ngjallet
Për t’u përdorur sërish
Si një organ i transplantueshëm?
Njeriu që do ta jetojë
Jetën që më ka munguar
A do të mendojë për mua
A do të përpiqet të më përfytyrojë?
Ndoshta jeta
Që nuk munda ta jetoja
Ose nuk dita ta jetoja
Do të vazhdojë për shumë kohë
Të kërkojë një njeri tjetër
Që më në fund do të arrijë ta jetojë…
Qendra Georges Pompidou, 3O.6.2021
KORRIGJIMET E QIELLIT
Edhe qiellit i vjen të pëlcasë
Nga të qenët tërë kohën
Një qiell i kthjellët e i zbrazët
Për këtë arsye
Herë pas here ai mbushet
Me re me vetëtima
Me shira ose me borë
Me tufa zogjsh shtegtarë
Për të populluar plotësisht
Njerëzit e lashtë shpikën
Bestiarin e yjeve
Fisin me flatra të engjëjve
Qilimat fluturues
Njerëzit modernë
I shtuan qiellit
Shpikjet e tyre të veçanta
Avionët
Satelitët
Dhe anijet kozmike
Vetëm falë këtyre korrigjimeve
Që iu bënë qiellit të kryehershëm
Tërësisht i kaltër e i zbrazët
Qielli u bë kompleks e i larmishëm
Si tabloja e përkyer e një piktori
Ku nuk mungojnë dritëhijet
Dhe as paleta më e vogël…
Paris, 6.7.2021
UBI SUNT…
Pjetër Budit që e trajtoi i pari këtë motiv
të letërsisë latine
Ubi sunt lulet
Që disa javë më parë
Më kanë mahnitur?
Ato janë zhdukur
Si t’i kishte përpirë dheu
Që i kishte nxjerrë në dritë
Nuk ka asgjë për t’u habitur
Nga zhdukja e këtyre luleve
Një zë i brendshëm më pëshpëriti
Edhe ti që ecën midis këtyre drurëve
Do të kesh të njëjtin fat si lulet
Resht së përsërituri si papagall
Sintagmën e pakuptimtë:
Ubi sunt?…Ubi sunt?…
Gjithçka që zhduket
Kthehet atje nga ka ardhur
Kur zhduken lulet
Është e kotë keqardhja
Toka do të nxjerrë lule të reja…
Bois de Boulogne, 29.6.2021
1.Ubi sunt: ku janë
VEZIRI I YJEVE
Omari tha me zë të lartë:”Lermë me yjtë e mi!”
Amin Maalouf
Kur nuk e pranoi postin e vezirit
Të një perandorie të gjerë
Omar Khajami tha:
“Lermë me yjtë e mi!”
Në vend të pallatit të vezirit
Ai parapëlqeu observatorin e astronomit
Ata që u habitën nga mospranimi i poetit
Nuk mund ta kuptonin
Se perandoria e yjve
Ishte më e gjerë e më jetëgjatë
Se të gjitha perandoritë tokësore…
Paris, 3.7.2021
HESHTJA E PANDEMISË
Unë jam heshtja e pandemisë
Një heshtje e plotë
Unë dua ta shtrëngoj me duart e mia të çelikta
Gurmazin e botës
Unë dua t’i mbyt të gjithë tingujt
Ngado që të vijnë
Unë dua të mbretëroj
Si një sundimtar absolut
Si një diktator i një regjimi totalitar
Mbi të gjitha qeniet e gjalla
Unë dua të imponoj kudo pushtetin tim
Të mos lë të dëgjohet asnjë fjalë
Pikë
Asnjë zë
Pikë
Asnjë zhurmë
Pikë
Që mund t’i kundërvihet
Shurdhërisë sime
Pikë
Unë dua të jem
Sundimtari i vetëm i botës
Unë heshtja e pandemisë
Nj heshtje plotë
Pikë Pikë Pikë…
Paris 7.3.2021
E KAM ZILI…
E kam zili fëmijën që vraponte nëpër muzg
Duke mbajtur në ballë dritën e xixëllonjave
Fëmijën që shpresonte të kapte fluturat me dorë
Fëmijën që bridhte nëpër pyje me veshët pipëz
Për të dëgjuar nga larg thirrjet e Zanave
Djaloshin që bëhej gati të shkonte në takimin e parë
Që ende nuk i kishte dhënë një puthje të dashurës
E kam zili atë që e lajmërojnë për herë të parë
Se është bërë babai i një foshnje të sapolindur
Atë që mund të thotë:”Do të shkoj te nëna”
Atë që ëndëron të botojë librin e tij të parë
Atë që lexon një libër të ndaluar nga censura
Atë që lexon një libër të trashë pa syze
Atë që i ngjit shkallët dy nga dy
Atë që ecën me vrap në një shteg pylli
Atë që nuk ndien në trup ndonjë dhimbje
Atë që nuk mendon ende për vdekjen…
Këto gjëra janë të ndaluara për mua
Në jetë të jetëve
Paris, 3O.6.2021
NJË MOLLË
Dy bashkëshortë të moshuar
Kafshonin me radhë një mollë
Ata e kafshonin sa mundeshin
Sikur ajo mollë të qe jeta e tyre e përbashkët
Ata e kafshonin deri te farat
Sikur ajo mollë të qe dashuria e tyre
Për ta ajo renetë e verdhë ishte
Një mollë e këputur në kopshtin e Hesperideve
Duke bërë atë gjest të zakonshëm
Ata ringjallnin mitet që lidhen me mollën
Ata aktualizonin metamorfozat e të dashuruarve
Të shndërruar në trëndafila a në drurë
Duke kafshuar mollën atë vërenin atë që mbetej
Për t’i lënë tjetrit kafshatën e fundit
Ai frut ku ata kafshonin sa mundeshin
Ishte zemra e tyre e shndërruar në mollë
Ishte dielli i asaj dite vere
Që ata e ndanin me njëri-tjetrin…
Aeroporti i Beauvais-së, 7.7.2021