Botohet në Itali romani i parë i Besnik Mustafajt, “Vera pa kthim’. Shembull i pagjasë i prozës onirike e introspektive. Gjatë viteve ´80 tekti u cungua sepse në faqet e tij një grua reflekton në raport me trupin e saj. Kjo gjë ishte kundër kanoneve të regjimit.
Në Shqipërinë komuniste një roman mund të censurohej jo vetëm për arsye ideologjike apo letrare, por edhe sepse autori mund të bënte kërkime të karakterit onirik e psikologjik, shqetësimet e një gruaje, marrëdhënies me trupin e saj dhe kënaqësive seksuale, veçanërisht të një gruaje që do të mbetet e virgjër deri në fund të jetës. Ky fakt, sa i përket stilit, përbënte risi në panoramën e letërsisë shqiptare, e cila karakterizohej nga realizmi socialist, por sa i përket përmbajtjes, përbënte një tabu. Nuk kishte aspak rëndësi që protagonistja, njëfarë Penelope e nëntëqindës, i kishte qëndruar besnike gjatë tërë jetës një heroi të luftës kundër nazifashizmit, i cili kishte humbur jetën në kampin e Mauthauzenit. Romani “Vera pa Kthim” i Besnik Mustafajt, i shkruar në vitin 1985, e pa dritën e botimit vetëm pas katër vjetësh, pasi ishte hequr çereku i tekstit. Por jo për shkakun e ideologjisë apo të tekstit. Autori i mori vesh arsyet e vërteta të censurimit të romanit vetëm në vitin 1991 kur, me rënien e komunizmit, e rimori në dorë përsëri varianti origjinal, me qëllimin për ta botuar tashmë të plotë. Këtë fakt ai e ka treguar vetë në pasthënien e romanit që u botua për herë të parë në Itali, përkthyer nga Julian Zhara, për llogari të botimeve Bibliotheka (208 faqe, çmimi 21.00 Euro). Censura të çudit edhe më shumë, nëse marrim parasysh finesën e të shkruarit dhe të introspeksionit psikologjik me të cilin Mustafaj vendoset përballë personazhit të Sanës, protagonistes së romanit, e cila takohet përsëri me Gorin, të fejuarin me të cilin dëshiron më në fund të martohet dhe të provojë dashurinë fizike. Por Gori fillon të sillet në mënyrë të çuditshme. Ai fle në mënyrë të panatyrshme, është i zbehtë, ka frymëmarrje të ftohtë e mbi të gjitha, nuk djersin asnjëherë. Gjithashtu i rri larg marrëdhënieve shoqërore, flet pak, sidomos në lidhje me vendin e mistershëm nga ku kishte ardhur dhe është vazhdimisht i zhytur në kujtimet e tij si dhe në leximin e veprave që kanë të bëjnë me luftën. Është aq i zhytur sa flet gjithnjë vetëm për të shkuarën. Në fund të fundit, ky i rikthyer (revenant) nëpërmjet veprimeve të tij, shpreh njëfarë nguti. Pra nga njëra anë, pulsionet e asaj, nga ana tjetër misteri i tij. Përreth tyre, figura të rralla shfaqen në skenën e hotelit dhe plazhit ku të dy kalojnë pushimet në Durrës, i cili është pikërisht mjedisi i kësaj marrëdhënie të re që po përpiqet të shkojë drejt së ardhmes. Kur çifti shkon në teatër, ndodh një skenë katartike me tipare shekspiriane, një mise en abyme[1] (“e vendosur në humnerë”) mes ngjarjes dhe paraqitjes së saj, që të çon drejt një fundi dramatik.
Në roman nuk mungojnë referencat ndaj ateizmit shtetëror si dhe barazisë së rrejshme mes njerëzve, e cila u pagua me gjak. Por megjithatë narracioni mbetet pezull mes realitetit dhe ëndrrës duke na shfaqur një reflektim i thellë mbi jetën, dashurinë dhe vdekjen. Personazhet karakterizohen për më tepër edhe nga introspeksioni i një lirizmit të fortë. Dhe kjo nuk është rastësi. Në të vërtetë ky roman ka qenë prova e parë e Mustafajt në prozë, pas dy librash me poezi. I lindur në 1958-ën autori është njëri prej intelektualëve më të njohur të Vendit të Shqiponjave, ku ndër të tjera ka shërbyer në poste të ndryshme politike pas rënies së regjimit si, ambasador në Paris, 1992-1997 si dhe ministër i Punëve të Jashtme, 2005-2007. Më pas u tërhoq nga politika për t´iu përkushtuar shkrimtarisë. Në pasthënien e lartpërmendur ai shpjegon pikënisjen e romanit e cili frymëzohet nga një ngjarje e vërtetë. Bëhet fjalë për zbulimin e një të mbijetuari në Mauthauzen i cili merr vesh që një miku i tij nuk ka vdekur në datën kur e përkujtonin, por dhjetë ditë më pas. Një detaj i parëndësishëm në dukje. Por jo për të fejuarën, e cila për 40 vjet nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie, duke u shndërruar në njëfarë “murgeshë komuniste”. Me të dëgjuar lajmin, gruaja u pendua që nuk ia kishte dhënë të dashurit, në kujtimet e saj, ato dhjetë ditë të tjera jetë. Pikërisht këtu zë fill frymëzimi sendërtimin e kësaj vepre që autori e shkroi për tre javë. Në fund të fundit, autori përshkruan sistemin censurues të kohës, i cili nuk kurseu as emra të mirënjohur si, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Petro Marko dhe Dritëro Agolli, i cili kishte qenë edhe drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve si dhe anëtar i Komitetit qëndror të Partisë. Tre ishin nivelet e censurës. Niveli i parë kishte të bënte me prerje apo zëvendësime fjalësh dhe frazash, ose përshtatja e ngjarjes sipas linjave zyrtare, të cilat priren kah ideja e edukimit të popullit. Niveli i dytë sanksiononte “gabimet ideologjike” të cilat i hapnin rrugën shkatërrimit. Niveli i tretë nënkuptonte dërgimin e dorëshkrimit pranë Sigurimit, i cili ishte policia sekrete dhe kishte pasoja shumë të rënda për ndonjë autor fatkeq si, fjala vjen, arrestimi dhe dënimi për dhjetë apo më shumë vjet burg si “armik i popullit”. Mustafaj ishte i qetë sepse tema e tij kishte të bënte me luftën antifashiste nacional-çlirimtare. Protagonisti ishte një hero i madh dhe në të njëjtën kohë ishte frymëzuar nga ngjarje reale të diktuara nga regjimi. Por jo vetëm kaq, edhe reagimet e atyre që e kishin lexuar dorëshkrimin, kishin qenë pozitive. Vetëm Kadareja, një njeri që “e shihte si askush tjetër hijen e rrezikut edhe përtej horizontit dhe e evitonte”, e këshilloi ta fshihte dorëshkrimin dhe ta ruante me shumë kujdes në shtëpi. Shumë domethënëse është skena kur autori gjendet përballë redaktorit të shtëpisë botuese shtetërore i cili ia shqipton me zë të lartë fragmentet e dyshimta: “me një kantilenë të lodhur dhe të pakëndshme, aq sa më dukej vërtet e çuditshme që kisha shkruar aq keq”.
Një skenë që do të përsëritet shpesh për katër vjet. Në fund autori pranon që teksti të cungohet, madje romani do të jetë edhe kandidat për një çmim kombëtar. Por arrin të marrë çmimin e dytë, edhe pse, siç do ta zbulojë më vonë vetë autori, iemri i tij shte diskutuar si fituesi kryesor i çmimit të madh. Anëtarët e jurisë ishin trembur nga “frika që një prozë kaq e dykuptimtë mund të tërhiqte vëmendjen”. Maturia komuniste dhe frika e skandalit kishin ngadhënjyer përsëri. Por për fat, jo në mënyrë të pakthyeshme.
Përktheu: L. D.
[1] Në historinë e artit perëndimor mise en abyme (shqiptimi frëngjisht: [miz ɑ̃n‿abim; gjithashtu mise en abîme) është teknika e vendosjes së një kopje të një imazhi brenda vetes, shpesh në një mënyrë që sugjeron një sekuencë të përsëritur pafundësisht. Në teorinë e filmit dhe teorinë letrare, i referohet historisë brenda teknikës së tregimit.