More
    KreuHistoriEnver Kushi: Dëshmi e dhimbjes në vargje

    Enver Kushi: Dëshmi e dhimbjes në vargje

    Jemi në prag të 27 Qershorit, Ditës së Kujtesës Tragjike të Çamërisë. Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamërit e të gjithë moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, e cila është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme. Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjëve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monomatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakura, gjymtyrë të flakur nëpër kanale, gra shtatëzëna me barqe të çara etj, etj, përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame.

    Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t`i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.

    Unë jam rritur me qindra rrëfime për dramën e të parëve të mi. Kam lexuar botime të ndryshme për këtë histori tragjike, jo vetëm të autorëve me origjinë nga Çamëria, apo të historianëve shqiptarë, por edhe të historianëve nga Greqia fqinje. Qyteti martir i Paramithisë, më 27 Qershor u mbush me kufoma të masakruara. Janë qindra burra e gra, fëmijë e të sëmurë, që u mbytën me gjak. E tillë është edhe Sanije Bollati. Para se t’ju njoh me këtë nuse të re dhe fundin tragjik të saj, do të them dy fjalë për Gjergj Komninon, i cili ka shkruar vjershën Sanije Bollati, një nga më tragjiket e letrave shqipe. Ajo është botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamër në Shqipëri dhe doli në qarkullim vetëm disa muaj, duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete Gjergj Komnino ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame si “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”. Do të duhej një studim i veçantë kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak Shpend Topollaj, ishte “diplomuar jasht shtetit, ku kish mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën me një studim për Luixhi Pirandelon. Këtë intelektual, në damarët e të cilit “ rridhte gjak princësh e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste. Agim Musta në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash, kujton edhe fjalët e Komninos: “ Më dënuan me vdekje më 1956. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj … „.

    Le të rikthehemi te poezitë e Gjergj Komninos kushtuar Tragjedisë Çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë. Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij është me plagë që ende rrjedhin gjak. Ajo ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “ Sanije Bollati është një viktimë e monarko-fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrisht”. Në librin “Kongresi Antifashist Çam”, përgatitur për botim nga Hektor Sejko, mes të tjerave në kapitullin “Shënime rreth referateve dhe diskutimeve, që u zhvilluan në kongresin e çamërve”, shkruhet: “Gjergj Komnini(i ftuar) reciton dy poezi epike tragjike nga episodet e tragjedisë çame të fundit:  Sanije Bollati, Pjesë e Këngës së Parë, Gallataja, Kënga e fundit(e kthimit).

    Poezinë në fjalë, po e publikojmë në variantin origjinal, siç është botuar 79 vite më parë.

    Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti, ku ndodhet ende në këmbë kulla e Bollatatëve dhe martuar po në këtë qytet në familjen Nuri. Është me interes për lexuesin të bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe që është biri i Sanije Bollatit. Po citoj një pjesë të dëshmisë e tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Sako: “Nëna kishte në djep motrën 6 muajshe, Dilenë dhe shkon në banjë për të marrë ndresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë. Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtynë nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe coptuar. U mbusha tërë gjak nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat. Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende-vende kullonin gjak. … Buzët ishin djegur,  dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të shoqërojë deri sa të rroj…. Kriminelët vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6 muajshe…..”

    Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend  historianin bashkëkohor grek Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë, që më 27 qershor 1944 “ qyteti u kthye në thertore…. Rreth pesëqind persona u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”.

    Po ta lexoni me vëmendje këtë poezi të Gjergj Komninos, jam i bindur që do të tronditeni nga rrëfimi i Sanije Bollatit. Është një atmosferë danteske, ose i denjë për penën tragjike të Shekspirit. Sanije Bollati është ringjallur dhe para saj “Është shkrumbi i trupit t’im të zhuritur.  Ja hiri që mbeti nga eshtrat e mia.

    Dhe më pas është i njëjti zë: M’i dogjën mishrat nga pak e nga pak.

    Befas vjen një varg tjetër që është i poetit, i cili është pranë saj: E sytë i kullonin dhe lotë dhe gjak.

    Ti shtang, teksa në këtë atmosferë të rëndë dëgjon dhe zërin e poetit. Poeti Gjegj Komnino është në Paramithi, në vendin e krimit të llahtarshëm. Ai ka fiksuar rrugët dhe rrugicat e kalldrëmta të këtij qyteti, të mbushura me koka të prera, gjymtyrë të banorëve të pafajshëm. Poeti është i tronditur, kur sheh qytetin e përgjakur dhe pastaj afrohet pranë Sanije Bollatit, duke parë sesi digjen mishrat e saj. Atij i ka ikur zëri. Përballë tij digjet nusja e re dhe pak më tutje, djali i saj i vogël, Fadili, qan me dënesë, duke parë nënë e tij në këtë gjëndje.

    Dhe përsëri poeti sikur zgjohet nga një ëndërr e llahtarshme dhe shkruan:

    Mornica, mornica, m’u ngjeth tërë shtati,

    E leshërat si drizë m’u ngritën përpjetë.

    Poeti është i vuvosur dhe duket si i ngrirë, nga ayto që sheh. Poezia vazhdon me zërin e Sanije Bollatit. Vargjet të kujtojtojnë Danten: “Unë jam hieja e hijes sime…

    Është zëri i hijes, si e ardhur nga bota e përtejme e shpirtrave dhe kjo “hije e hijeve” e Sanije Bollatit, ka një amanet, që ja thotë poetit, që është dëshmitar i tragjedisë së saj dhe i krimit makabër. Këtë krim duhet ta mësojnë të gjithë. Ajo flet dhe poeti sheh një pamje përtej tragjikes: “E llërët e saja i griu me dhëmbë”.

    Poet, o poet, për vuajtjtet e mia,

    Në qoftë se vërtet t’u dhemb Çamëria,

    Mbaj mend ç’po të them, t’a lë amanet.

    Po ua lë lexuesve ta lexojnë këtë poezi dhe në fund të njihen edhe me amanetin e Sanije Bollatit.

    Dua të citoj edhe thënien e historianit tjetër grek, Niko Zhangu”Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vujë turp për ato që u bënë në Thesproti, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

    Me këtë rast i bëjmë një thirrje opinionit të shëndoshë grek: Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme, që shkruan, trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave: bënë katarsis. Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire është akoma jashtë, i pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve , burrave e grave, apo femijëve të masakruar barbarisht nga bandat famkeqe të Napoleon Zervës. Në emër të atyre shpirtërave, që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë: në viset tragjike të Çamërisë tonë.

    Kjo poezi u flet.  Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino!

    Tiranë, qershor 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË