More
    KreuÇmime"Bohemian Rhapsody", fituesi i madh i Golden Globes

    “Bohemian Rhapsody”, fituesi i madh i Golden Globes

    Bohemian Rhapsody ishte fituesi i madh i edicionit të 76-të të çmimeve Golden Globes, mbrëmjen e së dielës, duke rrëmbyer trofeun e filmit më të mirë dramatik. Rami Malek fitoi gjithashtu çmimin si aktori më i mirë për portretizimin e Freddie Mercury-it. “Faleminderit Freddie Mercury që më dhe gëzimin e një jete”, – tha Malek në fjalimin e tij, gjatë marrjes së çmimit. – “Të dua, o njeri i bukur! Kjo për ty dhe prej teje!” Glenn Close u shpall aktorja më e mirë dramatike, duke lënë pas Lady Gaga-n për rolin e saj në “A Star is Born”.
    Gaga dhe ekipi i saj, megjithatë, arritën të fitonin çmimin për këngën më të mirë origjinale, titulluar “Shallow”. Ky është edhe i dyti glob i artë për këngëtaren në karrierën e saj. Këngëtarja u përlot ndërsa bashkë me ekipin morën çmimin për këngën më të mirë origjinale në filmin “A Star is Born”. Mbrëmja nisi me yjet që parakaluan në tapetin e kuq, duke ndarë mesazhe solidariteti për lëvizjen “Time’s Up”. Disa mbanin byzylykë të zinj gome, ndërsa të tjerë stema që u referoheshin fushatave për të dyfishuar numrin e grave në poste drejtuese.

    Fituesit e mëdhenj
    Në kategorinë e filmave dramatikë, Glenn Close mposhti Lay Gaga-n, Nicole Kidman, Melissa Mçarthy-n dhe Rosamund Pike-n për rolin e saj të fuqishëm në “The Wife”, adaptimi kinematografik i romanit të Meg Wolitzer-it, me të njëjtin titull. Fjalimi i Close, një ode galvanizuese dhe e ndier për gratë që ndjekin ëndrrat e tyre, mori edhe ovacionet më të mëdha, ndërsa aktorja e kandiduar 13 herë për Golden Globe hoqi paralele ndaj vështirësive të personazhit të saj, për njohje dhe përmbushje përballë bashkëshortit Nobelist në Letërsi. “Është titulluar “Bashkëshortja” ndaj iu deshën edhe 14 vjet për t’u realizuar”, – tha Close, e cila është në një pozicion të mirë për të fituar të parin “Oscar” muajin që vjen në Çmimet e Akademisë.
    “Jemi gra dhe ushqejmë, kemi fëmijët tanë dhe bashkëshortët nëse jemi aq me fat, ose partnerët tek e fundit. Por duhet të gjejmë përmbushjen vetjake. Duhet të ndjekim ëndrrat tona”. Ky rol, shtoi aktorja, i kujtonte asaj vendin e së ëmës në shoqëri dhe se si gratë sot mund të kërkojnë për më shumë. “Po mendoj për mamanë time, e cila ia nënshtroi veten tim eti”, – tha Close gjatë fjalës së saj, duke theksuar se kur e ëma ishte në të tetëdhjetat, ajo vuri në pikëpyetje se çfarë kishte arritur në jetën e saj, përveç rolit të bashkëshortes dhe nënës. “Duhet të gjejmë përmbushjen personale, duhet të ndjekim ëndrrat tona duhet të them ‘mund ta bëj këtë’ dhe ‘duhet të më lejohet ta bëj këtë’”, – tha Close.
    Ndërkohë Rami Malek mërziti Bradley Cooper-n, pasi fitoi çmimin si aktori më i mirë, duke bërë që aktori dhe regjisori i filmit “A Star is Born”, i kandiduar për pesë çmime në mbrëmje dhe fitoi vetëm atë të këngës më të mirë, u kthye në shtëpi i zhgënjyer. Filmi “Bohemian Rhapsody” ndjek karrierën e grupit Queen, duke kulmuar me performancën e tyre legjendare në vitin 1985, në koncertin “Live Aid”. Regjisori i filmit, Graham King, ia dedikoi fitoren Mercury-t, liderit të ndjerë të grupit. “Faleminderit që na tregove fuqinë për të përqafuar veten tënde të vërtetë”, – u shpreh King. – “Kjo është për ty”.

    Christian Bale falënderon Satanin që e frymëzoi për portretizimin e Dick Cheney
    Christian Bale, pa dyshim ishte kryetitulli me metamorfozën fizike, së cilës iu nënshtrua për rolin e tij si Dick Cheney në “Vice”. Aktori e përdori fjalën e tij në Golden Globes për të ngacmuar Drejtuesin e Shumicës në Senat, Mitch Mçonnell, dhe ish-zëvendëspresidentin, Dick Cheney. Bale fitoi çmimin si aktori më i mirë në kategorinë muzikal/ komedi për porterizimin e Cheney-it në filmin satirik “Vice”. “Duhet të gjej dikë që është pa asnjë karizmë dhe i urryer nga të gjithë”, – tha Bale duke cituar fjalët e regjisorit të filmit, Adam McKay. Dhe kështu mendoi: “Ah, duhet të jetë Bale në këtë.” Faleminderit për të gjithë konkurrencën, do ta kem mbërthyer tregun e trapave aspak karizmatikë. Ç’mendim keni sikur i radhës të jetë Mitch Mçonnell?, tha Bale. “Do të ishte mirë”. Ndërsa shtoi në fund: “Faleminderit Satan që më frymëzove si ta luaj këtë rol.” Olivia Colman fitoi çmimin si aktorja më e mirë në një komedi për komedinë “The Favourite”, ndërsa të kandiduar për ishin edhe aktoret Emma Stone dhe Rachel Weisz, që interpretojnë në të njëjtin film. Stone dhe Weisz u mposhtën nga Regina King, që fitoi si aktorja më e mirë jo protagoniste për “If Beale Street Could Talk”. Ajo sfidoi muzikën orkestrale gjatë ceremonisë për të bërë një apel për barazinë në Hollivud.

    Regina King: Gjithçka që do të prodhoj, do të jetë me 50 për qind gra
    Gjatë fjalës së saj falënderuese për çmimin si aktorja më e mirë jo protagoniste në filmin “If Beale Street Could Talk”, Regina King bëri me zë mbështetjen e saj për lëvizjen “Times Up”, me një premtim për të përfshirë më shumë gra. “Po bëj një zotim dhe do të jetë i fortë, që gjithçka do të bëj, do të jetë me pesëdhjetë për qind gra”. Ajo u dha zemër shikuesve t’i bashkoheshin asaj, duke thënë: “Sfidoj këdo aty jashtë që është në pozicionin – dhe jo në industrinë tonë, por në të gjitha industritë – të sfidoj të sfidosh veten. Arsyeja pse e bëjmë këtë është për shkak se kuptojmë se mikrofonat tanë janë të mëdhenj dhe se ne flasim për të gjithë”, – tha King. Gjatë fjalës falënderuese për punën e saj në “The Marvelous Ms. Maisel”, Rachel Brosnahan mori një çast për të theksuar drejtimin e dominuar nga gratë në këtë serial televiziv.
    “Fshati ynë është matriarkati”, – tha Brosnahan. – “Kemi gra në shumë role drejtuese”.
    Ajo fitoi një Golden Globe si aktorja më e mirë në një serial televiziv në kategorinë muzikal/ komedi. Ajo fitoi të njëjtin çmim, për të njëjtin rol, edhe vitin e kaluar.

    Jeff Bridges fiton çmimin e karrierës
    Jeff Bridges, i njohur për rolet e tij në “Big Lebowski” dhe “Crazy Heart”, fitoi çmimin e arritjeve në karrierë. Çmimi Cecil B. DeMille nderon “një individ me talent që ka pasur ndikim jetëgjatë në botën e argëtimit”. Në fjalën e tij, Bridges theksoi rëndësinë e secilit individ dhe se si çdo njeri mund të bëjë ndryshimin në përmirësimin e komunitetit të tij. “Jemi gjallë, mund të bëjmë ndryshimin dhe mund ta kthejmë anijen në kursin që duam të ndjekim”, – tha Bridges. Ai e nisi karrierën kinematografike herët. Si fëmijë, ka luajtur në rolin e paatribuuar, në vitin 1951 “The Company She Keeps” dhe është shfaqur në serialin televiziv të të atit “Sea Hunt”. Të tjerë fitues të këtij çmimi karrierë përfshijnë aktorë, si Audrey Hepburn, Robert De Niro, Harrison Ford, George Clooney, Jodie Foster, Robin Williams dhe Oprah Winfrey. Michael Douglas, i cili interpreton Sandy Kominsky në serialin krijuar të Netflix, fitoi çmimin si aktori më i mirë në një serial komik, duke i shtuar mantelit të tij të dekoruar mirë një Glob të katërt, që përfshin edhe atë të karrierës Cecile B DeMille, në vitin 2004.

    S.B

    Golden Globes 2019
    Filmi më i mirë dramatik: Bohemian Rhapsody.
    Filmi më i mirë komedi: Green Book.
    Regjisori më i mirë: Alfonso Cuarón, “Roma”.
    Aktori më i mirë në një film dramatik: Rami Malek
    (Bohemian Rhapsody).
    Aktorja më e mirë në një film dramatik: Glenn Close (The Wife).
    Aktori më i mirë në komedi/ muzikal: Christian Bale (Vice).
    Aktori më i mirë jo protagonist: Mahershala Ali, “Green Book”.
    Aktorja më e mirë jo protagonsite: Regina King, “If Beale Street
    Could Talk”.
    Skenari më i mirë: Nick Vallelonga, Brian Currie dhe Peter Farrelly,
    “Green Book”.
    Filmi më i mirë i animuar: “Spider-Man: Into the Spider-Verse”.
    Filmi më i mirë në gjuhë të huaj: “Roma”.
    Skenari më i mirë origjinal: Justin Hurwitz, “First Man”.
    Kënga më e mirë origjinale: “Shallow” – “A Star Is Born”.
    Aktorja më e mirë në komedi/muzikal: Olivia Colman (The Favourite).
    Drama më e mirë televizive: The Americans.
    Komedia më e mirë televizive: The Kominsky Method.
    Aktori më i mirë në një dramë televizive: Richard Madden (Bodyguard).
    Aktorja më e mirë në dramë televizive: Sandra Oh (Killing Eve).
    Aktori më i mirë në komedi televizive: Michael Douglas
    (The Kominsky Method).
    Aktorja më i mirë në komedi televizive: Rachel Brosnahan
    (The Marvellous Mrs Maisel).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË