-Endërr, mirmbrëma!
-Mirmbrëma!
-Më sheh dot!
-Sa për të qeshur. Po pres të më shohësh ti.
-Jo, jo, jam i lodhur. Po ti pse nuk më sheh?
-S’më lënë qepallat e tua?
-Çfarë thua? Qepallat janë mbyllur për të ta lënë gjithnjë ty të gjithë fuqinë.
-Hëh, ashtu u duket të gjithëve, por i keni qepallat e ngarkuara me të shkuarën. Teksa i mbyllni qepallat duket sikur i hapni rrugën ardhjes sime, por në fakt gjithë e shkuara juaj bëhet barrikadë, të cilën nuk e kapërcej pa qenë ju gati.
-Shaka është kjo? Epo unë, ashtu si shumë njerëz në botë, jam jo vetëm e shkuara ime por edhe ajo që dua të bëj. Por për të ecur me sytë mbyllur më duhesh edhe ti, më duhet ndihma jote. Atëherë, përse s’më sheh dot?
-Ke harruar që jam unë për t’u parë nga ty. Unë nuk shoh njerëzit, por vetëm ju më shihni.
-Atëherë nuk qenke aq e fuqishme sa dukesh. Qenke njëlloj si ne njerëzit, që nuk vendoske dot për veten tënde. Të kisha menduar më të fuqishme!
– Më të fuqishme se kush?
– Për aq kohë sa unë të shoh dhe ti nuk më sheh dot mua, nuk kam si të të besoj se je më e fuqishmja..
-Ik ore pirdhu.
-Çfarë the, çfarë the? Edhe ti me këtë gjuhë, si ne? Nuk e kisha menduar kurrë se mund të flisje me këtë fjalor. Si duhet të mendoj tani për ty? Kam besuar se përdor butësi, fjalët më të ëmbla, pamjet më të bukura. Ndërsa ti,.. ti, vjen e më flet kështu, me këtë gjuhë?
-Ik ore pirdhu!
-Aha, më duket ëndërr se po habitesh me këtë shprehje. Mos po kërkon të dish se ç’duam të themi ne njerëzit kur i drejtohemi njëri-tjetrit me këto fjalë e të vjen turp të më pyesësh? Ah ëndërr, ëndërr, thashë se ishe mbretëreshë e mbretëreshave për secilin prej nesh.
-Jo, jo, ta thashë ty këtë shprehje. E di mirë se çfarë do të thonë për ju ato fjalë. Jam aty, te qepallat tuaja, kur e thoni. E thoni shpesh kur shihni barrikadë përpara, kur doni të tërhiqeni, kur nuk pranoni atë që keni në mendje, kur kërkoni të neglizhoni diçka, kur nuk jeni të zotët t’u jepni të tjerëve atë që ju kërkon…
-Dale, dale, pak. Mund të jenë të vërteta gjithçka sa thua. Po atëherë pse ma the mua këtë shprehje? Nuk ke fuqi të vijosh bisedën? M’u duk sikur po dalloja pafuqinë tënde për të vendosur vetë? Kështu është, apo jo?
-Sa për të qeshur. Unë jam me kuptim kur jam me ju dhe jo vetëm. Edhe ju më shihni jo thjesht për të mos qenë vetëm, por për të qenë diku tjetër, zakonisht atje ku nuk keni mundur të ishit realisht, apo kur nuk guxuat t’i bënit gjërat si duhet. Por, ama, unë jam mundësi e jo pamundësi. Unë, mund të të rrefej, se jam vetë mundësia e pandalshme, sepse vij nga të gjitha kohërat dhe nuk më prek përkohësia juaj.
-Atëherë merre një vendim e më shih.
– Nuk zgjidhet kështu, duke kërkuar të të shoh unë ty. Mos u dorëzo nëse nuk vij. Nuk keni pse të tërhiqeni e t’i hidhni sytë nga të tjerë vetëm se nuk i gjetët ata ashtu siç i menduat në fillim. Duhet të përpiqeni t’i shihni ashtu siç i keni dashur. Sepse secili prej jush mund të gjejë atë që ka dashur, por zemërimi dhe padurimi ju bëjnë të humbsini atë që kërkoni, atë që mund të zbuloni brenda shumëkujt prej atyre që keni rreth jush.
-Po më thua të jetoj ndonjëherë në anën e gënjeshtrës? Kërkon të gënjej vetveten? Ç’ëndërr qenke ti? S’më duket fare normale të ma kërkosh këtë gjë mua. Unë kam besuar se do jesh ti që do më ndihmosh t’i shoh disa gjëra siç dua. Por ti po më dekurajon. Vërtet mendon se duhet të mendoj unë gjithë kohën mirë për të tjerët pavarësisht se si janë të tjerët që i kemi kërkuar? Vërtet duhet të mos i shoh në sy gjërat që më vijnë përballë por të besoj se ata do zgjohen me atë që kam ëndërruar unë. Po më kërkon të mos i vë emrin e vërtetë gjërave si më ndodhin por më kërkon të vijoj ende t’i shoh ashtu si i kam menduar. Këtë nuk e bëj dot. Do ishte dhembje e madhe për mua sepse shpesh do shihesha si humbës, si njeri që nuk lexoj dot realitetin. Ik tani ëndërr, ik se më mërzite. Tamam, ashtu siç më the edhe ti- ik e pirdhu ti!.
-Hahahahahaha. Nuk bëre gjë tjetër veçse vërtetove atë që thashë unë për këtë shprehje- që ju e thoni teksa dorëzoheni sapo shihni se duhet të këmbëngulni më shumë për të kërkuar atë që nuk duket, atë që nuk gjendet kollaj. Dhe ata që guxojnë të kërkojnë atë që duan nuk kanë nevojë të kërkojnë që unë t’i shoh.
-Ti e nise këtë lojë e jo unë. Ik e pirdhu. Nuk duhet të kisha besuar se mund ta bëja këtë bisedë me ty. Aq më pak, nuk e kisha menduar se do më sugjeroje këtë rrugë. Ta lëmë fare këtë bisedë. Nuk dua ta pranoj zhgënjimin nga ty. Unë thjesht të kërkova një herë të më shihje ti mua e jo unë ty. Tani më lër. Më lër.
-Ëndrra nuk lë askënd kurrë e para. Nuk lë as kur ata nuk i besojnë. Kështu e kam fatin tim. Edhe historinë time. Më pëlqeu biseda më ty se je i vetmi që guxove të më kërkoje të të shihja unë ty e jo ti mua. Madje, më pëlqeu se nuk kërkove të vija në mënyrën më të bukur. Të tjerët dorëzohen përpara meje pa më kërkuar kurrë se mund t’i shoh. Po pas kësaj bisede ke ende dëshirë të të shoh?
-Nuk kam pse ta fsheh, kam ende dëshirë të më shohësh. Dhe ti do ma plotësosh këtë dëshirë, sepse përndryshe unë do u them të gjithve se je e pafuqishme.
-Po më kërcënon? Për pak po bindesha të ta plotësoja si dëshirë, por mendoj se e humbe për shkak se po më kërcënon. E meqenëse më kërcënove, atëherë ik e pirdhu, ik e pirdhu, ik e pirdhu.
-Boll, boll, se nuk i shkon një ëndrre te jetë banale. Tani që e dëgjova nga ti këtë shprehje më duket vërtet një shprehje pa kuptim, pa sens, e aq më pak që të të afrojë me dikë.
– …….
-…….
– Mirmëngjes… Paskam fjetur shumë. Ç’orë është se asgjë nuk po kuptoj? Jam në ëndërr apo zgjuar?…