Kreu Intervista Agron Fico: Si e nxita Kadarenë të shkruante romanin “Dosja...

Agron Fico: Si e nxita Kadarenë të shkruante romanin “Dosja H”?

Përgatiti: Kastriot Kotoni

Profesor Fico, ju keni shkruar një libër me titull “Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard – Albert B. Lord”. Ju keni pasur njohje personale me profesorin e shquar të Harvardit. A mund të na thoni se si u njohet me të?

Në qershor të  vitit 1966 do të organizohej në Shqipëri simpoziumi i Shoqatës së Studimeve të Europës Juglindore, por problemi ishte se do të ftoheshin shkencëtarë nga BS dhe USA. Pas diskutimesh të nxehta midis Ministrisë së Jashtme dhe Akademisë së Shkencave, ishte udhëheqja e lartë e partisë që i hapi dritën jeshile hyrjes së profesorit amerikan dhe atij sovjetik në Shqipëri. Në mëngjesin e datës 25 qershor erdhi delegati sovjetik dhe pasdite pritej të vinte nga Budapesti në Tiranë Prof. Albert B. Lord. Më caktuan të isha njëherazi shoqëruesi kryesor dhe përkthyesi i Lordit. Fatmirësisht më kishte rënë në dorë dhe kisha lexuar me kujdes dhe me shënime veprën themelore të Lordit The Singer of Tales, në të cilën ai vuri bazat e një teorie të re të strukturës dhe kompozimit të eposit epik popullor, si kyç për të kuptuar veprat klasike Iliada dhe Odiseja të Homerit. Në një letër të dytë profesor Lordi, i njohur si duket me situatën politike të Shqipërisë, si vend i izoluar dhe me një përgjim të egër ndaj vizitorëve të huaj, pyeste se a mund të sillte me vete edhe një magnetofon dhe aparat fotografik, që të regjistronte ngjarjen shkencore dhe shfaqjet folklorike. Kjo kërkesë më vuri në mendime dhe dëshmonte se si shihej Shqipëria nga bota demokratike. Profesor Lordi gjatë rrugës së kthimit për në Tiranë, më tregoi për ekspeditën në Shqipërinë e veriut më 1937, si edhe për regjistrimin e këngëve popullore shqiptare e vecanërisht të atyre heroike. Lordi shtoi se në Harvard kishte një fond të epikës heroike shqiptare dhe se mendonte që fondin shqiptar ta botonte në një vëllim të veçantë në të ardhme. Kumtesa e Profesor Lordit rreth epikës legjendare dhe rolit të rapsodit në pasurimin e varianteve bazë, u ndoq me interes dhe ngjalli diskutime të shumta. Pas dy ditëve të ngjeshura me kumtesa dhe diskutime, pjesëmarrësit shkuan në Shkodër që të merrnin pjesë në shfaqjen e grupeve folklorike, që u mbajt në teatrin “Migjeni”. Prof. Lordi u largua drejt Italisë për të qëndruar disa ditë në Akademinë Amerikane në Romë. Andej dërgoi një letër falenderimi për pritjen dhe mbarëvajtjen e simpoziumit të zhvilluar në Tiranë. Letrën ma dhanë mua ta përktheja. Në përmbajtje, siç përmenda më lart, kishte mirënjohje dhe falenderim për rektorin Kahreman Ylli. Në letë profesori shtonte edhe këto fjalë:

“Falenderim i takon edhe studiuesit të ri Agron Fico, jo vetëm si përkthyes.” Letra e dërguar nga Lordi doli se ishte hapur paraprakisht nga Sigurimi i Shtetit, gjë që m’u bë e qartë kur më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës, ku me klithma m’u kërkoi t’u shpjegoja kuptimin “jo vetëm si përkthyes” që përmbante letra. Këtu fillon edhe saga e pareshtur e vuajtjeve të mia që më ndoqi plot 17 vjet. Nga kërkimet në Universitetin e Harvardit në kapakun e fletores së parë, shkruar anglisht lexohej: “Koleksioni i baladave heroike dhe këngëve popullore të Shqipërisë, mbledhur nga Albert B. Lord, 1937”. Ato janë gjithsej 12 fletore me 1350 faqe. Fletorja e fundit, me numrin 12, përmban treguesin e 100 këngëve, që përfshihen në tetë fletoret e para. Pra, fletorja e treguesit të lëndës (ajo me numrin 12) nuk është e plotë, në të nuk përfshihen këngët e fletoreve, 9, 10, 11, të cilat sipas Lordit, janë dërguar më vonë nga Shqipëria; nga bashkëpunëtorët e tij Qamil Hoxha nga Bicaj (Kukës) dhe Murat Paci nga Tropoja. E gjithë lënda e mbledhur nga Lordi në Shqipërinë e veriut në vitet 1936-1937 përmban 114 tekste, të mbledhura nga 36 rapsosdë të ndryshëm. Kjo dëshmon për një hulumtim të përpiktë dhe përzgjedhës, për kërkime cilësore. Profesor Lordi, edhe pse atëherë i ri në moshë, ka ndjekur një metodikë rigoroze pune në terren dhe ka kryer kërkime një një hapësirë gjeografike tepër të gjerë, që përfshin krejt Shqipërinë e veriut. Regjistri i parë daton më 4 shtator 1937 dhe i fundit më 13 tetor 1937, pra një kërkim tepër i ngjeshur dhe intensiv. Ja edhe vendet e eksploruara: Shkodër, Kastrat, Bogë, Theth, Abat, Mërtur, Kolgecaj, Tropojë, Bytyc, Bicaj, Prizren, Dukagjin, Pukë. Çdo këngë e mbledhur është e pasaportizuar: vendi i mbledhjes, data e regjistrimit, përkatësia fetare e rapsodit, shkollimi dhe të dhëna të tjera. Këngët e mbledhura sipas gjinisë dhe llojit i përkasin epikës heroike, pra vendin kryesor e zënë bëmat e Mujit dhe Halilit, por në regjistrimet në disqe alumini të rapsodëve dygjuhësh ka edhe mjafte këngë lirike dhe historike shqiptare. Secila pllakë zgjaste 4+4minuta nga të dy anët. Këto incizime janë përdorur edhe nga muzikologu i njohur hungarez Bela Bartok, kur punonte për transkriptimin muzikor të tyre në Universitetin Columbia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkencëtarët e njohur amerikanë Milman Parry dhe Albert B. Lord të Universitetit të Harvardit krijuan teorinë gojore, për zbërthimin e enigmës disa shekullore homerike, zbulimin e ligjit të ngjizjes dhe krijimit të poemave homerike, njohur dhe si Teoria gojore Parry-Lord. Lordit vetë i pëlqente ta quante studim të Letërsisë Gojore tradicionale. Me kërkimet në terren në Ballkan, në vitet 30 të shekullit të kaluar, mblodhën një lëndë folklorike të pasur dhe të larmishme të këtyre trevave, që u bënë laboratori i kërkimeve të tyre; pra hodhën themelet e teorisë moderne të folkloristikës.

Profesor Fico, kam dëgjuar se ju e keni nxitur Kadarenë në krijimin e romanit “Dosja H”. Për kureshtjen e lexuesve, a mund të na flisni më konkretisht?

Duhet të ketë qenë nga fundi i viteve ’70, kur Kadare kishte shkruar një ese të mrekullueshme për ciklin e kreshnikëvë në revistën “Nëntori”. Për interesin e madh që kishtje ngjallur kjo ese, ishte vendosur që ajo të përkthehej në gjuhë të tjera, madje edhe në serbokroatisht.  Por nga Instituti i Kulturës Popullore disa njerëz, të ndikuar nga metoda sovjetike, e shikonin eposin si vepër e fshatarësisë kundër feudalëve, kur në fakt ishte lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesit sllav. Këndoheshin 10 mijë vargje, si në kohën e Homerit, nga lahutarët shqiptarë e të tjerë bilinguistë.

Ato ditë e takoj Kadarenë fare rastësisht në sheshin “Skënderbej”. E përgëzova  për esenë mbi eposin e kreshnikëve, ndërsa ai m’u përgjigj:

–  Mirë ti po më lavdëron, por ata të Institutit [të Kulturës Popullore] po më gjuajnë me shkëmbinj dhe nuk ndalen.”

– Nëse do ta zgjerosh temën e eposit të kreshnikëve do të sugjeroja veprën e prof. Lordit, -i thashë, bindur që do ta bëja kureshtar.

Teksa më dëgjonte, e ndieva se si  u përfshi emocionalisht. Kishte padurim për ta patur librin sa më parë në dorë.

Dhe kështu  u takuam rishtazi,  ia dhashë librin e profesorit tamerikan ku flitej për përkatësinë e eposit të kreshnikëve.

Nuk do të kalonte shumë kohë, kur mësova se Kadare kishte shkruar një roman të ri Jam i lumtur sot kur mendoj se ai shkrimtar i madh e ktheu në vepër artistike të jashtëzakonshme këtë të vërtetë shkencore të profesor Lordit duke shkruar  romanin “Dosja H”, aq të vlerësuar  nga lexuesi dhe kritika.

Ndërkohë profesor, ju shkuat vetë në Amerikë dhe tashmë jetoni atje. A jeni takur me familjarë të Lordit, a i keni ruajtur marrdhëniet me to?

Pasi kisha filluar mësimin e gjuhës shqipe me diplomatët amerikanë në ambasadën e tyre në Tiranë. Një nga diplomatët,  zonja Jacqueline Muller u tregua e gatëshme që të rivendosja marrëdhëniet me familjarët e Lordit. Zonja Jacqueline Muller, pasi u kthye nga një vizitë pune në Amerikë, më tha, se ishte interesuar për fatin e Albert Lordit dhe kishte mësuar se ai kishte ndërruar jetë para disa viteve dhe se familja e tij banonte në shtetin e Massachusets. Vajza ime e madhe Albana, e cila ishte në Amerikë, vendosi kontaktet me zonjën Lord nga ku unë u mirëprita në shtëpinë e saj për të kryer studime rreth punës së Albert B.Lord dhe Melman Parry në universitetin e Harvardit, nga i cili kanë dalë 8 presidentë amerikanë dhe 40 fitues të çmimit “Nobel”. Ishte mars i vitit 1996, kur unë i preka me dorë fletoret me lëndën shqiptare mbledhur nga Albert Bates Lord, në biblotekën e Harvardit e dyta për nga madhësia pas Biblotekës së Kongresit. Gjatë atyre ditëve të paharruara në Cambridge të Bostonit, si i ftuar i familjes së Albert B. Lordit, dita më emocionuese ishte vizita në varrezat e qytetit për plotësimin e një pengu, por edhe një detyrimi moral ndaj këtij shkencëtari  dhe miku të shquar. Zbrita nga makina dhe shkova drejt varrit të Lordit. Shpërndava lulet e sjella dhe, me plot emocion thashë “Dear professor Lord. I kept my promise. I have come from Albania, to meet You…” (I dashur profesor Lord. E mbajta premtimin. Kam ardhur nga Shqipëria e largët të takohem me Ty.) Dhe i përlotur  shtova…”Të ndritë shpirti, i nderuar profesor Lord”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Rrëfimet e maestros (dialog me avangardistin e viteve ‘70, Musa Ramadanin) nga Agron Y. Gashi

Dialogu letrar që nga antika e deri te ai ndërmjet Ecerman-it e Göethe-s, Borges-it e Sabato-s, Marquez-it e Llosa-s, Singer-it e Roth-it është shenjë...

Adil Olluri: Lamtumirë Musa Ramadani – një ikonë e elitarizmit letrar

Ecte i vetëm në qytetin që e donte. Ulej në të njëjtat kafene. Nuk hynte në tjetër vend. “Elida”, ku rrinin miqtë e tij...

Frano Kulli: Ndoc gjetja – “Biri i gjallë i njeriut” Nga frano kulli

Ndodh rrallë, shumë rrallë këto kohë në shoqërinë e konsumit të botës sonë rrokopujë e të garrametëshme që vëmendja publike të ndalojë...

Sali Shijaku, piktori i vezës që nga një u bë njëqind – Ese nga Roland Gjoza

Zakonisht një artist nuk rri dot pa një qen. E ka një kostum të mirë, disa miq intimë, ndonjë dashnore të vjetër, për...