Nga BUJAR HUDHRI
Duket si një paradoks, por për fat të keq ky është sot realiteti i përditshëm në libraritë në mbarë vendin.
Më e theksuar bëhet kjo situatë, sidomos pas përfundimit të Panairit të Librit të Tiranës. Pas gati një jave, e cila mund të quhet vërtet një festë e librit, e cila mbledh në një mjedis të vetëm lexues, autorë, përkthyes, botues dhe media. Me mijëra kopje të shitura librash, radhë të gjata për të marrë autografe nga autorët e preferuar, promovime, intervista, ndarje çmimesh.
Pra, autori shqiptar është në qendër të vëmen-djes dhe çdo vit që pason, kjo ndjehet edhe me shumë. Jo vetëm me autorë të konsoliduar tashmë, por edhe ata që e kanë librin e tyre të parë. Do ta quaja këtë pamje të gëzueshme, si një gjendje reale të marrëdhënies së lexuesit me letërsinë shqipe, dhe jo thjesht si një eufori e krijuar nga ditët e panairit. Sepse është e tillë dhe blerja e librave është treguesi më i qartë.
Por tjetër pamje kemi në librari. E gjithë kjo atmosferë e panairit, duket se nuk ka lënë gjurmë. Në marrëdhënien e përditshme të botuesit me libraritë problemi kryesor mbetet libri i autorit shqiptar.
Me përjashtim vetëm të dy librarive të kryeqytetit, “Adrion” dhe “Albania”, që janë edhe libraritë më të mëdha e me staf të përgatitur, është pothuaj e pamundur që t’i bindim librarët e tjerë për të ekspozuar librat e autorëve shqiptarë. Autorët e rinj, as që bëhet fjalë, por e kam fjalën për dhjetra autorë të tjerë shqiptarë, që tashmë janë të përthyer edhe në gjuhë të tjera, të cilët lexuesi në gjithë hapësirën shqipfolëse i njeh dhe i pëlqen.
Mendoj që kjo është një histori gati tridhjetë-vjeçare. Dhe duhet ta pranojmë, që nuk ishte librari, ai, që e bëri këtë ndarje. Aq më tepër, që në ato vite ende ishin librarët e dikurshëm, të cilat lexonin vetë dhe dinin si ta bënin për vete lexuesin.
Pra, ishte lexuesi i pari që i ktheu shpinën librit shqip dhe i etur, pas letërsisë së huaj, nuk u interesua se çfarë librash të rinj sillnin autorët shqiptarë. Kjo sjellje, si një mënyrë e re e tregtimit të librit, përcaktoi edhe ecurinë e librarive.
Po t’i shtojmë këtu edhe veprimtarinë e shumë botuesve, të cilët pa asnjë censurë botuan me dhjetra autorë që paguanin vetë librat e tyre. Por nuk përfundonte këtu historia. Ishin pikërisht, këta autorë dhe botuesit e tyre që promovonin me bujë këtë lloj letërsie, që shumë redaksi televizive e shumëfishonin këtë mediokritet. Dhe lexuesi shqiptar, i jepte të drejtë vetes që të mos i blinte këto autorë. Që mbushnin raftet e librarive, të cilat ishin gjithnjë e më të vogla. Sepse shitja e librit, ky biznes i vështirë në një vend si Shqipëria, nuk të jep mundësi të rritesh, të investosh. Kur e ke edhe shtetin krejtësisht të pandjeshëm ndaj kulturës sonë kombëtare.
Dhe librarët bëjnë atë që tregu u ka mësuar më së miri: e çmojnë që në kopertinë librin, shitet apo jo! Është autor i huaj apo shkrimtar shqiptar? Pothuaj fiton gjithmonë i huaji.
Po korrim atë që kemi mbjellë në vite!