Pushimet verore përfunduan bashkë me leximin e tre librave. Njëri prej tyre është “Jam mysliman” i Ben Blushit. Kisha menduar ta mbaroja së lexuari më 16 gusht, ditën e festës së fshatit të origjinës së tij, Blush. Do të ishte një përkim i bukur, aq më tepër ai fshat është edhe nga ana ime e hartës, në Ersekë, një vend fort i dashur për mua, që e mbaj kurdo e kudo me vete.
Por librin e përfundova së lexuari një javë më vonë, në “Jardin du Luxembourg”, në parkun e parë që vizitova kur erdha për herë të parë në Paris dhe që, edhe sot, mbetet më i dashuri për mua. Ndoshta edhe për shkak të Kadaresë.
Teksa afrohesha për tek parku, afër kryqëzimit ngrita kokën drejt ish-ballkonit të shtëpisë ku jetonin Kadarenjtë dhe ku unë i vizitoja shpesh. Sa herë kaloj në atë rrugë, sytë më shkojnë lart, drejt atij kati. Është bërë një lloj zakoni, ndoshta edhe një përshëndetje e heshtur.
Pastaj vazhdova rrugën drejt parkut.
Kam një cep timin në “Jardin du Luxembourg”, një vend ku ulem sa herë shkoj. Përballë më rri Kulla Montparnasse dhe, pak më tej, Eiffel-i. Është një nga ato pamje ku Parisi duket sikur nuk të kërkon asgjë. Thjesht të lë të rrish, të mendosh, të kujtosh.
Qysh e vogël jam rritur me figurën e Ben Blushit si politikan, ashtu si me shumë prej figurave të tjera publike të asaj kohe. Jetuar dhe rritur në një shtëpi bashkë me gjyshërit që i shihnin lajmet tri herë në ditë, e ndonjëherë edhe më shumë, doja apo s’doja unë, politika hyri herët në jetën time.
Si politikan dhe intelektual, Blushi më ka pëlqyer gjithmonë, ndoshta edhe për atë lloj karizme që ka. Si autor, përkundrazi, nuk e kam ndjekur shumë. Kam lexuar “Të jetosh në ishull” dhe “Jam mysliman” është libri i dytë i tij që lexoj.
“Jam mysliman” është një libër që ka bërë bujë dhe është përfolur shumë. Duke njohur edhe Onufrin si botues, e di se çfarë zgjedh.
Libri më pëlqeu.
Më mbajti kurioze deri në fund. E bukur është mënyra se si autori e ndërton të gjithën: nga rrëfimet e Rrugës së Kavajës dhe emri i zgjedhur, Ali Baba, te feja, udhëtimi në Mekë, frika, besimi dhe, në fund, ajo fjali e thjeshtë dhe e fuqishme: Jam mysliman.
Por ajo që më mbeti më shumë ishte mënyra se si libri e vendos besimin përballë lirisë.
Në rrëfimin e Blushit, besimi nuk më duket si një dorëzim ndaj dogmës, por si një zgjedhje që duhet të mbetet e lirë. Dhe pikërisht këtu libri, për mua, bëhet më i gjerë se vetë feja: kthehet në një mbrojtje të lirisë për të besuar, për të dashuruar, për të menduar dhe për të qenë vetvetja, kundër atyre që duan ta kthejnë fenë në kufizim apo në armë. Sepse, në fund të fundit, besimi më i bukur është ai që mbetet i lirë.
Dhe pikërisht kur po mendoja për këtë, ndodhi një nga ato takimet e vogla që vetëm Parisi di t’i sjellë.
Pranë meje ishte ulur një gjyshe franceze me origjinë algjeriane. Më pyeti, me kureshtje, se çfarë po lexoja. Ndoshta sepse feja është një temë delikate, pyetja e saj kishte edhe atë lloj kujdesi që njerëzit tregojnë kur prekin një temë që mund të marrë shumë kuptime.
I tregova për çfarë fliste libri dhe nuk harrova ti citoj vargun e mrekullueshëm shëputur nga poema madhështore “ O moj Shqypni” : “Feja e shqyptarit është shqyptaria.”
Pastaj shkova edhe më larg.
I thashë se jam bektashiane, myslimane, por jam pagëzuar në Greqi, në Paros dhe se mbaj një kryq ortodoks dhe se ndonjëherë shkoj në një kishë katolike për të ndezur një qiri.
Ajo më pa me një habi të pastër.
Ndoshta ky është dhe një nga paradokset më të bukura të besimit: ajo që për dikë duket e pamundur, për dikë tjetër është thjesht pjesë e jetës.
Mund të jesh disa gjëra njëherësh. Mund të mbash në vete histori të ndryshme. Mund të besosh pa pasur nevojë të mohosh. Mund të duash pa pyetur veten nëse dashuria jote i përket kësaj apo asaj ane të kufirit.
Ndoshta disa libra nuk mbarojnë në faqen e fundit…
Dhe ndoshta gjërat që na përcaktojnë më shumë nuk janë gjithmonë ato që mund të shpjegohen lehtë…ndoshta janë pikërisht ato që na bëjnë të ndihemi të lirë.


