Tabloja “Lidhja e Lezhës (2 mars 1444)”
e Pashk Përvathit
Në krijimtarinë e Pashk Përvathit, peizazhi ka qenë gjithmonë boshti rreth të cilit është ndërtuar universi i tij artistik. Për më shumë se katër dekada, ai ka formësuar një gjuhë piktorike të dallueshme, ku drita, atmosfera dhe poezia e natyrës shqiptare janë shndërruar në elemente identifikuese të stilit të tij. Në këtë rrugëtim krijues, tabloja “Lidhja e Lezhës (2 mars 1444)” përbën një kthesë të rëndësishme. Për herë të parë, artisti i largohet peizazhit si subjekt kryesor dhe i qaset një teme historike madhore, pa hequr dorë nga identiteti i tij estetik dhe nga ndjeshmëria që e ka karakterizuar gjithmonë.
Tema e veprës është Kuvendi i Lezhës, mbledhja historike e 2 marsit 1444, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu bashkoi princërit shqiptarë në një aleancë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Në historiografinë shqiptare kjo ngjarje konsiderohet si një nga aktet themeluese të vetëdijes politike dhe ushtarake të shqiptarëve. Siç shkruante Fan S. Noli, “Skënderbeu nuk bashkoi vetëm princat, por zgjoj ndër shqiptarët vetëdijen e një qëllimi të përbashkët.”. Kjo ide gjen një jehonë të natyrshme edhe në konceptimin artistik të Përvathit, i cili nuk e trajton kuvendin si një episod të izoluar historik, por si një moment simbolik të lindjes së bashkimit kombëtar.
Ndryshe nga tradita ikonografike që e paraqet Skënderbeun kryesisht në skena beteje, Përvathi zgjedh një çast shumë më të qetë, por psikologjikisht më të fuqishëm: mbërritjen e Kryetrimit në Lezhë. Është çasti kur pritja, shpresa dhe besimi bashkohen në një atmosferë solemne. Kjo zgjedhje e largon veprën nga retorika heroike tradicionale dhe e afron me një rrëfim monumental, ku madhështia nuk buron nga dinamika e luftës, por nga pesha historike e momentit.
Kompozimi ndërtohet mbi një ekuilibër rigoroz. Çdo element i skenës kontribuon në organizimin e hapësirës dhe në drejtimin e shikimit drejt figurës qendrore të Gjergj Kastriotit. I hipur mbi kalin e bardhë, Skënderbeu vendoset në boshtin kryesor të tablosë dhe shndërrohet në qendrën gravitacionale të gjithë kompozimit. Rruga me kalldrëm, arkitektura mesjetare, orientimi i figurave, shikimet e princërve dhe të popullit, madje edhe ritmi i grupeve njerëzore, ndërtojnë një sistem pamor që përqendrohet tek ai.
Në të njëjtën kohë, skena fiton një karakter pothuajse teatror. Personazhet nuk janë të ngrirë, ashtu si pjesë e një ceremonie pritjeje, por komunikojnë përmes gjesteve të përmbajtura dhe shprehjeve të fytyrës. Heshtja e tyre nuk është mungesë veprimi; përkundrazi, ajo ngarkon kompozimin me një tension emocional që e bën shikuesin pjesëmarrës në ngjarje. Përvathi nuk përpiqet të rindërtojë vetëm një episod historik; ai synon të rikrijojë atmosferën shpirtërore të një dite që do të ndryshonte fatin e Shqipërisë së asokohe.
Vetë artisti përballet këtu me një sfidë të re krijuese. Për dekada ai është identifikuar me zhanrin e peizazhit, duke zbuluar pothuajse çdo krahinë të vendit, nga Alpet Shqiptare deri në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Në këto peizazhe ai ka ndërtuar një univers ku drita, ajri dhe ritmet e natyrës kanë qenë protagonistët kryesorë. Pikërisht për këtë arsye, “Lidhja e Lezhës” përfaqëson një moment të veçantë në zhvillimin e tij artistik.
Ky është kompozimi i parë shumëfigurësh me temë historike në krijimtarinë e Përvathit. Një sipërmarrje e tillë kërkon jo vetëm mjeshtëri në vizatim dhe njohje të anatomisë njerëzore, por edhe aftësinë për të organizuar në mënyrë harmonike marrëdhëniet komplekse ndërmjet shumë figurave brenda të njëjtës hapësirë piktorike. Ajo që bie menjëherë në sy është fakti se artisti e kapërcen këtë sfidë pa humbur asgjë nga freskia e gjuhës së tij piktorike. Ndjeshmëria ndaj dritës, harmonisë kromatike dhe atmosferës mbetet po aq e pranishme sa edhe në peizazhet e tij më të njohura.
Historiani i artit Ernst H. Gombrich ka shkruar se “tradita nuk është burg për artistin, por pikënisja nga e cila ai krijon diçka të re.”. Kjo thënie duket se përshkruan me saktësi edhe këtë vepër të Pashk Përvathit, e cila ruan identitetin e tij artistik, ndërsa njëkohësisht hap një kapitull të ri në krijimtarinë e tij.
Në krahun e majtë të kompozimit janë vendosur princërit shqiptarë, të mbledhur për të pritur ardhjen e Gjergj Kastriotit. Në krye të tyre qëndron Lekë Zaharia, sundimtari i Danjës dhe mikpritësi i Kuvendit të Lezhës, i shoqëruar nga Pal dhe Nikollë Dukagjini, Tanush Topia dhe fisnikë të tjerë shqiptarë. Përvathi nuk i paraqet ata si figura ceremoniale të ngrira në një ikonografi zyrtare, por si njerëz të gjallë, të bashkuar nga pritja, respekti dhe besimi ndaj prijësit që do të merrte përsipër drejtimin e aleancës. Kjo qasje i sjell njerëzishëm figurat historike dhe i afron ato me shikuesin.
Në anën e djathtë shfaqet populli. Ai nuk mbetet një element dekorativ apo një spektator pasiv, por bëhet pjesë organike e rrëfimit. Prania e tij e zgjeron kuptimin e ngjarjes përtej një marrëveshjeje midis aristokratëve shqiptarë. Bashkimi paraqitet si një aspiratë e përbashkët, si shprehje e një vullneti që buron nga vetë trungu i kombit. Në këtë mënyrë, artisti sugjeron se Lidhja e Lezhës nuk ishte vetëm një akt politik, por edhe një akt moral e shpirtëror, i mbështetur mbi besën, përkatësinë dhe kujtesën e përbashkët historike.
Kjo ide lidhet natyrshëm me vlerësimin e Kristo Frashërit, sipas të cilit Lidhja e Lezhës përfaqësonte organizimin më të lartë politik që kishin arritur shqiptarët në Mesjetë, duke krijuar një front të përbashkët për mbrojtjen e vendit. Edhe pse tabloja nuk ilustron drejtpërdrejt aktin e nënshkrimit të marrëveshjes, ajo arrin të përçojë frymën që e bëri atë të mundur: besimin reciprok dhe vetëdijen e një fati të përbashkët.
Një nga elementet më domethënëse të kompozimit është simbolika fetare, e trajtuar me përmbajtje dhe finesë. Brenda portës së Kishës së Shën Kollit dallohet figura e Krishtit, e cila nuk imponohet menjëherë mbi shikuesin, por zbulohet gradualisht gjatë vëzhgimit të tablosë. Dora e ngritur e Krishtit krijon një dialog të heshtur me dorën e ngritur të Gjergj Kastriotit, duke ndërtuar një aks simbolik që përshkon të gjithë kompozimin.
Ky paralelizëm nuk synon të vendosë një barazim ndërmjet figurës hyjnore dhe heroit kombëtar. Përkundrazi, ai sugjeron se misioni historik i Skënderbeut mbështetet mbi ideale universale: mbrojtjen e lirisë, të besimit, të dinjitetit njerëzor dhe të së drejtës për të jetuar i lirë. Në këtë aspekt, simbolika fetare nuk shërben si element dogmatik, por si një shtresë kuptimore që e pasuron rrëfimin historik dhe i jep atij një përmasë etike.
Në këtë pikë vjen ndër mend edhe pohimi i Marin Barletit, i cili e përshkruan Skënderbeun si “mbrojtës të fesë dhe të lirisë së Arbërisë”. Pavarësisht toneve panegjirike që karakterizojnë veprën e Barletit, kjo formulë ka ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm në mënyrën se si është perceptuar figura e Skënderbeut gjatë shekujve dhe gjen një jehonë të natyrshme në konceptimin simbolik të Përvathit.
Megjithëse kemi të bëjmë me një kompozim historik shumëfigurësh, peizazhi vazhdon të mbetet një komponent themelor i gjuhës artistike të Pashk Përvathit. Ai nuk tkurret në një sfond neutral, por merr pjesë aktivisht në ndërtimin e kuptimit të veprës. Në horizont ngrihet Mali i Shëlbuemit, simbol i njohur gjeografisë së Lezhës, ndërsa më tej shfaqen siluetat e maleve të Krujës. Kjo zgjedhje nuk është thjesht topografike; ajo krijon një lidhje pamore dhe historike ndërmjet qytetit ku u themelua aleanca shqiptare dhe qytetit që do të shndërrohej në simbolin më të fuqishëm të rezistencës së Skënderbeut.
Peizazhi, si në të gjitha veprat më përfaqësuese të Përvathit, mbart një funksion emocional. Ai nuk është vetëm vendi ku zhvillohet ngjarja, por edhe hapësira ku historia dhe natyra bashkëjetojnë në mënyrë harmonike. Drita që përshkon malet, qiellin dhe arkitekturën krijon një atmosferë qetësie solemne, duke e bërë natyrën pjesëmarrëse në aktin historik të bashkimit.
Në këtë drejtim, John Ruskin shkruante se “peizazhi është pasqyra më e sinqertë e shpirtit të një kombi.”. Edhe pse kjo thënie i përket një konteksti tjetër kulturor, ajo duket se gjen një rezonancë të veçantë në krijimtarinë e Pashk Përvathit, ku natyra shqiptare nuk është kurrë thjesht sfond, por bartëse e kujtesës, identitetit dhe vazhdimësisë historike.
Nga pikëpamja formale, “Lidhja e Lezhës (2 mars 1444)” dëshmon një organizim të matur të hapësirës piktorike dhe një kontroll të plotë të marrëdhënieve ndërmjet figurave. Megjithëse kompozimi përfshin një numër të konsiderueshëm personazhesh, ai mbetet i qartë, i lexueshëm dhe vizualisht i ekuilibruar. Çdo figurë zë vendin e saj në strukturën e përgjithshme dhe kontribuon në ndërtimin e rrëfimit, pa krijuar mbingarkesë apo shpërqendrim. Ritmi i grupeve njerëzore alternohet me kujdes me hapësirat e lira, duke i dhënë tablosë frymëmarrje dhe duke shmangur ngjeshjen kompozicionale që shpesh karakterizon pikturën historike shumëfigurëshe.
Në këtë organizim ndihen parimet e kompozimit klasik, ku ekuilibri nuk arrihet përmes simetrisë mekanike, por përmes marrëdhënieve të kujdesshme ndërmjet masave, dritës dhe lëvizjes. Kjo aftësi për të harmonizuar elemente të shumta e vendos veprën në një traditë të njohur të pikturës historike evropiane, duke ruajtur njëkohësisht individualitetin stilistik të autorit.
Vizatimi përbën një nga pikat më të forta të tablosë. Anatomia e figurave është bindëse, raportet trupore janë të sakta dhe qëndrimet karakterizohen nga një natyrshmëri që shmang teatralitetin e tepërt. Gjestet janë të përmbajtura, por shprehëse; ato komunikojnë respekt, solemnitet dhe pritje, pa rënë në patetizëm. Ky realizëm i matur i jep kompozimit besueshmëri dhe e afron atë me frymën e ngjarjes historike që synon të përfaqësojë.
Veçanërisht e arrirë është figura e kalit të bardhë të Skënderbeut. Ai nuk paraqitet si një element dekorativ, por si pjesë e karakterizimit të vetë heroit. Pozicioni i trupit, tensioni i muskujve dhe ritmi i lëvizjes krijojnë ndjesinë e një energjie të përmbajtur, sikur kafsha sapo ka ndalur pas një udhëtimi të gjatë. Pikërisht kjo përmbajtje dinamike i shton autoritet figurës së Skënderbeut dhe e bën hyrjen e tij në skenë edhe më imponuese. Në ikonografinë evropiane të kalorësit, kali nuk është vetëm mjet transporti; ai është vazhdim i personalitetit të kalorësit. Përvathi e shfrytëzon me zgjuarsi këtë traditë ikonografike, duke e bërë figurën e kalit pjesë të psikologjisë së personazhit kryesor.
Një ndër veçoritë më të spikatura të veprës është trajtimi i dritës. Në vend që të ndërtojë një atmosferë dramatike përmes kontrasteve të forta të chiaroscuro-s, siç ndodh në një pjesë të konsiderueshme të pikturës historike evropiane, artisti zgjedh një ndriçim të hapur dhe të baraspeshuar. Kjo dritë është njëkohësisht reale dhe simbolike. Ajo buron nga klima mesdhetare shqiptare, të cilën Përvathi e njeh më mirë se kushdo falë përvojës së tij shumëvjeçare si peizazhist, por në të njëjtën kohë shndërrohet në metaforë të shpresës, të besimit dhe të bashkimit.
Drita nuk përqendrohet vetëm mbi figurën e Skënderbeut; ajo përshkon të gjithë hapësirën e tablosë, duke krijuar një atmosferë të përbashkët që bashkon figurat, arkitekturën dhe peizazhin. Kjo zgjidhje shmang hierarkitë artificiale të ndriçimit dhe e bën gjithë skenën pjesëmarrëse në të njëjtën përmasë simbolike.
Në këtë aspekt kujtojmë fjalët e Eugène Delacroix-it, i cili shkruante se “merita e parë e një tabloje është të jetë një festë për syrin.’. Tek Përvathi kjo “festë” nuk ndërtohet mbi efektin spektakolar, por mbi harmoninë e dritës, të ngjyrës dhe të atmosferës. Bukuria e veprës nuk lind nga ekzagjerimi dramatik, por nga ekuilibri i saj i brendshëm.
Paleta kromatike është ndërtuar me një ndjenjë të hollë harmonie. E bardha e kalit, e kostumeve tradicionale dhe e gurëve të kishës krijon boshtin ndriçues të kompozimit. Në kontrast me të, e kuqja e mantelit të Skënderbeut dhe e flamujve shqiptarë bëhet pika kulmore emocionale e tablosë. Kjo ngjyrë nuk ka vetëm funksion estetik; ajo shndërrohet në simbol të sakrificës, të dinjitetit dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë, tonet okër të tokës, gri-të e arkitekturës dhe e blerta e peizazhit krijojnë një harmoni natyrore që nuk e konkurron figurën qendrore, por e mbështet atë.
Është domethënëse se Përvathi nuk e përdor ngjyrën për të krijuar tension artificial. Përkundrazi, ai i qëndron besnik përvojës së tij si peizazhist, duke ndërtuar marrëdhënie kromatike dekorative dhe grafike, të cilat ruajnë transparencën e ajrit dhe pastërtinë e atmosferës. Kjo vazhdimësi stilistike dëshmon se kalimi nga peizazhi në kompozimin shumëfigurësh nuk ka sjellë një shkëputje në gjuhën e tij artistike, por një zgjerim të natyrshëm të saj.
Në librin “Mbi shpirtëroren në art”, Wassily Kandinsky shkruante se “çdo ngjyrë mbart një jetë të brendshme dhe një tingull shpirtëror.”. Në tablonë e Përvathit kjo ide merr një kuptim të veçantë: e bardha sugjeron pastërti dhe besim, e kuqja mishëron energjinë dhe vendosmërinë, ndërsa tonalitetet tokësore krijojnë ndjesinë e qëndrueshmërisë dhe të lidhjes me vendin. Kështu, ngjyra nuk është vetëm cilësi pamore, por edhe bartëse e kuptimit.
Pikërisht përmes këtij raporti të harmonishëm ndërmjet vizatimit, dritës dhe ngjyrës, tabloja arrin një ekuilibër të rrallë ndërmjet realizmit historik dhe interpretimit poetik. Përvathi nuk synon të krijojë një rindërtim arkeologjik të së kaluarës; ai ndërton një vizion artistik të historisë, ku besueshmëria dokumentare bashkëjeton me ndjeshmërinë estetike. Në këtë qëndron edhe një nga vlerat më të mëdha të veprës: ajo nuk ilustron historinë, por e interpreton atë përmes gjuhës së pikturës.
Një nga vlerat më të spikatura të tablosë është kujdesi me të cilin Pashk Përvathi trajton elementin etnografik. Kostumet popullore të Zadrimës, Kallmetit dhe Mirditës nuk janë përfshirë si motive folklorike me funksion dekorativ, por si dëshmi të gjalla të identitetit kulturor të trevës ku zhvillohet ngjarja. Çdo hollësi e veshjeve është trajtuar me vëmendje, duke respektuar tiparet karakteristike të tyre dhe duke e lidhur rrëfimin historik me vazhdimësinë e traditës shqiptare. Në këtë mënyrë, artisti krijon një urë ndërmjet kujtesës historike dhe trashëgimisë materiale, duke dëshmuar se historia nuk jeton vetëm në dokumente, por edhe në kulturën që një popull trashëgon brez pas brezi.
Po aq i rëndësishëm është edhe trajtimi i arkitekturës. Kisha e Shën Kollit dhe ndërtesat përreth nuk shërbejnë vetëm si identifikues topografikë të vendit ku zhvillohet ngjarja. Ato ndërtojnë atmosferën e qytetit mesjetar dhe e vendosin veprimin në një hapësirë historikisht të besueshme. Arkitektura nuk dominohet nga monumentaliteti, por integrohet natyrshëm me figurat njerëzore dhe me peizazhin, duke krijuar një tërësi organike ku historia, natyra dhe njeriu bashkëjetojnë në ekuilibër.
Në këtë aspekt, tabloja dëshmon një ndërgjegjësim të qartë për rëndësinë e autenticitetit historik. Përvathi nuk synon të rindërtojë me rigorozitet arkeologjik çdo detaj të shekullit XV, por të rikrijojë bindshëm frymën e kohës. Pikërisht ky ekuilibër ndërmjet saktësisë historike dhe interpretimit artistik e bën veprën të besueshme dhe estetikisht të fuqishme.
Në planin krijues, “Lidhja e Lezhës (2 mars 1444)” shënon një etapë të re në zhvillimin artistik të Pashk Përvathit. Ajo dëshmon se një piktor, i cili për dekada është identifikuar me peizazhin shqiptar, mund ta ruajë të paprekur ndjeshmërinë ndaj dritës, atmosferës dhe natyrës edhe kur i qaset një kompozimi historik shumëfigurësh. Në vend që të braktisë gjuhën e tij piktorike, ai e zgjeron atë, duke e vënë në shërbim të një subjekti me peshë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.
Në këtë vepër peizazhisti nuk zhduket; përkundrazi, ai bëhet themeli mbi të cilin ndërtohet kompozimi historik. Drita, ajri, hapësira dhe marrëdhënia harmonike ndërmjet figurës dhe natyrës mbeten po aq të rëndësishme sa edhe vetë rrëfimi historik. Pikërisht kjo vazhdimësi stilistike e bën tablonë një nga arritjet më domethënëse të krijimtarisë së autorit.
Në të njëjtën kohë, vepra merr një kuptim që shkon përtej interpretimit të një episodi historik. Ajo rikthen në vëmendje një nga momentet themelore të kujtesës kombëtare dhe e paraqet atë si një simbol të bashkimit, të besës dhe të përgjegjësisë së përbashkët. Në një kohë kur identitetet kulturore përballen me sfida të reja, rikthimi te ngjarje të tilla nuk përbën një ushtrim nostalgjie, por një reflektim mbi vlerat që kanë formësuar historinë e shqiptarëve.
Në këtë drejtim, mendimi i Ismail Kadaresë se “një komb jeton aq gjatë sa jeton kujtesa e tij” fiton një domethënie të veçantë. Edhe pse historia shkruhet nga studiuesit, ajo mbijeton falë letërsisë, artit dhe kulturës, të cilat i japin asaj formë të prekshme dhe përjetim estetik.
“Lidhja e Lezhës (2 mars 1444)” është, në këtë kuptim, shumë më tepër sesa një tablo me temë historike. Ajo është një reflektim piktorik mbi idenë e bashkimit, mbi marrëdhënien ndërmjet kujtesës dhe identitetit, si edhe mbi aftësinë e artit për ta bërë historinë vazhdimisht të pranishme në ndërgjegjen e një populli. Përmes kompozimit të ekuilibruar, ndërtimit të figurave, harmonisë së dritës dhe pasurisë simbolike, Pashk Përvathi nuk rikrijon thjesht një episod të së kaluarës; ai ndërton një imazh që fton shikuesin të reflektojë mbi kuptimin e unitetit, të lirisë dhe të vazhdimësisë historike.
Pikërisht këtu qëndron edhe vlera më e madhe e kësaj vepre: ajo tejkalon karakterin ilustrues të një ngjarjeje dhe shndërrohet në një meditim artistik mbi fatin historik të shqiptarëve. Në të, historia nuk mbetet e mbyllur në të kaluarën, por vazhdon të jetojë përmes gjuhës universale të pikturës.


