Etëhem Haxhiademi filloi të shkruante dhe të botonte që në moshë të re në shtypin e kohës midis dy luftërave botërore. Shkrimet e tij të para, të botuara ndër të tjera në revistën “Kopshti Letrar”[1], dëshmojnë interesin e hershëm për historinë, kulturën, letërsinë dhe figurat e mëdha të antikitetit. Këto prirje do të zhvilloheshin më vonë në tragjeditë dhe poezitë e tij, ku historia, mitologjia dhe përvoja njerëzore ndërthuren në një vizion artistik të veçantë.
1. Hyrje
Kontributi më i rëndësishëm i Haxhiademit lidhet me dramaturgjinë. Ai konsiderohet krijuesi i tragjedisë shqiptare, duke sjellë në letërsinë tonë një model të ri dramatik, të ndërtuar mbi subjektet e antikitetit, mitologjisë, historisë kombëtare dhe traditës biblike. Tragjeditë e tij më të njohura janë “Ulisi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Përmes këtyre veprave, ai trajtoi konflikte të mëdha morale, politike dhe njerëzore, duke i vendosur personazhet në situata dramatike ku përplasen pushteti, nderi, besnikëria, dashuria, faji dhe përgjegjësia. Edhe pse temat e tragjedive të tij shpesh vijnë nga antikiteti ose nga historia e largët, ato nuk mbeten të shkëputura nga realiteti shqiptar. Përkundrazi, Haxhiademi i përdor këto subjekte për të reflektuar mbi problemet e kohës së tij dhe mbi çështje të përhershme të ekzistencës njerëzore. Në këtë kuptim, veprat e tij kanë një përmasë universale, por njëkohësisht ruajnë ndjeshmëri të qartë kombëtare.
Drama “Skënderbeu”[2] e Etëhem Haxhiademi përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë shqiptare të periudhës së viteve ’30. E shkruar si tragjedi me pesë akte, kjo vepër i kushtohet figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe përpjekjeve të tij për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të krishterimit nga pushtimi osman. Në këtë dramë autori nuk synon vetëm të paraqesë luftërat heroike të Skënderbeut, por edhe konfliktet morale, shpirtërore dhe politike që lindin brenda vetë botës shqiptare.
Në qendër të dramës qëndron tradhtia e Moisi Golemit, i cili, i shtyrë nga ambicia, zilia dhe nxitjet e Zanfinës, bashkohet me turqit kundër Skënderbeut. Kjo ngjarje historike shërben si boshti dramatik mbi të cilin ndërtohet konflikti tragjik i veprës. Përmes këtij konflikti, Haxhiademi trajton tema universale si pushteti, besnikëria, ambicia, tradhtia, ndjenja kombëtare dhe madhështia morale e faljes.
Drama “Skënderbeu” e Etëhem Haxhiademi mbështetet fuqishëm në modelin klasik të tragjedisë, duke dëshmuar ndikimin e tragjedisë antike greko-romake dhe të dramaturgjisë neoklasike evropiane. Autori ndërton një strukturë të rregullt dramatike, ku konflikti zhvillohet gradualisht deri në kulmin tragjik, ndërsa personazhet udhëhiqen nga pasione të forta morale dhe politike. Përkitazi me këtë aspekt të dramës studiuesi Sabri Hamiti sqaron:
“Etëhem Haxhiademi krijon një tragjedi në trajtë klasiciste në formë e në shtjellim. Vepra ka pesë akte që kanë nga pesë skena, të cilat ndërrohen nëpërmjet të folurit skenik (pa ndërhyrje autoriale është e shkruar në vargje klasike, të stilit të lartë me ritme të rregullta e rimë të përhershme të puthur; për të krijuar një harmoni klasike. Porse dramatika e ndërtimit të tekstit e prish këtë idealitet të formës dhe këtu, me gjasë, fshihet vlera e dramës. Ka një grindje të temës e të idesë. Ka një konflikt të artikuluar ndërmjet dianoias autoriale të heroikës e të protagonizimit të Skënderbeut dhe intrigës të ndodhjeve demoniake të protagonistes Zanfina.”[3]
Në qendër të trajtimit dramaturgjik qëndron përplasja ndërmjet detyrës ndaj atdheut dhe ambicies personale, një motiv tipik i tragjedive klasike. Ndikimi i tragjedisë antike vërehet në madhështinë e figurave, në tonin solemn të dialogëve dhe në idenë e fatit tragjik që ndjek personazhet. Moisiu, Hamzai dhe Zanfina paraqiten si figura që bien viktimë e krenarisë, lakmisë dhe pasioneve të brendshme, duke sjellë pasoja shkatërrimtare për veten dhe për kombin. Nga ana tjetër, figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngrihet në përmasa heroike e morale, duke mishëruar idealin e udhëheqësit të drejtë dhe fisnik
Gjuha poetike, dialogët e ngjeshur dhe karakteret me përmasa morale e filozofike e bëjnë këtë vepër një kulm të teatrit klasik shqiptar.
2. Shtjellim: konflikti tragjik dhe tema e tradhtisë dhe karakteret e personazheve
Në dramë, Skënderbeu paraqitet si simbol i unitetit kombëtar dhe i qëndresës shqiptare. Ai nuk është vetëm prijës ushtarak, por edhe figurë morale e shpirtërore. Autori e idealizon heroin duke e ngritur në përmasa epike. Skënderbeu del si mbrojtës i atdheut, i fesë dhe i identitetit kombëtar.
Fjalët dhe veprimet e tij tregojnë mençuri, fisnikëri dhe vetëpërmbajtje. Edhe kur përballet me tradhtinë e Moisiut, ai nuk shfaq hakmarrje primitive, por madhështi shpirtërore. Shkalla më e lartë e fisnikërisë së tij shfaqet kur e fal Moisiun, pas rikthimit të këtij të fundit. Kjo falje paraqitet si shenjë e epërsisë morale të heroit. Në këtë mënyrë, Haxhiademi e krijon një Skënderbe që mishëron idealin e udhëheqësit të drejtë dhe të ndritur. Ai shfaqet si “shpëtimtar i kombit”, figurë rreth së cilës lidhen shpresat e popullit shqiptar.
Boshti kryesor dramatik është konflikti ndërmjet besnikërisë ndaj atdheut dhe ambicies personale. Moisiu dhe Hamzai përfaqësojnë dy karaktere që lëkunden midis interesit vetjak dhe detyrës kombëtare.
Moisiu tradhton për shkak të krenarisë së plagosur dhe etjes për pushtet. Ai ndjen zili ndaj lavdisë së Skënderbeut dhe kërkon të bëhet vetë sundimtar. Kjo e shndërron në figurë tragjike, sepse ai nuk është thjesht armik, por shqiptar që lufton kundër vendit të vet.
Edhe Hamzai përshkohet nga dyshimi dhe ambicia. Dialogët e tij me Zanfinën zbulojnë një shpirt të trazuar, që ndien padrejtësi dhe mungesë vlerësimi. Përmes tyre autori tregon se rreziku më i madh për kombin nuk vjen vetëm nga armiku i jashtëm, por edhe nga përçarja e brendshme.
Tema e tradhtisë trajtohet në aspektin e rëndë moral. Tradhtia shihet si njollë historike dhe si shkatërrim i vetëdijes kombëtare. Megjithatë, Haxhiademi nuk i paraqet tradhtarët si figura tërësisht të errëta; ai depërton në psikologjinë e tyre dhe zbulon dobësitë njerëzore që i çojnë drejt rrënimit.
Zanfina është një nga personazhet më interesante të dramës. Ajo paraqitet si grua ambicioze, krenare dhe nxitëse e konfliktit. Përmes saj autori ndërton figurën e intrigantes tragjike, e cila ushqen pakënaqësinë e Moisiut dhe nxit Hamzain drejt rebelimit.
Ajo përdor argumente politike e morale për të justifikuar tradhtinë, duke kritikuar mënyrën se si Skënderbeu ka kufizuar pushtetin e fisnikëve. Në këtë aspekt, Zanfina përfaqëson konfliktin ndërmjet interesave feudale dhe idealit të shtetit të bashkuar shqiptar.
Megjithëse negative në funksionin dramatik, figura e saj ka forcë të madhe artistike. Ajo është inteligjente, e guximshme dhe e aftë të ndikojë mbi të tjerët. Fundi tragjik i Zanfinës, çmenduria dhe vetëvrasja e saj, shpreh shkatërrimin moral që sjell ambicia e verbër.
Në kontrast me të qëndron Donika, e cila mishëron urtësinë, besnikërinë dhe përkushtimin ndaj Skënderbeut. Përballja midis këtyre dy figurave femërore krijon një dualitet simbolik: njëra përfaqëson intrigën dhe ambicien, tjetra idealin moral dhe harmoninë familjare.
Një nga shtyllat qendrore mbi të cilat ndërtohet drama “Skënderbeu” e Ethem Haxhiademi është konflikti tragjik ndërmjet idealit kombëtar dhe ambicies individuale, konflikt që shërben si motor i zhvillimit dramatik dhe si bartës i tensionit ideor të veprës. Në epiqendër të kësaj përplasjeje qëndron figura e Moisi Golemit, personazh i ndërtuar me kompleksitet psikologjik dhe moral, i cili, i shtyrë nga etja për pushtet, krenaria e lënduar dhe ndikimi i vazhdueshëm i Zanfinës, zgjedh rrugën e tradhtisë duke u rreshtuar në anën e osmanëve kundër atdheut të vet. Megjithatë, Haxhiademi nuk e paraqet Moisiun thjesht si një figurë lineare të së keqes apo si mishërim të tradhtarit klasik. Përkundrazi, ai depërton në motivet e brendshme të personazhit, duke e trajtuar tradhtinë jo vetëm si akt politik, por si pasojë të një degradimi të ngadaltë moral dhe shpirtëror. Ambicia personale, ndjenja e pakënaqësisë dhe dëshira për privilegj e pushtet e vendosin Moisiun në një konflikt të fortë me idealin e besnikërisë ndaj kombit, duke e kthyer atë në një figurë tragjike, që rrëzohet nën peshën e vetë dobësive njerëzore. Në këtë mënyrë, autori e shndërron personazhin në një mjet reflektimi mbi kufijtë e lojalitetit, mbi brishtësinë morale të individit dhe mbi çmimin që njeriu paguan kur ambicia personale vendoset mbi interesin kolektiv. Aty trajtohet edhe aspekti fetar, siç vëren studiuesi Dr. Nebi Islami: “Tërheqja dramatike e vërejtjes nga rreziku që sillte errësimin e vetëdijes fetare, në dramë lëvizë paralelisht me rrezikun që mund të sillte fatalizmi i zhdukjes kombëtare në rast të mungesës së vigjilencës:
“Por s’durohet as shpata e krishterit të kalojë;
Me popuj të perëndimit bashkëfetarë na jemi,
por si komb jemi shqiptar”, Personazhet kryesore të dramës janë reale dhe të mitizuara ndërsa veprimet e tyre dhe rrugët marrin kuptime të thella simbolike. Duke jetuar në një atmosferë tejet të tensionuar, në konfliktet e papajtueshme për ta rikthyer dinjitetin në atdheun (parajsë) personazhet pozitive individualizohen si njerëz të bekuar që përpiqen ta sjellin mirëqenien, ndërsa ato negative si rrënues të rendit të shenjtë dhe të paqes, të cilët me mjete djallëzore përpiqen ta ndjellin të shëmtuarën dhe skllavërimin.”[4]
Përmes këtij konflikti, drama fiton dimension jo vetëm historik, por edhe universal, sepse ngre pyetje që tejkalojnë kohën e Skënderbeut: deri ku mund të shkojë njeriu për pushtet? Sa e qëndrueshme është besnikëria përballë interesit vetjak? Dhe a mund të justifikohet tradhtia kur ushqehet nga ndjenja e padrejtësisë? Pikërisht në këto dilema qëndron një nga vlerat më të rëndësishme artistike dhe filozofike të veprës.
Karakteret janë ndërtuar me përmasa morale e filozofike. Skënderbeu përfaqëson urtësinë, faljen dhe idealin kombëtar; Moisiu mishëron tragjedinë e ambicies dhe të tradhtisë; ndërsa Zanfina simbolizon intrigën dhe etjen për pushtet. Përmes këtyre figurave, Haxhiademi trajton çështje universale si besnikëria, pushteti, krenaria dhe përgjegjësia ndaj atdheut.
Një element i rëndësishëm dramatik është edhe konflikti psikologjik i Hamzait, nipit të Skënderbeut, i cili përjeton tensione të brendshme midis dashurisë familjare, ambicies për pushtet dhe ndikimit manipulues të Zanfinës. Haxhiademi depërton me finesë në botën shpirtërore të personazhit, duke treguar se tradhtia nuk lind menjëherë, por kultivohet gradualisht përmes pakënaqësisë, krenarisë së lënduar dhe lakmisë për privilegj. Në vazhdën e ndërtimit kompleks të karaktereve, do theksuar edhe qëndrimin artistik ndaj personazheve armiq. Rëndom, armiqtë paraqiten si barbarë. Koncepti i “barbarit” përbën një kategori të rëndësishme në historinë e mendimit njerëzor, duke u shfaqur vazhdimisht në letërsi, histori dhe diskurse ideologjike si një mënyrë për të konceptualizuar Tjetrin, pra atë që perceptohet si kërcënim ndaj identitetit, kulturës ose rendit të një bashkësie.[5] Në traditën e shkrimit shqiptar, veçanërisht te rilindësit, “turku” shpesh ndërtohet si figurë e alteritetit, si simbol i pushtuesit dhe i së huajës që cenon qenien kombëtare shqiptare. Në shumë raste, ai përkufizohet drejtpërdrejt si “barbar”, një koncept që gjen jehonë të qartë edhe në dramaturgjinë e Ethem Haxhiademi, veçanërisht në tragjedinë “Skënderbeu”.
Nëpërmjet vargjeve të personazhit Hamzai:
Kto un i shoh fort mir’; por për kët’ faj
Të tij a duhet edhe na pastaj
T’harrojm’ detyrat t’ona si Shqiptar
Dhe shtegun çel’ t’i lam’ Turkut barbar?[6]
artikulohet qartë ideja e përgjegjësisë kombëtare si detyrim moral i shqiptarit për ta mbrojtur vendin nga pushtuesi. Në këtë perspektivë, shqiptari ndërtohet si Vetja, bartës i së mirës, mbrojtës i identitetit dhe i vazhdimësisë kombëtare, ndërsa “turku barbar” konceptualizohet si Tjetri kërcënues, ai që rrezikon ekzistencën politike dhe kulturore të shqiptarëve. Në këtë dualizëm, Haxhiademi riprodhon një model të njohur të vetëdijes kombëtare shqiptare, ku përballja ndërmjet “nesh” dhe “atyre” merr dimension moral dhe historik.
Në këtë prizëm, Haxhiademi vendos në gojën e Zanfinës një këndvështrim alternativ mbi pushtetin osman:
O princ, dhe Turku kur Shqipnin pushtoi,
Të drejtat e fisnikve i pranoi…[7]
Ose:
Jo, jo, se kur të drejtën m’a pushton,
T’bashkohem me anmikun m’detyron.
Dhe n’asht se nderin Moisiu e fiku,
Pse shkoi n’Turqi e jo ke Venediku.[8]
Në këto vargje, Haxhiademi shpërfaq me mprehtësi natyrën komplekse të qenies njerëzore, ku padrejtësia e perceptuar, zilia, krenaria e lënduar, hakmarrja dhe ambicia mund ta shtyjnë individin të bashkohet edhe me armikun, nëse ai e konsideron veten të përjashtuar nga ajo që mendon se i takon. Kështu, drama tejkalon një interpretim thjesht patriotik dhe merr një dimension më universal, duke reflektuar mbi dobësitë njerëzore që shpesh e vendosin individin në konflikt me vetë bashkësinë së cilës i përket.
Përmes figurave si Hamzai, Zanfina dhe Moisiu, Haxhiademi ndërton një dramë historike mbi tradhtinë dhe besnikërinë, ashtu siç e jep edhe një reflektim të thellë mbi natyrën e pushtetit, krizën morale dhe raportin e ndërlikuar ndërmjet identitetit kombëtar dhe interesit vetjak.
3. Përfundim
Nga pikëpamja strukturore, drama është ndërtuar sipas modeleve të tragjedisë klasike, ku ngjarjet zhvillohen përmes dialogëve të fuqishëm dhe konflikteve të tensionuara dramatike. Dialogët janë të përshkuar me patos patriotik dhe reflektime filozofike mbi fatin, pushtetin dhe përgjegjësinë historike. Gjuha artistike e Haxhiademit karakterizohet nga solemniteti, ritmi poetik dhe një stil i ngritur, i cili i jep dramës ton serioz e monumental.
Një tjetër aspekt me rëndësi është dimensioni kombëtar dhe ideologjik i veprës. Edhe pse e shkruar mbi baza historike, drama paraqet qartë shqetësimet e kohës së autorit, veçanërisht nevojën për unitet kombëtar dhe kritikën ndaj përçarjes së brendshme. Nëpërmjet figurës së tradhtarit dhe heroit, Haxhiademi përcjell idenë se rreziku më i madh për një komb nuk vjen vetëm nga armiku i jashtëm, por edhe nga dobësitë e brendshme, lakmia dhe mungesa e bashkimit.
Në aspektin estetik, vepra bart elemente të tragjedisë klasike europiane, veçanërisht ndikime të dramaturgjisë antike dhe shekspiriane, por njëkohësisht ruan një frymë të fortë shqiptare. Figura historike e Skënderbeut shndërrohet në simbol të identitetit kombëtar, ndërsa drama merr funksion edukues dhe moralizues, duke promovuar virtytet e besnikërisë, sakrificës dhe dashurisë për atdheun.
Drama “Skënderbeu” e Etëhem Haxhiademit përfaqëson një ndër vlerat më të mira artistike të dramaturgjisë shqiptare me tematikë historike. Përmes figurës së Skënderbeut dhe konflikteve të shumanshme që zhvillohen rreth tij, autori ndërton një tragjedi që shkon përtej historisë dhe fiton dimension universal. Vepra trajton me thellësi raportin midis pushtetit dhe moralit, patriotizmit dhe tradhtisë, duke dëshmuar se forca e një kombi qëndron jo vetëm në armë, por mbi të gjitha në unitetin dhe ndërgjegjen morale të njerëzve të tij.
Haxhiademi arrin të krijojë një dramë me vlera të larta artistike dhe ideore, ku historia shërben si mjet reflektimi për të tashmen dhe të ardhmen. Për këtë arsye, “Skënderbeu” mbetet një vepër me rëndësi të veçantë në letërsinë shqiptare, jo vetëm si dëshmi e talentit dramaturgjik të autorit, por edhe si një tekst që vazhdon të ngjallë interes kritik, estetik dhe kombëtar.
Bibliografi
1. Etëhem Haxhademi, “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, në “VEPRA 2”, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2000
2. Tomorr Plangarica: “Et’hem Haxhiademi në panteonin e letrave shqipe”, në https://adsh.al/s/adsh/item/13899#lg=1&slide=0
3. Sabri Hamiti, “Tetamenti”, botoi Akademia e Shkencave dhe Arteve, e Kosovës, Prishtinë, 2018,
4. Prof. Dr. Nebi Islami: “Historia dhe poetika e dramës shqiptare – I (1886-1996)”, vëllimi i parë, botoi Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve, Prishtinë 2003
4. Konferencë shkencore: “DRAMATURGU-POET ETËHEM HAXHIADEMI NË FOKUSIN E TRAJTIMEVE LETRARE DHE GJUHËSORE”, fq. 1-276, (Konferenca i zhvillon punimet ditën e premte, në datën 25 qershor 2021, në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë). – http://asa.edu.al/site/wp-content/uploads/2021/06/Haxhiademi-Programi.pdf
[1] Tomorr Plangarica: “Et’hem Haxhiademi në panteonin e letrave shqipe”, në https://adsh.al/s/adsh/item/13899#lg=1&slide=0
[2] Eë[hem Haxhademi, “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, në “VEPRA 2”, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2000, ff. 7-87.
[3] Sabri Hamiti, “Tetamenti”, botoi Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, f. 200.
[4] Prof. Dr. Nebi Islami: “Historia dhe poetika e dramës shqiptare – I (1886-1996)”, vëllimi i parë, botoi Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve, Prishtinë 2003, f. 115.
[5] ABDULLA REXHEPI: “TURKU SI KONCEPTI I “TJETRIT” NË VEPRËN E ETËHEM HAXHIADEMIT”, në Konferencë shkencore: “DRAMATURGU-POET ETËHEM HAXHIADEMI NË FOKUSIN E TRAJTIMEVE LETRARE DHE GJUHËSORE”, fq. 105, – http://asa.edu.al/site/wp-content/uploads/2021/06/Haxhiademi-Programi.pdf
[6] Etëhem Haxhademi, po aty, f. 13.
[7] Po aty.
[8] Po aty


