KreuLetërsiShënime mbi libraAida Velo (Haxhiaj): Një shofer mes Gjeneralit dhe Kadaresë

Aida Velo (Haxhiaj): Një shofer mes Gjeneralit dhe Kadaresë

Im atë nuk e njihte Kadarenë, ndonëse librat e tij në shtëpi nuk mungonin. I pëlqente shumë të tregonte ngjarje, një dhunti, me shumë gjasa, e paralindur. Merakosej t’u hidhte cazë imagjinatë e cazë zbukurime. Me rritjen, burimi thëngjillor i kësaj kuturisjeje fjalësh do të botësohej te unë. Është dhe s’është një lloj sekreti i padëmshëm. Nuk lëndon dhe nuk cenon askënd, mbi ose nën dhé. Nuk më vjen turp ta tregoj, as si fakt, as si sajesë. E ruaj për vete, sepse të dy, unë dhe ai burri vetullrëndë, me mustaqe e kapelë, ndezësi i cigareve me eshkë dhe strall, kemi luajtur kukafshehti me personalitetet tona: ai, për t’u dashur; e unë, për t’u dëgjuar më shumë.

Magjepsjen time, i zoti i punës bënte sikur e nënvlerësonte. E dinte: ishte i pangjashëm në rrëfime, edhe pse shkrimin, leximin e numërimin i mësoi “me të vjedhur”.

Mezi prisja të ndieja aromën që treshja strall, eshkë dhe urof nxirrte nga gishtat e tij. Eshka digjej nën goditjen e uruarit, stralli lëshonte xixa, cigarja dredhej me buzë…

Magjinë që unë shihja e ndieja, ai e cilësonte si gabimin e vetëm, më të madhin e jetës, të cilin unë nuk duhej as ta çoja ndër mend ta përsërisja.

– Si zor se gjatë jetës njeriu të bëjë vetëm një gabim, – kam menduar, pa ia thënë.

Do të zemërohej dhe do të britnim me njëri-tjetrin kot më kot; ndaj nuk ia vlente barra qiranë.

Duhej të përqendrohesha te fakti se, me anë e me udhë, dinte të kërkonte falje. Pati kurajën të pranonte se gabimi i tij meritonte falje. Si i tregonte ngjarjet më të rëndësishme, arrija të kuptoja kur imagjinata e zbukurimet ose ishin me pushime, ose ishin detyruar të heshtnin para së vërtetës. Të qepnin fluturimet e të rrinin sustë përpara atyre të vërtetave themelore të burrit që u bë im atë në të gjitha kohët, madje edhe gjatë përjetësisë. As në ëndërr nuk u kokolepsa me idenë se tregimet e tim eti do të ma thjeshtonin leximin e Kadaresë, shkrimtarit që na thuhej se mezi kuptohej e se i përkiste vetëm atyre që kishin një barrë shkollë.

Ishte krijuar mes meje dhe Kadaresë një mur imagjinar, të cilin do ta kapërceja duke gjetur, në të vërtetë, personazhe si im atë: shqiptarë që nga truri e deri te zemra. Që nga zgjidhjet më të mençura, te budallallëqet me vulë.

Libri “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” jo vetëm ma kokolepsi mendjen, por ia doli të më bënte të ndihesha fajtore pse këta dy burra, me rrokullisjet e fateve dhe formimet e ndryshme, nuk mundën të shkëmbenin dot asnjë cigare.

Si fëmijë që ngrinte gurë në një nga rrëpirat e rrugës së Vlorës, mësoi pak italisht nga ushtarët italianë. Njohuritë e italishtes u tkurrën në dy dëshmi gjuhësore: “Porca miseria!” dhe “Imbecile!”, brenda një dite të vetme të vitit të trembëdhjetë të jetës.

Për t’i dhënë një koromanë bukë, një ushtar italian, me njëfarë rangu, e pyeti se cilin donte më shumë: Zogun apo Ducen. Im atë, si shqiptar puro, me krenarinë tipike të genit, lartësoi figurën e Lartmadhërisë së tij, Zogut, edhe pse ky emër iu gdhend si me biçak në kujtesë gjithë jetën për dajakun ndaj bashkëfshatarëve të tij fukarenj dhe varjet në litar. Se si ia tha rradakja ta mbronte Zogun përballë një ducefili, vetëm ai mund ta shpjegonte, por nuk e pyeta kurrë. Më duket se e dija përgjigjen:

I yti mishin ta ha, po kockat t’i ruan.

Dhe, në këtë rast, më mirë një mbret gjakatar vendas…

Patriotizmi, në fazën e tij të kërthinjtë, mund të jetë qesharak e i pamend; të kanë mësuar të pranosh të keqen nga i yti, përballë të keqes që vjen nga i huaji.

Në rastin e Gjeneralit, patriotizmi (tashmë në fazën e pjekurisë së plotë) qenkësh pleksur keq me arrogancën e gradës. I kishte lënë kësaj të fundit drejtimin e fushatës për të kthyer në atdhe kockat e ushtrisë, së cilës im atë i njohu dy individë në fillimet e luftës.

Pyetja u përsërit disa herë dhe ushtarit me njëfarë grade i kërcyen kacabujtë. Kishte thirrur disa herë: “Porca miseria!”, dhe vetëm ndërhyrja e një ushtari tjetër bëri që im atë të mos përfundonte nën sulmin e çizmes së atij ducefili.

– Të duket se i ka mendtë në vend ky? Shihe si është, rreckaman; qeni ka frikë ta kafshojë! – ndërhyri tjetri. – E ka të shkruar në ballë që është imbecile (torollak do me thënë). As mëngë për të lypur s’i kanë mbetur. Mamma mia, me kë ndyn duart! E rrah unë këtë imbecil për ty, signore.

E pati tërhequr zvarrë babanë tim, fëmijë trembëdhjetëvjeçar. Mund t’i ketë dhënë edhe ndonjë dackë pas zverkut, por nuk e vë dot dorën në zjarr. Është gjynah të flasësh për diçka që nuk e di, ashtu kot më kot, edhe pse ndonjëherë këto tymnaja e bëjnë rrëfimin lotndjellës. Në Kushtetutën e shtëpisë së tij, gënjeshtra ishte faj që ndëshkohej sipas dëmit të shkaktuar.

Pas dackave vinte një heshtje e mëritur, që më kthente në thërmijë. Vriste kohën kur ai dhe imagjinata, ai dhe e vërteta, na lejonin të krijonim lidhjen babë e bijë. Kuptoi qysh atëherë se goditjet e vogla duhen marrë për të të ruajtur nga ato më të dhimbshmet, sidomos nga poshtërimi.

Ulur të dy përdhe, hapa larg ducefilit, italiani i kishte dhënë bukë nga torba e tij.

– Ha, more imbecil dreqi! Ç›të duhet ty të mbrosh nderin e mbretit, o barkbosh?… Kujton ti se unë erdha këtu nga qejfi dhe se dua Ducen?

Pati nxjerrë nga xhepi i këmishës së zezë, pluhurosur nga dheu i rrugës, një fotografi të familjes dhe ia tregoi babait.

– Në vend që të ngrija gurë këtyre anëve, shumë mirë mund të isha duke u marrë me kopshtin tim. Të kisha mbjellë hardhi e patate mbi çatinë e shtëpisë sime. Toka që kam nuk më jep aq sa më duhet. Po të mos vija këtu, ata do të më vrisnin. Si do të ushqeheshin ata që lashë pas?

Lufta është diçka shumë e madhe për fshatarë si unë dhe ti.

Na e hedhin në kurriz si gomarëve samarët. Na shtyjnë si me bodec të bëjmë luftën me kuptim vetëm për ta. Ducja ynë dhe Zogu juaj llogaritin të rrojnë vetë, me soj e sorollop, për qindra vjet. Kupton, imbecil dreqi, kupton?

Ndaj ha bukë dhe bëj sikur je dakord me gjithçka që të thonë. Qepe gojën, jeto, kthehu te të tutë, mëso të jetosh me tokën. Me një tokë si e juaja, mund të bëhesh mbret e kaluar mbretit. Më beso mua. E njoh tokën më mirë se veten. Kaq mund dhe duhet të bësh. Dëgjon? Tani për tani, ha dhe hesht.

Me pjekurinë e moshës do të kishte zgjedhur një përgjigje tjetër, nga ato që e bënin aq të veçantë. Do ta kishte mbrojtur prapë mbretin, vetëm se ishte shqiptar. I mbeti merak që nuk ia mësoi as emrin, as vendlindjen.

Dukej se shija e bukës ushqeu pyetje dhe përgjigje; ca na i përcolli, e ca i mbajti për vete.

Me siguri do të donte ta pyeste:

– Më mban mend? Më mbrojte nga rrahja e një fashisti dhe më dhe bukë nga jotja…

Do të donte t’i tregonte se ia kishte blerë ëndrrën për një tarracë ku të mbillte patate e hardhi. Vetëm se nuk mbolli në tarracë, por anëve të Gjanicës, atëherë kur la pas fshatin bashkë me qenin Resa. Resa, që i lau duart nga të ngrënët vetëm se ushqimi nuk i vinte më nga pëllëmbët e tim eti.

Ia doli ta mbante shtëpinë e tij me domate, speca e majdanoz. Me një tepsi zingato, atë që i mbetej e ndante me fqinjët, pa pritur asgjë në këmbim, veç një “tungjatjeta” kur ndesheshin udhës.

Sa herë tregohet një histori, njësoj, pa ndryshuar as presjen, as tonin e zërit, kjo nuk bëhet vetëm për të tjerët, por për veten tënde. Për të mbajtur mend, për të mos harruar kush je e nga vjen.

Rasti e solli që veprën e parë që e bëri Kadarenë të njohur në Francë (aq sa unë i kam vite jetë) ta lexoja në gjuhë të huaj, që e kuptoj më mirë të hedhur në letër. Leksiku i Kadaresë dihet që është i patjetërsueshëm dhe, sigurisht, kërkimi në fjalor i thënieve dhe idiomave të detyron të lexosh ngadalë. Me Kadarenë nuk mund të bësh shaka: ose lexoje me vëmendje, ose mos shit mend se e njeh apo e kupton.

E kam lexuar fillimisht për kuriozitet. Atëherë kur të isha e lumtur, ia kalonte të qenit lexuese përzgjedhëse. Pastaj, si mësuese, për të përcjellë dashurinë për shqipen. E më pas, me pasion, për veten time tërësisht.

Pas viteve kur Shqipëria e babait tim u shfaq në kanalet e botës si një klithmë kujtese për dëmin e harresës dhe neglizhencës, librat e Kadaresë mbështollën, strehuan, mjekuan identitetin tonë. Tamam aso kohe kur të huajt menduan se ne nuk e donim më, se e flakëm, se na vinte turp prej tij.

Si do të thoshte im atë:

“Ndalu, beg, se ka hendek.”

Kadareja e kishte bërë kohë më parë me librat e tij. Pikërisht me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”.

Personazhi gjeneral hyri në kokën time ndryshe nga italiani që ndau bukën me tim atë, por si dy gjysma të një pike uji me Ducefilin. Shqipëria për ta prodhoi mot të ftohtë, me shira dhe erë, pirgje dheu, ashpërsi malesh shkaraziparës. Iu hodhi para syve njerëz të pakuptueshëm me krenarinë dhe shpërfilljen ndaj gjithë njollës njerëzore që gjenerali dhe Ducefili përfaqësonin. I ftohti dhe shpërfillja shqiptare ndaj misionit të tij ia bloi shpirtin gjeneralit, më tepër se t’i hante kockat.

Shqipëria, të cilën im atë dhe Kadareja e deshën (të vetëdijshëm edhe për lajthitjet dhe cenet), njëri si shkrimtar që e lëroi gjuhën e përbashkët me penë dhe guxim përmes jetëdhënies së legjendave dhe tjetri, si shofer që i ra cep më cep dhe e mati pëllëmbë më pëllëmbë me Skodën e kuqe burimet e këtyre legjendave, e sfidoi gjeneralin si personazh e ca më tej: si ide të ngulitur për këtë Shqipërinë e vogël, sa një pikë gjeografike nga ana tjetër e detit, që mbase edhe duhet zhdukur, po të jepej mundësia. Sfidoi me zbatimin rigoroz të protokollit, me heshtjen kurioze të njerëzve dhe me indiferencën këmbëngulëse gjithashtu.

M’u kujtua shqiptimi i fjalës imbecil sipas tim eti dhe nuk ndejta dot pa vënë buzën në gaz. Im atë po e bënte për një lek Gjeneralin.

Çfarë priste ky burrë për turp?

Ky provincial, kujtues i prejardhjes nga fotoja e një pllake varri të një prostitute?

Edhe emër nuk kujtohej t’i vinte vetes, veçse ndajshtimin: “general”.

Acarohej shumë shpejt, madje edhe me gjërat më të vogla. E acaronte shkëlqimi i dritave, e acaronte kureshtja e vendasve dhe indiferenca e tyre ndaj detyrës së tij; e acaronte çdo goditje kazme, ndeshja në ca pllakëza hekuri të tyre, gërmimet shumë herë të pasuksesshme dhe fajësonte shqiptarët.

I thernin krenarinë thasët e zinj, i sëmbenin nderin ato copa metali, mbartëse identitetesh njerëzore. Meshkuj të ashtuquajtur “burra shteti”, ashtu si ai, gjenerali, ua hoqën me nisjen drejt një toke që as nuk i thirri, as i ftoi, por nuk i la jashtë pas frymës së fundit.

Përse erdhi këtyre anëve ky i paemër?

Ngase iu caktua si detyrë e posaçme nga një shtet kokëulur, që pati pranuar të kthente palavdinë dhe dështimin e tij te njerëzit të cilëve iu ishte përvëluar shpirti nga vdekja e ditëzinjve që gjenerali donte t’i ngjallte.

Ja dhënç kujes, gjeneral! Të ngjallësh të vdekurit është si të gjuash me shkelm përrenj të tharë e t’i kthesh në lumenj e dete, o ditëzi…

Apo erdhi për t’u dukur sharmant para Bethit, trishtimin e së cilës nuk e kuptoi asnjëherë. Ky trishtim vinte nga dhimbja për humbjen e bashkëshortit, vetminë që i dhuroi në një moshë shumë të re, apo iu kthye në natyrë të dytë për të shplarë ndërgjegjen nga ato çfarë kishte bërë Koloneli Z atje, larg saj, ku vdekja respektohet me rite si rrallëkund?

Babai im do të qe i prerë… I kishte të dyja ky personazh: edhe porca miseria, edhe imbecil; një askush që nuk kuptoi asgjë. Po nga na e poftisi ky Kadareja një kësisoj mavrie me bojë? Këtë merhum burrë, që fle tendave dhe grricet me një prift të lodhur (që mbart me vete një pranim të pathënë faji për gjithë çfarë njerëz si gjenerali i shkaktuan vatanit tonë dhe vendit të tij)…

Për baba Ali i fortë paska qenë ky Kadareja!

Të flesh jashtë shtëpisë nuk është dhe aq e jashtëzakonshme. Ai vetë flinte herë pas here në Skodën e kuqe me të gjithë gjindjen, kur shtëpinë e vet ua linte miqve që nuk gjenin hotel. Në Skodën e tij të kuqe flinte shtëpia e tij për të nderuar mikun.

Gjenerali flinte tendave dhe hoteleve për t’u gremisur në lavdinë e kërkuar jo vetëm nga ndajshtimi, gjeneral. Gjenerali i poftisur nga Kadareja kalltisi të ngjallte kockat e endura andej-këtej të një ushtrie bishtshkurtër për ta udhëhequr vetë, i bindur se do ta nënshtronte këtë tokë, këta njerëz që vishen kaq çuditshëm.

Të njëjtët që, në këngët e muzgut, u luten korbave të kursejnë sytë e të vdekurit diku larg. Sepse në sytë e të shuarit lexohet tmerri i të qenit i pambrojtur nga vendi yt, nga idealet e qepura me zor në rroba e armë. Lakuriq nga uni dhe plotësia humane. Mbase ndonjë të ngjashmi, vëlla i ëndërrt i, si ai dhënësi i bukës së babait tim, do t’i pat mbetur në pajetësinë e syve ajo copa e kopshtit mbi tarracë që nuk e mbolli dot as me rrush, as me patate. Po korbat nuk iu afruan kurrë. Nuk kishte si të ndodhte në vatanin tonë, o gjeneral trucironke!

Imbecil, burrë pa emër! Ku është dëgjuar këtyre anëve të lihen të vdekurit pa varr?

Toka ka vend për të gjithë në momentin e fundit. Kjo tokë që nuk “meritonte të mbante ushtarët e tu të bukur”, jo vetëm i mbajti. I ruajti… Ashtu të shpërndarë tek-tuk, si pupla pulash, ku dhanë frymën e fundit. Dhe jo për t’u ngjallur nga ti, o gjeneral, por për t’u prehur si qenie njerëzore, ku ti e soji yt i hodhët si copa pa shpirt. Sepse njeriu vetëm një herë vdes dhe askush nuk meriton të ngjallet për t’u rivrarë…

Çudi me ca nga ju, gradëmëdhenjtë! Fitorja do të kishte qenë lojë ciliminjsh po të ishe ti në krye, apo jo, gjeneral? Ju pëlqen që “sikuret” tuaja të ligjërohen në natyrë. Aty ku rrallë soji vret sojin e vet. Urrejtje si e jotja bëjnë të mbillen kufoma e të shkulen kocka.

Porca miseria, gjeneral!

Cilës nënë iu gërryen rropullitë e barkut për të të dhënë frymë ty, lanet paç, o qoftëlarg?

Ty që nuk e njeh faljen. Ti që nuk ta mbushin mendjen as ditari i italianit, dëshmimtar i të kundërtës sate. Shqiptarët janë aq njerëz, sa e meritojnë t’i duash.

Të gjithë gabojmë, o gjeneral…

Edhe unë gaboj, pavarësisht se nuk e pranoj.

Kam ca libra mjekësie popullore që i mbaj te koka. Kisha lexuar aty se një infeksion i lehtë i syrit mund të shërohej me një fetë domateje dhe pak sheqer. Ia leva syrin e sëmurë sime bije, por ai iu bë më keq. iu mbyll. Po unë nuk gabova se desha. Dhimbja e fëmijës shërohet me përkujdesje. Sa më shumë, aq më mirë… Nuk më kishte shkuar në mendje se ka një përqindje dhe gramaturë në çdo përzierje të suksesshme për të shëruar një plagë a infeksion. Ndryshe nuk bën mirë. Ishte gabimi im.

Fundja, unë nuk kam shkuar në shkollë dhe çdo gjë e kam mësuar “vjedhurazi”. Gabim nga dashuria, nga nevoja për t’i treguar fëmijës tim që njeriu mund të bëhet çfarë të dojë. Gabim që mund të falet.

Nuk i kupton dot ti këto, dhe unë kot lodhem t’i them. Ty nuk të falet, se kurrë nuk gabove të na urresh. Urrejtja jote nuk eksperimenton, por prodhon lumturinë e vetme që mund t’i dhurojë vetes, ti, o rrënjëdalë. Ata që doje të ngjallje nuk ishin fëmijët e tu, bifka jote e barkut…

E ushqeve urrejtjen tënde nën tendë, që asnjë erë e as shi i kësaj toke nuk ta shqeu për të zbuluar kush ishe ti në të vërtetë. E ushqeve në çdo skutë hoteli ku fjete si i huaj, ku detyra jote si shkulës kockash u mirëkuptua. Toka e çdo atdheu ka vend për të gjithë të vdekurit që i përcolli të gjallë, pavarësisht mynxyrës së taksur ndaj një populli tjetër…

Dhe ti, ti e soji yt nuk u ngopët duke dashur t’i hidhni prapë këtyre anëve, të ngjallur për të na vrarë. Gjene mirë që ky Kadareja të tregoi surratin. Ta marrin vesh të gjithë se kush jeni ju, o derëshuar! Ju nuk deshët vendin tuaj, njerëzit tuaj, e jo më këtë vatanin tonë të larë nga gjaku e loti…

Mos dëgjofsha më për ty, o vulëhumbër, në jetë të jetëve dhe në vdekje të vdekjeve! Për ty e sojin tënd, që mbillni kufoma për të korrur kocka…

E shoh të nxehur tim atë. Shoferit me eshkë mes strallit dhe urofit i ka hipur gjaku në kokë. Nuk do ta vazhdojë më bisedën me dhe për gjeneralin. Lipsur qoftë!

Por do ta qetësoj shpejt, me një përqafim nga ata që vetëm një bijë mund t’ia japë të atit në të gjitha kohët: kohën e të gjallëve dhe përjetësinë. Mbase aty ku janë, në përjetësi, ai shoferi i parë i fshatit të tij dhe Kadareja, i pari i letrave të shqipes, do t’u mundësohet të piqen bashkë. Ta pinë një cigare… I dredh babai im për të dy, pa merak.

Kadareja ka shumë punë me të shkruar, t’u vijë hakut të gjithëve atyre që i ranë dhe vazhdojnë t’u bien në qafë popujve e njerëzve të thjeshtë si im atë. Dhe së toku, secili gjeneral sipas riskut të vet, do ta kishin gjetur llafin.

Fier, më 18–29/07/2026

Shënim: Ky shkrim është frymëzuar nga fjalori i përdorur nga babai im,

Kutë-Corrush, Mallakastër.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË