KreuOpinionVangjush Saro: Nga Rrethet Letrare te...Profili Letrar

Vangjush Saro: Nga Rrethet Letrare te…Profili Letrar

Duke i parë sot Letrat Shqip në ecurinë e tyre të pandalshme – në “sufiçit” të themi, sado që ky term kërcet disi – pra, me aq shumë botime, në letër apo në trajtë digitale, në libra të veçantë, në gazeta, e gjer edhe faqeve vetjake në rrjetet sociale, vetiu të shkon mendja në kohëra kur botimi ishte njëlloj luksi. Dhe jo kushdo e kishte atë; anipse hapin e hidhnin të gjithë. Tablotë nga koha në fjalë, janë nga më të ndryshmet. Këtu, do të bëhen disa përpjekje për të treguar si erdhëm nga masiviteti te letërsia e vërtetë; dhe pse nuk duhet të kthehemi prapë nga erdhëm.

Pa u fshehur aspak, kjo orvatje nuk është punë nostalgjie. Disa dukuri e pranëvënie, mendoj, i bëjnë njëlloj shërbimi edhe panoramës së sotme. Kështu, dimensioni zyrtar kulturor i atëhershëm, megjithë telashet e njohura tashmë dhe pavarësisht kufizimeve ideologjike apo edhe atyre në jetën reale, ishte njëlloj ngushëllimi për këdo që shkruante në ato dekada. Botimi (i librave) realizohej në një tirazh të konsiderueshëm. Libraritë e shumta dhe bibliotekat luanin gjithashtu një rol të madh në bërjen publike të krijimtarisë. Në mënyrë të veçantë bibliotekat publike gjendeshin gjithandej; fillonin me ato të rretheve, të qyteteve, pajisur më së miri – brenda kufizimeve të kohës – për të vijuar me bibliotekat më modeste të qendrave kulturore e shkollave, patjetër edhe ato vetjake. (Dhe lidhur me këto të fundit, historitë janë nga më interesantet; por kjo s’është nëntemë e këtyre radhëve.)

   Ndërkaq, një nga institucionet më aktive – nëse mund t’i quajmë kështu – që kujdesej posaçërisht për Letërsinë, ishte edhe Rrethi Letrar. Ato, Rrethet Letrare, gjendeshin gjithkund: Në shkolla, pranë Shtëpive të Kulturës, në reparte ushtarake e kudo gjetkë; krijesa të brishta, pa shumë pretendime, ku përfshiheshin dhe sillnin krijimet e tyre një numër i madh letrarësh, të gjithë ëndërrimtarë. Nga ato organizime të brishta, kushdo nga ne ka kujtime, të mira ose të trishta, për shkak të mundësive të diferencuara, por edhe të kufizimeve dhe sakrificave për të botuar ndonjë varg a resht…

Mbaj mend, në Shtëpinë e Kulturës në Korçë, shkrimtarët e njohur Vangjush Ziko, Sotir Andoni, Petraq Zoto, Teodor Laço, Andon Mara, etj. ishin gjithnjë në krah të krijuesve më të rinj. (Z. Laço, që gjithnjë më ka mbështetur, e jo vetëm mua, sajoi një diskutim letrar mbi një tufë me fabula e poezi satirike të mijat, që u daktilografuan në disa kopje dhe u diskutuan me seriozitetin më të madh; edhe pse isha ende një gjimnazist që sapo kishte hyrë në botën e magjishme të letrave.) Ato përvoja – u kërkoj ndjesë lexuesve për “shkallën” e modestisë në këto episode vetjake – vite më vonë do të më inspironin teksa ndihmoja me sa mundesha lëvizjen letraro-artistike në rrethin e Gramshit, ndërkohë që mbështesja (siç kishin bërë edhe me mua) krijuesit e rinj që po vinin: Pozaet Qose, Shyqyri Fejzo, Leidi Shqiponja, Jaup Zenuni, Piro Verushi, Hekuran Miraka, Besnik Ceci, etj.

Një episod të veçantë, shumë domethënës, nga ajo kohë e nga ato organizime e ngarendje naive, përmes të cilave letrarët e rinj konsumonin përpjekje të mëdha për të botuar gjëra të vogla, sjell shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare në tregimin e tij mahnitës “Koha e shkrimeve”. Mënyra se si ai rrëfen, sa e thjeshtë, pothuaj në njëlloj natyralizmi, aq edhe komplekse dhe e përsosur nga pikëpamja e stilit, ajo brishtësi prekëse, humori brilant, e bëjnë tregimin kaq të dëshiruar për lexuesin dhe, në të njëjtën kohë, e sjellin atë si një “film” me shumë informacion e ndjenjë njëherësh. (Kjo qasje kaq origjinale, i ndihmon padyshim edhe këto radhë, që gjithashtu në pamje të parë mund të duken pak naive.)

  Meqë u zu goje ajo kohë, duhet kujtuar dhe pohuar se dalëngadalë, nga Rrethi Letrar e krahas me atë standard e model jete letrare, u kalua në “vlerësimin” në grup të autorëve, një dukuri që më shumë se vetë krijuesit, ndihmonte kohën dhe ideologjinë përkatëse të tregonin kujdesin e tyre ndaj artit dhe kulturës. Këto grupime, me të cilat merrej jo pak edhe vetë Kritika Letrare e kohës, shpikeshin në pamundësi (ndoshta edhe në mungesë të dëshirës) për të zbuluar dhe inspiruar profilet artistike; kjo qasje “dinake” u shkonte për shtat rregullave dhe parimeve të kohës: masivitetit dhe nderimit për rendin. E kështu, thuhej rëndom: Poetët e Durrësit, poetët e Lezhës, poetët e Tepelenës, poetët e Tropojës, etj. Madje, ç’ish më e keqja, letrarët filluan të grupoheshin edhe sipas profesioneve: Poetët nga klasa punëtore, poetët ushtarakë, etj.

  Nuk shtojmë ndonjë gjë të re teksa themi se pushteti i kohës, krahas investimit të konsiderueshëm në art – po përmend vetëm faktin që kishte rreth 14 teatro profesioniste – përpiqej të kontrollonte artin dhe artistët; madje i donte ata të reshtuar në grupime e në parime, siç u tregua edhe më lart. Sigurisht, një pjesë e mirë e krijuesve, pavarësisht moshës, e kuptonin shumë mirë se grumbullimet nëpër konferenca letrare dhe cilësimet e krijuesve në grup e sipas qyteteve a profesioneve, ishin praktika të detyruara dhe, njëfarësoji, ëndrra në diell. (“Për zemrën është mirë të jetë naive, por jo për mendjen.” Anatol Frans)

  Do të duhej përshkuar një rrugë e gjatë dhe do të konsumoheshin shumë përpjekje (kryesisht vetjake) në mënyrë që të vinim nga Rrethet Letrare te Profili Letrar, çka nënkupton një ndryshim esencial të qasjes në Letërsi, arritje serioze, asish krejtësisht individuale dhe me një jetëgjatësi bindëse në historinë e artit. Pikërisht nga ato emërtime kallpe, në fakt nga ato grupime të sajuara, u shkëputën dhe erdhën në letërsi disa nga shkrimtarët tanë më të mirë dhe që, me kohë, krijuan profilin e tyre letrar: Bashkim Hoxha, Petraq Risto, Rudolf Marku, Shpresa Kapisyzi Rama, Besnik Mustafaj, Petrit Ruka, Skënder Buçpapaj, etj. Rruga nga Rrethet Letrare te… Profili Letrar, mori shumë kohë, dekada të tëra, duke e shndërruar Letërsinë nga një pasion kolektiv e detyrim kulturor, në atë që njohim sot dhe që s’u referohej më parimeve të Realizmit Socialist, por prirjeve vetjake, duke e treguar jetën dhe përvojat ashtu siç mund ta bëjë këtë vetëm arti i vërtetë.

  Në këtë udhë të pjekurisë letrare dhe të shndërrimit apo “shpërbërjes” së “komunitetit” shqiptar të artit në individualitete, një rol të rëndësishëm, të pakthyeshëm, luajtën shkrimtarët më të njohur të të gjitha kohërave: Petro Marko, Ismail Kadare, Jakov Xoxa, që edhe kështu, thjesht duke i përmendur si emra, të çojnë menjëherë te karriera të suksesshme letrare, te vepra me ndjeshmëri të theksuar shoqërore e vetjake dhe, ç’është më e rëndësishme, në pangjashmëri, çka vërtet përbën vlerë bazike dhe të papërsëritshme për Letrat Shqip.

Mendoj se e gjithë kjo përvojë, sado që mund të ngjajë pak si shabllon, mbetet njëlloj mësimi për çfarë shkruhet e botohet sot pareshtur dhe në një nxitim të frikshëm, çka shpesh kalohet lehtë e lehtë dhe duke abuzuar me togfjalëshin individualitet letrar. (“Ndjej frikë, frikë nga të ngjasuarit me të tjerët.” Fjodor Dostojevski) Nuk jam plotësisht i bindur nëse jemi kthyer (sot) në masivitetin e dikurshëm apo nëse e kemi kapërcyer atë term me disa herë; por e di me shumë siguri që duhet të mësojmë edhe nga gjëra të thjeshta si këto e… t’u shmangemi. Por nuk është e thjeshtë të (a)rrish te Profili Letrar.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË