KreuArte pamoreGazmend Leka, mjeshtër i vijës dhe i simbolit

Gazmend Leka, mjeshtër i vijës dhe i simbolit

‘Magjia e Vizatimit’ në GA, Shkodër”

“…Artisti vetë, kur vizaton, duket si anatomist i së padukshmes. Vijat që ai i lë si gjurmë në letër, janë gjurmë jete, janë rrahjet e pulsit të tij, si edhe piktura. I tillë, vizatimi nuk është vetëm akt përgatitor. Është magji më vete. Është gjuha e asaj që ende nuk ka ndodhur. Nuk i bindet ngjyrës, nuk i shërben dekorit…Në një botë ku fjala është bërë e lehtë, e shpejtë dhe shpesh boshe, vizatimi mbetet një nga mënyrat më të thella e më të ndershme të komunikimit. Ai është më shumë sesa një art, është një magji e brendshme, që merr jetë përmes dorës së njeriut dhe shtrihet në letër si një frymë që nuk mund të ndalet. Magjia e tij qëndron në faktin se nuk ka nevojë për përkthim. Një vizatim, si edhe piktura, kuptohet njësoj si nga një fëmijë ashtu edhe nga një i moshuar dhe aty ku nuk arrijnë dot fjalët, fillojnë vijat…Magjia e vërtetë e vizatimit është se ai nuk kopjon realitetin, por e rikrijon atë në mënyrën më intime dhe personale. Objekti nuk është më objekt, por mënyra si ndihet thelbi i tij, pa të tepërta. Kjo e bën vizatimin një akt të thellë emocional, por edhe filozofik…”
Pjesë nga teksti i ekspozitës / GAZMEND LEKA


Ditën e premte, më 26 qershor 2026, në Galerinë e Arteve Shkodër u përurua ekspozita e piktorit Gazmend Leka. Drejtori i Galerisë, Fatmir Juka, përpara publikut artdashës shkodran falënderoi artistin për ekspozitën e bukur dhe të veçantë që kishte sjellë në qytetin e artit dhe kulturës – Shkodrën. Ekspozita “Magjia e vizatimit”, e kuruar nga Ermir Hoxha, vjen me një koleksion prej 80 punimesh, nga të cilat 60 janë realizuar në dimensionet 70 x 100 cm, me laps, sepia dhe karbon, ndërsa vizatimet e tjera janë në  dimensionin A4, të realizuara me laps dhe  tush. Kjo është ekspozita e dytë e artistit Gazmend Leka në Galerinë e Arteve Shkodër, pas ekspozitës “Gazmend Leka – 2019”, në të cilën artisti u paraqit me 40 vepra në pikturë.

Pak fjalë mbi historinë e vizatimit në botë dhe në Shqipëri                                                                           

Vizatimi zë një vend themelor në historinë e artit. Ai konsiderohet shpesh si gjuha e parë dhe më e drejtpërdrejtë e artistit, sepse përmes vijës, formës dhe dritë-hijes, artisti shpreh idenë përpara se ta realizojë atë në pikturë, skulpturë apo arkitekturë. Që nga periudhat më të hershme, vizatimi ka qenë mjeti përmes të cilit njeriu ka regjistruar dhe interpretuar botën rreth tij. Në shpellat parahistorike, vizatimet e kafshëve dhe shenjat simbolike përbëjnë ndër dëshmitë më të hershme të shprehjes artistike njerëzore. Figura të rëndësishme të historisë së artit, si Leonardo da Vinci, Michelangelo dhe Albrecht Dürer, e ngritën vizatimin në një nivel të lartë shkencor dhe artistik. Për shumë shekuj, vizatimi u konsiderua kryesisht si një përgatitje për një vepër tjetër artistike. Por që nga Rilindja e më tej, ai fitoi statusin e një gjinie më vete, ku skicat, studimet dhe kompozimet artistike vlerësohen si vepra të plota. Një vizatim shpesh zbulon më drejtpërdrejt procesin krijues sesa një pikturë e përfunduar. Në të shfaqen kërkimi i formës, emocionet e çastit dhe karakteri i dorës së artistit. Në shekujt XIX–XX, vizatimi u shndërrua në një fushë të pavarur eksperimentimi. Artistë si Pablo Picasso, Henri Matisse dhe shumë të tjerë e përdorën vijën si një mjet të fuqishëm shprehës.

Vizatimi në artin shqiptar                                    

Edhe në artin shqiptar vizatimi ka pasur një rol të rëndësishëm, duke kontribuar si mjet studimi dhe si një gjini artistike më vete. Vizatimi nuk është thjesht një parapërgatitje për pikturën; ai është një nga gjinitë themelore të artit pamor, një fushë ku mendimi, dora dhe ndjeshmëria e artistit bashkohen në formën më të pastër. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ruhet një fond i konsiderueshëm vizatimesh, nga shekulli XIX deri në shekullin XX. Ekspozita “110 vjet vizatimi shqiptar” (03.12.2014–05.01.2015), e çelur me 151 vizatime nga fondi i GKA-së, Tiranë, të realizuara nga 47 autorë, ka qenë ndoshta ekspozita e vetme kushtuar kësaj gjinie në artin shqiptar. Ajo dokumentoi fillesat dhe gjurmët stilistike të vizatimit shqiptar, ku dominon kryesisht realizmi, i arritur herë përmes linjës së pastër dhe herë përmes kalimeve e kontrasteve të dritë-hijes bardhë e zi. Koleksioni i ruajtur në GKA përfaqëson një rrugëtim të kësaj gjinie përgjatë një shekulli, ku ndihet qartë zhvillimi dhe pjekuria artistike, duke filluar nga artistët autodidaktë të fundit të shekullit XIX, tek artistët e formuar në akademitë perëndimore dhe lindore, si dhe tek krijuesit e formuar në Shqipëri. Në përgjithësi, ajo që vihet re tek artistët shqiptarë në koleksionet e tyre të vizatimit është përqendrimi tek portreti dhe autoportreti, peizazhi urban dhe rural, nudot femërore (kryesisht të realizuara nga modelet e akademive), ndërsa më të rralla (të ruajtura) janë bocetet për kompozimet që më pas realizohen në pikturë. Artistët shqiptarë i kanë realizuar vizatimet kryesisht me laps, tush, karbon, flamastër ose në teknikë të përzier. Piktori Dhimitraq Trebicka (1936–2013), nga dhjetë vizatimet e paraqitura në ekspozitë, kishte realizuar tre prej tyre në teknikën e sepias: “Gjirokastra” (1980), “Grua me kostum tradicional” (1978) dhe “Vajza me kostum nga Tropoja” (1978), ndërsa punimet e tjera ishin kryesisht të realizuara me tush dhe vetëm një me karbon. Trebicka ishte një nga artistët e rrallë shqiptarë që përdori sepian në disa nga krijimet e tij. Në tërësi, koleksioni i vizatimeve që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve është realizuar nga autorët me laps, tush, karbon, flamastër ose në teknikë të përzier.

Artisti Gazmend Leka dhe “MAGJIA E VIZATIMIT”

Piktori Gazmend Leka është një nga figurat më të rëndësishme të vizatimit bashkëkohor shqiptar. Vizatimi tek Leka është një botë më vete, ku ndërthuren simboli, mitologjia, filozofia dhe psikologjia njerëzore. Ai është veçanërisht i njohur për përkushtimin ndaj vizatimit si gjini me një kohështrirje mbi 40 vjeçare. Leka njihet si autori i ilustrimeve e legjendave shqiptare, ciklit të kreshnikëve dhe  balladave shqiptare, temave biblike ku linja dhe raportet bardhe zi apo ato në sepia (vitet e fundit) marrin një fuqi narrative të jashtëzakonshme.  Pasioni për vizatimin është bashkudhëtar i artistit Gazmend Leka krahas pikturës së tij. Në vitin 1992 ai çeli në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozitën e patë vetjake me 130 vizatime. Më tej në Galerinë e artit “Vilson Kilica”, Fier ai çeli në nëntor 2024, ekspozitën me 150 punime (të viteve 2021-2024). Ekspozita pasuese me titull ”Magjia e vizatimit”, artisti e përuroi në galerinë “FAB”, Tiranë në tetor 2025 me 120 punime

Ekspozita e tij aktuale e çelur në qytetin e Shkodrës me të njëjtin titull “MAGJIA E VIZATIMIT” e ka rikthyer vëmendjen tek vizatimi si vepër autonome artistike. Duke parë me kujdes këtë ekspozitë ajo që të befason është të 80 punimet janë kompozime të punuara me mjeshtri artistike befasuese. Duke kaluar nga salla në sallë para koleksionit me 60 punime në sepia me përmasa të veçanta e unike për vizatimin në  artin shqiptar (70 x 100 cm) do të evidentonim disa elementë të përbashkët që mendojmë se artisti i përdor nga tabloja në tablo. Imazhet e personazheve të tij janë me përmasa monumentale dhe me forma të kuruara skulpturore, që në disa punime të veçanta të krijojnë ndjesinë materialit metalik. Artisti në punimet e tij nuk ndjek rregullin klasik në kompozime të vendosjes së shumë figurave. Artisti preferon t’i vendosë personazhet tij natën në sfonde ireale të krijuar prej tij ku gjithmonë dallojmë imazhin e hënës së plotë dhe yjeve që ndrisin të shpërndarë lirshëm në sfond. Në përgjithësi tablotë e kanë prirje dramacitetin dhe theksin grafik në realizimin e figurave duke i dhënë rëndësi apo duke ndriçuar elementëve që artisti do të krijojë si qendrën e tablosë së tij. Në disa nga tablotë personazhi i tyre është vetë piktori herë me portretin e tij apo dhe me figurën e tij të trajtuar me forma të mëdha fluide. Në kompozimet me temë biblike figurat e kafshëve gjigande e të frikëshme me gojën e hapur, me trupin e mbuluar me luspa – ndjehet sikur trupi i tyre përbëhet prej lëkure metalike e të errët me shkëlqime. Duke u ndalur para çdo vizatimi – veçanërisht tek ato kompozicionale (realizuar në laps, sepia e karbon) befasohesh me zgjidhjet kompozicionale, atmosferën gati mistike të shoqëruar me sfonde jo opake – përkudrazi – plot ajër e larmi trajtimi artistik të tonaliteteve me sepia. Në fakt befasohesh nga saktësia e vizatimit të personazheve dhe objekteve të interpretuara artistikisht dhe ndjen se kemi të bejmë me krijime të fuqishme origjinale të një fantazie të një artisti të madh bashkëkohor. Realizimi i kompozimeve në teknikën e vizatimit dhe veçanërisht në sepia që krijon një “ngrohtësi” në komunikimin me publikun, e cila mendojmë se është një risi e bukur dhe pse jo e jashtëzakonshme për artin bashkëkohor shqiptar. Të vizitosh ekspozitën Magjia e vizatimit”, në sallat e Galerisë së Arteve, Shkodër është si të hysh në studion e artistit dhe të kuptosh magjinë e kodit të tij artistik, pasi përpara secilës tablo – veçanërisht ato në sepia – duke u ndalur fillimisht admiron cilësinë e lartë artistike të artistit  e më tej do të duhet të “deshifrosh” (sipas çdo punimi) gradualisht narrativën simbolike,temën, mesazhin dhe do ndjesh se nëse hyn në detajet e “tablove” në sepia në dimensionet e preferuar nga mjeshtri Gazmend Leka, do kuptosh se po komunikon me kryevepra të vizatimit bashkëkohor shqiptar.

Nese do të ndaleshim shkurtimisht në disa prej cikleve të tij piktorikë si: ”Nudot”, “Tregime të moçme shqiptare”, temat e tij të ndryshme apo dhe mbi disa figura biblike si “Salome”; “Dante” etj. Mund të kuptojmë dhe evidentojmë disa nga elementët interesantë që sjell artisti. Kështu tek cikli i nudove, mjeshtri Leka thyen mitin e bukurisë femërore klasike që qëndrojnë zakonisht të shtrira , duke vizatuar dhe evidentuar figuar femërore të “kolme”, që qëndrojnë në këmbë natyrshëm e pa poza elegante, kujtojmë punimet: “Nudo në shkallë”; “Vajza që po zhvishet”, “Vajza që lahet në dritë” etj. Në ciklin “Tregime të moçme shqiptare”, Leka, tek punimi me titull:”Porosia e fundit e Ded Skurës” do befasohemi nga zgjidhja kompozicionale e një figure të vetme i plagosur për vdekje,  i rrëzuar në gjunjë me 8 shigjeta mbi trup. Zakonisht në gjithë historinë e artit shqiptar nuk është pasqyruar ky moment – rënia e heroit pozitiv. Në punimin tjetër “Milo Shini dhe Ali Begu” artisti në rastin e një dueli mes një shqiptari dhe një turku – ka gjetur një zgjidhje kompozicionale jo të zakonshme, duke i dhënë përparësi emocionit artistik me dominimin e pelerinave të hapura në tablo të dy personazheve (që duken sikur fluturojnë) ku mezi dallohen portretet e tyre. Në “Orët e Mujit” befasia është e jashtëzakonshme  pasi të krijohet nga artisti një atmosferë surreale – në qendër të tablosë (në sepia gjithmonë) artisti ka vendosur me shpinë në kundër dritë imazhin e një malësori – Mujin – me veshjet e veriut, që mban në dorën e djathtë shpatën dhe dorën  tjetër të ngritur lart drejt OREVE që shfaqen para tij në tri portrete monumentalë të interpretuara bukur me flokët që u valëviten e shpërndahen prapa duke e shtuar magjinë dhe misterin e legjendës. Po kështu artisti ka zgjidhur me mjaft finesë dhe fantazi artistike tablotë ”Kënga e Ago Ymerit”; “Rozafati”,”Dante”, “Salome”, etj etj. ku ndjehet qartë aftësia e një mjeshtri të madh të vizatimit shqiptar, që me mjaft kurajo ka trajtuar artistikisht ciklet e tij të cilat edhe pse janë vizatime të japin kënaqësinë e tablove kompozicionale të plota e të pikturuara. Në udhëtimin krijues të Gazmend Lekës, vizatimi nuk ka qenë asnjëherë një hap paraprak drejt pikturës, por ai krijon një botë më vete, një territor ku mendimi, kujtesa dhe emocioni marrin formë përmes vijës. Në këtë ekspozitë, artisti na fton të rikthehemi te thelbi i aktit krijues: te shenja e parë, te gjurma e dorës, te momenti kur një vijë e vetme fillon të ndërtojë një univers. Vizatimet e Gazmend Lekës janë rrëfime të heshtura, por të fuqishme. Në to bashkohen realiteti dhe fantazia, historia dhe miti, kujtesa personale dhe ajo kolektive. Figura njerëzore, simbole të lashta, personazhe të imagjinuara dhe elemente të trashëgimisë sonë kulturore krijojnë një hapësirë ku shikuesi përballet me pyetje mbi ekzistencën, kohën dhe fatin njerëzor. Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zë cikli kushtuar legjendave shqiptare dhe Kreshnikëve, ku Gazmend Leka dëshmon jo vetëm aftësinë e një ilustratori të jashtëzakonshëm, por edhe rolin e një artisti që ringjall kujtesën epike të një populli. Përmes vizatimit, ai u jep jetë figurave të Mujit, Halilit, heronjve dhe botës mitologjike të Eposit të Kreshnikëve, duke e interpretuar këtë pasuri shpirtërore me një gjuhë bashkëkohore. Ilustrimet e tij nuk janë thjesht shoqërime të tekstit, por krijime autonome që ndërtojnë një atmosferë të fuqishme poetike dhe dramatike. Forca e artit të Gazmend Lekës qëndron në aftësinë për ta kthyer vijën në mendim dhe figurën në simbol. Çdo vizatim mbart një histori të fshehur, një kujtim, një dramë apo një ëndërr. Në këtë ekspozitë, publiku përballet me një artist që e ka ndjekur vijën gjatë gjithë jetës së tij krijuese dhe që përmes saj ka ndërtuar një nga universet më të veçantë të artit pamor shqiptar. Gazmend Leka dëshmon se vizatimi është jo vetëm fillimi i artit, por edhe një nga format më të thella të komunikimit me shpirtin njerëzor.

Gazmend Leka – një figurë e rëndësishme e artit pamor bashkëkohor shqiptar

Gazmend Leka është një nga krijuesit më të kompletuar të artit pamor shqiptar, me një veprimtari të gjerë në pikturë, grafikë, ilustrim, skenografi, film të animuar dhe pedagogji artistike. Formimi i tij nisi në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1969–1973) dhe vijoi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1974–1978), ku u diplomua për pikturë-grafikë. Gjatë gjithë karrierës së tij ai ka ndërthurur krijimtarinë artistike me misionin pedagogjik, duke qenë profesor i vizatimit, grafikës, pikturës dhe teorisë së ngjyrës në Universitetin e Arteve, ku në vitin 2000 mori titullin “Profesor”. Një etapë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me kontributin në artin monumental dhe në projektimin e mjediseve muzeale. Gjatë viteve 1979–1982 ai u angazhua në grupin e projektimit dhe realizimit të ambienteve të brendshme të Muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, një nga institucionet më të rëndësishme të kujtesës historike shqiptare. Po ashtu, gjatë viteve 1986–1988 kontribuoi në projektimin dhe realizimin e ambienteve të brendshme të Muzeut “Enver Hoxha”, ku realizoi edhe veprën monumentale instalacionin “Flamuri Kombëtar”. Një fushë tjetër ku Gazmend Leka ka lënë gjurmë të rëndësishme është filmi vizatimor shqiptar. Në Kinostudion “Shqipëria e Re” ai punoi fillimisht si piktor, më pas si regjisor dhe udhëheqës artistik i redaksisë së filmit vizatimor. Filmat “Dy gosti” (1982) dhe “Plumb ballit” (1985), ku ai ishte regjisor dhe piktor, përfaqësojnë nga arritjet më të spikatura të animacionit shqiptar dhe janë vlerësuar në festivale kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Vizatimor në Napoli (1983) dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar në Annecy, Francë (1986). Në krijimtarinë e tij artistike, Gazmend Leka ka ndërtuar një univers të veçantë figurativ, ku ndërthuren simbolika, mitologjia, historia dhe reflektimi mbi qenien njerëzore. Ai ka realizuar ekspozita të shumta  vetjake dhe kolektive në Shqipëri dhe jashtë saj, ndër të cilat veçohen ekspozitat vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve, Galerinë “FAB”, Galerinë “Zeta” dhe hapësira të tjera artistike, si dhe pjesëmarrjet në ekspozita ndërkombëtare në Itali, Francë, SHBA, Zvicër, Greqi, Turqi, Kinë e vende të tjera. Krijimtaria e tij është vlerësuar me një sërë çmimesh dhe titujsh të rëndësishëm. Ndër vlerësimet kryesore përfshihen Urdhrat “Naim Frashëri” të klasit III dhe të klasit I, Çmimi i Republikës, Çmimi “Odhise Paskali”, disa çmime në konkursin kombëtar “Onufri”, çmimet “Piktori i vitit” nga Akademia “Kult”, Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” për ilustrimet e “Tregime të moçme shqiptare”, si dhe titulli “Mjeshtër i Madh” akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2016. Në vitin 2024 iu dha edhe titulli “Qytetar nderi i qytetit të Krujës”.  Me një karrierë mbi katër dekada, Gazmend Leka përfaqëson një figurë të rëndësishme të kulturës shqiptare, ku talenti krijues, kërkimi artistik dhe kontributi në edukimin e brezave të rinj bashkohen në një vepër të gjerë dhe shumëdimensionale.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË