KreuLetërsiBibliotekëBehar Jacaj: Ferri që sajuam! (tregim)

Behar Jacaj: Ferri që sajuam! (tregim)

Kur ulja e siparit dhe shuarja e dritave lajmëruan fundin e shfaqjes, nga salla nuk u dëgjua as një duartrokitje, asnjë fishkëllimë, asnjë pipëtimë, thua se kishte qenë një natë dosido provash me sallë të zbrazur dhe jo nata e premierës. Kjo heshtje shurdhuese e pazakontë, e shtoi edhe më shumë frikën dhe lëvizjet ankthioze të trupës që, pas perdes,  po priste  të bënte përuljen e  falënderuese përpara spektatorit. Të merrte prej tij duartrokitjet e mrame. Por në sallë nuk dëgjohej asnjë tingull për be. Të thuash se shfaqja qe aq e keqe, të paktën do të dëgjohej gumëzhima e njerëzve duke ikur. Dukshëm diçka nuk shkonte. Kur dritat u ndezën dhe aktorët u kthye serish në skenë, të gjithë mbetën të mahitur. Të gjithë spektatorët qëndronin në këmbë, me duart e ngritura si para ndonjë toge pushkatimi, dhe, në ndryshim nga një publik manekinësh, atyre u dalloheshin uljet-ngritjet e kraharorit si dhe lotët që u shkishin faqeve. Aktorët u përkulën, fillimisht një nga një dhe më pas të gjithë bashkë, por gurosja e publikut nuk ndryshoi. Bleart Voxhara, regjisori dhe skenaristi i shfaqjes qau nga gëzimi kur pa trandjen që kishte shkaktuar vepra e tij. Kush është ai që, me veprën e tij, nuk do ta lërë pa mend e pa gojë audiencën? Ja çfarë efekti bën kryevepra, mendonte Blearti që zorshëm po e fshihte ekzaltimin dhe krenarinë. Ai filloi të shqetësohej  kur zgjatja e ndodhisë filloi t’i jepte nuanca, sa tragjike, aq edhe groteske. Publiku, më shumë se i magjepsur nga shfaqja, dukej i lajthitur prej saj. Ai qëndronte si i ngrirë, nuk nxirrte zë, por nuk i ndalte as lotët dhe frymëmarrjet e shpeshtuara. Teatri është gërshetim i dritës me hijen, i maskës me fytyrën, i heshtjesh me zhurmën, i kaosit me rregullin, i aktorëve me spektatorin, i gazit me vajin, dhe pikërisht në njëri nga këta elementë mund të gjendet çelësi që zgjidh nyjën e krijuar, mendoi ai kur pa se publiku ngulte këmbë në ‘dorëzimin’ e tij dhe nuk donte të dinte as për përkuljen e aktorëve as për fjalimet e tyre. Aktorët provuan fjalosje, anekdota, mimika, pantonima që të krijonin ilaritet, por situata nuk ndryshoi, veç sa u bë më e nderë. Teknikët e ndriçimit e lanë sallën disa minuta në errësirë, me shpresën se ajo do të boshatisej vetvetiu, por kur i ndezën sërisht dritat publiku ngulte këmbë në ngrirjen e tij. Kaq ishte. Mbaroi. Nuk jemi në malet e Dibrës këtu, as ju nuk jeni ushtarët e Hajredin Pashës.-tha një aktorët që rikujtoi rapsodinë e famshmë. Publiku iu përgjigj me një heshtje statujash. Disa nga aktoret filluan të qanin me lot njerëzor.

Hiqni paruket, maskat, kostumet, fshini pudrën dhe çdo gjë që lidhet me rolin tuaj”- Foli Blearti me një ton gjysëm heroik, gjysëm urdhërues. Aktorët panë si të shushatur. 

Hiqni dhe grumbulloni të gjitha në mes të skenës”- përsëdyti tanimë më i bindur në kërkesën e tij. Megjithë shikimet dhe fjalët e tyre dyshuese, aktorët ndërtuan në mes të skenës një pirg me pektat e tyre. “Ja, të heq edhe unë petkun e regjisorit”– tha dhe hoqi beretën, xhaketën,  pantallonat, këpucët dhe i bashkoi me kapicën e rrobave që ishte krijuar në mes të skenës. “Tani ngreni duart lart” iu drejtua trupës pas fillimisht kishte ngritur duart e tij. Kur pa se të gjithë ishin gjysëm lakuriq dhe me duar të ngritura lart iu drejtua sallës gati duket bërtitur:”Jemi si ju. Jemi të gjithë si ju. Të gjithë jemi njëlloj.” Tek-tuk disa duar filluan të ulen, por duke qenë se shumica e sallës vazhdonte ‘dorëzimin’ e saj, duart u ngritën prap.

“Jemi si ju. Jemi të gjithë njëlloj. Nuk ka viktima, nuk ka xhelatë,  nuk ka maska, as madhështi, jemi të gjithë njëlloj.”- Filloi të fliste me pathos dhe,  sakaq, mori një ndezës dhe e hodhi mbi pirgun e rrobave. Vrunduj tymi u shpërndanë në ajër. Salla u mbush me ulërim dhe më zhurmën e karrigeve që zbrazeshin.        

***

Zjarri që shkrumboi krejtësisht teatrin kombëtar, fatmirësisht nuk solli viktima. Mbetej enigma, jo rënia e zjarrit, por edhe shpërhapja e rrufeshme e tij. Grupi hetues mblodhi dëshmitë e aktorëve dhe të stafit teknik. I fundit u mor në pyetje Blearti. Ju bënë pyetje rutinë rreth shfaqjes, rreth titullit dhe thelbit të saj, ai u dha të njëjtat përgjigje që kishte dhënë edhe në intervistat që kishte bërë për të reklamuar shfaqjen.  Pyetjes ‘pse i kishte urdhëruar aktorët të zhvisheshin pasi shfaqja kishte mbaruar,’ Blearti u përgjigj thatë; ndjeva se shfaqja ishte e paplotë. I duhet edhe një akt për tu përmbushur. “Po flakën pse ua kishte vënë rrobave’; e pyetën. Pjesë e aktit, u gjegj shkurt. Më shuaj një kuriozitet, i foli hetuesi pasi dëshmia kishte mbaruar, ju thoni se kishit natën e premierës ndërsa ne kemi mundur të identifikojmë asnjë nga spektatorët, si ka mundësi?

-Ndoshta, në “ferri që sajdisëm” ishim të gjithë aktorë. – U gjegj Blearti në mënyrë lakonike.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË