KreuLetërsiShënime mbi libraAgron Y. Gashi: Proza si testament poetik

Agron Y. Gashi: Proza si testament poetik

“Paraloja e shiut”, nga Sali Bashota

Formë e frymë

Proza poetike konsiderohet si subzhanër, zhanër mikst. Studiuesit si Jonathan Monroe dhe Margueritte S. Murphy me kohë kanë vënë theksin te ngjizja e elementeve ndërmjet poemthit dhe prozës, duke sfiduar edhe teorinë klasike për zhanret letrare. Ishin  shkrimtarët francezë, ata që zgjeruan gamën tematike dhe formale, të cilët dolën jashtë lëvozhgës klasiciste, e cila me fanatizëm i ruante parimet letrare në frymën klasike, si: A. Berttrand, Ch. Baudelaire, A. Rembo, St. Mallarme dhe shkrimtarët britanikë, ata që njiheshin si poetë dekadentë, si O. Wilde, F. Helderlini, R. M. Rilke, e deri te amerikani E. A. Poe. Në fakt, ata qëndruan në truallin e krijimtarisë së tyre. Në këtë mënyrë, proza poetike u kualifikua si tekst subjektiv, tekst kënaqësie, formë eksperimentale letrare, tekst që theu dhe përmbysi rregullat zhanrore. Autori shpërben strukturën e poezisë me tekst proze, strukturën tematike e zëvendëson me subjektivitetin lirik dhe formën dialogjike (Bakhtin) dhe referenciale (Genette) e zëvendëson me karakterin monologjik. Monologjia e prozës poetike theksohet nga subjektiviteti i thellë, karakteri konotativ i vargut, thyerja e rregullave gramatikore, fonologjia e gjuhës etj. Në këtë plan, mizanteksti i prozës poetike ndryshon nga ai prozës referenciale. Todorov këtë çështje e shpjegonte me zhvendosjen e këndvështrimit nga shprehja, te veprimi i të shprehurit: Poema është një veprim i të shprehurit, ndërsa romani përfaqëson një të tillë. Sipas tij, veprimi i të shprehurit romanesk është thellësisht shumës, ndërsa të shprehurit e prozës poetike është thellësisht njëjës. Në këtë frymë duhet parë edhe proza poetike e Sali Bashotës, i cili e ndjen si nevojë për të dalë jashtë formës së zakonshme letrare, njëkohësisht për të qëndruar brenda sistemit të tij poetik të nisur që në vitet ’80,   të shekullit të kaluar.

Metaforë e metonimi

Proza poetike e Sali Bashotës ruan imazhet dhe efektet e forta emocionale, shenja tipike këto të poezisë. Kjo prozë ka strukturë metonimike, përderisa gjuha është metaforike, sepse në fakt ajo është një poezi me konstrukt proze. Ky fuzionim i elementeve poetike dhe prozaike prodhon një tip letrar të nënrenditur nga të dy gjinitë e mëdha letrare, epika dhe lirika. Kështu, proza poetike e Sali Bashotës është shpërthim kundër rregullave zhanrore dhe situatës reale. Kjo prozë poetike, konkretisht gjuha e saj, si gjithmonë, as këtu nuk përçon informacion, por përfaqëson gjuhën nga shprehjet stilistike. Autori në fjalë funksionalizon një skemë (ideale) zhanrore të ngritur mbi strategjinë e zhanrit (hibrid), të stilit (figurativ) dhe të formës së shkrimit (mikst) për t’i ndarë më pas në disa cikle, që shënojnë koncepte e figura kyçe, të cilat e përcjellin shkrimin fillim e fund.  Kështu, te prozat e ciklit të parë Testamenti vërehet struktura e poezisë e kthyer në formë proze, me gjuhë të metaforës së zgjeruar. Subjekti lirik përshkruan imazhin e lindjes së lirisë, duke personifikuar atë si një foshnje të sapolindur. Ky kthim në simbolikën e lindjes së njeriut, mëkatit dhe lirisë bëhet përmes një diskursi tejet të ngrysur për të marrë përmasat e dhembjes nacionale e  universale. Kështu, tema atdhetare lakohet edhe nëpër forma e trajta të tjera të dhembjes poetike. Te proza  e ciklit të parë, poeti ndërton paradoksin e madh jetësor dhe figurativ, një tekst i cili funksionon me ritëm, rimë, figurë, tamam si një poezi. Pra, siç do të thotë vetë autori, është ligjërimi paradoksal i qenies në një situatë tipike biblike, që bart shenjat autoreferenciale. Figurat  poetike metaforë e metonimi, e përplotësojnë imazhin poetik të këtij kreatori të prozës lirike. Kështu, formën e ligjërimit lirik dhe përshkrimin e dhembjes epike, autori e konsideron si një nga format artistike të lirisë. Këtu, subjekti lirik, përderisa përshkruan dhembjen e madhe individuale, ajo merr përmasa edhe të narratorit epik.

Toni i ëmbël, imazhi biblik, diskursi elegjiak e lidh një fabul të dhembjes: ligjërimin e shkretë, dëbimin e njerëzve, vyshkjen e trëndafilave, njeriu që kërkon vdekje, për t’u përthyer te figurat e mendimit, të ironisë dhe në figurat kozmogonike. Aty-këtu shtrohet edhe monologu i brendshëm si një konvencë, që e shoqëron prozën poetike si tekst personal. Megjithatë, ky shkrim monologjik përshkruhet brenda një vije lineare në tridhjetë e tri tekste simboliste, një biografemë kjo, që lakohet nëpër faqe të letrës së bardhë, në të cilën dominojnë frika, vetmia, trishtimi, kryqëzimi…

Kështu, Sali Bashota është në kërkim të krijimit të figurave e të librit të jetës.

Ciklin e dytë, Figura, e përshkon diskursi i trishtimit, dhembja, mëkati, të cilat bëhen plotësit e sintaksës së rrëfimit dhe përshkrimit të situatës së subjektit lirik. Figuratika e zgjedhur e plotësojnë diskursin personal, po aq e formësojnë narracionin referencial, i cili lidhet me psikologjinë dhe sociologjinë e individit, siç theksohet te prozat poetike “Halucinacionet”, “Testamenti”, “Kukama” e “Plisi”.

Në prozën poetike të Bashotës, figura personale ngjizet me figura mitologjike, biblike. Format e ligjërimit poetik mbushën me stilema e paradokse figurative, gjuhësore duke zgjeruar gamën motiveve dhe ideve përherë në frymën simbolike e simboliste. E para, ka si paravan figurën, e dyta,  frymën  e shkollës letrare.

Kështu te cikli Loja, përmes simbolikës së lojës së përmbysur ndjek lozën e shkollës moderne të mjegullave simboliste (Koliqi), në të cilin përmbyset edhe figura mitike, edhe figura reale-personale. Madje, autori ‘deklamon’ kategorinë e zhanrit që në titull si te proza poetike “Poezi e vrarë”, në të cilën përmes një gradacioni shpërfaqen sendet, objektet që figurohen, njëkohësisht përfaqësojnë situatën reale të fundshekullit të kaluar. Përderisa nga trajta e prozës poetike kalon në formën e poezisë, dominojnë fjalësit, që shprehin gjendje, veprime, simbole, si: shkretina, shkrumbi, djegia e librave, shpendkeqja, valsi i pikëllimit…

Te të njëqind prozat e Sali Bashotës, sintetizohen format e shkrimit poetik- lirik me atë narrativ. Te forma lirike, e që është me kompozicion më të shkurtër dominon fuqia e fjalës konotative, fryma eliptike e ligjërimit, figurat simboliste alla Edgar A. Po-e, pastaj loja me vetë simbolin dhe figurën kozmogonike herë si trajtë shkrimi, herë si objekt referimi, përmes të cilit subjekti lirik shpreh gjithë filozofinë ekzistencialiste, ku çdo gjë sillet rreth vetes, (rreth dritës), një tip ky i shkrimit verleist  me figura sintetike. Tutje, pasojnë motërzimet e dhembjes deri te personifikimet tipike si ”Vdekja e shiut”, “Dorëshkrimi i ngjallur”, si te vargjet:

Sa të ëmbla ishin gjymtyrët e trupit tënd.

Fytyra e bardhë që e kishte krijuar rruzullimin e shpirtit në parajsë.

Në anën tjetër, prozat poetike të Bashotës nisin me rrëfime referenciale, të ngjashme me parabolën referenciale- filozofike me personazh simbolik, gruan, në pallatin e ëndrrave, pastaj ndodh përplasja ndërmjet figurës personale dhe universale, botës reale dhe ireale. Autori ndjek një gradacion:

Në fillim u krijua zjarri.

Më vonë u krijua qielli.

Në fund u krijua toka.

Kësisoj, rrëfimi retrospektiv autobiografik del edhe me motërzimet të mbrujtura me një mikro fabul në frymën bodleriane. Në këtë mënyrë, i tërë ky qark ciklesh është një testament poetik për jetën, vdekjen, vetminë, por edhe për luftën dhe lirinë.

Sistemi letrar

Leximi më mirë i prozës poetike të Bashotës bëhet përmes poezisë së tij. Poezia e tij qoftë libër me përpjekje për të bërë libër sistem, qoftë libër poetik tipik i ndërtuar mbi kanonet e sistemit poetik ruan një koherencë me prozën poetike. Proza poetike e Sali Bashotës, parë në rrafshin tematik e stilistik, del si vazhdimësi e sistemit të madh poetik e letrar,  por në rrafshin formal na shfaqet një libër unik, i sistemuar në të gjitha planet, qoftë në planin e strukturës së kapitujve, qoftë në planin e renditjes së rrëfimeve, qoftë edhe me një kodifikim zhanri.

Qarku poetik sillet rreth një trinie biblike e danteske, si Testamenti, Figura, Loja, një trini  e krijimit dhe të rrëfimit të subjektit lirik.  Nëse e lexojmë nga fillimi, testamenti poetik merr formë përmes figurës dhe kjo e fundit përmes lojës së bukur të gjuhës konotative. Nëse e lexojmë nga fundi, loja fugurohet në gjuhë, e cila përkthehet në një testament të përhershëm letrar.

 Në këtë ‘rreth’ sintetizohen format dhe trajtat e shkrimit, si: parabola, rrëfimi, lutja, tregimi biblik, duke krijuar një model me shenja të hipertekstit, me bazë libra dhe tekste të ndryshme, herë si antinomi e Librit të të vdekurve, herë si sinonimi e vedave indase, e herë-herë si palimpsest i shkrimit të vjetër biblik me referencë kodet e mëdha letrare. Çuditërisht, bazuar në shpërthimin emocional dhe përmbysjen e figurës, klithmën dhe pesimizmin, madje edhe refrenet poetike si në poezitë e përmbledhjes Dorëshkrimi i ngjallur, edhe ky libër krijon një relacion tjetër, qoftë edhe i rastësishëm, me lirikat e beatnikëve amerikanë.  Kështu, proza poetike e Sali Bashotës është shenjë e një sistemi letrar poetik, e cila lexohet edhe si poezi, edhe si autobiografi lirike, edhe si autoideografi letrare. Duke qenë se proza poetike kohët e fundit është një zhanër deficitar, ardhja e kësaj përmbledhjeje e seleksionuar nën titullin  “Paraloja e shiut” e përplotëson një  nismë dhe një mesazh, që forma letrare është përjetësisht e shkrueshme dhe pafundësisht e konotueshme. Fundja, proza poetike është formë e modernitetit letrar dhe e modernistëve të mëdhenj. Prandaj, kur format moderne (ri)kthehen po më të njëjtën frymë, siç ndodh me prozat poetike të Sali Bashotës, themi se ende modernizmi nuk ka përfunduar. Të paktën, ne kemi akoma për të bërë.

      (Parathënie e librit)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË