Ndër veprat më interesante që dëshmojnë praninë e motiveve shqiptare në letërsinë rumune të shekullit XIX është poezia “Baladă albaneză” (Baladë Shqiptare) e poetit rumun George Coșbuc, botuar në përmbledhjen “Balade și idile” në vitin 1893. Kjo baladë paraqet një histori dashurie, xhelozie dhe nderi, të vendosur në hapësirën shqiptaro-epirote dhe të ndërtuar mbi motive të njohura të folklorit ballkanik.
Ngjarja zhvillohet pranë një lumi, ku biri i Pashait të Janinës po i jep ujë kalit të tij të zi. Në të njëjtën kohë aty mbërrin Dhespina, një grua e re që vjen për të mbushur ujë, duke mbajtur mbi krye një enë të bardhë. Skena idilike vëzhgohet nga larg prej Gjergjit, burrit të saj, i cili ndodhet në majën e një mali dhe sheh njëkohësisht gruan dhe të riun osman. Poeti ndërton gradualisht tensionin dramatik. Biri i Pashait nxjerr një lule nga kraharori dhe e hedh në ujë, duke e lënë të notojë deri te Dhespina. Gruaja e merr lulen dhe e vendos mbi kraharor, një gjest që në kodin simbolik të baladës përfaqëson pranimin e një ndjenje apo afërsie sentimentale. Nga maja e malit, Gjergji e sheh këtë veprim dhe zemërimi i tij shtohet. Ai shtrëngon grushtat, kafshon buzën dhe përgatit karabinën. Kulmi i baladës vjen kur Gjergji qëllon. Por plumbi i parë nuk drejtohet as ndaj gruas, as ndaj rivalit të tij. Ai godet pikërisht zambakun e vendosur në kraharorin e Dhespinës. Ky veprim ka një ngarkesë të fortë simbolike: synon të dënojë tradhtinë e perceptuar dhe jo të marrë menjëherë jetën e personazheve. Më pas, biri i Pashait hipën mbi kalë për t’u larguar, por një plumb i dytë e arrin. Edhe ky nuk synon vdekjen. Ai e godet në krah, në mënyrë që, siç shprehet poeti, “me atë dorë të mos ledhatojë më gra të tjera”. Kështu, balada përfundon jo me vrasje, por me një ndëshkim simbolik të dyfishtë: lulja e dashurisë shkatërrohet dhe krahu i joshësit plagoset. Poezia u bë e njohur edhe për lexuesin shqiptar pas 60 vitesh më vonë përmes përkthimit të Prof. Vehbi Balës[1], botuar në revistën Nëntori (nr. 5, 1954), i cili mesa duket u njoh me të gjatë studimeve të tij në Rumani. Në variantin shqip ruhen ritmi narrativ dhe ngarkesa simbolike e origjinalit rumun. Përkthimi i Prof. Vehbi Balës ruan edhe motivin e lules që noton mbi ujë drejt Dhespinës dhe reagimin e Gjergjit, duke e përcjellë me besnikëri atmosferën e baladës, ku nderi, xhelozia dhe dashuria ndërthuren në një rrëfim tipik të traditës ballkanike.
Profesor Vehbi Bala
Kjo strukturë narrative, e ndërtuar mbi simbolikën e natyrës dhe intensitetin e emocioneve njerëzore, e afron baladën me traditën e romantizmit në letërsinë rumune të shekullit XIX. Lumi që bart lulen drejt Dhespinës, mali nga ku Gjergji vëzhgon skenën dhe zambaku që bëhet simbol i pasionit dhe i tradhtisë së perceptuar, nuk janë thjesht elemente të peizazhit, por figura poetike që pasqyrojnë gjendjet shpirtërore të personazheve. Dashuria e ndaluar, xhelozia, nderi, hakmarrja dhe fati tragjik përbëjnë tema themelore të romantizmit evropian dhe ballkanik, duke e vendosur këtë baladë në një traditë letrare ku emocionet individuale fitojnë përparësi ndaj arsyes dhe normave shoqërore. Balada është karakteristike për stilin e George Coșbuc-ut, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë rumune të fund shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. I lindur më 20 shtator 1866 në Hordou të Transilvanisë (sot fshati mban emrin e tij), Coșbuc u formua në një mjedis ku tradita popullore, folklori dhe historia kombëtare zinin një vend qendror. Këto elemente do të bëheshin më vonë themeli i krijimtarisë së tij poetike. Ai fitoi famë të madhe me poezitë kushtuar jetës fshatare rumune, ku përshkroi me realizëm dhe ndjeshmëri botën e fshatit, zakonet, festat, vuajtjet dhe aspiratat e njerëzve të thjeshtë. Përveç veprimtarisë si poet, Coșbuc ishte edhe një përkthyes i shquar. Ai solli në gjuhën rumune vepra madhore të letërsisë botërore, ndër to “Eneidën” e Virgjilit, pjesë nga “Odisea” e Homerit dhe, mbi të gjitha, “Komedinë Hyjnore” të Dantes, një ndërmarrje monumentale që dëshmoi kulturën e tij të gjerë klasike. Në vitin 1916 u zgjodh anëtar i Akademisë Rumune, duke u njohur si një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës kombëtare.
Në veprat e tij, Coșbuc ndërthurte mjeshtërisht motivet popullore me një vëzhgim të hollë psikologjik, duke i dhënë personazheve një dimension njerëzor dhe emocional që tejkalonte rrëfimin tradicional folklorik. Përmbledhja “Balade și idile” (1893), ku u botua edhe Baladă albaneză, konsiderohet një nga veprat më përfaqësuese të poetit. Në të, ai ringjall atmosferën e këngëve dhe legjendave popullore, por njëkohësisht u jep atyre formë artistike moderne, duke kombinuar lirizmin me tensionin dramatik. Megjithëse George Coșbuc zakonisht renditet ndër përfaqësuesit e realizmit dhe tradicionalizmit rural rumun, krijimtaria e tij ruan lidhje të forta me trashëgiminë romantike që kishte dominuar letërsinë rumune gjatë shekullit XIX. Poetë si Mihai Eminescu dhe Vasile Alecsandri kishin ngritur tashmë folklorin, historinë kombëtare dhe peizazhin natyror në rangun e burimeve kryesore të frymëzimit letrar. Coșbuc trashëgoi këtë prirje, por e pasuroi atë me një qasje më narrative dhe më afër jetës së përditshme. Në “Baladë Shqiptare”, ai ndërthur elemente të baladës popullore me ndjeshmërinë romantike për pasionin, fatin dhe konfliktin moral, duke krijuar një atmosferë që lëkundet midis legjendës dhe realitetit. Po aq domethënëse është edhe zgjedhja e një subjekti të vendosur në Janinën osmane dhe në hapësirën shqiptaro-ballkanike. Romantizmi rumun, ashtu si shumë rryma romantike evropiane, ushqente një interes të veçantë për historinë, folklorin dhe kulturat e vendeve fqinje, të perceptuara si mbartëse të traditave autentike dhe të një ekzotizmi të afërt. Në këtë kuptim, figura e birit të Pashait të Janinës, peizazhi malor dhe kodi i nderit që drejton veprimet e personazheve nuk përbëjnë vetëm një rrëfim lokal ballkanik, por edhe një pasqyrim të shijeve estetike të romantizmit rumun të fund shekullit XIX. Kështu, “Baladă albaneză” shfaqet si një pikë takimi midis folklorit shqiptar, imagjinatës romantike rumune dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore të Ballkanit.
Në rastin e “Baladës Shqiptare”, Coșbuc shfaq aftësinë e tij për të depërtuar në universin kulturor të popujve të tjerë të Ballkanit. Ai ndërton një histori të thjeshtë në pamje, por të mbushur me simbolikë: lulja që noton mbi ujë, mali si vendvështrimi i gjykimit dhe karabina si instrument i nderit të cenuar. Këto elemente e lidhin poezinë me traditën epike ballkanike, ndërsa trajtimi psikologjik i xhelozisë, krenarisë dhe pasionit e bën atë një vepër me vlera universale. Përmes kësaj balade, Coșbuc jo vetëm që dëshmon njohjen e folklorit rajonal, por edhe aftësinë e tij për ta shndërruar materialin popullor në letërsi të nivelit të lartë artistik. Edhe pse autori nuk jep të dhëna historike konkrete për personazhet, zgjedhja e Janinës, e Dhespinës dhe e Gjergjit e vendos rrëfimin në një mjedis të njohur ballkanik, ku bashkëjetonin shqiptarë, grekë, vllehë dhe osmanë. Megjithëse në baladë nuk përmendet drejtpërdrejt figura e Ali Pasha Tepelena, ka gjasa që sfondi historik i saj të lidhet me periudhën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX. Janina e asaj kohe ishte shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore të Ballkanit jugperëndimor, duke tërhequr tregtarë, diplomatë, intelektualë dhe aventurierë nga një hapësirë e gjerë që shtrihej nga Adriatiku deri në Principatat Danubiane. Veçanërisht periudha 1806–1821 përbën një kapitull të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet elitave shqiptare dhe rumune. Luftërat ruso-osmane dhe trazirat e shkaktuara nga epoka napoleonike transformuan ekuilibrat politikë të Evropës Juglindore, ndërsa Principatat Danubiane të Vllahisë dhe Moldavisë, të qeverisura nga regjimi fanariot, u bënë një urë e rëndësishme komunikimi ndërmjet Ballkanit osman dhe Evropës Qendrore. Në këtë kontekst, lidhjet midis Janinës dhe qendrave rumune si Bukureshti e Jashi u intensifikuan përmes tregtisë, financave, arsimit dhe lëvizjes së elitave intelektuale.
Gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës, Janina përjetoi një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik. Rrugët tregtare që lidhnin Epirin me portet e Adriatikut dhe me tregjet e Danubit favorizuan krijimin e një rrjeti të dendur shkëmbimesh tregtare dhe kulturore. Tregtarë shqiptarë, grekë, vllehë dhe rumunë lëviznin vazhdimisht midis Janinës, Bukureshtit, Braşovit dhe qyteteve të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët ekonomike dhe intelektuale. Kjo lëvizje e njerëzve dhe ideve kontribuoi në formimin e identiteteve kozmopolite dhe në qarkullimin e motiveve folklorike, legjendave dhe rrëfimeve popullore nga një kulturë në tjetrën. Fakti që një poet rumun i fund-shekullit XIX zgjodhi ta quante këtë vepër “Baladë Shqiptare” është domethënës. Ai tregon se në imagjinatën kulturore rumune të kohës, Shqipëria dhe trevat e Epirit përfaqësonin një hapësirë të pasur me legjenda, histori dashurie dhe kode nderi.

Po në këtë periudhë filluan të shfaqeshin edhe idetë e para proto-nacionaliste në Ballkan, të ushqyera nga Iluminizmi evropian dhe nga kontaktet e elitave lokale me qendrat intelektuale të Perëndimit. Shqiptarët dhe rumunët, ndonëse në kontekste të ndryshme politike, u përfshinë në procese të ngjashme të vetëdijesimit kulturor dhe kombëtar. Figura të lidhura me Janinën, si dijetarë, tregtarë dhe administratorë, kishin kontakte të vazhdueshme me mjediset intelektuale të Bukureshtit dhe të Principatave Danubiane, duke krijuar ura komunikimi që do të ndikonin më vonë në lëvizjet kombëtare të shekullit XIX.
Në këtë këndvështrim, “Balada Shqiptare” e George Coșbuc-ut mund të lexohet jo vetëm si një histori dashurie, xhelozie dhe nderi, por edhe si një jehonë poetike e një bote ballkanike të ndërlidhur, ku Janina e kohës së Ali Pashë Tepelenës kishte fituar një vend të rëndësishëm në imagjinatën kolektive të rajonit. Prania e birit të Pashait të Janinës në qendër të rrëfimit nuk është vetëm një zgjedhje ekzotike letrare, por pasqyron prestigjin dhe famën që Janina dhe oborri i saj gëzonin në hapësirën ballkanike gjatë dekadave të para të shekullit XIX.
Botuar në vitin 1893 në vëllimin “Balade și idile”, “Baladă albaneză” mbetet një nga shembujt më interesantë të pasqyrimit të temave shqiptare në letërsinë rumune. Ajo dëshmon jo vetëm talentin poetik të George Coșbuc-ut, por edhe ekzistencën e një hapësire të përbashkët kulturore ballkanike, ku lidhjet midis shqiptarëve dhe rumunëve ishin të shumta, përmes tregtisë, emigracionit, arsimit dhe jetës kulturore dhe motive, personazhe dhe histori kalonin nga një traditë kombëtare në tjetrën, duke krijuar një trashëgimi të përbashkët letrare.
GJERGJ KOSHBUK
Ballada shqiptare
Biri i Pashës nga Janina
kalit t’zi po i jep me pi,
n’sa për ujë në lum ka arri
me buljer’ mbi krye Despina.
Por në mal, në kreshtë ruen,
drejt bregores Gjergji kqyr
edhe turkun edhe gruen.
Biri i Pashës nga Janina
nga krahnori ’j lule nxjerr
dhe në valë e hjedh të bjerë
që nga bregu ke Despina.
Grushtat Gjergji n’mal shtrëngon,
kafshon buzën egër n’dhambë
edhe idhtas turfullon.
Biri i Pashës nga Janina
prej gëzimit krah’t i shtrin
kur kalon ngadalë e arrin
at zambak mbi lum Despina.
Dhe me të stolisi gjinë…
Po edhe n’mal i vuni Gjergji
plumbat mbrend’ në karabinë.
Biri i Pashës nga Janina
ambëlsisht miklon ke balli
gruen e bukur, por nga mali
vdekjen solli karabina.
As të riut as kalit t’tij,
por zambakut plumbi i vojti
që e pabesa vuni n’gji.
Biri i Pashës nga Janina
mbërthen brezin, kcen mbi shalë,
rreh marrisht me fre mbi kalë,
por e arriti karabina:
jo në gjoks me ar prarue,
por në krah, që tjera gra
me at dor’ mos me miklue!
E përktheu: Vehbi Bala,
Revista Nëntori Nr 5, Viti 1954.
Bibliografi:
Călinescu, George. Istoria literaturii române de la origini până în prezent. București: Fundația Regală pentru Literatură și Artă, 1941.
Cornea, Paul. Originile romantismului românesc. București: Minerva, 1972.
Coșbuc, George. Balade și idile. București: Editura Librăriei Socec & Comp., 1893.
Fleming, Katherine E. The Muslim Bonaparte: Diplomacy and Orientalism in Ali Pasha’s Greece. Princeton: Princeton University Press, 1999.
Manolescu, Nicolae. Istoria critică a literaturii române. București: Paralela 45, 2008.
Pop, Ion. Dicționar analitic de opere literare românești. Cluj-Napoca: Casa Cărții de Știință, 1998.
Stoianovich, Traian. Balkan Worlds: The First and Last Europe. Armonk, NY: M.E. Sharpe, 1994.
Todorova, Maria. Imagining the Balkans. New York: Oxford University Press, 1998
Shënim: Ky shkrim i ka fillesat në një postim në rrjetet sociale të bibliografit dhe studiuesit Petro Mejdi, i cili herë pas here publikon materiale nga koleksioni i revistës Nëntori, ndër të tjera edhe poezinë “BALADĂ ALBANEZĂ”, të përkthyer në shqip nga prof. Vehbi Bala me titull “Ballada Shqiptare”.
[1] Vehbi Bala (1923–1990) ishte poet, studiues, përkthyes, pedagog universitar dhe historian i letërsisë shqiptare. I lindur në Shkodër, ai kreu studimet e larta në Zagreb dhe Bukuresht (1948-1952), ku u specializua në gjuhë dhe letërsi neolatine. Pas kthimit në Shqipëri punoi si mësues në Gjirokastër dhe Shkodër, më pas si pedagog i Letërsisë Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe në Universitetin e Tiranës. Bala është autor i një sërë vëllimesh poetike dhe monografish kushtuar figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare, si Jeta e Elena Gjikës (1967), Fan S. Noli (1972), Migjeni (1974), Viktor Eftimiu (1978) dhe Pashko Vasa (1979). Ai dha një kontribut të rëndësishëm edhe në përkthimin e letërsisë rumune në shqip, veçanërisht të veprave të Mihai Eminescut dhe George Coșbuc-ut, duke shërbyer si urë kulturore ndërmjet dy traditave letrare.


