In Memoriam për piktorin e filmit Shyqyri Sako, (Artist i Merituar), 1937–2026
Në historinë e kinematografisë shqiptare, emri i piktorit të filmit artistik shqiptar, Shyqyri Sako, do të mbetet i përveçuar si një ndër figurat më përfaqësuese, më fisnike dhe më dinjitoze të artit skenografik dhe të estetikës pamore shqiptare.
Përmes penelit, vizionit estetik, konceptit dhe ndjeshmërisë së rrallë artistike, Shyqyri Sako nuk ndërtoi thjesht dekore dhe hapësira me skenografi filmike, por solli një botë të pasur dhe të larmishme me atmosferë, kohë, kujtesë dhe shpirt në ekranin e madh.
Në çdo film ku ai la gjurmën e tij, arti pamor u bë pjesë organike dhe e qenësishme e rrëfimit kinematografik, duke i dhënë figurës filmike identitet, frymë dhe autenticitet.
Ai ishte nga ata artistë krijues të heshtur, ndër më prodhimtarët dhe më cilësorët, që nuk kërkuan kurrë famë nën dritën e protagonizmit, por që me punën e tyre të palodhur dhe të pashembullt, plot pasion, talent e përulësi, e ndriçuan mrekullisht vetë historinë e filmit shqiptar.
Një jetë e tërë e lidhur me artin, me studiot dhe atelietë gjigante të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, me dekorin, me ngjyrën, me imazhin dhe me atë punë të palodhur orar dhe pa orar, që publiku artdashës rrallë e sheh së afërmi, ngase e gjitha kjo ndodh pas kuintave dhe pas ekranit të madh, por që në fakt pa të cilën, filmi nuk do të kishte frymë, nuk do të kishte kuptim.
Shyqyri Sako i përkiste atij brezi sivëllezër krijuesish të të njëjtit zeje, po aq të talentuar në mjeshtërinë e tyre si: Namik Prizreni, Alush Shima, Arben Basha, Astrit Tota, Kleo Nini, Azis Karalliu, Myrteza Fyshekati, Sali Allmuça, Grigor Ikonomi, Vlash Droboniku, Fisnik Pulaj, Ilia Xhokaxhi, Bujar Luca, Dhimitër Theodhori, Suzana Varvarica, Bujar Zaimi, etj.

Të gjithë së bashku, gur – gur, ndërtuan dhe fuqizuan themelet e kinematografisë së re bashkëkohore shqiptare në kohët më të vështira, mes kufizimesh, sakrificash dhe mungesash të shumta materiale, por me përkushtim të jashtëzakonshëm, me një aspiratë dhe një idealizëm frymëzues, me një dashuri të pakushtëzuar për artin që e sjell me magji vetëm ekrani i madh i kinemasë.
Dhe në këtë plejadë artistësh, emri i Shyqyri Sakos mbetet i lidhur natyrshëm me atë brez pionierësh që e deshën kinemanë me pasion të pakushtëzuar dhe që i shërbyen asaj me përulësi, dinjitet dhe madhështi krijuese.
Për më shumë se pesë dekada, Shyqyri Sako mbeti një nga emrat më të domethënës dhe shumë të rëndësishëm të pikturës filmike shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në dhjetëra filma artistikë që sot janë pjesë e rëndësishme e fondit të pasur kinematografik.
I lindur në vitin 1937 në Kolonjë, jeta e tij nisi mes vështirësive dhe mungesave të mëdha. Historia e fëmijërisë së tij mbart një dhimbje të thellë njerëzore, ngase i humbi të dy prindërit gjatë bombardimeve që gjermanët bënë në Kolonjë.
Qysh në mituri, ai u rrit jetim në Strehën Vorfnore, duke njohur shumë herët mungesën, vetminë dhe përballjen me jetën e vështirë.
Vetë ai do t’i kujtonte gjithmonë me një mall të përzier me dhimbje ato vite të zymta të fëmijërisë, që kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe në shpirtin e tij. Ishin kujtime që nuk rrëfeheshin thjesht si episode të largëta të jetës, por si plagë të heshtura njerëzore, që koha nuk kishte mundur kurrë t’i shëronte plotësisht.
Në rrëfimin e tij ndjen jo vetëm trishtimin e një fëmije të mbetur jetim mes luftës, por edhe peshën e një epoke të tërë që kishte prodhuar kaq shumë dhimbje, humbje dhe mbijetesë.

Më kujtohet si sot, në muajin mars të vitit 2013, kur së bashku me gazetaren e njohur të filmit dokumentar, Beti Njuma, falë nismës dhe punës së palodhur hulumtuese dhe arkivore të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, po përgatitnim dokumentarin “Shtëpia e dashurisë”, një projekt i ideuar dhe konceptuar personalisht prej meje.
Dokumentari u realizua në një version të zgjeruar, i ndarë me dy pjesë, në kuadër të 95-vjetorit të krijimit të “Strehës së Parë Vorfnore”, institucionit që për dekada kishte mbajtur mbi supe fatet e dhimbshme të fëmijëve më të pambrojtur të këtij vendi.
Ishte një projekt sa historik, po aq thellësisht njerëzor dhe emocional, që synonte të sillte në ekran jo vetëm kronikën e gjallë dhe rrugëtimin e gjatë të një institucioni humanitar me peshë të veçantë në memorien sociale shqiptare, por edhe dramën e heshtur shpirtërore të mijëra fëmijëve të braktisur nga lufta, varfëria, pamundësia dhe ashpërsia e kohës.
Përmes këtij dokumentari, ne përpiqeshim të rindërtonim jo thjesht historinë e një strehe, por kujtesën njerëzore të një dhimbjeje kolektive, të atyre jetëve të vogla që, mes mungesës dhe vetmisë, kërkuan të mbijetonin falë dashurisë, përkujdesjes dhe shpresës.
Gjatë përpunimit dhe sistemimit të materialit lëndor për ndërtimin e strukturës filmike të këtij dokumentari, menduam që rrëfimi të mos mbështetej vetëm mbi fotografi arkivore, faksimile dokumentesh apo materiale të vjetra filmike, por të ndërtohej si një mozaik i gjallë dëshmish njerëzore, të afta për t’i dhënë dokumentarit frymë, puls dhe ndjeshmërinë e munguar të së vërtetës historike.
Dokumentari do të përfshinte pesë etapa të mëdha të rrugëtimit të këtij misioni humanitar: duke nisur nga veprimtaria humanitare e motrave stigmatine në zonat e veriut dhe të Nënshkodrës; periudha e Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar; koha e mbretërisë; vitet dramatike të pushtimit italian; periudha e komunizmit, e deri në vitet pas rënies së sistemit totalitar.
Në këtë mënyrë, filmi synonte të rindërtonte jo vetëm historinë institucionale të kujdesit ndaj jetimëve, por edhe dramën e heshtur njerëzore që kishte kaluar përmes dekadave të tëra.
Në thelb, ky ishte rrëfimi i një historie të gjatë sakrifice, mbijetese dhe dinjiteti njerëzor, përgjatë një periudhe gati një shekullore.
Rrëfimet e tyre të rralla sillnin dëshmi rrëqethëse — herë të mbushura me dhimbje therëse, herë me mall të pafund e mungesa të pashlyeshme — por mbi të gjitha me një humanizëm tronditës, që e kthente dokumentarin në një pasqyrë të thellë sociale, psikologjike dhe antropologjike të shoqërisë shqiptare në periudha të ndryshme historike.
Një pjesë e konsiderueshme e personazheve të përfshirë në këtë dokumentar ishin figura të njohura të jetës publike shqiptare, të cilët, përtej identitetit të tyre profesional dhe shoqëror, mbartnin edhe një tjetër dimension thellësisht njerëzor, ngase ata ishin protagonistët realë të historisë së jetës së fëmijëve jetimë, të rritur në strehimoret dhe institucionet e përkujdesjes sociale të vendit, që nga koha e Strehës së Parë Vorfnore gjatë periudhës së mbretërisë, në vitet e pushtimit italian, gjatë regjimit komunist dhe deri në tranzicionin e vështirë pas rrëzimit të sistemit.
Mes tyre në këtë dokumentar spikasnin emra të njohur dhe me kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës shqiptare, si: Kiço Fotiadhi, gazetari dhe spikeri i mirënjohur i RTSH-së, i rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë; Petraq Qafëzezi (shkrimtar, skenarist dhe poet), i rritur në Strehën Vorfnore në kohën e pushtimit italian; Prof. Dr. Lekë Sokoli, sociolog dhe pedagog i njohur shqiptar, i rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër; Prof. Bejkush Birçe, ish-futbollist dhe trajneri i mirënjohur i Kombëtares shqiptare, i cili u rrit në Shtëpitë e Fëmijës në Vlorë dhe Durrës; kirurgu i njohur Dr. Astrit Kalenja, ish-ministër i Shëndetësisë në vitin 1997, i rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër; publicisti dhe kineasti Kolec Traboini, po ashtu i rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, etj.
Përmes dëshmive të tyre të drejtpërdrejta, këto personalitete nuk sillnin vetëm kujtime personale dhe rrëfime biografike, por rikthenin në ekran një pjesë të historisë sociale dhe njerëzore të Shqipërisë, të parë përmes syve të fëmijëve që u rritën pa familje, por që, falë vullnetit, përpjekjeve dhe forcës së karakterit, arritën të bëhen figura të respektuara dhe me kontribute të çmuara në shoqërinë shqiptare.
Një ndër personazhet më prekës të këtij dokumentari ishte edhe piktori i njohur i filmit shqiptar, Shyqyri Sako.
Në dëshminë e tij, ai rikthente me një kthjelltësi të admirueshme, por edhe me një dhimbje të heshtur, ngjarjet e 4 tetorit të vitit 1944 — ditën kur qyteti i Korçës u çlirua nga pushtuesit — në një kohë kur ai ishte vetëm shtatë vjeç.
Pikërisht atë ditë, ai u strehua në një qendër jetimoreje të administruar nga murgesha katolike italiane, të cilat e pastruan, e lanë, e veshën me rroba të reja, i dhanë ushqim, i siguruan një shtrat ku të flinte dhe më pas u kujdesën për mirërritjen, edukimin dhe shkollimin e tij.
Në atë kohë, ai ishte vetëm një fëmijë i vogël, i hedhur papritur përballë tragjedisë së jetës, në një Shqipëri të rrënuar nga lufta, uria dhe varfëria. Ai dhe i vëllai, dy vjet më i madh, kishin mbetur jetimë, pasi nëna e tyre ishte vrarë gjatë bombardimeve, ndërsa ndodhej me partizanët në mal, bashkë me dy fëmijët e saj.
Kur e rrëfente këtë pjesë të jetës, në sytë e Shyqyri Sakos dukej sikur rikthehej ende ai fëmija i trembur i luftës, që mbante mbi supe barrën e një dhimbjeje shumë më të madhe se mosha e tij.
Ai kujtonte me detaje çastin se si nëna e kishte veshur me rroba partizani dhe se si, megjithëse ende fëmijë, shërbente si korrier për partizanët, duke u çuar letra dhe ujë të plagosurve në mal. Ishte një jetë e grabitur para kohe nga fati i keq, ku loja e fëmijës së parritur ishte zëvendësuar nga lufta, ndërsa pafajësia nga instinkti i mbijetesës. Në kujtimet e tij, dukej sikur një fëmijë i vogël ishte detyruar të plakej përpara kohe nga dhimbja dhe tragjedia.
Në të vërtetë, rrëfimi i Shyqyri Sakos nuk ishte vetëm historia personale e një artisti të madh të filmit shqiptar, por portreti i një brezi të tërë fëmijësh shqiptarë, të cilëve lufta ua kishte rrëmbyer fëmijërinë, nënën, babain, familjen dhe sigurinë shpirtërore. E megjithatë, ata arritën të mbijetonin dhe më pas të ngriheshin mbi tragjedinë e tyre, duke i dhënë jetës kuptim përmes artit, punës dhe dinjitetit njerëzor.
Pikërisht kjo dramë e hershme njerëzore duket se e bëri edhe më të ndjeshëm shpirtin artistik të Shyqyri Sakos, i cili më vonë do t’i jepte filmit shqiptar jo vetëm ngjyra, dritë dhe kompozim estetik, por edhe një ndjeshmëri të rrallë humane, të lindur nga vetë përballja e tij me dhimbjen, humbjen dhe jetën.
Në njëfarë mënyre, pas çdo imazhi artistik që ai krijoi për filmin shqiptar, dukej sikur fshihej ende heshtja e atij fëmije jetim, që kishte njohur shumë herët fytyrën më të ashpër të kohës. Pikërisht nga ajo plagë e hershme njerëzore duket se lindi edhe ndjeshmëria e tij artistike, ajo aftësi për ta kuptuar thellë njeriun si qenie humane, atmosferën, dramën dhe emocionin.





Ndoshta vetëm ata që kanë kaluar nëpër skuta të tilla të errëta të dhimbjes, vetmisë dhe trishtimit, arrijnë të krijojnë më pas kaq shumë dritë dhe shpresë për vete dhe për të tjerët përmes artit. Rruga e tij drejt pikturës dhe filmit ishte rruga e një njeriu që e ndërtoi vetveten me mund, me shumë punë dhe talent.
Studioi për tre vite në Moskë, në Institutin e njohur të Artit VGIK, një nga shkollat më prestigjioze të kinematografisë në botën lindore të asaj kohe. Edhe pse nuk mundi t’i përfundonte studimet atje, ai e vazhdoi rrugën akademike në Tiranë, duke u bërë më pas pjesë e brezit themelues të artistëve të institucionit të rëndësishëm të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Në vitin 1963 nisi punën në Kinostudio dhe, që nga filmi i tij i parë “Detyrë e posaçme”, emri i Shyqyri Sakos do të lidhej pazgjidhshmërisht me historinë vizuale të filmit shqiptar. Për dekada me radhë, ai krijoi dekore, ambiente, objekte, atmosferë dhe identitet estetik në sheshxhirime anembanë vendit për shumë filma artistikë shqiptarë, deri në vitin 1997, kur edhe doli në pension.
Gjatë veprimtarisë së tij artistike në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Shyqyri Sako kontribuoi në realizimin e rreth 40 filmave artistikë shqiptarë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kinematografisë shqiptare. Nuk është aspak rastësi që një pjesë e konsiderueshme e filmave më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare — vepra që tashmë janë shndërruar në kujtesë kolektive dhe në pasuri të vyer të identitetit tonë kulturor — mbajnë gjurmën krijuese, vizionin estetik dhe firmën artistike të tij si bashkautor dhe bashkërealizator në ekip për shumë vepra të rëndësishme filmike. Emri i Shyqyri Sakos, natyrshëm, lidhet me një epokë të tërë të imazhit kinematografik, me mënyrën sesi u konceptua hapësira filmike, atmosfera dramatike dhe vetë fryma vizuale e një arti që kërkonte të fliste jo vetëm përmes fjalës, por sidomos përmes imazhit dhe figurës.
Filmat ku ai dha kontributin e tij artistik nuk janë thjesht prodhime të një kohe të caktuar, porse ato përbëjnë një kronikë të gjallë të ndërgjegjes historike shqiptare, një mozaik emocionesh, dramash njerëzore dhe përplasjesh sociale që pasqyrojnë rrugëtimin e një shoqërie të tërë.
Përmes tyre kalojnë periudha kyçe të historisë sonë kombëtare: qëndresa për mbijetesë dhe identitet, lufta antifashiste, sakrificat për liri, vitet e vështira të rindërtimit, transformimet sociale dhe kulturore të pasluftës, dramat morale të individit dhe tensionet e heshtura psikologjike që mbartte vetë koha.

Në këtë univers filmik, Shyqyri Sako nuk ishte thjesht një piktor filmi apo një mjeshtër i dekorit skenik. Ai mund të konsiderohet pa asnjë hezitim arkitekt i atmosferës shpirtërore të filmit shqiptar, ngase me intuitën e një artisti të rrallë dhe me kulturën vizuale të një krijuesi të formuar, arriti të ndërtojë hapësira të larmishme dhe të pafundme që flisnin po aq sa personazhet, dritëhije që zbërthenin psikologjinë e kohës dhe kompozime pamore që mbartnin simbolikë sociale e antropologjike.
Në filmat historikë dhe ata me tematikë lufte, ai krijoi një estetikë të qëndresës shqiptare, ku peizazhi, arkitektura, ngjyrat dhe detaji etnografik nuk ishin elemente dekorativë, por pjesë organike e rrëfimit.
Në filmat me temë sociale, ai solli me realizëm poetik jetën e përditshme shqiptare, duke evidentuar kontrastet mes varfërisë dhe shpresës, mes sakrificës dhe ëndrrës, mes dramës individuale dhe fatit kolektiv.
Ndërsa në filmat për fëmijë apo ata me frymë lirike, ai dinte të krijonte një atmosferë të ngrohtë humane, ku ndjeshmëria artistike bëhej pjesë e edukimit emocional të brezave.
Pikërisht për këtë arsye, filmat ku ai la gjurmën e tij vazhdojnë të mbeten të ndjekur dhe të dashur për publikun edhe sot, sepse në ta nuk jeton vetëm historia e treguar, por edhe shpirti i një kohe. Aty jeton kujtesa urbane dhe rurale e Shqipërisë së dikurshme, antropologjia e jetës sonë kolektive, mënyra si banonim, si visheshim, si ushqeheshim, si punonim, si ëndërronim, si përjetonim dhimbjen, luftën, idealet dhe aspiratat, dashurinë, por edhe shpresën.
Këta filma nuk përfaqësojnë thjesht suksesin individual të një artisti të talentuar, por njëherazi dëshmojnë edhe rolin e pazëvendësueshëm që arti pamor pati në ndërtimin e gjuhës estetike të kinemasë shqiptare. Dhe në këtë histori të vyer të filmit shqiptar, emri i Shyqyri Sakos mbetet një nga gurët e themelit mbi të cilët u ngrit dhe u konsolidua identiteti vizual i tij.
Ndaj nuk është aspak rastësi që një pjesë e konsiderueshme e veprave më të arrira të kinematografisë shqiptare mbajnë edhe firmën krijuese të tij, duke dëshmuar rolin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që pati në formësimin estetik e vizual të filmit shqiptar.
Mes tyre spikasin filmat e mirënjohur për publikun shqiptar: “Detyrë e posaçme” (1964), “Toka jonë” (1964), “Vitet e para” (1965), “Komisari i dritës” (1966), “Duel i heshtur” (1967), “Horizonte të hapura” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Montatorja” (1970), “Kapedani” (1972), “Odisea e tifozëve” (1972), “Operacioni Zjarri” (1973), “Duke kërkuar pesëorëshin” (1974), “Rrugë të bardha” (1974), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Dimri i fundit” (1976), “Tokë e përgjakur” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Pas gjurmëve” (1978), “Mësonjëtorja” (1979), “Nga mesi i errësirës” (1979), “Radiostacioni” (1979), “Karnavalet” (1980), “Mëngjeset e reja” (1980), “Shoku ynë Tili” (1981), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Duaje emrin tënd” (1984), “Ëndërr për një karrige” (1984), “Asgjë nuk harrohet” (1985), “Fjalë pa fund” (1987), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Hetimi vazhdon” (1988), “Shkëlqimi i përkohshëm” (1988), “Shpella e piratëve” (1990), “Përdhunuesit” (1994) dhe “Plumbi prej plasteline” (1994).
Natyrisht, në këtë mori filmash, ndër më të rëndësishmit dhe më të suksesshmit e kinemasë shqiptare, që mbajnë si autor të imazhit dhe konceptimit pamor piktorin Shyqyri Sako, një peshë të veçantë në suksesin e tij ka pasur edhe bashkëpunimi në ekipin realizator me krijues dhe emra të shquar të artit dhe kulturës shqiptare.
Mes skenaristëve që ai bashkëpunoi, spikatin emra të njohur si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Nasho Jorgaqi, Kiço Blushi, Neshat Tozaj, Dhimitër Xhuvani, Agim Gjakova, Natasha Lako, Gjergj Zheji, Teodor Laço, Nexhat Tafaj, Nasi Lera, Skënder Plasari, Mark Dodani, Enver Isufi dhe Skifter Këlliçi, etj.
Po aq të rëndësishëm në realizimin artistik të këtyre filmave kanë qenë edhe regjisorët: Xhanfise Keko, Kristaq Dhamo, Viktor Gjika, Rikard Ljarja, Hysen Hakani, Esat Ibro, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro, Mark Topallaj dhe Muharrem Fejzo.
Në ndërtimin e gjuhës filmike dhe të estetikës së figurës kontribuuan gjithashtu operatorë të shquar si: Ilia Terpini, Faruk Basha, Bardhyl Martiniani, Saim Kokona, Spartak Pecani, Gavrish Haxhihyseni, Pëllumb Kallfa dhe Petraq Lubonja.
Ndërsa dimensioni emocional dhe atmosfera artistike e këtyre filmave u pasuruan edhe nga muzika e kompozitorëve të njohur: Aleksandër Peçi, Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Kujtim Laro, Avni Mula, Limos Dizdari, Zef Çoba, David Tukiçi, Maksim Shehu dhe Tahsim Oshafi.
Këta filma nuk përfaqësojnë thjesht suksesin individual të një artisti të talentuar, por njëherazi dëshmojnë edhe frymën e një bashkëpunimi të madh kolektiv krijuesish, ku arti pamor, letërsia, regjia, muzika dhe kamera u ndërthurën për të ndërtuar identitetin estetik të kinemasë shqiptare. Dhe në këtë histori të vyer të filmit shqiptar, emri i Shyqyri Sakos mbetet mjaft domethënës mbi të cilët u ngrit dhe u konsolidua identiteti vizual i tij.
Ai ishte ndër ata artistë që nuk e konceptonin kinemanë thjesht si një art pamor, por si një univers të tërë njerëzor, kulturor dhe shpirtëror, ku çdo detaj duhej të kishte frymë, kujtesë dhe identitet. Gjithmonë karakterizohej nga një inteligjencë e rrallë profesionale, nga një kulturë e gjerë shumëplanëshe artistike dhe nga një disiplinë e përgjegjësi krijuese shembullore, që e shoqëronte në çdo etapë të procesit të tij krijues.
Përpara se të ndërtonte imazhin filmik të skenave, hapësirave, kostumografisë apo atmosferës vizuale të një filmi, piktori Shyqyri Sako hynte thellë në botën dramatike të skenarit. Ai nuk mjaftohej vetëm me leximin teknik të ngjarjes përmes skenarit, por kërkonte të kuptonte në thelb shpirtin e saj: kohën historike ku zhvillohej rrëfimi, psikologjinë e personazheve, marrëdhëniet sociale, klimën emocionale dhe strukturën antropologjike të trevave shqiptare ku mbështetej narrativa filmike.
Për të, filmi nuk ishte thjesht një rrëfim i vendosur përpara kamerës, por një organizëm i gjallë artistik, ku çdo element merrte funksion dhe kuptim të vetin estetik e dramatik.
Një derë e vjetër, një dritare gjysmë e hapur, një rrugicë e ngushtë, ngjyrat dhe motivet e një kostumi, mënyra se si vendosej një objekt në hapësirë, apo edhe gjendja e motit — dielli i butë, vranësira e rëndë, bora apo shiu i rrëmbyeshëm — nuk ishin thjesht sfond, por pjesë aktive në funksion të narrativës filmike.
Të gjitha këto detaje, të vëzhguara dhe të përzgjedhura me kujdes të hollë, merrnin peshë emocionale dhe shndërroheshin në gjuhë vizuale që fliste vetë. Pikërisht në këtë mënyrë ai e ndërtonte imazhin me një ndjeshmëri të rrallë estetike dhe me një vërtetësi të thellë njerëzore, duke i dhënë çdo skene jo vetëm bukuri pamore, por edhe jetë të brendshme shpirtërore.
I gjithë ky proces realizohej në një bashkëpunim të ngushtë krijues me regjisorin, skenaristin, operatorin dhe kompozitorin e filmit, sepse Shyqyri Sako besonte se arti i kinemasë lind nga harmonia e mendimeve dhe nga uniteti i vizionit artistik. Ai përpiqej që përmes skenografisë, ngjyrës, dritës dhe detajit pamor, të krijonte një identitet autentik për filmin, duke e bërë narrativën sa më organike, sa më të besueshme dhe sa më pranë realitetit jetësor shqiptar.
Në kërkim të kësaj vërtetësie artistike, ai udhëtonte pareshtur nëpër qytete, fshatra, male e krahina të Shqipërisë. Ai shkelte çdo rrugë, çdo oborr, çdo shtëpi karakteristike, jo vetëm për të parë peizazhin fizik, por edhe për të depërtuar thellë në memorien kulturore dhe shpirtërore të njerëzve.
Artisti studionte me kujdes zakonet, mënyrën e jetesës, traditat, etnografinë, veshjet popullore, arkitekturën, objektet e përdorimit të përditshëm dhe psikologjinë kolektive të komuniteteve shqiptare, sepse e dinte se autenticiteti i filmit lind nga njohja e thellë e jetës reale.
Parë në këtë këndvështrim, Shyqyri Sako nuk ishte thjesht një piktor i rafinuar i filmit, por një studiues i heshtur i shpirtit shqiptar, një antropolog skrupuloz i imazhit, pse jo dhe një arkitekt i memories vizuale të kinemasë sonë.
Përmes artit të tij, ai arriti të ruajë në film jo vetëm atmosferën e kohës, por edhe identitetin kulturor, emocional dhe social të një kombi të tërë. Kjo është edhe arsyeja përse krijimtaria e tij mbetet edhe sot një shkollë e vërtetë profesionalizmi dhe estetike, ku arti i imazhit bashkohet me kulturën, historinë dhe psikologjinë njerëzore, duke i dhënë filmit shqiptar jo vetëm bukuri pamore, por edhe thellësi shpirtërore e vlerë të qëndrueshme në kohë.
Në çdo film ku ai punoi, ekzistonte dora e një artisti që dinte të fliste përmes emocionit dhe detajit, ngase ai nuk ishte thjesht një realizues dekori, por një përjetues dhe krijues i mirëfilltë i botës filmike, ngase përmes ngjyrës, hapësirës dhe objektit, Shyqyri Sako arrinte të ndërtonte kohën, psikologjinë dhe frymën e filmit.
Punët e tij nuk ishin vetëm skenografi, por atmosferë, kujtesë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, si pjesë e padukshme e emocionit që publiku e ndjen edhe sot në ekran. Talenti dhe kontributi i tij herë pas here është vlerësuar edhe nga institucionet shtetërore. Në Festivalin e Katërt të Filmit Shqiptar që u mbajt në datat 20 – 26 prill të vitit 1981, ai u nderua me medalion për punën artistike në dekorin dhe rekuizitën e filmit “Mësonjëtorja”, një nga filmat ikonikë të kinematografisë shqiptare. Ndërkohë mbante titullin e lartë: Artist i Merituar. Por, përtej çmimeve, vlera më e madhe e tij mbetet trashëgimia që la pas në kulturën shqiptare.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i krijimtarisë së tij ishte edhe arti i afishit filmik (posteri i prezantimit të filmave shqiptarë). Shyqyri Sako krijoi një pjesë të konsiderueshme të koleksionit të afisheve të filmit shqiptar, të cilat sot ruhen si pasuri e vyer kulturore dhe historike në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).Në ato afishe nuk kishte vetëm grafikë dhe ngjyrë, por jetë dhe frymën e një kohe, estetikën e një epoke dhe identitetin vizual të kinemasë shqiptare.

Javën që shkoi, më 15 maj 2026, artisti dhe piktori më i dashur i pelikulës së filmit artistik shqiptar, Shyqyri Sako, mbylli sytë përgjithmonë duke bërë një ikje të qetë, ashtu siç edhe ishte në jetën e tij 89-vjeçare.
Ikja e tij sjell jo vetëm dhimbjen njerëzore për një mik e artist të rrallë, por edhe reflektimin për fatin e atyre krijuesve të heshtur që i dhanë kulturës shqiptare gjithçka, pa kërkuar asgjë në këmbim, pa kërkuar asnjëherë duartrokitje.
Shyqyri Sako ishte nga ata artistë që me talentin e tij nuk ndërtoi zhurmë dhe bujë rreth vetes, ngase i përkiste atij brezi artistësh që besonin se puna flet vetë, flet ende sot, në çdo kornizë filmi, në çdo dekor, në çdo afishe dhe në çdo kujtim të brezave që u rritën me filmat shqiptarë. Për ata që e njohën nga afër, ai mbetet edhe më shumë se një artist: një njeri fisnik, i pafjalë, i thjeshtë dhe me një botë të brendshme të pasur, që jetën kishte mësuar ta përballonte me dinjitet që në fëmijëri.
Me largimin e tij nga jeta, mbyllet rrugëtimi i një artisti aspak të zakonshëm, emri i të cilit lidhet ngushtësisht me historinë e kinemasë shqiptare. Ndarja nga jeta e piktorit të filmit shqiptar Shyqyri Sako nuk është vetëm humbja e një artisti të shquar, por edhe shuarja e një kujtese të gjallë e epokës më përfaqësuese të kinematografisë sonë kombëtare. Me ikjen e tij fizike largohet një prej dëshmitarëve më autentikë të krijuesve të asaj kohe kur arti ndërtohej me pasion, sakrificë dhe dashuri të pakushtëzuar për filmin dhe kulturën shqiptare.
Ndaj kujtimi i tij nuk do të mbetet vetëm në arkiva, imazhe, postera apo titra filmash, por, mbi të gjitha, në kujtesën shpirtërore të kinematografisë shqiptare.
Tiranë, e diel – 17 maj 2026


