KreuLetërsiBibliotekëEnver Kushi: Shpirti i reve (tregim)

Enver Kushi: Shpirti i reve (tregim)

Ne po pinim kafe në një lokal në Rrugën e Kavajës, që është mes kishës katolike dhe asaj ortodokse. Ishte vjeshtë dhe qielli i Tiranës dukej i mbarsur me re shiu. Me mikun tim kemi punuar dikur në Kinostudio, që ndodhej në lindje të Tiranës e ku mali i Dajtit dukej afër dhe stinët e kryeqytetit vinin e iknin si në filma serialë, me retë e shumta të vjeshtës, dëborërat, gjelbërimin e pranverës dhe erërat e freskëta të verës. Në ato vite miku im ishte i gjatë, me sy të mprehtë dhe gjithmonë i buzëqeshur, sikur të ishte më i lumturi në botë. Për këtë ai binte në sy menjëherë, veçanërisht në shoqëri me vajzat, që e shprehnin hapur simpatinë për të.

Teksa po bëhesha gati t’i thosha, se kur mendonte ta hapte ekspozitën fotografike “Shpirti i reve”, befas ai u ngrit dhe doli me nxitim jashtë. Ndoqa lëvizjet e tij, trupin e kërrusur, që kaloi rrugën dhe u gjend në trotuarin mes rrugëve, ku kumbullat e kuqe lëkundeshin nga era e fortë. Pastaj u kthye, u ul pa thënë asnjë fjalë, duke u kujdesur për aparatin fotografik, që e vuri në karrigen bosh. I thashë se kafeja po i ftohej e se… E di pse dola me kaq nxitim, tha duke rrufitur kafenë e ftohtë. Nuk mund të lija retë e shiut, që vraponin. Ishin tri re, që sikur bënin garë për të shkuar në Dajt… Eh! Çfarë momenti i rrallë, shtoi. Bashkë me retë, fotografova edhe zonjën re, zonjën e vetmuar re.

Dhe ndërsa do ta pyesja se ku e kishte fjalën, ai mori aparatin fotografik dhe më tregoi në ekranin e vogël atë: zonjën re. Ajo del vetëm kur bie shi, tha miku im. Është një zonjë e gjatë, që ecën ngadalë dhe hedh vështrimet mbi kumbullat e kuqe dhe qiellin me re. Shihe. Shihe, tha. Këtej kalojnë shumë zonja të vetmuara, që mbajnë edhe qen. Por kjo është ndryshe… Shumë ndryshe. E fotografova kur qëndroi në mes të trotuarit dhe ngriti kokën, duke vështruar tri retë, që vraponin drejt Dajtit.

U ngrit prapë dhe me të njëjtin nxitim dhe trupin e kërrusur, doli jashtë. Eh, mendova. Miku im, një nga operatorët më të mirë të filmit shqiptar, tashmë në këtë moshë, merrej me fotografimin e reve të Tiranës. Këtë e bën çdo ditë dhe në të gjitha stinët. Çohet që pa lindur dielli dhe fikson në aparatin e tij retë e vogla në lindje. Re në kodrat e buta, që qarkojnë kryeqytetin. Re mbi sheshin “Skënderbej”. Re te Parku i Madh. Re mbi liqen. Te kodrat e Saukut. Re në perëndim. Të bardha. Gri. Dielli mes reve. Edhe hëna e plotë e rrethuar me re.

Jashtë ka nisur shiu, tha pasi u kthye dhe u ul. Rrufiti pikën e fundit të kafesë dhe tha se zonja e vetmuar e reve vazhdonte të ecte qetë-qetë, pa çadër, në trotuarin e mesëm të Rrugës së Kavajës. Pastaj heshti.

Vështrova me vëmendje sytë e tij gri, një gri si i reve të vjeshtës së vonë. Dikur, kur ishte më i ri ata kishin ngjyrë tjetër, blu të hapur. Vajzat e bukura të Kinostudios marroseshin nga ata sy dhe e ftonin shpesh për kafe, në lokalin e vogël, jo shumë larg godinës qendrore.

Eh dikur, mendova. Atëherë, ishim më të rinj. Atëherë…

Miku im më foli prapë për ekspozitën që do të hapte në një nga sallat e Akademisë së Arteve me fotografi nga qielli i Tiranës dhe retë. I thashë se do të jetë një ekspozitë e veçantë dhe gjetje. Befas në sytë e tij u rikthye bluja e hapur. I thashë se më dukej i bukur edhe titulli i ekspozitës… Retë kanë shpirt, tha ai. Ke të drejtë, i thashë. Ke të drejtë. Dhe i fola për Sarandën, kur vite e vite më parë, gjatë gushtit të muajit të mjaltit, pasditeve binte vazhdimisht shi. Retë vinin nga kanali i Korfuzit, ndoshta nga hapësirat dhe qiejt e Epirit tim dhe pasi përqafoheshin me Korfuzin, nxitonin drejt Sarandës. Ti i fotografove,  pyeti miku im. I thashë se u përpoqa të fotografoj vetëtimat e shumta, se…

Ti ike,

Hapi yt u shua,

dhe qielli gjithashtu u largua i tretur

si re e kaltër prej pluhuri…

Ai i dëgjoi me vëmendje këto vargje, të një poeti të madh grek, që m’u kujtuan dhe pasi heshti gjatë tha: A të thashë që retë kanë shpirt?

Po binte muzgu, kur dolëm në trotuar. Frynte erë e fortë. Miku im më tha që do takoheshim ditën e enjte dhe më premtoi që do më dhuronte fotografinë e “Zonjës së reve”.

Ai mori trotuarin e mesëm, duke ecur ngadalë e i kërrusur. E ndoqa gjatë siluetën e tij, teksa u kthye në të majtë, në rrugën e ish Radio Tiranës.

E enjtja erdhi shpejt. E kishim lënë takimin në orën dhjetë. Dita ishte e qetë dhe qielli i Tiranës pa re. Hyra në lokal dhe u ula në tavolinën e zakonshme. Ora po kalonte dhjetën.

Miku im ishte shumë korrekt. Dhe teksa shihja herë pas here orën, duke parë nga dera e hapur e lokalit, dëgjova zërin e kamerierit, që pasi më uroi mirëseardhjen, u ul në karrigen ku zakonisht ulej miku im. Ah zotëri, nisi të flasë djaloshi. Miku juaj nuk do të vijë. Të ka marrë në telefon, pyeta unë. Ah, zotëri… Ai vdiq dje pasdite vonë. Shtanga. Erdhi dje pasdite dhe u ul këtu, tha kamerieri. Porositi kafe. Pasi e piu, nxori nga çanta një fotografi dhe e vuri mbi tavolinë. Pastaj u ngrit dhe doli në trotuar. Pashë që po fotografonte qiellin dhe retë, vazhdoi kamerieri. Pastaj ra. Ra në trotuar. Dola me vrap jashtë. Ai ishte i shtrirë në trotuar. Ishte pa jetë. Më kupton? Pa jetë. Erdhi menjëherë ndihma e shpejtë. Dëgjova që thanë se kishte vdekur nga një atak në zemër. Arrest kardiak, dëgjova, një nga mjekët, tha kamerieri.

U ngrita. Nuk e di ku isha. Si ka mundësi, thashë teksa dola nga lokali. Qëndrova si i ngrirë, duke parë kumbullat e kuqe dhe qiellin pa re të Tiranës. Zotëri! Zotëri! Ishte zëri i kamerierit, që më solli në vete. Ai më zgjati fotografinë, që miku im e kishte lënë mbrëmë mbi tavolinë. Re gri. Tri re gri. Ca degë të kumbullës së kuqe dhe portreti i një zonje që vështron retë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË