KreuLetërsiBibliotekëDaniel Leuwers: Dashuria heshtje (poezi)

Daniel Leuwers: Dashuria heshtje (poezi)

Daniel Leuwers (1940) është një emër i veçantë në letërsinë e sotme franceze. I njohur kryesisht si poet, ai është po ashtu autori i konceptit të “librit të varfër”, që kupton shtypjen e poezisë në libra të vegjël e të lirë, me qëllim përhapjen e saj me lehtësi. Deri edhe botuesi kryesor francez, Gallimard, e mori këtë koncept të suksesshëm për ta përfshirë në katalogun e tij.
Por vepra e Daniel Leuwers është e gjerë dhe shkon shumë përtej poezisë, duke përfshirë prozë, udhëpërshkrime, eseistikë. Ai është po ashtu President i AICL (Association Internationale de la Critique Littéraire) Shoqata Nderkombëtare e Kritikës Letrare.

Përktheu nga origjinali: Besnik Mustafaj

Dashuria heshtje

Nuk dihet mirë ku mund të çojë
një histori dashurie,
qoftë ajo e vërtetë
apo brumë për të gatuar
histori të pafundme,
histori vrasjesh,
xhelozie,
larje hesapesh,
çmenduri me rrahje dhe plagë
madje dhe një dënim me burg
për dhunë

Historitë e dashurisë mund të jenë të hidhta
medet
dhe të mbyllen keq
Por do besuar te mrekullia
e rrallë
do ngritur lart e më lart
ideali i dashurisë së marrë

e marrë sa të mos e mbërrijë kurrë
një ideal që pa dyshim nuk ekziston
sepse kështu shkon jeta
mbi varkën e vet të lëkundshme

urë lundruese zhytur në Loire
nën vështrimin përqeshës të një geri
(ama pa teprime humori të zi)

Dashuria
është thesari i librave
Ana Kaernina e Tolstoit
Ema Bovari e Floberit
por dhe Fragmentet e Roland Bartit

Poezia nuk matet dot me vepra të tilla
po u kënaq me nishane pëlqimi
për të cilat trupi sajon maska lojcake
Poezia nuk do katandisë vetëm te brengë e dashurisë
as te humbja e saj e paepur që lyp heshtje të madhe
as te yçklat e “shtërzimeve të zisë”
ku stërhollimi i fillit bëhet urtësi për thurje
me vargun e vajtojcave nga pas

Heshtje
po heshtje
se harku i dashurisë
shpesh kthehet në bumerang

Heshtje
po heshtje
se qelqet e përshkuara nga liria
thërmohen
kur dëgjojnë vaj
të rremë

Po dashuria është shkenca e heshtjes
dhe shkëlqimi i valles
para qeshjes me shpirt
që mbytet
nga pahijeshia e lëkundshme
dhe nga dukja e vrazhdë

Dashuria në pikturë

Maria Desmée

Në monotipin e copëtuar
të Maria Desmée ne dallojmë
diellin e vijëzuar me anë gërmimesh të errëta
në një garë të shumëfishtë
ku dashuria niset në shumë pista
njëherash

Në qendër të hapësirës është një zjarr
ku piktorja
fshehtas
detyron botën të pranojë
bojën blu të jetës së vërtetë
që shpërthen
për t’i dhënë mbijetesë
një lumi të dorëzuar
te kallamat e pritjes
dhe te bishtat e ditës
ku përndritet nata.

Dhe ja xixëllonjat
frymojnë emocionin tonë
dhe zgjasin dëshirën tonë për vazhdim
me një forcë
plot shkëlqim
plot ngazëllim
ku imazhet humbin
në padallueshmërinë e gjirisë së tyre të fshehtë
dhe për hirin e flatruar
të një hovi shumëfish

Merret vesh atëherë
se piktura është një mbështetje
që shpreh më tepër nga ç’mund të shprehë
në plogështinë e vet figurative,
për të shpaluar pasigurinë e dashurisë së pagojë
ku e thëna dhe e pathëna
bartin ngushticat e dëshirës

Harresat dhe parajsat

  1. Romantizmi i vjetruar

Gjithë çfarë kërkon
është brenda teje
dhe vjen veç përmes fjalësh
të rrëmbyera
të copëtuara
herë – herë me shkëlqime qartësish të befta
O në gji ngjyrash që veniten
që treten
tek hera – herës lëshojnë xixa.

Dhe befas dielli na verbon
na mirëpret i vogli port italian
në shtëpinë e lartë terruar nga krimi
pse lindur si njëri dhe tjetri në skaj të një vije
na thonë të pakalueshme
po ne s’i dëgjojmë dhe ecim mbi det
deri në frymën e fundit
deri në zgjim në krahë të njëri – tjetrit

Dhe kështu gjallojmë ne
gurë më gurë
në molin ku dynden gaforret
drejt butësisë së pafund të dy mindilave tanë blu
nderur mbi rërë

  1. Kopsht

Kopshti bën gjumin e pasdrekës
zogjtë sajojnë orkestrën

Rosakët coptojnë zambakët
dhe i shkulin kohës pezullinë

Mbyllin sytë
për të parë si përhapet lumturia

  1. Dashuria dhe harrimi

A gabojnë
dashnorët
kur ëndërrojnë për veten
një varrezë të përbashkët?

Kokat e tyre u prenë
dhe buzët e tyre u shqyen
mbi cumër

Mbeten
veç ca guralecë bojë hiri
në kuadratin e dashnorëve të mallkuar
ku as emrat nuk u janë gdhendur

Ata besonin gjithsesi te parajsa

  1. Paul Celam në Tours

Ai doli nga Bukovina
për të kryer në Tours
Studime për mjekësi
dhe për të kundruar
për fare pak kohë
përgjatë Luarës
para se me bujtë në Paris
pastaj në Senë
që e mban në lesat e saj
me qëllim të gërryej në qiell
“një varr që nuk i rri ngusht”*


*Varg i Paul Celan në poezinë “Lointains”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË