1. PAK DRITË
Pak dritë
O muzg, o erë, o lot,
të vë pak nur në këtë ballë të rrudhosur stinësh, jetësh.
Pak dritë,
o mik, o peng, o mall.
T’i vë këto kujtime në një gur mbi varr. Pak dritë,
të bëjë palë dhimbjen e ekzistencës dhe kërkimin e esencës, sikurse një lapidar heroi të pluhurosur
në sheshe të katandisura prej (mos)kujtimi.
Të qëndis në vete mëndafshin e turbullirës së mendimeve që nuk kanë fund.
Pak dritë,
o njeri, o peng, o kafshë,
të vë në flakë çdo gjë që nuk e dua.
Le ta ndriçojë të gjithë botën para se të më vijë ajo flakë mua. Pak dritë, o errësirë, o gur, o pafajësi.
Të ndaj qeniet mizore nga mizoria e të qenurit viktimë nga një epokë mbijetese e vuajtjesh. Identitetin, përkatësinë, t’i ripërtërijë.
Pak dritë,
në këtë moçal të pamëshirë që gëlltit çdo gjë:
të mirën, të pamundurën, të vërtetën, të drejtën. Me etjen për (mbi)nënshtrim ta vendos barazinë, të qenurit kasap i dijeve të nënshtruara,
në flakë të katandisur lirinë.
Pak dritë,
o vend, o komb, o botë.
Veç pak dritë për një mendje që drita nuk i mjafton ta ndriçojë një botë të tërë. Veç pak dritë.
2. PËRTEJ QEPALLAVE BOSHE
Natës i thashë:
Më rrëmbe… në acarin tënd.
Më mbështjell… në krahët e hënës. Në tym të smogut më tret më bëj… hi. Çfarë isha, më nuk jam.
Nuk shoh më… njësoj.
Nuk eci më rrugëve të njëjta me të njëjtin ngazëllim. M’u tretën… nga kambanat e huaja zërat e ndërgjegjes, që… m’i plagosën.
Natës i thashë:
Jam më e vetmuar se ti.
Zgjohem si vesë e mëngjesit skllave… e mendimeve të huaja. Harrova identitetin tim prej guri…
Zemra më vërshon… rërë.
Nga mendimet e huaja u bëra… më pak vetja. Nuk e di… as ku jam.
Natës i thashë:
A do të agoi ndonjëherë?
A do ta sjellë mëngjesi… aromën e vërtetësisë?
Që mbi të drejtat e mia të mos i hedhin… qepallat boshe. Të mos bëhen më pak… njerëz.
Se çfarë sheh bota nuk është… brendia. Natës i thashë:
Sonte…
qoftë nata e fundit që jetoj në parametra të huaj. Unë u këndella. Jam vetja.
Dhe… nëse nuk më kuptojnë më… s’më plas!
3. NË MESNATË
Kur bota hesht, engjëjt qeshin dhe engjëjt qajnë në të njëjtën kohë për ekzistencën sociale (jo)njerëzore
Djalli pushon kthetrat në mendjet e të paskrupujve duke gjymtuar çdo ndjesi morale të tyre.
Në mesnatë,
Kur thuren vargjet më të ndjera
drita i mbulon me agimin e vërtetësisë. Sa dyfytyrësi në një epokë.
Aty ku shkrihen në heshtje shumë fakte e rrethana që as mesnata nuk është e aftë t’i mbajë në supe. Në mesnatë,
Kur dashuria e sinqertë e pret agimin e kohëve të veta
Me gërshetim ndjenjash përpunohet një luftë shumë qetë.
Edhe Mesnata i mbyll sytë kur e pengon drita e vet.
4. TË JESH ART NË EPOKËN E TË “FJETURVE”
Ekzistoj, nuk më shohin.
Kam hedhur në flatrën e pëllumbit kohë, thelbin e arsyes së ekzistencës. Nuk e gjej dot nën petkun e mizorive njerëzore.
Katandisur nga vetmia. Vetmi… që më kushtoi shume…
Të zgjuarit ekzistuakan …veç e veç, të fjeturit të gjallë …janë me të gjithë… shpeshherë mundohen të jenë edhe mbi të gjithë.
Epokave të errëta, futa krijimet në mesin e dy damarëve të zemrës.
Mbështolla me gjakun tim, melodinë e saj ti mbijetoj kohës… e nxora, dhe e servira në tavolinën e ajrit…
Mu këtu në mes, gjersa po qëndroni, e gëlltisni me prezencën tuaj…
Nuk i duhen epokës së Artë vesh të shurdhër, dhe sy të verbuar në të ndjerë nën lëkurë rrëqethjen e britmave të krijimtarisë njerëzore.
Duhet një rrëmujë në shpirt, një dozë hyjnore në zemër e një penë në dorë teksa gllënjkat e verës frymojnë lirinë e dhimbjes, afshit, pasionit njerëzor në letër….
Na duhet koha të ripërtërijë shpirtrat e vdekur në trupa të gjallë.
Kësaj kohe që të vetmit që mbesin të gjallë, janë po ata që ju flenë veprat nën gjirin e mbuluar në dhe.
5. MJESHTRI I PAVDEKSHMËRISË
Në mendime jam, në to lundroj.
Bindjet më rrëmbejnë furishëm si dallgë të paqena, të pakuptuara nga të tjerët,
të pamëshiruara në asht,
deri në frymën e fundit të arsyes. Në mendime jam.
Sa i duhet qenies të mishërohet me venat e veta, në damarët e ftohtë të struket një acar
ndaj injorancës…
Të rrëmbej tonin e arsyes nga vatra e padijes…
Gjithçka që jam, e kam jetuar; Prandaj e mendoj.
Mendoj sot për pozicionin e mendjes si të pandashme nga veprimet e mia. Gjuha e mendjes është shpeshherë më e pasur se ajo ekspresive.
Në momentin kur arrin kulmin e racionalitetit, shpesh mposhtet nga kujtesa selektive;
herë-herë, me harresën, bëhet injorante, por vorbulla nuk mbrapset lehtë.
I duhet kohë mendimit të evoluojë. I duhet jetë qenies
të krijojë emancipimin e vet si mendje.
I duhet sfidë njeriut
të triumfojë në kalibrin e tij.
Në fund, të gjithë jemi “poetë”: disa në tentativë,
disa të heshtur nga injoranca e mbytur që ngulfat arsyen kolektive.
Të tjerët janë poetë madhështorë
të frymimit për një jetë të rëndomtë… Poezia jeton në secilin,
por nuk artikulohet në secilin.
Fillet e mendimit janë të kanalizuara në fillet e ekzistencës së sprovuar. Artikulimi është mjeshtëri,
por të qenurit i artikuluar
është diçka përtej njerëzores… Kalibri i pastër i intelektit hyjnor frymon vetëm në damarët
e të qenurit vetja,
në një masë jo indiferente
ndaj koherencës së kognicionit personal. Të qenurit i gjallë nuk mjafton.
Të mbijetuarit është për qyqarët, ndërsa pavdekësia lind aty
ku vdekja ka frikë
nga origjinaliteti i pavdekshmërisë së mendimit.
Në fund, poeti mbetet mjeshtër i pavdekshmërisë, i strukur nën siluetën
e artikulimeve të tij.
6. VARKA E NDËRGJEGJES
Nën dritat e fikura të natës, kur gjithë bota pushon, në errësirën e amshueshme, ti dhe supet e tua kuvendojnë.
Askush tjetër, je ti. Vetëm ti.
Ndërgjegjja jote me jastëkun tënd pushon ose përlahet.
Iluzioni yt për dynjanë nga dynjaja të veçon. Çfarë sheh syri i mendjes të dallon si krijesë… Sheh sot me imazhin që ke krijuar për jetën nga e djeshmja, qoftë ai dhe një sekondë i kaluar më parë.
Puthiten e kaluara me të tashmen në vende ku varka e ndërdijes lundron, herë në ujëra të pavetëdijshmes e herë me vetëdijen bënë aleancë.
Prape ti, në atë varkë. .
Ti dhe vlera që i vë vetes si qenie, i vetmuar lundron.


