KreuLetërsiBibliotekëNurie Emrullai: Trishtimit tim (poezi)

Nurie Emrullai: Trishtimit tim (poezi)

trishtimit tim

të gjjthë t-të që i shkruaj janë kryqe,
që ulem mbi ta dhe pres plakjen.

Por, trungu i pemës,
historinë time nuk e njeh,
as të ndonjë gruaje, e dini vetë.
:
“e para, se gruaja ka egon e madhe,
e dyta, se ajo s’qe kështu kryelartë?!”

(Krishti plakjen e jetoi për një ditë,
mua qe një jetë plakja më jeton.)

tani, t-të i tërheq zvarrë në kurriz,
e mbetjet e trëndafilave të tharë i ruaj kurorë,
unë e gozhduara në jetën time.


Jam grua

Jam e ngjizur në dhé.
Jam trup i bukur, shëmbëlltyrë e një skulpture. Jam grua.
Jam më pak trup dhe më shumë shpirt.
Jam më pak lëkurë dhe më shumë ndjeshmëri.
Jam e shkathët në mendime.
Brenda tokës sime rriten sythe dhe lulëzojnë.
Trashëgoj pafund dashuri, ëndrra dhe pasiguri; n’fund- t’fundit- Njeriun.

Jam e fuqishme. Marr dhe jap zemra. Marr dhe jap dhé në dhé.
S’më sheh kush në jam apo jo.
S’kam shtëpi, veç një dhomë, me një dritare sa sytë.
Hap sytë e mendjes, dhe sytë e zemrës qeshin.
Jam grua.
Tokë.
Botë.
Gea.
Jam me përbërje dheu dhe reje.
Jam pluhur që bartet e ngjizet nëpër drurë e lule,
e linden bletë, flutura dhe fëmijë
Që ngarendin pas tyre e po shkelin mbi barkun tim.

Jam gjithëpërfshirësja.
Jam gjithnjë shumë mendje e shumë zemër.
Jam ndjeshmëria e dritës mbi natën.

Endem e largët,
Mes zërave që krijuan zërin tim.

Fshehja ime
Është shfaqja ime këtu përballë tyre.

Lejoj të më njohin,
Sepse s’do më njohin kurrë.

Veç kush e di
Se tokë jam,
Se qiell jam,
Se erë jam,
Se jam pluhur.


Hapa të mësuar

Jetoj në brendinë e një zhgualli të tejdukshëm.
Dal prej tij duke përsëritur rregullat.
“Çdo gjë që s’përsëritet, harrohet.”
As edhe një rregull s’e kemi të shkruar,
Po nëna m’i pat kënduar në djep.
M’i pat pëshpëritur kur më lante,
M’i pat dhënë t’i përpija bashkë me bukën.
“Ti, thoshte ajo, Je vajzë.
Këtë mbaje mend!”

Ç’më dallonte nga të tjerët?
Kisha frikë ta shoh trupin në pasqyrë.
Kisha frikë t’i flas mendjes sime.
Një pjesë e historisë më mungonte.
Kush ishte nëna ime, aq e largët nga trupi im?
Mendoja se vuaja nga harresa.
Kush isha unë?
Njeri kurrë s’më pyeti
Mjaftoi për ta trupi im,
Flokët e mia dhe zëri im femëror.

Jetoj brenda një zhgualli
çdo ditë që dal prej tij,
Përsëris me vete zërin që më thotë:
“Mos harro, bota është e ashpër për gratë!”

Makth i një ëndrre

Ëndërr nëpër të cilën jeta bredh ditëve të saj.
Imazhi i qashtër më zë gjysmën e ditës dhe natën ajo fillon e ëndërron brenda meje
Ëndrrën, të cilën sa vite e kam mbajtur të bllokuar diku trurit,
A thua se ajo do të bëhet realiteti, a thua se unë pjella e makthit.
Jam unë që lahem brenda një vaske
Përreth meje gjithkund gërmadha,
Shtëpi të rrënuara, mure të thyer,
Rrugë të përgjysmuara, tenxhere që vlojnë mbi zjarr,
Një mace që rri para këmbëve të mia
Nëna rri e më mbron nga sytë e botës
e mbi gërmadha një xham, veç për të ndaluar frymëmarrjen

Unë duhet të lahem brenda vaskës që s’ka as ujë të pastër,

Tutje kuvendojnë dy klerikë,
me shpinë të kthyer dhe velandoni që u valvitet
dhe era trokëllon mbi xhamin ku lahem unë,
reflktohet lakuriqësia e botës.

Këmbanat shënojnë fillimin e vitit 1999.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË