Fjala Talent vjen nga latinishtja dhe do të thotë, as më shumë e as më pak se Pare, monedhë, pasuri.
Talent ishte emri i monedhës së Romës së Lashtë, njësoj siç është Dollari amerikan i sotëm a si Euro i Bashkësisë Europiane, i asaj bashkësie që i ka rrënjët në Perandorinë e hershme Romake. Natyrisht, në fjalorët e sotëm askujt nuk i pëlqen ta kujtojë ndotjen e fjalës Talent me origjinën e vet monetare.
Fjalori Thesaurus i anglishtes së sotme nxiton të na sigurojë se fjala Talent është një lloj sinonimi me konceptet më fisnike, të tilla si: aptitude-aftësi/prirje; gift-dhuratë/dhunti; capacity-kapacitet/aftësi/fuqi/cilësi; faculty-aftësi mendore, zotësi; ability,-aftësi, zotësi, mprehtësi; endowment-ndihmesë, prikë, dhunti ; genius…
Po në të vërtetë, a ka ndonjë lidhje sadopak të largët talenti me pasurinë? Në shoqëritë moderne të kohërave tona pak kush e vë në dyshim këtë gjë..…Fjala Talent në kohërat moderne na kujton aftësinë shumëplanëshe kuptimore që ka fjala: i talentuar qenka ai krijues që ka aftësinë që ta shesë veprën e vet duke fituar miliona; është ai piktori që krijon vepra seriale, për të kënaqur shijet banale të blerësve të bërë pasanikë përmes paditurisë së tyre, dhe tani që janë të pasur, duan të shtiren të kulturuar, duke i veshur muret e shtëpisë me piktura, pa marrë vesh nga piktura, ose për të blerë libra të cilat nuk i lexojnë asnjëherë; ose ai krijuesi ose intelektuali që e ka mirë me të gjithë politikanët e të gjitha kohërave a pozicioneve politike; ai që artin e krijimtarisë artistike e shet konjuktarisht në mënyrën më fitimprurëse.
Bëhet fjalë për Talentin për të bërë pasuri përmes mediumit për ta përdorë artin. Ç’është e vërteta, aftësia për ta shitur veten nuk është një fenomen vetëm i kohërave moderne. Duket se krijuesi artistik gjithnjë është gjendur para dilemës së madhe: të pranojë artin, dhe bashkë me të, mallkimin e përjetshëm të tij, varfërinë, apo të bëhet i pasur duke e shitur shkëndinë hyjnore të Artit për hir të pushtetit që të jep paraja?
Pra, del që talenti fsheh dhe një anë tjetër jo aq të pëlqyeshme për moralin shoqëror të kohës: ekzistojnë dhe një racë tjetër krijuesish që shpërblehen me varfërinë dhe harresën, me errësirën dhe pazhurmësinë. Dhe paradoksalishi, këta janë dhe krijuesit më të talentuar!
Para ca ditësh, në një nga sallat e National Academy of Art, në Londër, u hap një ekspozitë e pikturave të viteve të fundit të jetës së Rembrand-it. Është njëra ndër ekspozitat që ka tërhequr më shumë vizitorë nga çdo ekspozitë tjetër. Nga numri i jashtëzakonshëm i vizitorëve, është vënë një parakusht jo i zakonshëm: vizitori nuk mund të qëndrojë brenda ekspozitës më shumë se 20 minuta.
Përse i gjithë ky interesim? Rembrandi është njëri ndër piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i cili u bë i famshëm që në moshën 30-vjeçare. Ai qe një piktor aq i suksesshëm, sa gjatë kohës që jetonte u publikuan edhe libra poetikë kushtuar figurës së tij. Gjatë periudhës së parë të krijimtarisë së vet veprat iu ekspozuan në pallatet më prestigjioze të Holandës e të Europës Perëndimore.
Por në vitet e fundit, i lodhur nga lavdia, Rembrandi befas kaplohet nga një krizë e çuditshme: është kritik ndaj krijimtarisë së vet; nuk i pëlqen natyralizmi i shëndetshëm i pikturave të veta, nuk i pëlqejnë dritat dhe ngjyrat e gjalla, e tremb fakti se me anë të artit ka arritur të bëhet i pasur. Në këtë krizë ndikon vdekja e së shoqes dhe vdekja e njëpasnjëshme e tre fëmijëve. Dhe pikërsiht atëherë kur e sheh krijimtarinë e vet me dyshim, atherë kur kërkon të verteten, ai rrënohet nga paratë, pasuria i konfiskohet, dhe fajdexhinjt e bankave ia bëjnë jetën Ferr. Atij, njërit prej piktorëve më të mëdhenj të të gjithë kohrave!
Dhe shí në këtë periudhë ai ndjek një stil të ri artistik, duke manipuluar teknikat e pikturës dhe ato të printimit, dhe duke krijuar interpretime origjinale të subjekteve tradicionale. Ekspozita në National Gallery përfshin autoportretet që bëri në vitet e fundit: “Vetëportret si apostulli Pal”, “Vetëportret me dy rrathë”, “Vetëportret me turban”. “Vetëportret në moshë të thyer”, si dhe veprën që njihet me titullin “Nusja çifute”. Obsesioni me autoportretet është një provë e këmbënguljes së artistit të madh për ta parë veten në sy; një lloj vetëgjyqësie.
Ndërsa për veprën “Nusja çifute”, një tjetër piktor që desh të provonte gjatë gjithë jetës se fjala Talent është diametralisht e kundërt me pasurinë, Vincent van Gogh, i pohon një miku se kur e pa për herë të parë këtë vepër të Rembrandit, në vitin 1885, ndjeu përnjëherë se ishte i gatshëm që të falte 10 vite nga jeta e vet, me kushtin që të mund të rrinte dy javë rresht para kësaj pikture, duke ngrënë veç një krodhë buke të thatë. A e besoni? Vincent van Gogh na siguron (dhe nuk kemi se si të mos i besojmë mikut të tij që na i riprodhon besnikërisht fjalët e piktorit të shquar): “Ju lutem! Nuk dua asnjë duartrokitje dhe asnjë lavdërim nga 600 admirues të veprave të mia, as nga 6000 admirues a nga 60.000 admiruesë! Thjesht Një krodhë buke të thatë dhe të shoh me ditë të tëra këtë vepër të Rembrandit!!” Të atij Rembrandit të cilin e verteta tashmë e kishte kthyer në një piktor të varfër dhe të braktisur!
Si do iu tingëllonte kjo thënie e Van Goghut atyre krijuesve të vetëkënaqur, të cilët talentin e tyre – nëse kanë patur ndonjëherë talent si piktorë – e shndërrojne në zanate saldatoësh dhe muratorësh, në emrin e konceptit modern të instalacioneve -duke u përpjekur të na mbushim mendjen se kjo na qënka moda më e fundit- sikur Arti të jetë një prodhim këpucësh a buzëkuqësh që determinohet nga Moda? Dhe kjo ndodh vetëm e vetëm nga një keqkuptim semantic-sepse këta krijues fjalën Talent e përkthejnë literalisht me pasuri, famë, zhurmë, pushtet, mendjelehtësi dhe vetëpërkëdhelje.


