Libri i artit, për publikun, është po aq i rëndësishëm sa libri letar. Ai ka forcë edukuese të drejtëpërdrejtë po aq sa libri letrar. Ashtu si libri letrar që zgjeron njohuritë mbi të shprehurit, mbi njohjen dhe përdorimin shumë më të mirë të gjuhës shqipe, mbi zhvillimin e një perceptimi më të mirë të botës ku jetojmë, mbi nxitjen e e imagjinatës, fantazisë dhe inteligjencës, edhe libri i artit ka po të njejtën fuqi, të cilën e shpreh përmes marrëdhënies së ngushtë të imazhit me mendimin e tekstit filozofik, kritik, estetik, historik dhe vlerësues. Libri i artit është teksti estetiko-filozofik i shkruar mbi veprën e artit, sepse arti është një pjesë e pandashme e historisë njerëzore.
Me një vështrim spikatës më lejoni të shprehem se konstatoj qw flitet e shkruhet shumë për letërsinë, ku për prozën edhe më shumë, e për poezinë më pak e mos mw pak!? Në kronika dhe emisione të shumta, thuajse në çdo stacion televiziv, flitet për letërsinë e, madje në radhë të parë për librat e autorëve të njohur, e më pas, për ata më pak të njohur. Madje, një mwndje e vwmwndshme i kupton mjaft mirë rastet kur gazetarja apo gazetari i kulturës asqw nuk e ka lexuar librin, për të cilin ligjëron mendime të zakonshme ose ndonjë përmbledhje të dhënë gati nga autori. Eh, ndoshta, jo se nuk do, por o nuk del i koha, pasi televizioni është një media që vrapon, o për shkak të lidhjes me tekstet dhe imazhet e medias sociale libri i shkruar në letër, nuk e tërheq aspak. Gjithësesi, nuk përjashtohet ndonjë gazetar apo gazetare e përkushtuar, që nuk bënë dot ndryshe, vetëm se të lexojë e të lexojë.
E përqëndruar në hartimin e librave të artit, paramendoj mendueshëm se çfarë ndodh ndërmjet librit të artit me mediat televizive, ato të shkruara dhe sociale? Si mund të jenë marrëdhëniet e librit të artit me gazetarinë dhe gazetarët e tyre të kulturës? Po me institucionet që organizojnë konkurime, dhënie çmimesh apo diçka tjetër të tillë? Me librin e artit situata është shumë më e vakët dhe komplekse. Sepse vet libri i artit është i veçantë. Ai kërkon të lexohet, kuptohet dhe interpretohet nga gazetarja apo gazetari i kulturës së mediave për publikun. Dhe institucionet e vlerësimit, të konkurimit dhe dhënies së çmimeve, të cilët paguhen edhe me punën e taksapaguesve të krijimit të librave të artit dhe artistëve, që janë grupi i drejtëpërdrejtë i interesit për librin e artit, pasi veprat e tyre zënë vend në faqet e tij, ndodh që ata të shpërfillen. Arsyetimi kërkon: mos duhet vallë të nxisin në drejtim të këtyre institucioneve individë lider, të ditur e të kulturuar me fushat e letërsisë dhe të artit e më pas të formojnë grupe specialistësh, që të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë edhe krijimin e librit të artit? A mundet të ndodhë kjo? Natyrisht që po! Kam mendimin se fillimisht mundet të ndodhë një konstruktim tërësor e thelbësor mbi këto lloj institucionesh, që shpeshherë nuk ndjehen komod, të ditur e në lartësi profesionale me librin e artit, madje dhe me atë letrar. Kjo mangësi i bënë t`i anashkalojnë dhe nënvleftësojnë.
Natyrisht ky tekst ka për qëllim të përqëndrohet mbi zbulimin tërësor të vlerës së librit të artit, domosdoshmërisë së kalimit të tij në duart dhe mendjet e publikut. Edhe pse është shumë e vështirë, mendoj se arrihet nësë aktivizohen sistemet e edukimit dhe të vlerësimit. Dhe kjo mund të nisë të ndodhë nëse proceset e edukimit me librin e artit fillojnë që në moshat më të vogla; nisin nësë prindi entuziazmohet prej artit shekullor dhe edukohet ta vlerësojë fuqinë e artit mbi individin bashkëkohës, pra fëmijës së tyre; nisin me evidentimin e aktivizimit të projekteve mbi librin e artit në kurikulat e shkollës, si dhe theksimit të seriozitetit të programeve të institucioneve të konkurimit dhe vlerësimit mbi librin e shkruar, ku libri i artit të mos përjashtohet siç ka ndodhur deri në ditët e sotme, por të jetë pjesë e tyre. Mund tu sjell shembuj rreth kësaj gjendjeje sic janë panairet e shumta të librit, ku promovimi, vlerësimi dhe kritika mbi librin e artit është inekzistente, gjë që ndodh edhe me zhvillimet që ndërmerr Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit e cila ka një misionin e saj të shkruar qartë sei: “…duke synuar përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe…”. Të gjithë e kemi parë se kjo qendër funksionon vetëm për promovimin e librit letrar, ndërsa librat e tjerë janë anashkaluar ose nënvleftësuar. Dhe kjo nuk e ndihmon edukimin e tërësishëm të individit bashkëkohës, pra brezit të ri, por ndikon për të krijuar një individ me formim tw njwanshwm. Në këtë arsye mendoj se nëse do ta njihnim dhe ta përvetsonim fuqinë e librit të artit do të kishim në ditët e sotme jo një brez agresiv e me thika në brez, por njw brez më të ditur, më të pavarur, më tolerant dhe më të përgjegjshëm.
Po të evidentojme se çfarë ndodh me median e gazetarisë së shkruar apo tëlevizive kulturore ndërkombëtare, zbulojmë se ajo është plot e përplot me promocione, informacione dhe mendime kritike, por me lejoni të theksoj sesi në botën virtuale të mediave sociale ndërkombëtare përballesh me gjetje inteligjente, për ta bërë publikun bashkëkohës pjesë të projekteve të tyre mbi artin, duke tërhequr vemendjen në forma tejet njerëzore, emocionale dhe profesionale. Në botën aty ku bashkohet Lindja me Përëndimin, në Rusi, ku arti pamor ka pasë dhe ka një zhvillim të gjerë, një gazetar rus del çdo ditë në rrugë dhe pyet kalimtarët e rastësishëm, kryesisht të moshave të reja, “E kujt artisti është kjo tabllo apo pikturë?” dhe 90 % të përgjigjeve janë pozitive dhe të sakta. Ata gjejnë autorët si të huaj ashtu dhe vendas. Dhe natyrisht lind çudija sesi ka mundësi. Por ka mundësi, sepse t`i kupton që ata janë edukuar me artin në shkolla, në familje, në galeri dhe muze. Ti kupton se organizmat shtetërore mbi edukimin, arsimin janë të lidhura ngushtësisht me kulturën dhe artin. Ti kupton fuqinë e artit dhe të librit të artit, tw cilat ndihmojnw nw aktivizimin e inteligjencws individuale. Media sociale të dërgon kudo. Në Londër, një gazetare e mirëinformuar me artin pamor ndërkombëtar, i`u kërkon kalimtarëve të ndryshëm në racë dhe moshë, t`i`u bëj një pyetje mbi artin. Ajo i`u drejtohet me anglishten britanike: “Më falni! Nëse ju do të deshit të kishit në pronësinë tuaj një vepër arti, cila do të ishte ajo dhe pse?” Dhe çdo njëri prej tyre, duke pranuar më parë se përgjigjeja përballet me një sfidë të madhe, jep përgjigje të shkëlqyera, përmes së cilës mëson rreth dijes që kanë mbi historinë e artit, të cilën e kanë përftuar nga librat e artit dhe vizitave të tyre në galeri dhe muze arti. Njihesh me shijen e tyre për të zgjedhur një prej veprave që kjo histori e mban në faqet e veta. Dhe më pas ata japin arsyen pse, që lidhet me atë çka ajo i ka emocionuar, mbi faktet që ata dijnë rreth krijimit apo historikut të veprës, frymën imagjinative që vepra do të shpërndante nëse do ta kishin në mjedisin e tyre të banimit dhe, më e fundit rreth ndikimit që vepra ka ushtruar mbi psikun dhe mënyrën e tyre të jetës. Dhe kupton pse shoqëritë e vendeve përtej Shqipërisë janë shoqëri të konsoliduara, të cilat kanë eleminuar dhjetra fenomene agresive, i kanë dhënë vlerë lirisë së individit dhe respektit reciprok. A nuk janë këto akte të gazetarisë së medias sociale shprehje të fuqisë së librit të artit? Dhe konkretisht libri i artit do të thotë art dhe mendim, të cilët do t`i konsideroja edhe si mjete të fuqishme për rritjen intelektuale të individit të ditëve të sotme. Një rritje krejt e ndryshme, homogjene me kohën e këtij shekulli, i cili që në hyrje të vet, përgatiti nisjen e një rendi të ri botëror.
Në këtë arsye do t`i sugjeroja sistemit të sotëm të edukimit arsimor e familjar dhe institucioneve të konkurimit dhe vlerësimit të përditësojnë dhe vlerësojnë librin e artit, për të ndjerë gjatë leximit të tij jo thjesht bukurinë e veprave ose tingëllimin historik të krijimit të tyre, por më së shumti arsyen pse janë shkruar këta libra. Çfarë përmbajtje kanë ata, cilat janë veprat tipike, cilët janë stilet që përshkruajnë, drejtimet dhe rrymat artistike; cilët janë artistët themeltarë dhe pse janë të tillë, çfarë pikturuan ata; në shërbim të kujt kanë qenë dhe pse i ndihmuan apo i`u bënë porosi për të krijuar art; a janë ata politik? A janë veprat e tyre një shtrirje imazhesh ku tregohet hisoria njerëzore dhe ku evidentohet kujtesa njerëzore, e cila marret në konsideratë dhe evidentohet në të gjitha periudhat historike? Dhe sa shumë pyetje të tjera gjejnë përgjigje nëse lexohet një libër arti.
Sa shumë libra arti ndodhen në bibliotekat e huaja dhe ato shqiptare dhe është kënaqësi të shkruaj se edhe në radhën e librit të artit shqiptar ndodhen dhjetëra e dhjetëra syresh që mund t`i`u referohemi për të mësuar rreth kujtesës pamore të historisë sonë. Gjithësesi, libri i artit i botuar do kohë më parë, me të cilin gjithkush mund të nisë një rrugëtim të paqtë për të gjetur të gjitha përgjigjet e shtruara më sipër, është “HISTORIA E ILUSTRUAR E ARTIT”, përkthyer mjeshtërisht në shqip nga Sokol Çunga. DK London në Britani dhe Aedititons në Shqipëri janë botuesit. Kontribuesit e këtij libri janë Ian Chlivers Iain Zaczek, Jude Welton, Caroline Bugler dhe Lorrie Mack, njohës dhe hartues tekstesh mbi artin të Enciklopedisë Britanike. Përmbajtja e librit nis nga Antikiteti 30. 000 vite para K dhe përfundon me artin Pop dhe Op të zhvilluar në vitet 1950-1980 të shekullit XX. Libri është i shkëlqyer, aspak i vështirë dhe shumë tërheqës për informacionet që promovon. Në çdo kapitull të njeh me cilësinë më tipike të përmbajtjes historike, si dhe me ngjarjet kryesore dhe individët udhëheqës të zhvillimit historik të epokës, të cilat kanë përcaktuar kushtet specifike të zhvillimit të atmosferës së artit të epokës. E gjitha kjo bëhet e qartë kur fillon e njihesh me veprat dhe artistët kryesorë, me temat, subjektet dhe personazhet e trajtuar në veprën e artit. Në dhjetëra faqe lexohen me kërshëri kuriozitete domethënëse, të cilat ndihmojnë në kuptueshmërinë më të lartë të arsyeve të lindjes dhe të krijimit të një vepre arti, si dhe gjurmët që ato kanë lënë përmes domethënieve të imazheve. Në këtë përmbajtje tekstesh mbi artin përfshihen edhe thënie të personaliteteve të ditur të arkitekturës, letërsisë, artit dhe shkencës. Ajo çka është më e rëndësishmë është se libri i artit i formës histori arti specifikon periudhat në rënditjen historike të zhvillimeve ekonomike e politike të historisë njerëzore. Pohimi filozofik “Historia e Njerëzimit është një. Historia e Artit është një pjesë integrale e Historisë së Njerëzimit”, tregon rreth lidhjes themelore midis ekzistencës njerëzore dhe shprehjes artistike. Ky përkufizim shpreh një ide, që pasqyron konsensusin e vendosur midis historisë së artit dhe shkencave humane. Le tëpërpiqemi të lexojmë librat e artit!


