Të shkruash për Albert Papariston, si kompozitor, pedagog, muzikolog dhe administrator i kulturës nuk është aspak një punë e lehtë. E themi këtë pasi periudha historike gjatë të cilës u lind, u shkollua dhe në të cilën ai formësoi personalitetin e tij është një me vetë lindjen dhe zhvillimin e muzikës profesioniste shqiptare. Për këtë na duhet të pohojmë qysh në fillim se përmasat e personalitetit dhe veprës së Prof. Paparistos janë ende të pahulumtuara dhe njohura sa duhet. I shkrirë mes pedagogjisë muzikore, administrimit të institucioneve artistike, kompozimit dhe muzikologjisë, së pari duhet që t`i cmosh të gjitha sa me sipër për t`ju afruar sadopak figures së tij.
Si pinjoll i familjes së njohur të Paparistove, ra në kontakt me muzikën qysh në moshë të vogël. Ishte kjo periudhë e rëndësishme e jetës së tij e cila ndikoi se tepërmi, që pas clirimit të vendit më 1944, ish-partizani Paparisto t`i përkushtohej studimeve muzikore në konservatorin e Moskës, në degën e muzikologjisë. Ajo që vlen të theksohet për këtë periudhë është fakti, se Paparisto shkëlqeu në përvetësimin e disiplinave muzikore, gjë që e bëri atë një ndër emrat më të njohur të studentëve. Eshtë pikërisht njohja e teknikave muzikore dhe disiplinave të tjera, që ndër të tjera, Paparisto të hedhë në pentagram, me sigurinë e një profesionisti, tashmë si kompozitor edhe krijimet e para të tij, të cilat zënë fill qysh në vitet `50 të shek. XX. Ndoshta modeste, por harmonizimet e tij të para të këngëve popullore me piano, qofshin ato shkodrane, elbasanase apo korcare, janë edhe mbeten si treguesi më i mirë i faktit se një kompozitor kishte lindur tashmë brenda shtatit të muzikologut të parë profesionist shqiptar.
Duke pasur parasysh mirë vecorinë e situatës muzikore të Shqipërisë të atyre viteve, veprimtaria e Paparistos e dimensionon bindshëm rolin e tij në disa fusha. Së pari, Prof. Paparisto u bë një ndër themeluesit e konservatorit shtetëror të Tiranës e padyshim njëri prej administratorëve të parë të institucioneve muzikore në Shqipëri. Kontributi i tij në Ministrinë e Arsimit e në mënyrë të veçantë si Drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit konsiderohen me shumë rëndësi për të ardhmen e kulturës sonë muzikore, ndërkohë që e gjithë kjo veprimtari u zhvillua pa ndërprerë asnjë ditë mësimdhënien si dhe aktivitetin publicistik në mediat e shkruara kushtuar problemeve të krijimtarisë dhe interpretimit muzikor etj.
Padyshim qe opusi i tij muzikologjik dhe etnomuzikologjik, i shpërndarë tej e këndej në faqet e shtypit dhe në botime te ndryshme, do të jetë për një kohë të gjatë një nga dokumentat më seriozë të veprimtarisë së Prof. Paparistos në këtë fushë, veprimtari e cila nuk njihet sa duhet, sepse, ndoshta për modesti të autorit deri më sot nuk ka qënë e përmbledhur në një botim të vetëm.
Lidhur me kompozimet e tij do të thosha se ato kanë përfshirë kryesisht muzikën vokale dhe atë instrumentale. Ajo që të bije menjëherë në sy është e lidhur me faktin se Paparisto shfaqet si kompozitor i muzikës së dhomës, dhe si i tillë ai dukshëm të emocionon me kompozimet e tij. Kjo vepër, tashmë e përmbledhur në këtë botim, do të sjellë padyshim një përqëndrim dhe vëmëndje, si dhe një rikthim të domosdoshëm të të gjithë muziktarëvë shqiptarë ndaj saj. Kjo për faktin, se e shkruar në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar, kur nga autorët kërkohej bindje politike në krjimtari etj, Paparisto shkruan një muzikë të pa indoktrinuar, pra ashtu thjesht, sic është vetë muzika, për njerëzit e të gjitha kohëve. Kjo gjë mund të vihet re fare kollaj edhe në titujt e kompozimeve të tij, tituj të cilët flasin për shpirtin lirik dhe të frymëzuar të artistit Paparisto. Edhe për këtë arsye, kompozimet e tij muzikore do të jetojnë gjatë, pasi kjo krijimtari në thelb është e njëjtë me artin e muzikës, si një art i cili buron vetëm aty ku mendohet dhe shkruhet për të dhe ku kompozitori me fantazinë e tij ngjitet në qiell.
I paharruar profesori ynë i shquar Albert Paparisto!

