“Ndonjëherë magjinë e ke përpara dhe se sheh, ka edhe raste kur duhet ta kërkosh, por herë-herë duhet ta duash që ta shohësh”.
Imagjinata e shkrimtares Andy Shepherd sjell serinë e mrekullueshme të dragonjve të ilustruar nga piktorja Sara Ogylvie. Seria është klasike bashkëkohore, e përkthyer në 24 gjuhë.
Kjo seri është e duhura për të gjithë fëmijët që pëlqejnë aventurat! Mosha e sugjeruar 7 deri në 12 vjeç.
Shumë fëmijë ëndërrojnë ta shohin nga afër një dragua. Kuptohet ata që nuk tremben nga flaka e tij e zjarrtë, apo ata që stërviten se si të jetojnë me një dragua, si personazhi ynë, Tomas. Më së shumti dragonjtë i hasim në rrëfenja mitologjike, si personazhe të egër apo mizorë, apo nga njohuritë që fëmijët marrin përmes enciklopedive, përmes historisë, apo biologjisë, apo edhe si lodër. Por mes tyre ka edhe shumë shkrimtarë që dragonjtë i kanë bërë pjesë të historive magjike për fëmijë. Një prej tyre është shkrimtarja angleze Andy Shepherd, e cila përmes imagjinatës së saj i ka sjellë dragonjtë si krijesa besnike, guximtare dhe shumë zbavitës, në një seri me gjashtë libra, të sjellë në shqip nga përkthyesi Artan Miraka.
Tomasi, personazhi që e duan shumë lexuesit
Historia nis me Tomasin, që ndihmon gjyshin e tij, të cilin e do shumë, për të punuar kopshtin pranë shtëpisë ku banojnë. Por ndërsa punonte Tomas ndjente vështirësi te rrënjët e një peme, që gjyshi e quante pemë kacavjerrëse. Ishte bima më e çuditshme që i kishin zënë sytë ndonjëherë. Ngjante si një kokë gjigante fshese, por e gjelbër dhe me gjemba e gunga. Në krahët e kaktusit kishin mbirë ca dredhëza me ngjyra të verdha e portokalli dhe në secilën prej tyre kishte nga një frut që kuqëlonte. Ishte Pitaja – Fruta dragua. Nëse kjo frutë preket, ajo ndriçon dhe kthehet në një dragua të vogël dhe të magjishëm. Këtë bëri edhe Tomasi, e preku dhe e vendosi në komodinë në dhomën e tij, por në mbrëmje papritmas vuri re se para tij kish një dragua të vogël…
Fantastike apo jo?! Imagjinoni të keni një dragua të vërtetë në duar si personazhi ynë, Tomasi, me të cilin mund të luash dhe të kujdesesh për të. Ai kishte flatra vezulluese, luspa me ngjyrë të kuqe, sy si diamantë, frymë si zjarr, kthetra të mprehta, bishtin si majë shigjete dhe dy brirë të vegjël. Por në të vërtetë duket se nuk është kaq e lehtë, sepse duhet të dish si të kujdesesh. Nuk është si të kesh një qenush të cilit i mjaftojnë pak ushqim e përkëdhelira apo shëtitje në natyrë. Jo! Dragonjtë lëshojnë flakë e mund të të djegin bluzën apo të të gërvishtin, rriten shpejt e nuk i nxe streha e vogël, bëjnë zhurmë e nuk i fsheh dot, sidomos nga prindërit që nuk duan andrralla të tilla. E natyrisht për personazhin tonë më e lehtë është t’u rrëfejë shokëve, me ta mund të ndajë sekrete dhe aventura. Sepse pema ka shumë fruta të tillë dhe secili mund të ketë dragoin e tij. Por, Tomasi dhe shokët e tij nuk duhet vetëm të kujdesen për edukimin e dragonjve, por edhe të përballen me situata të ndërkuara dhe të rrezikshme, sepse dy prej dragonjve kanë rënë në duart e gabuara. Problem nuk janë vetëm rrëmuja, flakët, gjurmët e këmbëve të tyre apo fryma prej shtëllunge flake. Por vjen dita kur ata duhet t’i lënë të lirë, sepse dragonjtë nuk janë kafshë shtëpiake, janë krijesa të vështira për t’u rritur në shtëpi. Fëmijët mahniten prej tyre ndërsa i shohin të fluturojnë netëve me yje që rrëzëllejnë nga shpërthimi i ngjyrave. Ndaj Tomasi i premton gjyshit që do t’i lërë të lirë të ikin. Por e ka të vështirë t’ua kërkojë këtë shokëve. Edhe ai vetë është i shqetësuar se si do të jetojnë dragonjtë larg tyre, a do të mund t’ia dalin.
Të gjitha këto gjejnë përgjigje përgjatë serisë. Tomasi pasi arrin të zbulojë sekretin se dragonjtë mund të rriten edhe në pemë vendos t’ua mësojë jo vetëm shokëve të tij, por edhe lexuesve se si të rritin dragonj. Një udhëzues për të cilin do të mësoni edhe më shumë në librin e gjashtë, ku Tomasi na rrëfen legjendën e frutës së dragoit, ku ta mbani dragoin tuaj, rregullat se si t’i stërvitni, por më e mrekullueshme është të zbuloni se si të bisedoni me dragonjtë.
Mes imagjinatës dhe realitetit
Shkrimtarja Andy Shepherd ka arritur të ndërthurë natyrshëm përmes letërsisë njohuri dhe fakte mjaft interesante për personazhet e saj në libër. Origjinën e dragonjve, historinë e tyre, faktet historike, detaje të aspektit gjeografik apo njohuri nga biologjia duke arritur ta bëj shumë të besueshme ngjarjen dhe seria bëhet edhe një udhërrëfyes njohës i një bote imagjinare, por të krijuar me dashuri, ndaj dhe është kaq tërheqës sa lexohet me një frymë.
Në takimet e saj me lexuesit autorja tregon se për të shkruar këtë seri është frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë saj, koha që kalonte me gjyshin në kopshtin e tij, lidhja që ajo vetë ka me natyrën. Për të seria nuk ka qenë e lehtë për t’u shkruar dhe librat, i kanë marrë shumë kohë. “Disa libra janë pa dyshim më të vështirë për t›u shkruar se të tjerët. Tre librat e parë i kisha të shkruar në mendje ndërsa libri i katërt m’u duk i vështirë dhe e kam kaluar shpesh përmes ndryshimesh”, – shprehet ajo. Por është e gëzuar që më në fund fëmijët mund të lexojnë histori të bukura, të veçanta dhe për më tepër të gjithë adhuruesit e dragonjve do t’i njohin dragonjtë që kanë luspa, që valëzojnë e shndritin si pasqyrimi i diellit në det, sy të shndritshëm, frymë të nxehtë që të ngroh zemrën dhe shumë e shumë histori befasuese për fëmijët.

Seria është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, por shumë të pasur me shprehje të figurshme, me përshkrime të mrekullueshme, me ndjenjë dhe me humor si dhe përcjell mesazhe që natyrshëm ndikojnë te fëmijët përmes leximit.
Me një fund shumë të bukur – lexuesit do të përjetojnë një aventurë sa magjike aq edhe reale. Dragonjtë në libër janë vërtet fantastikë, të papërmbajtshëm dhe verbues!
Lexim të këndshëm për të gjithë – fëmijë dhe dragoj!
Disa sekrete që duhet t’i dini para se ta lexoni librin
Të rritësh një dragua është më e vështirë se mbjellja e kastravecëve. Sepse një dragua nuk është një bimë.
Sekret i vështirë për t’u mbajtur sepse nuk mund ta fshehësh një krijesë që fluturon, që lëshon flakë nga goja dhe që ka luspa vezulluese.
Kanë një bisht të gjatë, i cili mund të të godasë pa e kuptuar.
Mbaj gjithnjë një palë doreza dhe një pistoletë uji – I vlejnë çdonjërit që do të jetë prind dragoi.
Edhe pse është sfiduese rritja e një dragoi sërish të jep shumë kanaqësi! Ata vezullojnë dhe të magjepsin me trupin e tyre. Shikimi i tyre të depërton në zemër.
Janë miq të përjetshëm!