More
    KreuLetërsiBibliotekëEva Gavani: Kam gjetur një shteg

    Eva Gavani: Kam gjetur një shteg

    MARRËDHËNIE

    Kërkoj të ndez një shpirt të fikur,
    Të ftohur në vetmi,
    E ftohem vetë pa e ditur,
    Si moti netëve me shi.

    Kërkoj të ndez një shpirt të fikur,
    Betejë me shumë plagë,
    E vritem vetë pa e ditur,
    Si luftëtari nga një shpatë.

    Kërkoj të ndez një shpirt të fikur,
    Të djegur në harresë,
    E digjem vetë pa e ditur,
    Si flakë qiriri pa shpresë.

    Kam tretur veten pa e ditur,
    Fikur në mundim,
    E vjen ky shpirt dikur i fikur,
    Të ndezë shpirtin tim.


    SINQERITET

    Ndonjëherë unë qaj pa shkak,
    Nuk qaj unë, qan poeti.

    Ndonjëherë, dashuroj pa shkak,
    Jo unë, dashuron poeti.

    Ndonjë ditë do të vdes pa shkak,
    Do të vdes unë e jo Poeti.


    PËRQASJE

    Ashtu si Akili ka një thembër,
    Unë kam sytë, kam një lot,
    Po të më vrasësh shikimin,
    Më ke vrarë një horizont.

    Një horizont më ke vrarë,
    Dhe perëndimin përmbi det,
    E verbër qofsha dhe e marrë,
    Por me shikim të vërtetë.

    Në pabesi si një Parid,
    Nuk pres të më vrasësh sot,
    Lermë të shoh perëndimin,
    Me sytë e tu në horizont!


    DY GJYSMA MALLI

    Ky mall, bir, që më sjell te ti,
    Nga ime bijë më ndan,
    E ngelem një zemër mbi ajër, pezulli,
    Si mjergull e dëndur mbi oqean.

    Mbi oqean dy gjysma malli,
    Zemra e Nënës në sinkron rreh,
    E lotët fsheh nga vajza e djali,
    Si mali që brenda thesare fsheh.


    PRITJE

    Ti vendose të më vdesësh në pritje,
    E në pritje vërtetë po vdes,
    Mos harro të vish me 1000 puthje,
    Që si sfinksi të ngrihem e në jetë të mbes.


    ELEGJI PËR TIM VËLLA

    Ilirit në 35 vjetorin e ikjes

    Si në legjendë, vëlla i dashur,
    Ti ngrihesh si Kostandini mbi kalë,
    Sa herë thërras në dhimbje tretur,
    Sa herë kërkoj frymën të ndal.

    Ti je supi që kurrë se pata,
    Je fjala e munguar,
    Je zemra që më ndalet,
    Dora që mbet shtrënguar.

    Ti loti që kurrë nuk rrodhi,
    Por brenda shpirtit u bë det,
    Je brenga që kurrë s‘më doli,
    Je brenga që brengat vret.

    Sepse nuk kisha tjetër,
    Ta thërrisja vëlla si ti,
    E s’pati kush në jetë tjetër,
    Të ishte I lirë sa ti.

    Se shkule rrënjë e tunde gjeth,
    E barin krejt e ngrive,
    E ike tretur në legjendë,
    Portat e një qyteti mbylle.

    Nga gjithë prangat jam çliruar,
    Të jem e lirë sa ti vërtetë,
    Por dhimbja prangë e plagë mbeti,
    E s‘munda të çlirohem dot një jetë.

    Si në legjendë vëlla i dashur,
    Ti vjen si Kostandin mbi kalë,
    Sa herë thërras në dhimbje tretur,
    Sa herë kërkoj frymën të ndal.


    MIRËNJOHJE

    Dikur mbi detin e trazuar,
    Humba në kthim,
    Mbi valë deti turbulluar,
    Njoha një delfin.

    Mbi delfinin nëpër det,
    vetëm pa një shpresë,
    Prej tij s munda të shpëtoja,
    Prej tij s’munda as të vdes.

    Me delfinin luftova,
    Dallgët bërë gri,
    Gjithë detin e përshkova,
    Mbi kurriz të tij.

    E kur deti u kaltërua,
    E ndijnë yjet në qetësi,
    Kur ra Hëna përmbi mua,
    Ai ra në dashuri.

    -Nuk të dua, më beso,
    Të lutem o delfin,
    Nga ky det më shpëto,
    Më kthe në bregun tim!

    Me lot në sy ai u nis,
    E nuk e di se si,
    Diku u vra, diku u gris,
    E skuqi gjaku i tij.

    E putha lehtë përmbi plagë,
    Si me magji u shërua,
    E iku shkoi përmbi valë,
    Duke më thënë: Të dua!


    ARRATISEM

    Ti vjen andej nga vjen thëllimi,
    Ç›më fut në shpirt kaq ftohtësi,
    Unë arratisem nga kujtimi,
    E në një qoshk të shpirtit rri.

    Por ti më vjen ashtu papritur,
    E ç›rrugë të sjell drejt meje prapë,
    Si e gjen derën pa trokitur,
    E pa një çelës si e hap?

    Ç›më thua: Lermë moj mike,
    Këtu ka vend për ne të dy,
    Jam vrarë shumë që kur më ike,
    Sot të kam unë vetëm ty!

    Ti vjen andej nga vjen thëllimi,
    Ç›më fut në shpirt kaq ftohtësi,
    Një dritë më ndiz të njoh zhgënjimin,
    A të ndjej pak ngrohtësi!


    NDAJNATË

    (çast trishtimi në prag festash)

    Këto drita dhjetori si agim në fikje,
    Si qirinj në lutje bashkuar në prag,
    Santa Clausat varg murgjish gjakosur në dhimbje,
    E zilkat muzikë, këmbana shuar ndër natë.


    KU JE?

    Të kam thirrur,
    Ku je?
    Vala e detit ende përsërit,
    Një pulëbardhë
    flokun tim të verdhë,kKa nisur byzylyk të artë
    për dorën tënde të djathtë.
    Ku ishe?
    Qielli u ça nga vetëtima mesazhesh
    dhe Hëna u lodh
    duke mi lidhur plagët
    me fasha ndriçimesh.
    Se ke ndjerë?
    Deti e Qielli
    vibruan njëherazi
    me ankthin tim.
    Po ti ku je?
    Vala e detit ende shushurin.


    KAM GJETUR NJË SHTEG

    Oh, ç‘kam gjetur unë një shteg,
    Të arratisemi sot të dy,
    Por kalon rruga mes yjesh,
    Hëna të mos jetë aty.

    Po të jetë Hënë e zbehtë,
    Në shpirt do ndjej pikëllim,
    Do të largohem fare lehtë,
    Nga i yti përqafim.

    Po të jetë Hënë e plotë,
    Frikë kam nga dritë e saj,
    Me gjuhë netësh do më thotë,
    Se ç›ke bërë në çdo skaj.

    Po të jetë Hënë e ngrënë,
    Do të rrimë mbi të, të dy,
    Yjet larg do ti përzemë,
    Se ç›do bëjmë pastaj? Se di!


    VRASJA E RIMËS

    Tani do të shkruaj në varg të bardhë,
    se rimën ma vrarve ti,
    Duke ecur vjeshtës së çalë,
    Si gjethe kërcisnin vargjet,
    Nën këmbët e stërmëdha.
    Pa mëshirë,
    gjakosje rimat,
    këngët.
    Me sy të bardhë
    e këmbë të shtrembëra,
    ti ikje,
    vargun tim duke vrarë,
    Ti ikje
    Vargun tim të vrisje,


    DY QIEJ

    Jam larg me ty tani, e di,
    Na ndajnë midis dy qiej,
    Një qiell mbi mua rri,
    Nën ty një tjetër qiell.

    E lart pot ë hedh sytë,
    Një yll të kërkoj,
    T’i lutem përgjërim,
    Ku fshihesh të tregojë.

    Dashuria mund gjithçka,
    Kujtimet bëhen dritë,
    E qiejt s’mumd të ndajnë,
    Atë që shpirtit ndrin.

    Po të mundje të vije,
    S’do ishe thjesht një flutur,
    Që ngazëllyer vjen,
    Të më bësh më të bukur.

    S’do ishe thjesht një lot,
    Një dhimbje që s’gjen fjalë,
    Dy qiej bëhen një,
    me dashurinë që mbajmë.

    Jam larg tani me ty,
    Na ndajnë midis dy qiej,
    Një qiell mbi mua rri,
    Nën ty një tjetër qiell.


    KUJTIME

    (për Nënën)

    Ka vargje që më mallëngjejnë,
    Dhe këngë që më shkrehin në vaj,
    Kujtime ku shpirti dhemb,
    E lot që dot s’i mbaj.

    Të pres në qoshen e preferuar,
    Që kafen të rrufisim me zhurmë,
    Më pas të qajmë të qeshim,
    E të mallohemi ca më shumë.

    Ka vite që më rikthehen,
    E ti je përherë aty,
    Rreth teje kurora e harresës,
    E përjetësia përherë me ty.

    Të pres në qoshen tënde,
    Të të them një mijë herë “më fal!”
    Për gabime, faje, mirënjohje,
    E në prehër të dremis pa fjalë.

    Si dikur kur sulej kuçedra,
    E burimin krejt e thante,
    Si dikur në përrallat e vjetra,
    Ku shpirti fëminor qante.

    Si dikur, kur qetësia,
    Prehrin tënd bënte dritë,
    E Bota ish nën këmbët e mia,
    Mjaftonte të të shihja sytë.

    Të pres në qoshen tënde,
    Që bashkë të kuvendojmë,
    E forcë nga fryma jote,
    Shpirtit të m’i shtojë.


    MË THE SE DO VIJE

    Ti më the do vije,
    Yjet ranë në gjumë,
    Vala u qetësua,
    Zgjuar rrija unë.

    Ti më the do vije,
    Hëna larg u fsheh,
    Pylli gjetheshumë,
    Të thosh: Mos gënje!

    Ti më the do vije,
    Pylli në blerim,
    U vesh të të priste,
    Pranë syrit tim.

    Ti më the do vije,
    Zogjtë këngën lanë,
    Era u bë fllad,
    Ti të vije pranë.

    Yjet mbenë në gjumë,
    Shpresa mbet atje,
    Pylli gjetheshumë,
    Përsëriste: Mos gënje!

    Ti më the do vije…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË