More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vdekja e bletës" tregim nga Fatmir Musai

    “Vdekja e bletës” tregim nga Fatmir Musai

    E ndjente se dora do t’i enjtej nga ai kafshim blete. Kështu i kishte ndodhur edhe më parë. Fillimisht një pickim i hidhur dhe një skuqje e lehtë, as sa një monedhë e vogël pesëdhjetë qindarkëshe, pikërisht në vendin ku agresorja kish ngulur thumbin e kaftë majëmprehtë. Më pas vinte kruajtja gjithnjë në rritje, ashtu siç rritej edhe e enjtura. Dhe në fund, kur pushonin, të dyja e merrnin këtë vendim njëherësh. Veçse e enjtura kërkonte kohën e saj për të kaluar në të kundërtën e vet, në çenjtje dhe, kjo e fundit, sigurisht që zgjaste shumë më tepër se proçesi i parë.

    Ai hodhi sytë nga insekti agresor, të cilin e kishte kapur për krahësh me mollëzat e gishtërinjve të dorës së majtë. Kur ajo iu afrua veshulit të rrushit që  kishte në dorën tjetër, thjeshtë për ta larguar, ai e kishte lëvizur instiktivisht atë. Dhe, siç duket, po instiktivisht edhe bletëza ia kishte ngulur thumbin-ushtë. Thua të ishte keqkuptim midis palëve? Edhe mundet. Po ç’rëndësi kishte tashmë. Me të ndjerë dhembjen therëse mbi trinën e dorës, ai s’kishte hezituar ta kapte atë nga krahët. Pa patur frikë se mos hante ndonjë thumb tjetër, pasi, kaq gjë ai e dinte mirë: Bleta vetëm një herë të thumbon! Sepse vetëm një thumb ka, ashtu si një shigjetar që ka vetëm një heshtë për harkun e tij.

    Fillimisht, nën efektin e dhembjes, për pak sa s’e shtypi nën tabanin e sholltë të këpucës, por më pas ndërroi mendje. Jo, i tha asaj. Nuk ndahesh kaq lehtë me mua. Të shohim sa do t’u rezistosh torturave! Dhe ishte gati të fillonte nga shkulja e këmbëve, por një zë i largët thellë brenda vetes, e ndali në momentin e fundit. Nuk vritet një bletë pse të hëngri, sikur i tha zëri. Është gjynah të vrasësh një bletë!

    Po, pranoi ai në vetvete. Është një kumt i lashtë. Nga të gjitha insektet, vetëm për bletën populli e ka bërë këtë përjshtim. Madje, më tepër se kaq. Nëse të gjitha insektet e tjera, mushkonjat, pleshtat, morrat, tartabiqët e ç’janë, të gjithë pickojnë, për bletën privilegji është i dukshëm. Ajo të kafshon, të ha! E ç’është një pickim para të të ngrënit? Hiçasgjë! I pari s’është veçse një mistrecllëk, ndërsa i dyti, ah, kujdes me të dytin! Vërtetë e vockël, por zararin e bën si një ujk. Duhen melheme pastaj që të shërohesh…

    Ndërkohë e enjtura po i avancohej. Ai sikur e ndjente helmin t’i përhapej nëpër kapilarët e dorës. Përhapja do të ishte në varësi të forcës së tij. Dhe e krojtura, në vend që të zbutej, po i rritej më tej. Të dyja në raport të drejtë, kruajtja me enjtjen. Dhe s’dihej kur do ta merrnin vendimin për armëpushim. Gjithësesi, atij po i ikte inati i parë. Jo se i kishte pushuar dhimbja. Përkundrazi, trina e fryrë e dorës e acaronte më tepër ndaj kafshëzës fluturake, të cilën, edhe pse ai tashmë e kishte lënë të lirë mbi suprinën e një pllake manjolike, ajo, jo vetëm që nuk largohej në fluturim, por me zor hidhte disa hapa të vegjël, duke të krijuar më tepër përshtypjen e një zvarritjeje.

    Për herë të parë atij i erdhi keq për të. Si harroi se bleta, po të thumboi, është njësoj sikur të ketë nënshkruar një vendim me vdekje për vetveten?! Ndaj u zvarritka kështu, mendoi ai. Mbase këto janë grahmat e fundit të jetës së saj. Ajo s’do të mund të kthehet më në pallatin madhështor të hojeve ku e presin mijërat e punëtoreve. Dhomëza e saj me portën gjashtëkëndëshe do të mbetet bosh dhe Mëma mbretëreshë do të urdhërojë një tjetër bletë të re ta mbushë hojin e saj me mjaltë. S’do të ketë më fluturime të gjata nëpër mijëra e mijëra lule nëpër kopshtet e qytetit dhe kthimi në koshere me trastat e këmbëve plot nektar…

    A ka më paqësore se magjia e nektarit në hojet e mjalit, mendoi ai. Ndërsa unë e vrava këtë misionare të paqjes! Sepse u tremba, ashtu kot. Trembja ime i ngjalli asaj instiktin e vetëmbrojtjes dhe më shigjetoi me thumbin-ushtë. Ajo harxhoi kështu armën e saj të vetme, edhe pse e dinte se, pakëtaj, do të vdiste edhe vetë! Ashtu si Akili kur vrau Hektorin. Perënditë e patën paralajmëruar se pas vdekjes së Hektorit, s’do të ishte e largët dhe radha e tij. Por heroi kishte një motiv shumë më të madh se jeta e vet dhe, duke vrarë tjetrin, njëkohësisht edhe u vetëvra!

    Me sytë e ngulur tek insekti i kaftë, ai vuri re se ajo s’po lëvizte më. Ndjehej sikur të kishte kryer një faj. Për inat e acarim ndaj saj, as që mund të flitej më. Madje, idhnimi tashmë ishte në raport të zhdrejtë me dhembjen e enjtjes. Ai zgjati dorën, e mori trupin e saj dhe e vuri në mes të pëllëmbës. Ajo u rrotullua dhe këmbët e shumta i mbetën të palëvizura përpjetë. Mbaroi, tha ai. Vdiq! Nuk desha…, në fakt nuk desha…, as vetë nuk e di si ndodhi!

    Me të në dorë, ai u ngrit në këmbë dhe bëri për nga kopshti i fqinjit ku gjendeshin gjithashtu koshere bletësh. Prej andej do të ketë ardhur, i tha vetes, por nuk bëri as disa hapa dhe u kthye pas. Ç’bëj dhe unë kështu, mendoi. Sikur të më shohë njeri, kushedi ç’do të mendojë. Edhe kjo më duhet! Por edhe ta hidhte bletën kuturu, nuk shkonte, të paktën në respekt të përsiatjeve që i solli, pavarësisht nga enjtja e dorës që, me sa dukej, po i pushonte. Në fund të fundit, nuk duhet të jetë pa gjë thënia se kafshimi i bletës të bën mirë, të sjell mbarësi. Po sikur ta gropos në tokë? Jo, jo, këtë do ta bënte ndonjë paranojak!…

    Dhe pikërisht atëherë i lindi ideja më e pakundërshtueshme. Nuk e zgjati më, por me të në dorë, si në një ceremoni përshpirtjeje intime, ai u drejtua nga trëndafili më i madh i oborrit të tij. Ishte një trëndafil i bukur, i bardhë. Me kujdes ia hapi fletët e dendura dhe në thellësi të tyre vendosi bletëzën e kadifenjtë. Po me kujdes, sikur të mos lëndonte një kujtim të qelqtë, sërish i mbylli petalet, siç mbyllet kapaku i arkivolit. Dhe u ndje i lehtësuar.

    Ajo tashmë ka varrin e saj, mendoi. Dhe ç’varr?!… E kush nuk do të donte që për varr të kishte një trëndafil?!…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË