More
    KreuLetërsiBibliotekë"The italian job", poezi nga Arben Dedja

    “The italian job”, poezi nga Arben Dedja

    Tunel

    Ky tunel i gjatë ku unë – fëmijë
    kaloja i kënaqur me trenin
    e pushimeve të korrikut është vagina
    e mëmës sime teksa lindja

    dhe kjo vërshëllimë nga terri
    i tunelit trembur është vërshëllima
    e trupit tim të lubrifikuar duke
    rrëshqitur kofshëve së sime ëme

    ndërsa ajo dritë e largët në fund
    të tunelit ajo dritë që të merr frymën
    q’afrohet shpejt e bërë shpellë ngjyrash
    është vdekja vdekja e bukur që po e pres.

    1977

    Ndonëse në rrugë kalonte
    një makinë çdo gjysmë ore
    arriti ta shtypte
    një djalë mosha ime
    tek më kishin çuar
    të blija bukë

    dhe me lot gëzimi
    më pritën kur u shfaqa
    te shtëpia e gjyshes.

    Elegji mizore për babain

    1
    E lava babain e vdekur
    një mëngjes marsi me cikmat
    e dimrit ende nëpër këmbë
    dhe pikërisht nga këmbët ia fillova
    – ujë e sapun – gjersa mori
    era myshk e pastaj rrëzë kofshëve
    sa ia fshika herdhet me këtë rast
    parë për herë të parë
    i vesha këmishë e kostum
    më të mirin duke ia mbajtur
    herek kokën mos ngjishej për gjoksi
    bukur e shtriva të paorë të paunaza
    i kreha pastaj thinjat e rrova
    në të thatë zor e pata me këpucët
    e reja tre-bishta-lugësh-shkulur dhe
    në fund kravatë i vura pasi bëra
    më parë nyjën në qafën
    time.

    2
    Ati im kur ti vdiqe
    të mbajtëm njëzet e katër orë
    pa varrosur të të bënim nderet
    e fundit një përgjim të gjatë
    por ndërkaq dimri po e linte
    tokën ndaj e fikëm ngrohjen
    në mesnatë ashtu te njëri-tjetri
    kruspulluar tek dikush spërkaste
    me parfum dhomën korridorin
    kuzhinën dhomën tjetër gjithë botën…

    3
    I ndjeri ati im kur ti vdiqe
    ishte sipërmarrje e vështirë
    të të zbrisnim shkallëve të pallatit
    me punë vullnetare të kohës
    së enverit një kusho
    i shtatë kacavarur tek telat
    e dritares së komshiut u mor
    me drejtimin e operacionit marangozi
    i katit të pestë i stërmati
    me metër këndet e kalvarit
    dikush dëshmor vuri shpinën
    poshtë qivurit por prapë
    e thyem që e thyem llambën
    e shkallëve skërfitëm
    suvanë teksa brenda ti lëvizje
    thes me arra ngjisheshe pas kokës
    që sipas zakonit
    duhet të dilte e para.

    Bizhdollan

    Shtrirë në kokërr të shpinës
    brenda në water
    e gjeta bizhdollanin e zi
    – bankier i përgjumur në pishinën e tij –
    në zemër të kësaj nate.

    O Deludh Universal
    o galixhant
    vepro ti
    në këtë botë pllakash majolike
    tek me shapka të zvargura iki
    si Zoti më galant?

    1974

    Ngandonjëherë babai vinte
    në shtëpi me kanotierë të gjakosur
    “Ja, pati një problem në sallë…”
    ose
    “Kishim operacion të madh…”
    Nëna nuk qe e kënaqur
    se gjaku nuk pastrohej kollaj
    dhe ia vinte në dukje me
    ato mënyrat e veta.

    Ah baballarët dinë
    të lënë mbresa te bijtë
    dhe jeta është plot të papritura.

    Ungji Llazar

    Më shpupurishi flokët
    tek bëri përpara
    me një të ecur të çuditshme
    hopthi njëlloj
    këmbët e pantallonave
    njëra nga këpucët
    më e vogël
    iu afrua karriges
    e pa shtrembër karrigen
    uli dorën
    një sustë të padukshme
    shtypi nën gju
    dhe e djathta u përkul.

    1969

    “Kujdes” më thoshin “arixhinjtë
    se vjedhin fëmijë.”

    Dhe unë që luaja me ta…

    Vërtet
    që i vidhnin: kish aq shumë fëmijë
    në kolibet e tyre.

    Por mua
    më lanë brenda muresh të lyera…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË