Krahasimi, si figurë mendore a si trop, konsiderohet ndër figurat më dalluese me të cilën shkrimtari Rexhep Qosja ka formësuar shprehjen e tij artistike.
Duke rendur pas së bukurës, në të vërtetë pas estetikës së shprehjes gjuhësore, në romanet e Rexhep Qosjes kam zbuluar se krahasimi bashkë me metaforën paraqesin stilema kurorë në të gjitha romanet e tij. Në këtë këtë rendje pas estetikës gjuhësore të tij, është bërë përpjekje të zbulohet stilematika e krahasimit, në të vërtetë formësimi dhe struktura e stilemave si njësi të shprehësisë së lartë që krijohen me krahasimin, por njëkohësisht të zbulohet edhe përmasa e vlerës funksionale dhe estetike të këtyre njësive stilematike, në të vërtetë të zbulohet stilogjeniteti i tyre.
Që në leximin e parë të cilitdo roman prej pesë syresh që janë botuar[1]të shkrimtarit Rexhep Qosja, patjetër bie në sy sasia, larmia, pasuria dhe estetika e krahasimeve të tij. Leximi i vëmendshëm zbulon qartë natyrën, strukturën dhe veçoritë krahasuese të tyre, por zbulon se në këto romane gjendet edhe një pasuri e madhe e ndërtimeve krahasuese të tipit frazeologjik.Krahasimet e tij në të shumtën e herës janë origjinale, shpesh jo të zakonshme, ndërsa hetohet qartazi përpjekja e ndërgjegjshme e shkrimtarit që me krahasimet të magjepsë plotësisht lexuesin e tij. Kjo përpjekje vërehet edhe në gjetjen e afrisë së plotë të objektit të krahasueshëm me objektin e krahasuar.
Krahasimi, si figurë e analogjisë, gjithmonë realizohet përmes ballafaqimit të dy objekteve, dy njerëzve, dy dukurive, dy gjendjeve, dy ndodhive, dy situatave, gjithmonë njëri prej tyre përcaktohet me ndihmën e tjetrit, me të cilin kanë diçka të përbashkët ose na duket se ngjajnë, pra ndërtohen mbi parimin e ngjashmërisë. Në romanet e Rexhep Qosjes krahasimi paraqitet dendur në të gjithë tipat e ligjërimit.
Si formë e përgjithshme e të folurit dhe e të menduarit, si figura kryesore e poezisë klasike, krahasimi është mënyra themelore e procesit të njohjes së njeriut dhe mënyra se si i shpjegohet tjetrit kjo njohje. Në këtë kontekst duhet të thuhet se mënyra se si shkrimtari Rexhep Qosja ia parashtron lexuesit të tij njohjen dhe përvojën e vet letrare-artistike dhe jetësore është plotësisht e veçantë. Të shohim një shembull:
“Edhe, tani, thuaja, çdo ditë e dëshiroj dhe e kujtoj veten si përpara: ashtu të madh, si elefant, ashtu të fortë, si ariu i murrmë, ashtu krenar, si luani. (Vdekja 226)
Befasia, larmia dhe denduria e përdorimit të krahasimeve të Rexhep Qosjes në këtë shembull sikur edhe në gjithë ligjërimin e tij artistik, i bëjnë krejt të veçanta e origjinale dhe të përdallueshme nga krahasimet e shkrimtarëve të tjerë në letërsinë shqipe.
Krahasimet e Rexhep Qosjes shpesh ndërtohen mbi pamjet a imazhet, kur objekti krahasues vendoset përballë objektit të krahasuar jo vetëm si pamje e ngjashme, por edhe si pamje ilustruese. Fjala është për atë lloj krahasimi që zhvillohet e zgjerohet njëkohësisht me imazhe të veçanta me të cilat objekti i krahasueshëm jepet si imazh i plotë dhe paraqet më shumë a më pak ngjashmëri me objektin e krahasuar:
“Coka ngrin në vend, si ta kishte shituar shita, e shikon si t’ia kishte sjellë pesë metra qefin, sorollatet poshtë e lart dhomës, si t’iu kishin lidhur zorrët, fryn e shfryn, si t’iu kishte zënë fyti, dikur përmallohet, po dikur prapë, e kap nëpër bark, se Coka e di si të gjithë pleqtë e fshatrave…” (Vdekja 66)
Në fragmentin e paraqitur, kjo mënyrë krahasimi ndikon në rritjen e figurshmërinë dhe në përdallimin e stilit të shkrimtarit. Me dallim prej krahasimeve të ligjërimit gojor, ku ato paraqiten në forma të ngurosa, si togfjalësha të qëndrueshëm, të zhveshur nga figurshmëria, por me funksion të përcaktuar kuptimor, krahasimet vetjake të Rexhep Qosjes janë të përforcuara nga ana semantike për arsye të përdorimit të gjatë.
Veçoria më e spikatur e krahasimit të Rexhep Qosjes është figurshmëria e lartë. Me të ai formëson dukuri nga më të ndryshmet, gjallëron shprehjen e tij gjuhësore, konkretizon abstrakten, të ndërlikuarën e të panjohurën, dinamizon rrëfimin, shquan të folurën e personazheve. Të shohim shembullin:
“Fytyra zgjatime, eshtake, lëkura e zbehtë dhe e thatë, si të ishte terur afër stufës, që ndizet me qymyr të keq, buzët e holla të mavijosura, sytë e imtë, si kokrra bizelesh, të mbuluar me vetulla të trasha ngjyrëbalte, nënvetulla të fryra, flokë të dendura të thinjura pazakonshëm…” (I ringjalluri 343)
Në këtë fragment krahasimet janë paraqitur me zgjerime tekstore në të dy anët e gjymtyrëve të tyre përbërëse (i krahasuari dhe i krahasueshmi) dhe me grumbullim krahasimesh që e dinamizojnë ligjërimin e shkrimtarit. Teksti është përshkrues, dhe tekstet e tilla me ndërtime krahasuese janë tipar i dalluar i prozës letrare artistike të Rexhep Qosjes.
Një pjesë e mirë e krahasimeve të Rexhep Qosjes mbështeten në përvojën e përgjithshme njerëzore, në kujtesën kolektive dhe në modelet e figurshmërisë së traditës. Ky grup i krahasimeve karakterizohet me natyrshmëri, vetvetishmëri, intonacion të veçantë, me elegancën e gjuhës bisedore. T’i shohim një shembuj tipikë të këtij lloji krahasimi:
“Në sy më përplasen fytyra të rregulluara si kukulla, vetulla të krehura si krahë të dallëndyshes, buzë të skuqura si qershi të pjekura mirë, qafa të gjata si qafa e kanjushës, sy të zinj, të kaltër a bojëkafe, që e përkëdhelin natyrën e lëre më shikuesin e etshëm për shikim përkëdhelës, flokë shkëlqyes të derdhur shpinës si kallinj gruri …” (Vdekja 352)
Ky shembull, mbushur me krahasime nga ligjërimi bisedor e më shumë nga letërsia gojore dëshmojnë se për shkrimtarin rruga për shfrytëzimin e krahasimit si figurë ka qenë e hapur dhe jo përjashtuese – ai u drejtohet të gjitha burimeve gjuhësore për të krijuar shprehjen e tij figurative. Edhe pse kemi të bëjmë me figura të ”harxhuara”, siç i quan edhe vetë shkrimtari në dy romanet e tij ”Një dashuri dhe shtatë faje” dhe ”Nata është dita jonë”, në shembullin e mësipërm, këto krahasime, në tekstin ku janë përdorur, përjetohen në dritë të re, sepse ato janë kontekstualizuar me figura të tjera si me grumbullimin, përsëritjen dhe paralelizmin dhe kjo i ka bërë ato të pëlqyeshme edhe nga lexuesi sado të ketë shije ta quajmë moderne apo postmoderne.
Me denduri të madhe dhe shprehësi të lartë paraqiten krahasimet t’i quajmë letrare, të krijuara ose të ndërtuara mbi bazën e tyre ekzistuese me burim letrar-artistik:
“Kryetari i Bashkësisë së qytetit, Tushan Dushmani, i mërrolur si dita më e zymtë e vitit, i hidhëruar si rrëqebull i zënë në kurth të hekurt, mendjerrudhur si t’ia kishte pirë bolla trurin, ngjitet në foltoren që e ngrenë kastile për të…” (Një dashuri 61)
Nuk mungojnë shembujt ku ndërrimet krahasuese shquhen me përmbysje a shformim sintaksor, e ashtuquajtura distorzi, që do të thotë ndarje formale e pjesës që është e lidhur logjikisht me tërësinë dhe shprehet me presje, pikë ose pavarësi sintaksore:
“Kot thërret. Zërin e vet më nuk e dëgjon. Është shterur sikundër shterojnë burimet pas thatësirave të gjata a pas tërmeteve të forta, që në këto anë janë aq të shpeshta. Si ta kishte djegur bryma e papritur e skarlatinës! … Zëri është si pusat: ikën dhe kthehet. (Një dashuri 245)
Duke qenë se romanet e Rexhep Qosjes mbajnë treguesit modernë dhe postmodernë llojshmëria ligjërimore e tyre përcakton edhe llojshmërinë e krahasimeve dhe ajo vërtet është e gjerë dhe interesante. Kështu, me krahasimin shkrimtari jo vetëm konkretizon, shpjegon dhe zbukuron shprehjen poetike, por edhe tërheq paralele të pritura dhe të papritura midis qenieve, dukurive, objekteve, pamjeve, ndodhive, arrin efekte, mistifikon tema e çështje për të cilat shpreh emocionalitetin e rrëfimtarit, sugjeron njohje dhe kulturë të lartë letrare e artistike. Shih shembullin:
“Ai vëngoshi francez me syze, që e ka emrin prej tre emrash, Zhan – Pol Sartër, që shikon si shejtani pas parmakëve, që i lëviz duart dhe këmbët kur flet sikur ta kishin lidhur në korrent, nganjëherë ka të drejtë kur thotë se të tjerët janë ferr dhe, kur e ka shqiptuar këtë mendim aq të mallkuar e aq të qëlluar.” (Vdekja 47)
Krahasimet e Rexhep Qosjes, siç u pa nga shembujt e paraqitur deri këtu, janë të pasura me përshkrime, shembuj, argumente dhe kundërargumente, të përdorura e të krijuara me kujdes të veçantë, ku ndihet lehtë kujdesi për ritmin, metrikën, radhitjen e tingujve, të togjeve, të fjalëve dhe të fjalive. Duke vendosur lidhje të reja midis dukurive, objekteve, qenieve, ato kanë rol kryesor, sepse zbulojnë ngjashmëri të reja midis krijesave e gjërave të ndryshme, në të vërtetë ato në një mënyrë paraqesin vetë esencën e artit poetik.
“Ti e ndien veten të zbrazët, fyell, bosh, si shtogu kur ia nxjerrin palcën, si peshku kur ia shtrydhin ikrat, si lehona kur ia heqin foshnjën. (Vdekja 150)
Shkrimtari me krahasimet konkretizon dhe krijon pamje të jashtëzakonshme duke i bërë më të shquara, duke i dhënë shprehjes karakter ornamentik, duke shprehur një përvojë emocionale, që nuk do të mund të shprehej ndryshe, duke sugjeruar një vizion të përbërë të botës, sipas analogjisë së përgjithshme, duke zbuluar shumëçka nga përvoja e vet personale, jetësore, profesionale e letrare, duke përshkruar trauma psikologjike individuale e kolektive, duke paraqitur qëndrime filozofike, politike, etike ose duke përfushur ideale e shije estetike, gjithnjë në funksion të kontekstit letrar. Shembull:
“Qylafi i palarë në majë të kokës si copë bore në Qafën e Diellit, balli përplot hulli, kodra e gjolla dyngjyrëshe – të vrugëta e të bardha, vetullat e trasha, të lëshuara si strehë elefanti mbi sytë shumëngjyrësh të cilët vështirë do t’i pikturonte Abdyrrahim Buza, gropat e faqeve, në të cilat mund të bëjnë çerdhe edhe hutinët e Lubotenit…” (Nata 33)
Pavarësisht se në letërsinë e sotme moderne dhe postmoderne krahasimi, thuhet ndoshta me pa të drejtë, ka humbur shkëlqimin e të qenët figurë e rendit të parë, siç ka qenë fjala vjen në epokat a në letërsitë pararendëse, sidomos te ajo romantike, duke ia lëshuar vendin figurave të tjera mendimore siç janë metafora, metonimia, sinekdota, ironia, për arsye të qartësisë së tyre apo ngjeshjes së tyre kuptimore, në romanet e Rexhep Qosjes, të cilësuara si moderne dhe postmoderne, krahasimi zë vend të dalluar. Krahasimi i tij, në të vërtetë, i është nënshtruar një modifikimi të thellë, prandaj përmban treguesit dhe shijen e kohës moderne e postmoderne, si nga ana përmbajtjesore e strukturore e ashtu, sidomos, nga ana e stilematikës së saj origjinale. Krahasimi i tij me larminë e me dendurinë e madhe të përdorimit, dëshmon se figurshmëria e lartë në prozën e tij përfaqëson jo vetëm shfrytëzimin sistemor të një veçorie thelbësore të gjuhës por, përfaqëson edhe pasurim e zgjerim krijues të mundësive shprehëse të saj. dhe ajo stilematike.
Në romanet e Rexhep Qosjes, krahasimi paraqitet jo vetëm si figurë stilistike por edhe si frazemë krahasuese. Krahasimet si figura stilistike janë, në të shumtën e herës, krijime vetjake gjuhësore, ndërsa frazemat krahasime, duke qenë të konvencionalizuara përmes procesit të idiomatizimit dhe, pjesërisht, të desemantizimit, riprodhohen si tërësi ose si pjesë të tërësisë.[2] Krahasimet e Rexhep Qosjes nuk janë më pak interesante se metaforat, sepse ato, pos që i dallojmë më lehtë, përmbajnë edhe të gjitha elementet që përbëjnë metaforat. Si krahasimet, si metaforat paraqesin burim të gjerë shprehësie e figurshmërie në romanet e tij.
KRAHASIMI DHE LLOJSHMËRIA E TIJ
Krahasimi si figurë e fjalës dhe i vlerësuar si mjet për shquarjen emocionale dhe përforcimin stilistik të shprehjes bashkon qenie, objekte, sende dhe dukuri që i përkasin sistemit të njëjtë referencial, zakonisht mbi bazën e veçorive të përgjithshme të njohura ose të fshehura. Ndërtohet mbi bazën e ngjashmërisë duke ruajtur kuptimet burimore të fjalëve dhe duke sjellë ndriçim të dyfishtë të së njëjtës njëmendësi. Nuk thuhet kot se krahasimi është mjet metodologjik që na ndihmon në përpjekjet për të zbuluar të vërtetën.
Strukturën e krahasimit e përbëjnë tri gjymtyrë: ajo që krahasohet, ajo me çka krahasohet dhe ajo që i bashkon. Dy gjymtyrët kryesore bashkohen me lidhëza (si, siç, sikur, sa, aq-sa),me ndajfolje (njëjtë, ngjashëm, njashtu), ndërsa shpesh rolin e tyre e kryejnë edhe mbiemrat (i njëjtë, i ngjashëm) dhe foljet (ngjan, ngjason, përngjan). Mbështetur në këta tregues të krahasimit mund të përcaktohet edhe llojshmëria përmbajtjesore dhe strukturore e krahasimit të Rexhep Qosjes. Klasifikimi i përgjithshëm i grupon ata në krahasime të thjeshta dhe të zgjeruara. Të dy këto lloje krahasimesh mbështetën në analogjinë – me emra konkretë, për ç`arsye edhe figurat janë konkrete dhe sjellin një varg përfytyrimesh të mbështetura në objekte lëndore të botës materiale, ndonëse nuk janë pak as ato të krijuara nga emra abstraktë. Te ndërtimet e thjeshta përfshihen krahasimet cilësore që ndërtohen me lidhëzat «si», «sikur», «porsi» dhe krahasimet sasiore që ndërtohen me lidhëzën «sa».
Krahasimi i thjeshtë
Krahasimi i thjeshtë, i trajtuara shpesh si formulë gjuhësore, paraqitet në numër të konsiderueshëm. Ky lloj krahasimi krijohet për të rrokur një ngjyresë kuptimore, si fjala vjen: i bardhë si bora, i gjatë si lis, i butë si qengj, e egër si dhia etj.,, dhe pa të nuk do të mund të shprehnim ato kuptime të ngjyrosura që si të tilla nëpër kohë janë jetësuar në gjuhën e folur. Krahasimet e tilla në gjuhën e Rexhep Qosjes janë të shumta dhe paraqiten me strukturë të thjeshtë e me pak elemente gjuhësore, ndërsa funksioni i tyre është figurshmëria, emocionaliteti, madhërimi dhe stolisja. T’i shohim si e kontekstualizon shkrimtari Rexhep Qosja këtë lloj krahasimi:
«Sytë – Dy kokrra, që mund të jenë të zeza si rrushi, të kaltra si qielli a bojëkafe si këmisha e doktor Buzukut.» (Një dashuri 174); «Dje e kam zënë një copë të rreshkur si ngjala dhe s’e harroj kurrë atë ditë.» (Vdekja 216); «Nakshija: e gjatë, e hollë, lëvizje të buta, si shtojzovalle.» (Nata 162); «Tulja: faqe të plota, të bardha, shumë, shumë epshore, me mollëza të qitura si ftoj.» (Nata 162); «… Bardhi iu hyn njerëzve në shpirt jo si unë, si zhuga në lëkurë – thoshte Avniu – po si gjylja e topit.» (Një dashuri 235)
Siç shihet nga shembujt e paraqitur struktura e këtij lloj krahasimi është e thjeshtë – dygjymtyrëshe, zakonisht emër dhe folje dhe me konektorë të ndryshëm – zakonisht lidhëza, por ka mjaft raste kur këtyre dy gjymtyrëve u shtohen edhe gjymtyrë të tjera, që përbëjnë zakonisht një zgjerim të lehtë të kësaj strukture të të dyja gjymtyrëve.
Krahasimi i zgjeruar
Në kuptim formal, krahasimi paraqitet më pak ose më shumë i zhvilluar ose i zgjeruar, por gjithmonë ndërtohet në raport të brendshëm të njëjtë, që do të thotë se objektet, qeniet, dukuritë, gjendjet a ndodhitë të cilat krahasohen kanë një veti të përbashkët. Krahasimet e Rexhep Qosjes në këtë kontekst paraqiten në llojshmëri të madhe, me raporte interesante dhe shumë të pasura tematikikisht. Sipas korpusit të krahasimeve të Rexhep Qosjes, posaçërisht sipas zgjerimit të gjymtyrës së dytë të krahasimit, janë përcaktuar këto gjedhe krahasimesh në romanet e tij:
1. karahasimi me zgjerim maksimal i dyanshëm:
«Krye tri orëve, breshri kokërrmadh u kthye në shi (po çfarë shiu, o Zot), një shi i përcjellë me bubullimë e rrufera të shpeshta si krismat tmerruese të topave të radhitur njëri skaj tjetrit, që linin vazhdën e flakës së pafund prapa.» (Një dashuri 65)
2. karahasimi me zgjerim maksimal: ku gjymtyra dytësore (i,e krahasueshmi/ja) përmban shumicë të theksuar detajesh në raport me gjymtyrën e parë (i,e krahasuari/ja). Ky lloj zgjerimi konsiderohet i zhvilluar dhe shpesh quhet edhe epik, homerik, virgjilian e të tjera.
«Kryetari i Bashkësisë së qytetit, Tushan Dushmani, i mërrolur si dita më e zymtë e vitit, i hidhëruar si rrëqebull i zënë në kurth të hekurt, mendjerrudhur si t’ia kishte pirë bolla trurin…» (Një dashuri 61)
3. krahasimi me zgjerim mesatar, ku gjymtyra dytësore përmban zgjerim mesatar me detaje të mjaftueshme. Ky krahasim quhet krahasim i thjeshtë:
«…me minaren e saj të gjatë, që i bëhej e hollë, si thupër e përkulur…» (Vdekja 70). …përnjëherë filloi të binte kokrriz, kokrrat e të cilit ishin sa vezët e korbit.» (Një dashuri 65)
4. krahasimi me zgjerim të matur, ku gjymtyra dytësore lidhet me gjymtyrën parësore vetëm me një fjalë krahasuese. Me këtë lloj ndërtimi të shkurtuar realizohet lidhja më e shkurtër e mundshme midis dy gjymtyrëve paralele, më së shpeshti në rrafsh sintagmatik:
«Një korb, oh sa i zi, me qokthin më të madh se ç’e kishin korbat që shiheshin shpesh në drurët e qytetit…» (Një dashuri 83)
«Si i djeguri dorën prej zjarrit, e largon mendjen edhe prej këngës tjetër popullore O ç’po punojshin tre vllazni …» (Një dashuri 244)
5. krahasimi minimal me pak hollësi, ku të dyja gjymtyrët kanë zgjerim minimal, prandaj konsiderohet krahasim i shkurtuar:
«… u përjetuan si tri ditë të kiametit, sepse ato tri orë breshër mjaftuan që të gjitha të mbjellat e tyre, edhe ashtu të përgjysmuara nga vapa, të bëhen rrafsh me tokën». (Një dashuri 65)
6. krahasimi pa zgjerim, ku shpesh mungon gjymtyra e parë për arsye të segmentimit sintaksor:
“Sillen si fugë e rrëzohen; rrëzohen e çohen.” (Një dashuri 81)
Krahasimet e zhvilluara, i kanë shërbyer shkrimtaritn Qosja si mjet i domosdoshëm për rrëfimin e gjatë, rrëfimin klasik.
Krahasimet e zhvilluara
Veçoria kryesore e këtij lloj krahasimi është pavarësia e tij, që nuk është rrjedhojë vetëm e zgjerimit të tij, por edhe e shumësisë së detajeve të të dyja gjymtyrëve e sidomos e gjymtyrës dytësore, e cila shpesh shpreh shpërpjesëtim në raport me gjymtyrën a gjymtyrët parësore. Me këtë lloj krahasimi tërhiqet vëmendja e lexuesit nga tema kryesore, madje mund të thuhet se ai sjell një largesë të qëllimshme prej saj ose një lloj digresioni. Raporti i këtyre dy gjymtyrëve, në këtë lloj krahasimi, është i drejtpeshuar – ato takohen vetëm në një pikë – në veçorinë kryesore të përbashkët, por jo edhe në hollësitë e tjera.
“Po çka të bënte? Si t’ia niste dhe si ta përfundonte? T’i vërsulej derës, si demi i ndërkryer, të turrej brenda si gjyle topi dhe, me thikën që kishte në dorë, t’i shtrinte për tokë që të dy…” (Vdekja 77)
Siç shihet nga ky fragment, shkrimtari me krahasimet e zhvilluara ndal rrjedhën e rrëfimit dhe synon pavarësimin e plotë të tyre. Kjo mënyrë e aktualizimit të krahasimeve ka sjellë kalimin e krahasimit në figurë tjetër shumë të parapëlqyer nga shkrimtari Rexhep Qosja – kalimin në përshkrim, nga i cili e ndan raporti i dobët krahasues me gjymtyrën e parë, zakonisht përmes konektorit, lidhëzës “si”. Zgjerimin e ndihmon veprimi tjetër i shkrimtarit, përdorimi në po atë tekst i aforizmave (kush ngutet, ngutet në dëmin e vet), i shprehjeve frazeologjike, i shprehjeve metaforike, e të tjera.
Krahasimet e zhvilluara në romanet e Rexhep Qosjes gjithmonë janë në funksion të zgjerimit, të degëzimit fjaliesor, të shpjegimit, të qartësimit, të argumentimit dhe të stolisjes. Me këto krahasime, si figura stilistike, shkrimtari Rexhep Qosja ka arritur gjallëri dhe dinamizëm të përshkrimit, sepse ato përmbajnë shumë magjepsje dhe mjeshtëri në paraqitjen e pamjeve nga më të ndryshmet, siç shihet edhe në shembullin në vijim:
“… duart e kryquara përpara apo përmbrapa, të bardha, të nxira, të plasaritura, të lëmuara, të trasha, të holla si sholla; këmbëve, që çapojnë ngadalë, si të ishin në paterica, këmbëve që çapojnë krenare, si të ishin në këpucët e marsheve solemne, këmbëve që shkelin si gozhda në tru, këmbëve që shkelin si kufoma dhe, …që pikojnë si pikat e vesës në dheun e ngrirë…” (Vdekja 157)
Një numër i konsiderueshëm i krahasimeve të zhvilluara dallojnë mes vete sipas vëllimit të zgjerimit, sipas përmbajtjes së elementeve dytësore si dhe sipas raporteve sasiore midis gjymtyrëve parësore dhe dytësore.
“…atëherë ajo do të tërbohej si qelbësja e kapur në kurth, apo si bushtra e rrahur prej zonjës së shtëpisë… ku shtrihej e zhgërryhej, duke uluruar si arusha e uritur.” (Vdekja 29)
Siç shihet në këtë fragment, me krahasim të zhvilluar dhe me gjuhë të figurshme, shkrimtari dëshmon gjendjen e personazhes fatkeqe Trashes – frikën, shqetësimin, zemërimin dhe pakënaqësinë e saj.
Shkrimtari Rexhep Qosja shfrytëzon krahasimin, jo vetëm si figurë të analogjisë, por edhe si kategori estetike me të cilën krijon pamje ekspresive dhe përjetime emocionale për gjendje, dukuri, ndodhi jo vetëm në mjedise njerëzore, por edhe në natyrë. Shumë elemente jetësore e ndodhi do ta gjejnë shprehjen e vet të plotë, reale e të natyrshme pikërisht në sajë të përdorimit të krahasimit. Krahasimi i tij në të shumtën e herës, mbështetet në sinestezi, sepse lidh cilësi të ndryshme ndijimore – pamore e dëgjimore, por vë në spikamë edhe analogji befasisht të zbuluara, të cilat nuk qëndrojnë vetëm në intensitetin shqisor, po edhe në një mori domethëniesh emocionale me karakter të përgjithshëm e të veçantë që lidhen me një periudhë jete të vështirë për njeriun e Kosovës e njeriun e trojeve shqiptare, në përgjithësi, duke e shndërruar krahasimin kështu në kategori shumë të rëndësishme në romanet e tij:
“…i pikëlluar pse e gjej shtëpinë shkret, si samarin e breshkës së cofur, dal herët në rrugë…” (Vdekja 120)
Një ndarje tjetër në korpusin e madh të krahasimeve të Rexhep Qosjes mund të bëhet sipas raportit sasior midis gjymtyrëve parësore dhe atyre dytësore, sipas të cilit dallojmë tipin me raport të pa baraspeshuar midis këtyre dy gjymtyrëve të krahasimit dhe tipin tjetër, në të cilin raporti i baraspeshuar midis tyre arrihet me ndryshime të dukshme në rrafshin semantik. Fjala është për parabolën, që në të vërtetë është krahasim i zhvilluar. Në bërthamat tematike të gjymtyrëve të para zakonisht ndeshim këto përmbajtje: 1. gjendje psikologjike dhe emocione: dëshirë, lakmi, pasiguri, pavendosmëri, frikë, neveri, gëzim; 2. ndodhi, ngjarje, veprime, të cilat paraqiten në formën e mikrosekuencave për të argumentuar dhe konkretizuar temat bosht.
“Koha ballkanike herë ecën shumë ngadalë e herë shumë shpejt, herë nuk mund ta ngrehin përpara as kuajt më të fortë e herë nuk mund ta ndalin as buajt më të mëdhenj. Hapësira ballkanike herë duket aq e ngushtë sa ua zë frymën edhe peshqve në ujë e herë duket aq e errët, sa ua merr sytë edhe atyre që shikojnë më së kthjellëti. (Një dashuri 239)
Krahasimet e zhvilluara me vëllim më të madh të gjymtyrës së dytë kanë denduri më të lartë paraqitjeje. Strukturat krahasuese ”synojnë” pavarësi sintaksore, prandaj krijohen pamje t’i quajmë të përkufizuara ose të rrumbullakosura. Edhe këto krahasime përmbajnë mjaft hollësi:
“Shoh: Rudina ma ka qitur dorën rreth qafe, kur jemi martuar, më buzëqesh pafajshëm, siç dinë gratë të buzëqeshin ditëve të para të jetës bashkëshortore dhe më premton rehatinë që s’e kisha pasur në rininë time…” (Vdekja 87)
“Është shterur sikundër shterojnë burimet pas thatësirave të gjata a pas tërmeteve të forta, që në këto anë janë aq të shpeshta. Si ta kishte djegur bryma e papritur e skarlatinës!” (Një dashuri 246)
Në të pesë krahasimet e këtyre dy teksteve, ngjashmëria vendoset midis konkretes dhe abstraktes, midis të jashtmes dhe të brendshmes, midis asaj që shihet dhe asaj që nuk shihet, që është në të vërtetë tregues i shquar edhe i shumë i krahasimeve të tjera të Rexhep Qosjes, veçanësia e të cilave qëndron në faktin që konektorët bashkërenditës kanë krijuar raporte të plota simetrike në shumicën e rasteve. Bashkëveprimi midis veçorive semantike – midis gjymtyrës parësore dhe asaj dytësore, ruhet gjithmonë. Gjymtyrët krahasuese, secila më vete, ka mjedisin e vet të aktualizimit, kurse ngjashmëria e tyre realizohet nga treguesit e të dyja raporteve, me çka arrihet dinamizmi i ligjërimit dhe ngjeshja e theksuar semantike. Përzgjedhja e radhitjes së njësive semantike ndikon që lexuesi vetë të ndërtojë një sistem paralel të ndërthurjeve, i cili do t’i përgjigjej gjymtyrës parësore sipas shënjuesve semantikë të gjymtyrëve dytësore ose e kundërta. Duke ndikuar kështu në imagjinatën e lexuesit përzgjedhja e shkrimtarit në të njëjtën kohë arrin efekt të fuqishëm njohës: e bën shumë më të dukshëm krahasimin, në të vërtetë ajo që është e padukshme bëhet e dukshme përmes dy pamjeve në prerjen e të cilave lind kuptimi i tretë, ai që e imagjinon lexuesi vetë.
Krahasimet e zhvilluara janë veçori e dalluar e krahasimeve të Rexhep Qosjes. Ato janë të mbushura me hollësi përshkruese dhe konkretizuese dhe përfushin qartë funksionin e tyre të rëndësishëm semantik për gjithë kontekstin ku aktualizohen.
Një lloj më i thjeshtë i krahasimit të baraspeshuar është ai që realizohet me paralelizmin sintaksor. Fjala është për dy pamje me kuptim të njëjtë. Në krahasimin e dytë të baraspeshuar, ngjashmëria realizohet njëjtë nga përbërës të të dyja raporteve, ndërsa e ndihmojnë edhe baraspeshat e fshehura me plot hollësi, të cilat në një realizim tjetër leksikor-tekstor drejtpërdrejt do të çonin në alegori. Një veprim i tillë ndikon që lexuesi të lexojë diçka tjetër e të mendojë krejt diçka tjetër.
“Pranvera erdhi si vajzë e lazdruar, duke ia ndërruar pamjen natyrës dhe duke ua ndërruar humorin njerëzve: më shpesh e buzëqeshur se e vrenjtur: më shpesh e ngrohtë se e ftohtë; më shpesh e zhurmshme se e qetë.” (Një dashuri 58)
Shkrimtari tregon aftësi të adhurueshme për ndërtimin e krahasimeve të zhvilluara, të cilat me raportet simetrike të gjymtyrëve të tyre krahasuese krijojnë ndërlidhje të theksuara ngjashmërie dhe ndërveprime të gjera të shënuesve semantikë të të dyja pamjeve. Pamja e gjallë, konkrete, ngjason me objektin a dukurinë që konkretizon dhe ilustron, por në prerjen e tyre semantike fshihet kuptimi metaforik.
Shkrimtari Rexhep Qosja flet më shumë me figurën e krahasimit sesa me njëqind fjalë. Krahasimet e zhvilluara përforcojnë ligjërimin e autorit-narratorit, i cili mendimet e qëndrimet e tij më së shpeshti filozofike-moralizuese-paranjohëse i zbut dhe i plotëson me krahasimet e me gjysmë krahasimet e figurshme e të “krehura” ndjeshëm estetikisht.
KRAHASIMI ARGUMENTUES DHE KRAHASIMI STOLISËS
Emërtimi krahasim sipas teorikëve të letërsisë që nga antika, mbulon dy lloje krahasimesh: krahasimin sasior (komparacionin) dhe krahasimin cilësor (similitudën). Krahasimi sasior ndërtohet me lidhëzën “sa”, kurse krahasimi cilësor me lidhëzën “si”. Të dyja këto lloje krahasimesh te shkrimtari Rexhep Qosja përdoren si mjet argumentimi dhe si figurë poetike. Funksioni i këtyre dy lloje krahasimesh realizohet sipas kontekstit. Kështu krahasimet cilësore varen nga raportet cilësore që krijohen mes tyre, zakonisht kur vihen në krahasim objekte, dukuri a personazhe:
“Një gardalinë fluturon rrufeshëm dhe rrufeshëm, përnjëherë, lëshohet në kokën e një vajze leshverdhë, sykaltër, lëkurëbardhë, si qumështi …” (Një dashuri 82)
Ndërkaq, krahasimet sasiore varen nga raportet e sasisë – të masës, të vëllimit, të përpjesëtimit, kurse ndërtimi është i thjeshtë me gjymtyrë kryesore, me raporte të qarta krahasuese, sidomos te përshkrimet e gjata të natyrës, të personazheve e të ngjarjeve:
“…ishte e mërkurë, në muzg, viti ndërroi mendje si ta kishte urdhëruar kush: përnjëherë filloi të binte kokrrizë, kokrrat e të cilit ishin sa vezët e korbit.” (Një dashuri 65)
Paraqitja e dendurisë së këtyre krahasimeve në romanet e Rexhep Qosjes është e dallueshme: krahasimet cilësore kanë dukshëm denduri më të lartë përdorimi. Kjo ndodh për arsye se krahasimet cilësore kanë tregues figurshmërie të lartë. Siç është thënë edhe më lart, krahasimi cilësor përgjithësisht ndërtohet mbi bazën e lidhëzës “si”, por e gjejmë të përdoren edhe rrjedhojat e saj “sikur”, “porsi”, natyrisht dukshëm më pak.
Llojshmëria e ndërtimeve krahasuese cilësore të Rexhep Qosjes është e pakufishme, me këtë rast vlen të përmenden ndërtimet krahasore cilësore me përbërës emra të përveçëm. Krahasimet cilësore me përbërës emra të përveçëm në romanet e tij janë në numër shumë të madh dhe me burime nga më të ndryshme, sidomos nga thjeshtligjërimi dhe letërsia gojore si fjala vjen shembujt: shko e eja si Adem Peja; bojëkafe si këmisha e doktor Buzukut, si Bjeshkët e Thata, si mustaqet e rruncallura të Galanit të Sekut, si Makfirja e Bilallit në Kodrën e të ardhurve, e të tjera.
Shquhen krahasimet e ndërtuara me emra të përveçëm që janë marrë nga artet, letërsia a kultura, historia, gjeografia botërore e të tjera: sa nata në Polin e Veriut; si sytë e Bodlerit në Zhana Divalin e kolme; si Gjokonda; si Danteja e Bodleri: si kofshët e Napoleonit në kalë të bardhë, të para me sytë e Stendalit; si Kasandra e Delfit; si Statuja e Lirisë në hyrje të Nju-Jorkut; si të ishin në autostradën Romë-Milano; si Kulla e Pizës; buzëqeshje të mezidukshme si të Mona Lizës; si të ishte farë shkrimtare – Sharlota Bronte a Virxhinia Vulf; si të ishte manekine e ushtruar në pistat e Gjani Versaçit; si dyert që u ka vënë kështjellave Drakulla; Si gjithësia e Ajnshtajnit; si t’i kishte pikturuar Botiçeli. E të tjera.
“…e ul dhe e ngre dhe e përdredh, si të kishte luajtur shumë e shumë herë rolin e Ofelisë në Teatrin në të cilin janë luajtur për herë të parë dramat dhe tragjeditë e Shekspirit apo si të ishte këngëtare e Labërisë, që e ka bërë të lavdishme magjia e këngëve polifonike.” (Nata 49)
Krahasimet e Rexhep Qosjes kanë edhe karakter njohës. Përmes tyre domethënia e nocioneve, e objekteve dhe e dukurive bëhet më e përcaktuar, më konkrete dhe më e qartë, pavarësisht a saktësojnë apo intensifikojnë, sepse paraqesin lidhje ndërmjet objekteve dhe dukurive në realitetin jashtëgjuhësor.
Krahasimet e Rexhep Qosjes funksionojnë si semantostilema shumë evokuese: si rrëqebull i zënë në kurth të hekurt; mendjerrudhur si t’ia kishte pirë bolla trurin;gojëhapur si krapi në zall; si rrufeja për së kthjellëti, flet si engjël e mendon si shejtan; të rreshtuar si fishekët në brez; të dobishëm si myshqet; si të ishte mbuluar me qefin të hekurosur; si artisti më mendjetretur, e të tjera.
Ky lloj krahasimi me të cilin shkrimtari ka mbushur romanet e tij, shpreh shkallë të lartë të abstraktimit të kuptimeve, zhbartje të figurshme të mendimeve përmes asociacioneve. Përmes vendosjes së ngjashmërisë, Rexhep Qosja ka krijuar pamje artistike me shkallë të lartë të figurshmërisë e me dendësime të veçanta semantike-leksikore po edhe me ndërtime të larmishme në nivel sintaksor e tekstor. Kujdes të veçantë në krijimin e përftesave të këtilla, shkrimtari i ka kushtuar përzgjedhjes së leksikut poetik, sikundër në gjithë romanet e tij. Konteksti është ai që zbulon vlerat dhe raportet ekzistuese në këto krijime.
Një numër i këtyre krahasimeve paraqiten në formë të frazeologjizmave. Leksikalizimi i tyre ka ndjekur rrugën përmes metaforave, kurse realizohen me lidhëza, më së shpeshti me lidhëzat «si», «sa»: si krahë të dallëndyshes; si cungu; si bora; si delet pas bariut; ia kishte prerë si me sakicë; si kau në pus; si rrufeja për së kthjellëti, sa kupa e qiellit, sa vezët e korbit, e të tjera.
Krahasimet frazeologjizma në prozën artistike të shkrimtarit Rexhep Qosjes konkretizojnë, ngjeshin ndjeshëm shprehjen, individualizojnë ligjërimin dhe përgjithësojnë mendimin.
Përfundim
Krahasimet në romanet e shkrimtarit Rexhep Qosja janë frymëzuar sa nga krijimtaria letrare botërore e shekujve aq nga imazhet e vendlindjes, sa nga përvoja e pasur jetësore e sa nga natyra, adhurues i madh i së cilës ishte, po aq nga jeta e përditshme në kontekstin historik e politik, shoqëror e kulturor në një periudhë afro 50 vjeçare të hapësirës shqiptare.
Krahasimet Rexhep Qosjes dëshmojnë artin e tij poetik: synimet poetike të tij i janë nënshtruar një qëllimi sipëror, prandaj, në romanet e tij, estetika e tij e lartë nuk i kundërvihet asnjëherë etikës së tij të qëndrueshme e të fuqishme. Mesazhi etik-moral i romaneve të tij ndërtohet mbi përjetimin estetik – të së bukurës dhe të së madhërishmes dhe mbi tendosjen e fuqishme emocionale, sepse ai e di mirë si shkrimtar e si narrator se në ndjenjat e lexuesit ndikon më shumë ajo që shihet sesa ajo që mendohet.
[1] “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, Prishtinë, 1974; “Një dashuri dhe shtatë faje”, Tiranë, 2003; “Nata është dita jonë”, Tiranë, 2007; “Bijtë e askujt” I, II, Prishtinë, 2010; “Të fshehtat e treguara”, Tiranë, 2020.
[2] Keneth Burke, “A Grammar of Motives”, Prentice-Hall, Incorporated, New York, 1945; sipas Zdenko Lešić, “Teorija književnosti”, “Sarajevo Publishing”, 2005, f. 189.


