Përkthyes i madh nuk është ai që e bën autorin të flasë shqip, por ai që e bën lexuesin shqiptar të harrojë se po lexon një vepër të përkthyer. Kur kjo ndodh, përkthimi pushon së qeni një ndërmjetësim gjuhësor dhe shndërrohet në art.
Kur lexojmë një vepër të përkthyer të letërsisë artistike, qoftë roman, novelë, tregim a poezi, hasim gjithmonë një kategori të caktuar përkthimi, e cila:
a) Mund të mos na tingëllojë natyrshëm dhe të mos na lërë shije të mirë. Kjo ndodh kur përkthyesi përdor një gjuhë të rëndomtë, shfaq mangësi të dukshme si pasaktësi, kundërkuptime, përdor një gjuhë të varfër e të zbehtë, ndërtime sintaksore të dobëta e të panatyrshme për gjuhën shqipe, fjalë të huaja që i përdorur pa u lodhur për t’i qëmtuar ato në fjalorin e shqipes, humbet figuracionin artistik, shfaq mefshtësi në energjinë krijuese duke mos mundur të zgjedhë fjalën më të goditur dhe për këto arsye, nuk arrin të rikrijojë atmosferën e veprës; të gjitha këto mjegullojnë kuptimin dhe zbehin forcën artistike të saj. Por shpesh kemi të bëjmë me diçka edhe më të ndërlikuar: përkthimi mund të mos ketë fare të meta të tilla dhe përsëri nuk arrin ta bëjë për vete lexuesin. Ai mund të jetë i përpiktë, besnik ndaj origjinalit, pa kundërkuptime dhe me fjali të ndërtuara drejt nga ana sintaksore, por megjithatë mund të paraqitet i ftohtë, pa shije, pa nerv. Si rezultat, krijohet një tekst logjik dhe i kuptueshëm, por njëkohësisht i thatë, “cerebral”, monokrom si një negativ filmi. Ai nuk zgjon fantazinë, nuk ngjall emocion, nuk tërheq kureshtjen dhe nuk e mban të gjallë vëmendjen e lexuesit.
Në të dyja rastet, vepra lexohet pa interes. Mirëpo lexuesi rrallë është në gjendje të përcaktojë se ku qëndron përgjegjësia: te autori apo te përkthyesi. Vetë natyra e përkthimit e bën këtë dallim jashtëzakonisht të vështirë, sepse kërkon njohje të thella të të dyja gjuhëve dhe një analizë profesionale të tekstit. Për këtë arsye, dobësitë e përkthimit kalojnë shpesh pa u vënë re dhe përkthyesi mbetet pa u kritikuar.
Në këto raste, lexuesi nuk “e sheh” kërkund përkthyesin, nuk “njihet” dhe nuk krijon asnjë ndërlidhje me të, nuk ndien simpati për punën e tij dhe as nuk i shkon ndër mend të pyesë se kush është njeriu që ka bërë të mundur që autori i huaj të flasë në gjuhën tonë.
Një vepër, sado e madhe dhe e arrirë të jetë, mund të masakrohet nga një përkthyes i papërgjegjshëm, i cili zgjedh rrugën e lehtë të përfitimit personal në kurriz të cilësisë. Përkthyes të tillë nuk tregojnë respekt as për autorin, të cilit i deformojnë zërin artistik, as për lexuesin, të cilit i mohojnë kënaqësinë e leximit të një vepre të përkthyer me dinjitet.
b) Përkthimi mund të na lerë, herë pas here, përshtypje të mira, falë një gjuhe të zhdërvjelltë, përdorimit të lokucioneve të goditura e shpesh ekuivalente, si edhe figurave stilistike të përshtatshme. Por këto nuk e përshkojnë librin nga kreu në fund. Ato duken e zhduken si xixëllonjat dhe teksti i përkthyer herë shkëlqen me ëmbëlsi e herë bie në rëndomësi. Në përgjithësi, ky lloj përkthimi i qëndron besnik autorit dhe arrin të riprodhojë deri diku në gjuhën e synuar jo vetëm përmbajtjen, por edhe ndjenjat; jo vetëm fjalët por edhe frymën artistike të veprës. Kjo kategori përkthimesh lexohet pak a shumë me ëndje, ndonëse jo gjithmonë në mënyrë të njëtrajtshme.
Ashtu si në kategorinë e parë, lexuesi e ka të vështirë të dallojë se cilat janë meritat e autorit dhe cilat të përkthyesit. Megjithatë, në këtë rast përkthyesi fiton natyrshëm një pjesë të meritës. Ai bëhet i njohur dhe i vlerësuar nga lexuesi, i cili mëson prej zgjedhjeve të tij gjuhësore, përfton mbresa estetike dhe shijon ato zgjidhje që i duken të sakta, të bukura dhe të goditura.
Në këtë kategori mund të thuhet se hyjnë një pjesë e mirë e përkthimeve të autorëve klasikë në gjuhën shqipe: përkthime të denja e të respektueshme, të cilat, megjithëse nuk arrijnë gjithmonë të ruajnë të njëjtin nivel artistik në çdo faqe, ia dalin të përcjellin me besnikëri dhe dinjitet veprën e autorit.
c) Përkthimi mund të na lerë përshtypje të pashlyeshme. Ai na ndez ndjenja të forta emocionale, sepse përshkruhet tej e ndanë nga një gjuhë e pasur me frazeologji të fuqishme, nga figura artistike të qëmtuara me kujdes, nga një stil i rrjedhshëm e i larmishëm, pra nga një nivel artistik i shkallës sipërore.
Në këtë rast, lexuesi e ndien qartë se meritat nuk i ka vetëm autori, por edhe përkthyesi. Ai e percepton praninë krijuese të këtij të fundit dhe e vlerëson atë si bashkautor të përvojës estetike që i ofron vepra. Respekti i tij ndahet natyrshëm midis të dyve.
Një përkthim i tillë përmban një thesar të pasur gjuhësor dhe artistik. Kushdo që e lexon dhe sa herë që e lexon, zbulon vlera të reja e të papërsëritura, të cilat lenë mbresa të thella, që i mban mend për një kohë të gjatë ose nuk i harron kurrë. Ai nuk shteron me leximin e parë, por pasurohet me çdo rikthim te teksti.
Përkthyesi që arrin këtë nivel u dhuron lexuesve të gjuhës së vet po ato vlera kulturore, artistike dhe shpirtërore që autori u ka dhënë lexuesve të kombit të tij. Për këtë arsye, ai nuk mbetet thjesht një ndërmjetës midis dy gjuhëve, por shndërrohet në një autoritet të letërsisë kombëtare, të cilën e zgjeron dhe e pasuron njësoj si shkrimtarët e letërsisë origjinale.
Kur vepra e përkthyer është poezi dhe lexohet me të njëjtën ëndje si origjinali, atëherë merita e përkthyesit bëhet edhe më e madhe. Ai nuk na ka përcjellë vetëm përmbajtjen por edhe artin poetik – ritmin, figuracionin, muzikalitetin dhe emocionin – elemente që janë ndër më të vështirat për t’u bartur në një gjuhë tjetër dhe që kërkojnë jo vetëm dije të thella gjuhësore, por edhe talent krijues veçanërisht të kualifikuar. Në këtë rast, përkthyesi luan një rol të dyfishtë: është njëherazi përkthyes dhe poet.
Një përkthyes të tillë, lexuesi e ndien të pranishëm gjatë gjithë leximit të veprës, e “njeh” atë për së afërmi, “miqësohet” me të, e simpatizon dhe e admiron, duke u përpjekur të mësojë e të përfitojë prej tij.
Këto tri kategori të vlerësimit subjektiv të përkthimit, janë natyrisht konvencionale. Midis tyre shtrihet një varg i pambaruar nënkategorish të ndërmjetme, të cilat ndryshojnë nga njëra tjetra ashtu siç ndryshojnë edhe emrat e përkthyesve. Përkthimi është një proces i tillë që kritiku e ka të vështirë të bëjë ndarje më të hollësishme ose të bëjë krahasime midis përkthyesve të një kategorie. Është ajo vështirësi që ndeshet edhe në gjinitë e tjera të artit për të bërë nënndarje brenda një kategorie, sepse çdo autor ka specifikën e vet.
Por cilët janë elementët që përcaktojnë ndarjen në këto kategori të përkthimeve? Dihet se, nëse i njëjti tekst u besohet disa përkthyesve për ta sjellë në të njëjtën gjuhë, rezultati nuk do të jetë një përkthim i vetëm i njehsuar, por disa variante, shpesh mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri. Madje ato mund të përfshihen në kategori të ndryshme cilësore. Si shpjegohet kjo, kur pikënisja – origjinali – është e njëjtë? Mosnjohja e gjuhës së huaj? Nuk është kjo një arsye kryesore. Përkthyesit seriozë, në përgjithësi, e zotërojnë gjuhën nga e cila përkthejnë. Atëherë, pse i njëjti origjinal lind përkthime kaq të ndryshme?
Përgjigjja nuk është e thjeshtë, sepse në këtë proces ndërthuren një varg faktorësh që shfaqen në shkallë të ndryshme te përkthyes të ndryshëm. Ndër ta janë horizonti kulturor, zotërimi i thellë i gjuhës amtare dhe i gjuhës burimore, ndjeshmëria ndaj autorit dhe veprës së tij, durimi, përkushtimi dhe këmbëngulja për të gjetur për çdo frazë variantin më të përshtatshëm të përkthimit. Por as këta faktorë nuk mjaftojnë. Përkthimi shkon paralel me formimin ideoestetik të përkthyesit, me aftësinë dhe gjetjen e figurave dhe lokucioneve ekuivalente në gjuhën e dytë, në formën emocionale të shprehjes, në mjeshtërinë artistike të rikrijimit. Meqenëse këto cilësi nuk janë kurrë të njëjta te dy përkthyes, edhe përkthimet artistike të të njëjtit origjinal nuk mund të jenë kurrë identike. Çdo përkthim mbart, krahas zërit të autorit, edhe individualitetin krijues të përkthyesit.
Përkthimi mekanik i fjalëve, sado besnik t’i qëndrojë tekstit burimor, nuk mund të riprodhojë plotësisht shpirtin, atmosferën dhe ngarkesën emocionale të origjinalit. Pikërisht këtu fillon roli krijues i përkthyesit. Ai nuk mbështetet vetëm te njohja e gjuhëve, por edhe te personaliteti i tij, intuita artistike, kultura dhe ndjeshmëria estetike. Janë këto cilësi që e dallojnë një përkthyes nga një tjetër dhe që bëjnë të mundur lindjen e përkthimeve me individualitet të spikatur. Pikërisht këto karakteristika i bëjnë përkthimet e Fan Nolit të dallohen nga shumica e përkthimeve të tjera, të fitojnë admirimin e brezave të lexuesve dhe të zënë vend në kategorinë më të lartë të përkthimit artistik.
Por si mund të bëhet vlerësimi i një përkthimi dhe kush mund ta bëjë atë? Në përgjithësi, ekzistojnë dy mënyra vlerësimi: analiza shkencore dhe gjykimi intuitiv. Mënyra e parë është analitike dhe u takon specialistëve. Ajo kërkon një studim të thellë duke e krahasuar përkthimin me origjinalin në të gjitha nivelet e analizës gjuhësore – leksikor, morfologjik, sintaksor, semantik, frazeologjik e stilistik (madje dhe fonetikor në rastet specifike) – si edhe në planin e elementëve jashtëgjuhësorë, si konteksti kulturor, historik, ideologjik e botëkuptimor si dhe funksioni estetik i veprës, duke përfshirë dhe efektin te lexuesi. Kjo është vërtet një punë e madhe dhe e mundimshme, por vetëm përmes saj mund të dalin në pah, me saktësi, si vlerat, ashtu edhe mangësitë e përkthimit. Studiuesi është në gjendje të përcaktojë shkallën e besnikërisë ndaj origjinalit, të analizojë rastet kur përkthyesi është larguar prej tij dhe efektin artistik apo estetik që kanë sjellë këto ndërhyrje, të vlerësojë forcën shprehëse të gjuhës, ngarkesën emocionale të tekstit, metodën e përdorur dhe pasojat pozitive ose kufizimet që burojnë prej saj.
Fatkeqësisht, deri më sot, kritika shqiptare e përkthimit nuk e ka zhvilluar në masën e duhur këtë lloj analize. Edhe kur janë botuar recensione për vepra të përkthyera, vëmendja është përqendruar pothuajse tërësisht te përmbajtja e origjinalit, ndërsa puna e përkthyesit është mbyllur zakonisht me ndonjë vlerësim të përgjithshëm, si: “përkthim i mirë dhe i kujdesshëm”. Është një mangësi që, pa dyshim, do të duhet të kapërcehet me zhvillimin e studimeve shqiptare të përkthimit.
Mënyra e dytë është vlerësimi intuitiv, ai që buron nga vetë përvoja e leximit. Ndonëse nuk mund të sistematizohet në analiza shkencore apo të hidhet lehtësisht në letër, ndikimi i tij është shpesh edhe më i madh se ai i kritikës profesionale. Ky është gjykimi që formohet nga mijëra lexues dhe që, me kalimin e kohës, shndërrohet në atë që quajmë opinion publik. Ai përhapet natyrshëm nga lexuesi te lexuesi, ndërton reputacionin e një përkthyesi dhe krijon një autoritet që vështirë se mund të zbehet edhe nga kritikat më të ashpra.
Përkthimi artistik është një nga format më të ndërlikuara të krijimit letrar. Ai kërkon jo vetëm njohjen e përsosur të dy gjuhëve, por edhe kulturë të gjerë, intuitë artistike dhe aftësinë për ta rikrijuar veprën në një mjedis të ri gjuhësor e kulturor. Vetëm atëherë përkthyesi pushon së qeni një ndërmjetës i padukshëm dhe bëhet bashkëkrijues i veprës, duke i dhënë asaj një jetë të re në gjuhën pritëse. Vetëm atëherë përkthimi fiton vlera të mirëfillta artistike dhe kthehet në pasuri e pjesë e pandashme e trashëgimisë letrare të kombit.
Përkthyes i madh nuk është ai që e bën autorin të flasë shqip, por ai që e bën lexuesin shqiptar të harrojë se po lexon një vepër të përkthyer. Kur kjo ndodh, përkthimi pushon së qeni një ndërmjetësim gjuhësor dhe shndërrohet në art.


