NDË OHRI
Ndë një vjetë të largët ndë Ohri
Progon Skura heteriarku
Puthte një Evdhoki
Dhe Andrej Gropa më pastaj
puthte Anën a Kiranën
Pranë klishës Shën Sofi
Dhe ra terri mbi historinë
Mbi Progonin dhe Andrenë
Mbi Kiranën e Evdhokinë
Ndë asnjë altar ndë asnjë klishë
As edhe një fjalë më nuk kumbon
Nga e ambla gluhë arbënisht
QYTETI I VOGËL
Në një qytet të vogël
kudo takon njerëz
që të njohin aq sa duan
Në një qytet të vogël
secilit duhet t’i falësh pak kohë
dhe në fund vonohesh
Në një qytet të vogël
je si gjithë të tjerët
dhe po s’u mësove
me këtë fakt
do vuash nga depresioni
Në një qytet të vogël
gjërat e parëndomta
quhen marrëzira
Në një qytet të vogël
pasi secili e njeh secilin
për ta hequr bezdinë
do flitet për çështjet globale
dhe legjendat do bëhen histori
Në një qytet të vogël
vetmia mund të jetë e madhe
PROKRUSTI
urdhëroni në bujtinën time
pushoni në shtratin e butë
mos u mërzitni për pagesën
një pagesë të vockël
do ta bëni në fund
pushoni gjymtyrët e dërmuara
jeta u paska lodhur si shumë
shtrihuni
flini qetë
pa trazime
për gjithçka tjetër
kujdesem unë
shtrihuni ju të lodhur
të dërmuar
mblidhni ose shtrini këmbët
pa merak
mos mendoni për gjëra të trishta
e bukura do t’u ndodh pas pak
BOTË GRINDAVECE
Njëri-tjetrit kurrë s’i thamë
“Zemër”, “shpirt”, “e dashur”
Mes territ e grindjes dashuria
Shfaqej e bardhë si alabastër
Grindeshim kudo dhe përherë
Në kafene, në rrugë, në shtrat
Kur erdhi paqja e trishtë
U shuam se grindje më s’kish
Kur shoh ndonjë vajzë a grua
Të heshtur, të përkorë, të qetë
Ndiej se mund të ketë shumëçka
Por e lumtur ajo s’mund të jetë
KOTËSI
Kulmeve të kotësisë
kotet kotësia
asgjë më nuk frymon
këtu s’ka vlerë
as dashuria
dhe të fjeturit
asnjë ëndërr s’i zgjon
se as ëndrra
këtu më nuk ka…
AI QË DASHURON
Ai që dashuron
mbahet për fije kashte
ec nëpër telin e hollë
sipër një honi
Ai që dashuron
është i verbuar
nga ëndrrat
dhe nga pasioni…
I guximshëm është
ai që dashuron
si fëmijë e prek zjarrin
dhe qan vetëm pasi digjet…
FRAGMENTE NGA BOTA TJETËR
Vjeshtë që përplaset në qelqe makinash
Stola ku ulet vetmia
gjethe të zverdhura kujtimesh
një fëmijë që luan me balonë
të dashuruar që shkruajnë emrat e tyre
brenda një zemre të vizatuar në qiell…
vijnë e shkojnë tramvajet
lëvizin shinave indiferentë
hipin njerëz kokulur
të trishtuar, të gëzuar, të dashuruar,
që nuk e dinë as emrin e presidentit*.
këtu rrugët nuk kanë emra heronjsh
udhëtarët flasin gjuhë të ndryshme
e kuptohen lehtë
“nguten ngadalë”**
dhe e dinë ku do të arrijnë.
nuk jam i këtushëm
nuk jam i kësaj bote dritash vezulluese
rrugësh të pastra
kështjellash mesjetare
dhe shënimesh të moçme
nuk jam i këtushëm
dhe kam shumë ëndrra
këmbët e mia këtu
nuk shkelin nëpër kurthe
në vendin tim pa carpe diem
secili brez e përjeton një luftë
që mbaron me një pakt të brishtë
dhe gjithçka tjetër që mbetet pas saj…
*Thënie e Borgesit
** Thënie që e hasim te Horaci.
Poet i njëmendtë dhe vlerë e kahershme si perkthyes.