KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Klara Kodra

Poezi nga Klara Kodra

LIBRI I LIBRAVE (BIBLA)

Ky libër mund të jetë i vogël dhe i madh,
I vogël sa një zemër, i madh sa gjithësia.
S’është Libri i Pafund i Barkesit,
Po një sfungjer vigan
Që thith një oqean.
Pa caqe dhe pa brigje që është Perëndia
Çdo fjalë është një pikë vese që pasqyron krijuesin,
Çdo fjalë është një pikë uji që shuan etjen
përvëluese.
Çdo rresht është një vargmal
E të gjithë këto vargmale
Ngrihen njëri mbi tjetrin
Dhe formojnë një shkallë,
Një shkallë ku zemra rend porsi fëmija
Që rend të rrokë babin
Dhe ngjitet te Perëndia.

Mars, 2022


SHTEGTIMI I UKRAINASVE

Ikin …. ikin ….
Të vjetër e të vegjël, vajza, gjyshe, nëna ….
Dridhen në krahë fëmijësh qentë dhe macet,
Si të parët të pambrojtur, si të parët
të pafajshëm.

Ikin…., ikin ….
Vëllezërit tanë më të vegjël, vëllezërit tanë
më të brishtë.
S’ndajnë me njerëzit gëzimin,
Po dhimbjen dhe frikën.

Ikin…, ikin ….
Nga fantazma e errët e luftës
Atdheun braktisin.
Prapë njerëz do të gjejnë
Në të tjerat brigje.
Prapë dashuri do gjejnë,
Dhëmshuri,
Po s’do gjejnë harresën.
Ndofta, ndofta do gjejnë
Të fundit që mbetet, shpresën.

Dhe delfinët, miqtë tanë të stërlashtë
Po përpiqet urrejtja t’i shndërrojë
Në luftëtarë,
T’i shndërrojë në armiq të njeriut
Dhe ky tmerr i paparë
Në mes të kaq shumë tmerreve.

Po prapë ka qëndresë.
Prapë frymon ajo që s’zhduket’
Dhe e ka emrin shpresë.

Maj 2022


KUR LINDA UNË

Viti jetonte vjeshtën e kohës
Nëna – vjeshtën e moshës.

Bota – paqen pas luftës
Atdheu – një mirazh lirie.

Nëna ndjente brenda vetes
Trokitjet e një fëmije.

Një fëmijë e mbrujtur nga katërmbëdhjetë vjet
ëndërrash.
Nëntë muaj mishi e gjaku të gjallë.

Ishte diçka e njëmëndtë,
Nëna e jetonte si përrallë.

Lindi fëmija një mëngjes,
Fëmija e shumëpritur.

Nëna i vuri emrin Klara,
E qartë, ndofta e ndritur.

Lindi ajo – copë drite.
Zgjaste krahëthit drejt së ardhmes.

Nëna rilindi me të.
E brishta, e bukura, e pafajshmja.

Korrik 2022

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË