Se faji i vjetër pjell sërish
Te breza njerëzish fat të ri.
I.
Në prag të thyerjes së ditës, me të vënë re shfaqjen e tjetrit në cepin e udhës, shpejtoi të fshihej pas trungut të një peme, në pritje të avitjes së tij. Ai ecte me hapa të ngadaltë, dhe në pamje dukej sikur nuk ndjente asnjëfarë rreziku. Me siguri do të ketë qenë tek mamaja, mendoi me vete djali.
Kudo përreth sundonte një qetësi e pazakontë, e cila i dukej sikur mbahej pezull vetëm prej pushkës së tij, dhe sapo ajo të shkrepte, do ta çlironte gjithë atë zhurmëri të akumuluar përnjëherë. Vetëm mos shkojë huq, lutej ai. Në një rast të tillë zor se do të mund të shpëtonte pa u kapur.
E ndjente se po të qëndronte edhe më ashtu, do të mendohej më gjatë se duhej, dhe personi që synonte të vriste mund t’i shpëtonte. Ndaj, i doli me vrull përpara, i tha ato pak fjalë që kish mësuar përmendësh në gjuhën e huaj, dhe në çast, e qëlloi.
Me hapa të lëkundur, nisi ecjen drejt të porsavrarit. Udha, në të dyja anët e saj, vijonte të ishte krejtësisht e zbrazët dhe nuk lëshonte asnjë zhurmë. Ishin hapat e atij vetë, që pas së shtënës i dukeshin si gjëmime, njëri më i fortë se tjetri, duke mos e lënë të qetësohej.
I vdekuri kishte rënë përmbys. Drejt fundit të mundimeve për ta kthyer mbarë, u dëgjuan disa hapa të huaj, të cilët i afroheshin me shpejtësi. U ngrit në këmbë me ngut, dhe pa harruar ti mbështeste pushkën mbi krye u largua menjëherë përmes pyllit të dendur, në anën tjetër të së cilit e priste motra.
Disa çaste pasi ishte zhdukur nga ai vend, dëgjoi pas tij një klithmë të fortë.
Mjedisi përreth i dukej si i mbytur në një errësirë, kalimi në anën tjetër i së cilit do t’i kërkonte mohimin e botës përreth. Pylli, po ashtu si udha, ishte pa njeri, por djali vazhdonte ti hidhte sytë përreth, sikur të ishte në një vend të huaj nga ku nuk mund të dinte se çfarë e priste. Prej faktit se e kishte menduar me qindra herë atë shfaqje të tjetrit, dhe me skenarë nga më të ndryshmit, e gjitha i dukej ende si e pavërtetë, si ti kishte ndodhur në ëndërr.
– Orest! Këtej!
Zëri i motrës së tij, Elektrës, e zgjoi në atë çast nga përhumbja. Emri, pas asaj përvoje i tingëllonte i paplotë, sikur bashkë me atë pjesë të qenies së tij, që i duhej ta linte pas, të kishte shkuar edhe ai. Në përpjekje për ta ripërtërirë atë sërish, u mat të përqafonte të motrën. Vetëm pasi ajo befasisht ju spraps, ai e kuptoi se i kishte të dy krahët të mbuluar me gjak. I tërhequr edhe vetë pas, ndërsa përpiqej të rimerrjte frymën, pyeti:
– U dëgjua?
– Besoj se në gjithë zonën përreth do jetë dëgjuar. – u përgjigj Elektra me gjysmë zëri.
Ajo e kuptonte më së miri se i duhej ta ngushëllonte të vëllain. Ti afrohej, e ndoshta ta përqafonte vetë atë, por diçka brenda vetes nuk ja lejonte. Në sytë e saj ai dukej ndryshe.
– Krahët e tu, ata janë të mbuluar me gjak. – shtoi ajo me po të njëjtën ndjenjë, e cila i përcillej atij si një brengë e pashpjegueshme.
– Do të thotë se të gjithën e kam kryer siç kërkohej. – tha Oresti.
Ai u mat t’a nxiste të largoheshin sa më shpejt. Klithma që kishte dëgjuar pak më parë tregonte se aty pranë kishte njerëz, dhe me shumë gjasë mund t’i dallonin. Por duke vënë re gjendjen e vajzës, vendosi ta mbante këtë shqetësim për vete.
Megjithatë, vetëdija për gjendjen e saj nuk mjaftoi për t’ia fashitur pasiguritë. Pas një grime të ecuri në heshtje, me gjysmë zëri e pyeti:
– Duhej bërë, apo jo?
– Po, duhej bërë. – u përgjigj Elektra.
Ato fjalë iu dukën sikur me zor dolën prej gojës së saj.
– Këtë gjë na e kërkonte babai, apo jo? – pyeti ai sërish.
– Po! – u kthye sërish Elektra, këtë rradhë me një zë të lartë, gati në ulërimë, përpara se të shpërthente në lot. Bashkë me to, kishte filluar ti merrej edhe fryma, duke bërë që në të folurën e saj të humbisnin disa fjalë, dhe në fund të kuptohesh vetëm: …po…babai…por mamaja…mamaja… ajo që…jo Egisti!
Me këtë shpërthim u zbehën të gjitha fjalët midis tyre, dhe u duk sikur të gjithë rrugën drejt veriut do e kryenin në heshtje të plotë. Thellë përbrenda, e dinin se do të afrohej një kohë e tillë, kur do ju duhej të lëviznin në këtë farë mënyre, por nuk do të donin që të niste kështu.
– A ndihesh e lodhur, Elektër? – pyeti Oresti, ndërsa përpiqej të shpëlante njollat e kuqe prej krahëve.
– Po. – u përgjigj ajo, e shpërqëndruar.
Kishte që prej nisjes së tyre që nuk i hiqte sytë prej krahëve të tij. Në fillim, me shpresën se ajo pamje e huaj do të largohej bashkë me njollat e lemerishme, ndërsa më pas, me dëshpërimin se as uji nuk i shpëlante dot plotësisht.
Ato njolla gjaku, të mbetura fare të mehta pas shpëlarjes me ujë, i faniteshin si një truk sysh i cili kërkonte ta gënjente prej së largu, duke i falur thërrime çastesh ku i dukej se ai i mëparshmi ishte kthyer. Por ky vegim vetëm sa ia thellonte vetminë, duke e bërë të ndihej edhe më e huaj pranë tij.
– A e beson ti me të vërtetë se ne do të jemi të sigurtë andej?
– Sigurisht që po, motër. – nisi ai, si në përpjekje për ta lehtësuar. – Dhe do të doja shumë që të më besoje kur të them se asnjë vend tjetër në botë nuk do të na priste më mirë ne të dy.
Pupu, ç’ishte ky grup fjalësh “ne të dy”, nisi të mendonte Elektra, e tmerruar. Ndonëse nuk kishte dorë të drejtpërdrejtë në vrasjen e kryer, ajo megjithatë e ndjente se nga tani e tutje, kundrejt dëshirës së saj, ishte po aq e përfshirë në të sa vetë vrasësi.
– Në mos gabohem, andej ka edhe një shprehje për këtë. Po, ata thonë se “shtëpia e tyre është e Zotit dhe e mikut”. – vazhdoi Oresti, dukshëm i lehtësuar dhe shpërfillës ndaj gjendjes së motrës.
Mikut ë, epo, mik me ata mund të bëhesh ti, por unë kurrësesi! Në fund të fundit, ai vetë e kishte përmendur i pari vrasjen. Ajo vetëm sa nuk e mohoi idenë e tij. Gjë të cilën ai e kishte marrë për dakortësi. Dhe në të vërtetë e ndjente se do ta kishte pranuar atë gjithësesi, edhe si vrasës që ishte bërë, për aq kohë sa ai vijonte të ishte vetvetja. Por ajo vendosmëri dhe ai zell për kulturën e huaj nuk ja lejonin të menduarin për mirë.
– …vetë kodi zakonor që ne do të përdorim, shumicën e vëmendjes së tij ja kushton çështjeve të vrasjes, dhe mekanizmit të “gjakmarrjes”… – vazhdonte ai ndërkaq.
Mekanizëm…vrasje, përsëriste vajza me vete. Një mandat për të vrarë, i cili trajtohej sikur të ishte i pashmangshëm! Më e keqja për të ishte se po i bëhej e qartë arsyeja e asaj dëshirë të fshehtë e kobndjellëse të Orestit për t’u hakmarrë ndaj mamasë përmes Egistit.
O zot, ai mezi priste të bëhej si ata! Vetëm sa i duhej një shtysë…
*
…Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, në shtetin fqinj të Greqisë, ku, në rrethinat e qytetit të Agrosit, njëzetvjeçari Orest A., ka qëlluar për vdekje me pushkë bashkëqytetarin, Egist T. . Djali mendohet të ketë qenë i fshehur…, ishin të vetmet fjalë që qarkullonin në ato momente nëpër kafene “Malësia”, ose së paku ashtu i dukej Lekës, ulur në një cep të saj, larg çdo zhurmërie tjetër.
…vendndodhja e autorit të krimit ende nuk dihet, por disa ekspertë sygjerojnë se ekziston një mundësi që ai të jetë nisur drejt vendit tonë. Kjo falë ngjashmërive të shumta midis asaj vrasje dhe gjakmarrjeve sipas kanunit…Për më shumë të reja qëndroni me ne në “Ereni 24”. Faleminderit!…
Nga këndi ku qëndronte i ulur, Leka shihte njerëzit teksa largoheshin një nga një, duke i zbuluar sërish pamjen e plotë të ekranit, i cili për fatin e tij të keq nuk e shfaqte më atë lajm. Rrallimi i tyre e bënte të ndihej më të vetmuar, por aspak të qetë. Vallë a nuk e kuptonin ata rëndësinë e asaj që porsa kishin dëgjuar?
Orvatej të arsyetonte me veten, duke u përpjekur disa herë ta mendonte si diçka të vogël, pa ndonjë domethënie të madhe, por kjo i zgjaste shumë pak, dhe pas pak momentesh i rikthehej përsëri ajo ndjesi tërësisht e kundërt.
Një vrasje sipas kanunit, në një vend të huaj. – murmuriste me vete ai. – Në një vend fqinj. Fqinj i cili ne nuk na ka dashur. Fqinj i cili mbase ka vjedhur prej nesh…
Dhe në fund:
– Fqinj i cili do të na vjedhë vetë ne!
Brofi menjëherë dhe me hapa të lëkundur u nis drejt banakut për të paguar.
– Turp i madh për ne kjo punë! – i tha papritur banakierit, i cili vetëm e kishte parë habitshëm gjatë daljes.
Prej majës së kodrës ku ndodhej kafeneja, dallonin mes pemëve disa pjesë të shkëputura të rrugës nacionale. Dikur këndej kalonin malësorë të vërtetë, nisi të mendonte Leka, ndërsa sonte nuk kalon askush i denjë.
Nën këto mendime të shqetësuara hapat e tij gjatë zbritjes së dishezës ishin shpejtuar, aq sa disa herë iu duk sikur do të ngatërrohej me këmbët e veta. Dëshironte që kur të dilte në rrugë të shihte njerëz e të dëgjonte zëra që t’i jepnin të drejtë zemërimit të tij, dhe të kënaqej në miratimin prej tyre të besimit se jetesa në Bjeshkë mund të vazhdonte e pandryshuar, siç kishte qenë gjithnjë. Por sa më shumë zbriste, aq më tepër i dukej sikur gjithçka përreth po i largohej më shumë asaj që shpresonte. Vetëm zhurmat e makinave që kalonin përgjatë Autostradës së Veriut e nxorrën atë nga përhumbja. Nuk mund të ndjente veçse zhgënjim ndërsa i vështronte njerëzit duke ikur ashtu.
– Epo kjo nuk duhet toleruar aspak. – tha me vete.
Ndërsa ecte nën mbikalimin e autostradës, shtrëngonte fort duart në grusht brenda xhepave të xhaketës. Një betim i heshtur, i rëndë si gurët e maleve, gatitej në gjoksin e tij. Ai do ta mbronte vetë kanunin, do t’i mbronte ato zakone me çdo kusht, duke filluar nga vatra e tij, përmes gjakut dhe familjes së vet.
Nëse bota jashtë kishte ndërmend të thërrmohej e të harronte se kush ishte, ai do të bëhej mburoja e asaj që kishte shpëtuar aq gjatë. Tekefundit, njerëzit e anëve të tij kishin jetuar në atë mënyrë prej shekujsh. Kishin mbijetuar përmes asaj rregullsie të rreptë e të lashtë, dhe nuk kishte asnjë arsye në botë pse kjo të ndalonte tani, sidomos kur përtej kufirit dikush kërkonte t’u vidhte mënyrën e jetesës.
II.
Të lodhur, ata vazhdonin të ngjisnin me vështirësi shtegun e pjerrët, i cili prej kohësh u dukej i pafundëm. Herë pas here Oresti vështronte shqetësueshëm fytyrën e së motrës. Ajo i dukej tepër e zbehtë dhe e përhumbur. Priste me padurim diçka prej saj, sa edhe të mundej të qetësonte veten, por ajo nuk jepte asgjë. Madje, prej një kohe të gjatë as nuk e vështronte në sy kur shkëmbenin fjalë.
– Elektër, shiko atje tutje. – i tha vëllai me zë të ulët, ndërsa i shkundte krahun.
Larg dallonte një hije e cila ishte duke ardhur në drejtimin e tyre.
– Malësor ky, apo jo? – pyeti mekanikisht Elektra.
– Po. – u kthye Oresti gëzueshëm.
Ky do të ishte malësori i parë që do të shihnin gjatë rrugës së tyre. Sa më shumë dy palët i afroheshin njëra-tjetrës, aq herë më të qarta bëheshin edhe tiparet e “malësorit”.
– Më duket mua apo është i kollarisur ai? – pyeti e habitur Elektra.
Ajo pamje i dukej aq e ndryshme në krahasim me përshkrimet që i kishte bërë i vëllai.
– Po, ashtu duket. – u përgjigj Oresti, dukshëm i zhgënjyer. – Nga i ka gjetur vallë?
Nuk e kishte menduar kurrë se do të gjente njerëz të tillë këtej. Kur më tutje u dallua një grup djemsh të rinj, të veshur me tuta dhe bluza të thjeshta, ndonëse u shtir sikur nuk i kishin lënë ndonjë përshtypje, i ndoqi me sy për një kohë të gjatë.
Kishin mbërritur tashmë pranë një mbikalimi. Ndërsa ecnin poshtë tij, Elektra i hidhte sytë nga vëllai. Fytyra e tij kishte marrë një çehre tepër të zymtë, gjë që e shqetësonte. Për ta larguar mendjen prej saj, u përpoq të mendonte për gjëra më të gëzueshme.
*
Leka qëndronte i shtrirë mbi divan, në pritje të përgatitjes së darkës. Nga kuzhina dëgjoheshin tashmë vetëm zhurmët e shapkave të gruas dhe vajzës. Me siguri do të jenë duke shtruar tryezën, mendoi. Duke qenë burri i vetëm i shtëpisë, i kushtonte mjaft vëmendje gjërave që ndodhnin brenda saj. Aq sa kishte mësuar të dallonte edhe ndryshimet midis hapave të Lirisë dhe Besianës. E para, e lodhur nga mosha, ecte ngadalë, dhe me hapa tepër të vegjël, ndërsa e dyta, vajza e tij e re, ecte me hapa të shpejtë, gati-gati në të kërcyer.
Ja, është duke u afruar Besiana, me siguri për darkën, mendoi ai, duke dëgjuar me vëmendje hapat, të cilët sonte i dukeshin edhe më të lirshëm se zakonisht.
– Është shtruar darka baba. – i tha ajo.
– Shumë mirë! Ja se do të vi.
Ai u ngrit në këmbë, dhe me hapa të lëkundur nga mpirja e këmbëve, u nis drejt kuzhinës.
Ndërsa ushqeheshin, e ndjente se të dyja ja hidhnin sytë shpesh reagimeve të tij, ndaj përpiqej të përmbante sa më shumë veten.
– Baba… – filloi Besjana.
Ja, për këto fjalë mund të kenë pritur gjithë mbrëmjen, tha me vete ai, tashmë i kredhur në mendime.
– Lekë! – u dëgjua më pas zëri i gruas, i cili edhe e nxori nga përhumbja.
– Po? – u përgjigj më në fund ai.
– Besjana dëshironte t’ju thoshte diçka. Thuaja, Besjana.
– Atëhere baba, – nisi tërë ndrojtje vajza e re. – disa shoqe dhe shokë nga shkolla do të dalin pas disa ditësh në qytet, a mundem dhe unë të shkoj me ta?…
Po ja si qenka puna, nisi të mendonte sërish ai, ajo dashka të na hedhë në baltë gjithashtu! I dukej sikur tashmë ajo “murtajë e re e moderizimit” po përpiqej të depërtonte dhe brenda gjakut të tij. Kjo nuk duhej lejuar aspak.
– Jo! – u përgjigj me zë të lartë Leka, duke ndërprerë fjalën e vajzës. Më pas vazhdoi duke bërtitur:
– Ti jo vetëm nuk ke për të shkuar asgjëkundi me shokë që ne s’i njohim! Por as edhe ke arsye për të shkuar më në qytet!
– O Zot! – murmuriti Liria, dhe u lëkund aq shumë sa i ra edhe luga nga dora.
– Kjo vlen edhe për ty grua!…
– O Zot! – murmuriti ajo sërish
-…sepse kjo punë fundja nuk mund të bëhet kurrësesi pa kujdesin e burrit! – vijonte ende ai.
Pasi kishte pushuar së foluri, kudo mbizotëronte një atmosferë mbytëse, dhe askush nuk ndihej sikur mund të merrte dot frymë rehat brenda asaj dhome. Gruaja nisi të mblidhte pjatat për tu shpërqëndruar, vajza u turr drejt dhomës së saj për të qarë, ndërsa Leka u kthye sërish tek divani i tij për tu shtrirë. Askush nuk do të donte t’i rikthehej atij momenti, por secili prej tyre e ndjente se diçka kishte ndryshuar përgjithnjë.
Papritur, u dëgjuan disa të trokitura në portë. Prej gjendjes së krijuar brenda shtëpisë, asnjëra prej grave nuk dëshironte të kalonte përmes dhomës së ndenjes ku ndodhej Leka. Trokitjet ende vazhdonin, shoqëruara nga pas me disa fjalë, të cilat prej largësisë bëheshin të pakuptueshme. I acaruar ngaqë i duhej të linte pas rehatinë e krijuar, Leka u ngrit dhe doli vetë tek porta e jashtme. Ishte errur dhe bënte tepër ftohtë. Më tu afruar, fjalët e njeriut prapa portës bëheshin gjithnjë e më të qarta.
– A pret miq o i zoti i shtëpisë?
Fytyra e Lekës mori menjëherë një pamje të gëzueshme. Ishte një zë i huaj, dukshëm jo prej atyre anëve, i cili kërkonte strehë. Me siguri kërkon ta bëjë si në kohët e vjetra, ndonëse nuk i njeh mirë ato, mendoi Leka. Zellshëm, i hapi derën.
– Pa thuaje edhe një herë more djalë se më kënaqe shpirtin!
Pas portës ishin dy të rinj, një djalë dhe një vajzë. Errësira nuk lejonte dukjen e qartë të tipareve të tyre, por ai arriti të dallonte menjëherë se ata ishin vëlla e motër.
– A pret miq o i zoti i shtëpisë? – pyeti sërish Oresti, këtë herë me më shumë ndrojtje.
– Po, sigurisht! Ejani ejani. – u përgjigj Leka, gati me një frymë.
Pasi të dy u futën në oborr dhe i zoti i shtëpisë e mbylli derën pas tyre, ai eci sërish përpara dhe e thirri gruan nga pragu i derës.
– Grua! Sot presim miq. Shtroje dhe një herë tryezën!
Duke mos u besuar veshëve për atë që po dëgjonte, në fillim hezitoi. Më pas, kur u dëgjuan për herë të dytë po të njëjtat fjalë, doli me hapa të pasigurtë drejt dhomës së ndenjes për të pritur “miqtë”. Obobo ky paska shkalluar, mendonte ajo, dhe dashka të na kthejë si nëpër kohët e vjetëra…
Drita pulsuese mbi korridor i jepte Orestit përshtypjen e një kohe të shkuar.
– Këtej, – tha i zoti i shtëpisë për të disatën herë, ndërsa përpiqej të mënjanohej për ti lënë më shumë hapsirë miqve. – Ja, këtu brenda.
Pa u ndezur ende drita e dhomës, brenda saj dallonte një tablo, në qendër të së cilës ndodhej një burrë me mjekër e përkrenare me brirë, duke drejtuar një ushtri të tërë në betejë. Ky duket si djalli vetë, mendoi Elektra, e tmerruar, dhe padashur i shpëtoi një zë. Ajo pa sytë e Orestit që u kthyen zemërueshëm drejt saj.
– Ja të ndezim dritat. – filloi sërish Leka, i pavëmendshëm. – Prisni pak këtu sa të vi e tu sjell edhe rrobat.
– Ç’pate? – pyeti Oresti me zë të ulët, pas një çasti heshtje mes tyre.
– Nuk e di. – u përgjigj Elektra. – Ajo tablo atje më tmerroi.
Oresti mori frymë thellë.
– Dëgjo, – nisi ai. – ne këtu nuk jemi në shtëpinë tonë. Dhe për më tepër, as që besoj se do të duket në gjithë atë errësirë nën të cilën ne do të flemë. Mbase mund të shtiremi sikur nuk e shohim fare…
Asaj i ishte bërë e dukshme se vëllai nuk kishte ndërmend ta qetësonte. Fjalët e tij nuk i vinin veçse si tentativa për të justifikuar vendin ku kishin zgjedhur të qëndronin. Vetëm kthimi i të zotit të shtëpisë i dha qetësinë që i duhej të merrte veten.
Ndërsa Oresti fliste me Lekën, vështrimi i saj ishte ndalur diku jashtë dritares. Atje ndodhej një grumbull gurësh në formën e një muri. E çuditshme vërtet, kujt mund ti ketë shkuar mendja të ndërtojë në një vend kaq të humbur, nisi të arsyetonte Elektra. Padyshim që do e kenë kuptuar se ky vend kaq i humbur nuk vlen për asgjë, prandaj duhet ta kenë braktisur.
Nga vendi ku qëndronte, mund të dallonte përmes pasqyrimit dritares edhe hijen e Orestit, i cili pasi kishte përfunduar së foluri me Lekën, ishte shtrirë dhe kishte ndezur një cigare. Ajo pamje e la të ngrirë në vend. I vëllai nuk kishte pirë kurrë më parë.
III.
Ndonëse nuk kishte asnjë mënyrë për të parë sa ishte ora, Elektra ishte e bindur se duhej të kishte kaluar mesnata. Gjumi nuk i vinte aspak, dhe sa herë që tentonte të mbyllte sytë, një vargan mendimesh të shqetësuara ja hapte sërish. Ajo e kuptonte se çdogjë i vinte prej asaj pikture “djallëzore”, e cila edhe pas shuajtjes së dritave, kundër fjalëve të vëllait dhe shpresave të saj, nuk ishte zhdukur. Një dritë fare e dobët, e cila hynte përmes dritares nga e cila dukej muri me gurë, e ndriçonte atë. Ajo përpiqej të arsyetonte se mos vallë kishte një lidhje midis burrit me brirë dhe gurëve, por mundohej kot. Gjendja e saj dhe të qenurit përballë pikturës nuk e lejonin të mendonte kthjellët.
Për tu shpërqëndruar, kthehej nga Oresti, por as kjo nuk e ndihmonte. Atë e kishte zënë gjumi me kohë dhe fare lehtë, duke e lënë motrën të ndihej tërësisht e vetmuar. Braktisur nën mëshirën e djallit të ndriçuar. Në këtë pikë ajo mbyllte sytë sërish, kthehej në anën e kundërt, pra sërish atë të pikturës, dhe pas mendimeve të shumta, ky cikël torturues i niste sërish.
Kërkonte një shpëtim prej tij, i cili nuk mund të merrej veçse si një kërkesë për tu larguar sa më parë prej atij vendi, i cili kah shpirtit, po i merrte edhe vëllain. Mbase duke ja mbushur mendjen për tu larguar mund ta shpëtonte edhe atë…ta kthente si më parë, i mbushi mendjen vetes Elektra…
*
Pikërisht ndër çastet kur Lekës po i mbylleshin sytë, nga ekrani u dëgjuan fare dobët fjalët: … njëzetvjeçari Orest A., ka qëlluar për vdekje me pushkë bashkëqytetarin…
– Ti më ke sjellë mua vrasës në shtëpi! – ju drejtua menjëherë e tmerruar Liria.
Ato fjalë i ranë si një goditje e beftë. U përpoq të përmendej duke shkundur kokën lehtë, sikur donte të largonte mjegullën e mendimeve që e kishte mbështjellë. Zhurmat e dhomës u bënë më të qarta, ndërsa vështrimi iu ngul në ekran. Dalëngadalë, fjalët e lajmit nisën të merrnin kuptim.
Pranë mbishkrimit të tij ishte shfaqur fotografia e një djali të ri, e cila e bëri të ngrinte në vend. Sytë tashmë i ishin hapur plotësisht, zemra i rrihte fort nën kraharor, dhe një ndjenjë krenarie e kishte pushtuar të tërin. Në ekran ndodhej ai, djali që porsa kishte pranuar si mik në shtëpinë e tij.
– Hë! Thuaj diçka, dreqi ta marrë! Përse e bëre? – vazhdonte ajo mes lotëve.
– E bëra sepse ishte gjëja e duhur! – u kthye Leka ashpërsisht. – Dhe për më tepër, kjo nuk tregon gjë tjetër veçse fisnikërinë e tij.
– Po ai është vrasës!…
Pas këtij shpërthimi, gjithë fjalët pasuese të Lirisë i vinin turbull. Mëvetësisht të pakuptueshme, por me një mesazh të qartë, të vetëm: Ti, Lekë, burri i shtëpisë, në këtë kohë të re je i humbur! Pranoje, dhe ndiq shembullin e gruas tënde, pasi ajo kohë që ti ëndërron nuk ka për tu dukur kurrë më!
– Pusho! – e ndërpreu ai drejt fundit. – Nuk të jep kush të drejtën ty të flasësh ose vendosësh mbi mua!
Ndërkaq ishte afruar aq pranë fytyrës së saj, sa Liria mund të ndiente qartë erën e rëndë të alkoolit që i dilte prej gojës. Mbushur me frikë, ajo mbuloi menjëherë fytyrën.
Disa zhurma prej asaj që ndodhi më pas u dëgjuan edhe në dhomën e Besjanës, por fatmirësisht jo aq sa për ta zgjuar atë.
IV.
Ndërsa ecte drejt dhomës së miqve, Liria përpiqej të tregonte kujdesin më të madh për të mos u dëgjuar. Prej zërave që vinin nga kati i përdheshëm, kuptohej se Leka me Orestin tashmë ishin zgjuar. Nuk kishte një kohë më të mirë për tu parë vetëm për vetëm me Elektrën.
Ajo hyri në dhomë ngadalë, pa trokitur, vetëm për ta gjetur vajzën e re syhapur duke vështruar tavanin. Me siguri që ajo do të kishte reaguar, edhe unë do të kisha trokitur, sikur të dyja të kishim fjetur sadopak gjumë, mendoi.
Pa thënë ende asgjë, iu afrua krevatit, dhe duke rënë në gjunjë, me kokën mbështetur ndaj këmbëve të saj, nisi të qante. Elektra, duke ndjerë lëkundjet e trupit të tjetrës, menjëherë u avit për ta përqafuar.
– Dëgjo. – nisi ti fliste Liria. – Unë nuk kam asgjë kundër teje. Dua vetëm të kuptosh se unë e kam të pamundur të vazhdoj kështu. Do të më duhet të kontaktoj policinë. Prandaj, të lutem, largohu, shpëto dhe mos u kthe më.
Ndonëse nuk merrte vesh asgjë prej fjalëve të Lirisë, ajo i ndjente ato. Në gjuhën e saj vendase i tha se e kuptonte dhe e falenderoi.
Pas një qëndrese të gjatë ashtu, Liria u largua me ngut dhe Elektra u mat të rregullonte dhomën ku i vëllai kishte fjetur.
– A e di ti o Elektër, – kishte nisur ti fliste i vëllai disa orë më pas, kur ishte kthyer nga një shëtitje me Lekën. – se ç’është ai mur me gurë atje jashtë?
Qysh në çastin që kishte kaluar pragun e derës, Elektra sipikati në të për herë të dytë aromën e duhanit.
– Të pyes sepse kam vënë re që e shikon shpesh…. – vazhdonte Oresti.
Në ato çaste ajo as që dëshironte ta shihte me sy, ndaj për t’ju shmangur i qëndronte e shtrirë me kurriz.
– Epo, ajo është një muranë. Pra, një grumbull gurësh i cili vendoset në vendin ku është vrarë një njeri. Po ma tregonte Leka sot. A s’të duket e llahtarshme? Ha ha. – pyeti ai, me një qeshur e cila Elektrës i dukej e sforcuar.
– Orest! – ju kthye ajo befasisht.
– Po?
– Nuk mund t’ia dal dot më këtu. Bën mirë të largohemi.
– Çfarë!
Lotët që më parë nuk e kishin lënë të shprehej siç duhej nuk e pengonin më. Megjithatë, ngutja për të nxjerrë gjithçka përnjëherësh bëri që arsyet e saj të ngatërroheshin me brengat e vjetra, duke u shkrirë në një rrëmujë fjalësh të paqarta. Në fund, mes gjithë atij pështjellimi, Oresti arriti të kuptonte vetëm se ajo që duhej vrarë ishte mamaja e tyre, Klitemnestra, e jo Egisti.
Menjëherë nisi t’i shpjegonte se kanuni nuk e lejonte një gjë të tillë, por asaj dukej se aq i bënte.
– Pa më thuaj Orest se ç’dreqin kërkonte kanuni këtu? – pyeti ajo e mbushur me vrer. – A jemi gjë shqiptar ne?
– Epo në s’jemi shqiptarë atëhere ç’na mbetet të jemi! Sepse ti e di shumë mirë që në vendin tonë jemi në kërkim, dhe se askund tjetër nuk do të na pranonin po ta dinin se kush ishim! – iu kthye ai ashpër.
Me t’i dëgjuar ato fjalë, Elektra ngriu. Mendimet që deri atëherë i vërshonin pandërprerë iu shpërndanë menjëherë prej frikës ndaj vëllait.
– Orest. – u përpoq ajo të fillonte nga e para, pasi kishte mbledhur sërish veten. Kësaj here zëri i saj vinte më i dobët, dhe i lëkundur gjithashtu.
– Ç’tjetër gjë ka?
– Ata e dinë, Orest. E dinë se kush jemi dhe ç’kemi bërë. – shprehu mundimshëm ajo.
Për habinë e saj, ai u përgjigj se atë gjë e kishte ditur që në mëngjes. Leka vetë i kish thënë dhe e kishte përgëzuar.
– Çfarë?
– Po po. Ma tha që me të parë. Mos u shqetëso, jemi me njerëzit tanë këtu.
Njerëzit tanë, përsëriste Elektra me vete, ndërsa i avitej mendimi i hershëm se fati i saj nga kjo pikë e tutje do të ishte i pandashëm nga ai i krimit të vëllait. Nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të përlotej nën mendimin se mund të ketë qenë vetë ajo përgjegjëse për të.
– Orest. – u përpoq ajo sërish.
– Po?
– Nuk, nuk është vetëm Leka ai që e di.
Fytyrën e Orestit e mbërtheu një shprehje habie, sikur edhe pa folur të ishte duke e pyetur se ç’donte të thoshte me ato fjalë.
– Liria. Ajo erdhi tek unë sot në mëngjes, kur ti me Lekën kishit dalë.
– Edhe?
– Edhe ajo, porsi unë, nuk mundej të duronte më gjatë.
– Ç’ka të bëjë kjo? – pyeti Oresti, tashmë dukshëm i irrituar nga fjalët e së motrës.
– Epo, ajo më shprehu se nëse ne nuk do të largoheshim prej këndej, do të kontaktonte policinë.
Për një grimë Oresti u lëkund. Më pas, duke i shkëputur sytë prej saj, i tha në formë të prerë:
– Asgjë nuk ka për të bërë.
– Si?…Përse?
Sepse është grua, mendoi Oresti, ndërsa me zë nuk i tha asgjë.
Nga jashtë nisi të dëgjohej një zë i lartë burri, gati në këndim.
– A s’i trembesh atij? – e pyeti Elektra.
I vëllai nuk u përgjigj, por shprehja në fytyrën e tij e tradhtonte. Ajo çka po dëgjonin ishte thirrja për falje e një xhamie, e cila tingëllonte sikur të ishte fare pranë shtëpisë. Asnjërit prej tyre nuk i kujtohej ta kish parë atë përgjatë rrugës, e megjithatë zëri i saj u dukej aq i njohur.
Ishte po i njëjti zë me atë që kishin dëgjuar përpara se të ngjisnin bjeshkët, dhe kur kishin kaluar për herë të parë kufirin gjithashtu. Sikur ti kishte ndjekur nga pas përgjatë gjithë ngjitjes së tyre.
– Po a nuk do të ishte më mirë të largoheshim që të dy? Të shpëtonim, ja, prej atij për shembull?
– Pa pusho edhe ti pa ma hidhëruar zemrën më shumë! – iu kthye i vëllai. – Askund nuk kemi për të shkuar! Na kanë dhënë besën këtu!
Mos, më humbe mua dhe për vete je tretur i tëri, tha me vete Elektra, në të dëgjuar fjalët e fundit të vëllait.
– Si të dëshirosh, Orest. – i tha në fund, pas një grime tjetër heshtje, me zërin e dridhur dhe fytyrën e njomur tërësisht.
V.
Liria nuk i tha asgjë burrit të saj në lidhje me daljen e Besjanës, në mënyrë që ai të mos mundej dot ta ndalonte. Megjithatë, kur kishin nisur përgatitjet e darkës në kuzhinë, mungesa e atyre hapave të shpejtë e të shkujdesur ishte ndjerë prej tij menjëherë:
– Ku ndodhet Besjana? – e kishte pyetur Leka gruan e tij, duke e tërhequr me forcë mënjanë.
– Në dhomën e saj. – iu përgjigj ajo. – Nuk ndihej mirë për momentin…
Lekës i ranë menjëherë në sy manovrat e saj për t’ju shmangur vështrimit të tij. Ajo është duke më mbajtur fshehur diçka, mendoi.
– Mos të ka shkuar mendja të bësh lojëra me mua? – e pyeti kërcënueshëm, përpara se të nisej vetë drejt dhomës së vajzës.
Liria ndjeu këmbët t’i dridheshin dhe u mat të ulej diku pranë. Por kur pa Elektrën të hynte kokulur, me shpatullat e mbledhura dhe sytë përdhe, diçka iu përmbys brenda. Një valë inati ia përpiu frikën. U ngrit sërish në këmbë menjëherë dhe, bashkë me qëndrueshmërinë, gjeti edhe guximin t’i dilte sërish përballë të shoqit.
– Ju të dyja mendoni se mund të bëni lojëra me mua!
– Ule zërin! – i ishte kthyer Liria, nëpër dhëmbë.
– Pse?
– Si pse? Kanë për të dëgjuar ata. – tha ajo, duke bërë me shenjë nga Oresti dhe Elektra.
– Ç’po flasin ata andej? – po pyeste ndërkaq Elektra vëllain.
– Gjëra të kota. – Oresti përpiqej ta bënte sa më shpërfillës zërin e tij. – Vajza e tyre nuk dëshiron të dalë nga dhoma.
– Oh. – reagoi e habitur Elektra. Ishte e bindur se e kishte parë Besjanën të largohej nga shtëpia jo shumë kohë më parë.
Oresti kishte spikatur tashmë vështrimin dyshues të Lekës. Nga frika se mos tërhiqnin më shumë vëmendje të panevojshme, u shkëput ftohtësisht prej motrës dhe i bëri me shenjë atij të uleshin në tavolinë.
Elektra ndërkohë vërente me bisht të syrit lëvizjet e Lirisë, e cila, sapo vëmendja e të shoqit u shpërqendrua, u nis me kujdes drejt shkallëve. Mbase vajza vërtet nuk kishte dalë prej dhomës së saj, nisi të mendonte.
– Të falenderoj që më prite. – i tha Liria, duke e nxjerrë nga përhumbja e çastit. – Të lutem, nëse ke dëshirë sigurisht, eja më ndihmo të shtrojmë darkën.
Teksa nxirrnin gotat e para të rakisë, Elektra mundohej të kuptonte diçka nga biseda në shqip mes Lekës dhe Orestit.
– Këto ditë që kemi folur, e kam kuptuar mirë qëndrimin tënd ndaj të huajve, por më beso, ka më shumë ngjashmëri midis dy vendeve tona se mendon. – nisi Oresti, sytë e të cilit kërkonin vështrimin e Lekës, në pritje të ndonjë reagimi.
– Vërtet?
– Posi jo.
– Ku do të dalësh me këtë? – e pyeti sërish Leka, dukshëm i interesuar.
– Dua të them se, duke i studiuar të dyja kulturat krah për krah, e kam të pamundur ta shoh kulturën greke si gjë tjetër veçse një zgjatim të asaj shqiptare.
Pa humbur asnjë çast, i qeshur siç ishte, Leka zgjati dorën drejt gotës dhe më pas ia afroi asaj të Orestit.
– Për këtë ja vlen ta bësh gëzuar!
Gotat u përplasën lehtë në ajër. Leka e ktheu rakinë me një frymë, pastaj u përkul përpara dhe kryqëzoi krahët mbi tavolinë.
– Pa hë. – vazhdoi Leka. – Nga të vjen kjo bindje.
– Epo, gjithnjë më ka bërë përshtypje diçka. Rrjeta e cila është përdorur prej mamasë time në vrasjen e Agamemnonit, është ruajtur. E kam parë vetë, ja, me këta dy sy… Tani, me sa di unë, populli jonë nuk e ka një traditë të tillë, kurse i juaji po.
– Po po është e vërtetë. – ndërpreu Leka gëzueshëm. – Ne ruajmë këmishën e të porsavrarit, dhe e varim atë.
– Pikërisht.
– Mendohet se kur njollat e gjakut në të marrin ngjyra të tjera, i vrari është duke shfaqur acarimin e tij me vonesën e marrjes së hakut…
– Më falni që u ndërpres këtu, por gjithnjë kam qënë kureshtar… – foli Oresti me ndrojtje. – A është vërtetë aq e besueshme kjo? E them sepse ka edhe faktorë të tjerë, si ata natyrorë, për shembull, që mund të kenë ndikim të ndjeshëm mbi të, apo jo?
– Edhe mundet. – tha Leka, më i vrenjtur në fytyrë. – Por në të vërtetë nuk i dihet. Mua më pëlqen të besoj se janë vërtet ata që na i japin këto shenja. Kështu edhe përshpejtohet… procesi.
Oresti nisi të fliste sërish, por në atë çast, diku jashtë shtëpisë u dëgjuan disa sirena të pazakonshme, dhe të gjithë i hodhën sytë nga dera. Sirenat nuk largoheshin. Përkundrazi, pas pak kohe ato u shoqëruan edhe me disa trokitje të forta.
– Ç’është kjo kështu? – pyeti Leka, i drejtuar nga gruaja e tij.
– Nuk e di. – i ishte përgjigjur ajo shkurtimisht.
Trokitjet u dëgjuan përsëri, këtë rradhë duke lënë të kuptohet se prapa derës kishte më shumë se një person.
– O Zot! – klithi Elektra.
Të gjithë tashmë vështronin reagimin e saj. Liria, duke përfituar prej shpërqëndrimit të çastit, shpejtoi të hapte derën. Mos, tha me vete Oresti.
U dëgjua hapja e zhurmshme e portës, dhe pas saj disa hapa të shpejtë që i aviteshin derës së shtëpisë.
– Kush jeni ju? – pyeti Leka.
– Policia. – i ishte përgjigjur me një zë të prerë njëri prej tyre.
– Jemi thirrur këtu për të arrestuar shtetasin grek Orest A., i shpallur në kërkim, i cili akuzohet për vrasje me dashje. – tha dikush tjetër.
– Jo! – thirri Leka mërishëm, duke bërë disa hapa përpara drejt efektivit.
U sul drejt policit me të cilin kishte folur, me synimin për ta shtrirë përtokë, mirëpo nuk arriti as ta prekte. Dy efektivë të tjerë u hodhën menjëherë përpara, e kapën nga krahët dhe e përplasën me forcë pas murit. Leka u përpoq të lirohej, duke u përdredhur e duke sharë me zë të lartë, por duart iu mbërthyen pas shpine dhe pas pak sekondash dëgjoi kërcitjen metalike të prangave që iu mbyllën rreth kyçeve.
Ndërkaq, disa policë të tjerë ishin afruar tek Oresti. Ndryshe nga Leka, ai nuk kishte bërë as përpjekjen më të vogël për të kundërshtuar. Qëndronte i palëvizur në vend, me sytë të ngulur tek toka, sikur njoftimi i sapodëgjuar të mos i kishte sjellë asnjë habi. Kur njëri prej efektivëve i kapi duart, ai i zgjati vetë pas shpine. Prangat iu vunë pa asnjë rezistencë, ndërsa vështrimi i tij kërkoi për një çast Elektrën mes të pranishmëve, përpara se policët ta shtynin drejt derës së jashtme.
Pasi policia u largua me dy burrat në pranga, Liria dhe Elektra mbetën duke vështruar njëra-tjetrën.
– Ç’do të bëjmë ne të dyja tani? – e pyeti Elektra, duke u dridhur e tëra.
– Do të të kthejmë ty në shtëpi. – u përgjigj e përlotur Liria.
– Por, por unë nuk kam shtëpi. Nuk kam vend ku mund të shkoj.
– Kthehu tek mamaja jote, e thuaji se ishe ti ajo që kontaktove policinë.
– Jo! – u kthye me zë të lartë Elektra. – Nuk mundem… A mund të qëndroj këtu me ty?
– Nuk e di. – i ishte përgjigur Liria, përpara se të shpërthente duke qarë.


