Përshëndetje! Mirë se erdhët në sezonin e spekulimeve për Çmimin “Nobel”, një kohë argëtimi kur të gjithë lundrojmë në mbretërinë e letrave… Kështu fillon shkrimi rreth “Nobel” i Jonny Diamond për “LitHub”. Duke vijuar më tej, ai shtron pyetjen Kështu, çfarë mund të na ketë rezervuar Nobeli i sivjetshëm në letërsi?
Le të provojmë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje duke u bazuar në disa parashikime të bëra nga agjenci ndërkombëtare, por edhe kompani bastesh.
Sipas Agence-France Presse, kandidatë të mundshëm për të fituar “Nobel”-in e sivjetshëm janë Ngugi wa Thiong’o, Joyce Carol Oates, Marilynne Robinson, David Grossman, Margaret Atwood dhe Michel Houellebecq. Jo pa ironi, për nomiminim e Houellebecq, Diamond thotë: I dashur komiteti i Nobel-it, ju lutem mos ia jepni [çmimin] Houellebecq që të paktën mos të shpenzojmë tre ditë në Twitter në një tjetër luftë “letrash të hapura”.
Ashtu sikurse vitet e fundit, edhe sivjet në listën e favoritëve është Atwood, autorja kanadeze e “Rrëfenja e shërbëtores”. Por sikurse dihet, “Nobel” e mban sekret listën e ngushtë të kandidatëve për këtë çmim. Kjo bën të ndizen bastet duke kuotuar shkrimtarët më të njohur.
Kompania Nicerodds, në vend të parë me kuotën më të ulët vendos Maryse Conde, duke vijuar me Lyudmila Ulitskaya dhe Haruki Murakami që është në të njëjtin nivel me Margaret Atwood. Ndërsa në fund, me kuotën më të lartë, renditen Houellebecq, Kundera, Stephen King dhe Richaard Osman.
Gjithsesi, duket sikur sivjet, kritikët kanë hequr dorë nga propozimet e mundshme për fituesit e këtij çmimi, pasi “Nobel” ja ka dalë të befsojë herë pas here. Rasti i fundit është ai i Peter Handke, laureat i vitit 2019, polemikat për të cilin vijojnë akoma. Nuk duhet harruar as laureati i 2017, kantautori Bob Dilan. Ky i fundit, as nuk u paraqit në ceremoni për të tërhequr çmimin.
Prandaj, të gjithë duhet të presim të enjten e kësaj jave, ditë kur në orën 13:00 do të mësojmë edhe fituesin e çmimit më prestigjoz në fushën e letrave.
© “ExLibris”