More
    KreuLetërsiBibliotekë"Mrizeve të mërzisë", cikël poetik nga Marsela Neni

    “Mrizeve të mërzisë”, cikël poetik nga Marsela Neni

    Vajosur me gravitet

    Nuk flet më me vete
    u vajose me gravitet
    “S’ka kohë për poezi
    në emigracion,”-më thua.

    Nuk flet më me vete
    puna si gungë t’u ngjit shpinës
    ëndrrat si puplat e një zogu të gjorë
    t’i shkulën për një vakt të mirë.

    Nuk flet më me vete
    e shite marrëzinë për normalitetin,
    por, unë e di se një dragua
    fle shpellave të tua dhe pret

    pak dritë, pak qiell, të fluturojë.


    Mbase kjo është jeta e fundit

    Ngjitem kodrës së shenjtë
    në karvanin e gjatë
    nën diellin përvëlues së Athinës
    të prek me sy Akropolin e lashtë
    të ndiej rrahjet e zemrës së Atikës
    gurë shekullorë mbi krye
    verë në graalin e shenjtë
    brenda meje…
    Vij drejt teje
    si velë e bardhë anijeje
    nderur në erërat e Egjeut
    as grua, as burrë, as ëndërr
    eros me degë ulliri ndër duar
    kurorë dafine mbi floknajën e një muze
    që gjashtë jetësh këndon këngën e gabuar.
    Mbase, kjo është jeta e fundit!
    Ja, ku jam!

    ***

    Thonë se te arsyeja Perëndia vepron.
    Thonë se te dashuria Perëndia prehet.
    A thua se veprimi më i lartë është prehja?

    Hape, o Zot, një udhë prej detit tim narcizist
    drejt rubairave të syve të tij!

    Bëje të dielë jetën e njeriut!


    Zog i vonë

    Unë jam një zog i vonë
    në një vend ku ora ka mbetur mbrapa.

    Në gugatjen e një pëllumbi
    kisha fshehur një këngë dashurie
    për të gjitha ëndrrat që i desha aq shumë
    sa i lashë të shkojnë.

    Në një vend ku ora ka mbetur mbrapa
    unë sërish jam një zog i vonë…


    Kreshmë e mosfjalës

    Dje e çova heshtjen time
    në një manastir…
    ia prenë flokëgjatat
    ia lanë mëkatet lumenjve të librave të shenjtë
    e vesha murgeshë
    kreva të gjitha ritet e konvergimit
    morën pjesë pak ndjenja
    rituali kish një thjeshtësi sublime.

    Ende mbaj kreshmën e mosfjalës
    e kam të vyer për ta çuar dëm
    me njerëz që s’duan të kuptojnë
    me njerëz që bëjnë sikur të duan
    njerëz që duan veç veten,
    veç veten
    ani pse, të gjithë këtë e kuptova vonë
    nga dje më parakalojnë syve
    një mijë vjet
    ndaj nuk di, nuk di ta llogaris kohën
    me akrepat e tu.

    Fjalë e hidhur vargmale akulli ngjiz
    Bota ime: rruzare ndër duar, lutje fryme
    karma rend një hëne të plotë
    e bën të sajën.


    Udhët e kryqit

    Krishti erdhi, iku, unë këtu
    hartë memece për udhë parabolash
    pështjelluar nga stuhitë…

    Hana

    Ka çaste
    si këtë mbrëmje,
    që s’ngopem së vëzhguari hanën
    tek përkundet në qilimin e yjeve
    e mendoj se hana është pasqyra më e kthjellë
    e ciklit jetësor

    ka hanë të plotë
    si qenësia ime prej kange
    ka drapër- hanë
    si të qenit gjysmë-ëndërr
    ka hanë gjaku
    si ditët e kuqe të gruas
    ka hanë të tejdukshme
    si ditët lehonë të vjeshtës mes
    pranverës
    koha përbëhet prej njerëzish
    si hana han vetveten, edhe ne,
    derisa ngel një qenie e zbrazët,
    e xhamtë, e jashtëbotshme,
    që e pi e dehet përjetësia
    me kupën e universit
    për t’u përplotur
    nga e para
    si një tjetërçast.


    Harpa e dhembur

    Jam shtëpi e braktisur mes malesh pa ty…
    Tymos vetminë ulur mbi një gur
    e ndiej të ftohtin e irisit të fikur
    në sytë e kujtimeve…

    S’ka kumt prej s’andejmi
    nga shkon e s’vjen njeriu,
    më rëndon peshë e ditës
    veç natën mrizon malli im,

    Fle, me një copë qiell si nënkresë fle,
    që një ëndërr të më zërë në rrjetës e saj
    dhe të humbas…gjerkur
    …paqja të trokasë në portën e zgjimit.

    Paqja ime është si deti,
    ka gjithnjë etje…

    E etur të pres te dashnia e fjalës,
    n’at pjergull dehem
    me durue urtësinë e gjumit,
    që na ndan dybotësh.

    S’ka kumt prej visareve të heshtjes,
    po këtej ka mrize mes pyjesh mërzish
    veç duhet me ndjek fëmijët me i gjet,
    me të gjetë ty, harpë e ndjesive të dhembura.


    Emri tjetër i detit

    Në një tjetër jetë kish qenë një sorkadhe,
    ai i kish vënë një emër
    që i kujtonte detin.

    Pasi pyllin e prenë
    ajo nuk erdhi më të shëtiste
    në pentagramet e këngës së tij të lodhur.

    Një rrugë e ndau edhe pyllin e tyre në mes
    në një anë natyra,
    në tjetrën njerëzit.

    Gjithë fajin e ka ‘e ardhmja’
    për hir të saj ia blatojmë të tashmen
    vdekjes.

    Një sorkadhe
    Një rrugë
    Një burrë

    Gjethet ngrehur i mbajnë veshët
    për të përgjuar hijen
    e hapit të saj të heshtur.

    Një rrugë
    Një burrë

    Asnjë gurgullimë lumi
    Asnjë cicërimë zogjsh
    Asnjë notë, asnjë
    Një urnë ndjesish dhe harabela të helmuar
    rënë mbi tastierë.

    Ajo nuk vjen
    Ai s’është më ai

    Sytë i mbetën në errësirë,
    vejan i dashurisë, që thur e shthur qiej
    të trazuar, me shtiza plot mllef.


    Vij e iki në majë të gishtave

    Vij e iki në majë të gishtave
    qëndroj diku për pak
    mbi ndonjë sup të çiltër
    si pendë e humbur në erë…

    Kjo botë e prapë s’ka nevojë për vargje
    artit një mijë thika i ka ngulur mbi shpinë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË