“Grue prej zjermi” e Donika Dabishevcit
Përvoja e leximit dëshmon se disa libra poetikë mbeten në kujtesë për poezi të veçanta, ndërsa të tjerë për universin poetik që ndërtojnë. Në këta të fundit, secila poezi e zgjeron kuptimin e tjetrës përmes një rrjeti motivesh, simbolesh dhe përjetimesh, duke formuar një tërësi organike ku asnjë tekst nuk e shteron domethënien në vetvete. Pikërisht kësaj kategorie i përket “Grue prej zjermi”, libri poetik i rradhës i Donika Dabishevcit botuar nga Shtëpia botuese ‘Littera’ 2026.
Pas poetizimit të erotikës te “Kam me ardhë si deka” dhe dialogimit me kujtesën historike te “E gjithkohshmja Andërr”, poetja e zhvendos qendrën e vështrimit drejt hapësirës më të ndërlikuar të ekzistencës: te brendësia e qenies. Nuk është më historia ajo që e përcakton njeriun dhe as vdekja që e vë në provë ekzistencën e tij. Në qendër vendoset njeriu, me gjithë brishtësinë, kujtesën, trupin, dashurinë, mungesën dhe etjen për liri.
Po ta shohësh nga kjo perspektivë, tri librat e saj të fundit ndërtojnë një trekëndësh poetik: vdekja, kujtesa dhe identiteti. Secili e plotëson tjetrin dhe secili zgjeron horizontin e atij pararendës.
Por të kthehemi te libri i ri. Një nga cilësitë e para që bie në sy është mënyra se si autorja e ka ndërtuar librin si një organizëm artistik. Pesë ciklet: “T’pathanat”, “T’dhanat”, “T’mbajtunat”, “T’fjetunat” dhe “T’heshtunat”, përfaqësojnë lëvizje të brendshme, apo procese të vetëdijes poetike që kalojnë nga ajo që nuk mund të thuhet, drejt asaj që rrëfehet, ruhet, ëndërrohet dhe në fund, heshtet. Libri fiton kështu një arkitekturë të menduar, ku secili cikël përgatit tjetrin dhe ku lexuesi nuk ndjek vetëm një varg poezish, por një udhëtim shpirtëror.
Në një lexim të shpejtë mund të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një libër dashurie, por një lexim më i kujdesshëm dëshmohet diçka tjetër. Dashuria nuk është tema përfundimtare e këtij libri; ajo është vetëm një nga format përmes së cilës poetja kërkon ta kuptojë qenien njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, vargjet e saj nuk rrëshqasin në sentimentalizëm dhe as në retorikën e zakonshme të poezisë intime. Ato mbeten të përmbajtura, të kursyera dhe shpeshherë lënë më shumë të nënkuptohet sesa thuhet.
Vetë cikli i parë, “T’pathanat”, është një hyrje domethënëse në universin poetik të librit. Titulli nuk është vetëm emërtim; ai është çelësi i parë interpretues. E pathëna nuk nënkupton mungesën e fjalës, por kufirin e saj. Donika duket se i beson më shumë asaj që mbetet pezull sesa asaj që shprehet drejtpërdrejt.
Për këtë arsye, shumë poezi të këtij cikli nuk japin përgjigje, por hapin pyetje. Ato nuk mbyllen me fundin e vargut, por vazhdojnë të jetojnë në vetëdijen e lexuesit. Në një kohë kur shpesh poezia bashkëkohore rëndohet nga metafora të shumta dhe nga figura që e humbin natyrshmërinë e tyre, Donika zgjedh rrugën e kundërt. Ajo i beson fjalës së kursyer. Vargu i saj nuk kërkon ta impresionojë lexuesin me ndërlikim, por ta bindë atë, me saktësi dhe pikërisht kjo e bën poezinë e saj të fitojë peshë. Çdo fjalë duket e menduar dhe e vendosur aty ku duhet, pa zbukurime të panevojshme.
Në anën tjetër, në këtë vëllim poetja dëshmon edhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj kohës në të cilën jetojmë, pasiqë nuk e trajton bashkëkohësinë si dekor, por si pjesë të pandashme të përvojës njerëzore. Këtë e dëshmon edhe poezia “Ne ishim ndryshe, syni jem”, ku përmes figurave të botës digjitale poetja reflekton mbi transformimin e marrëdhënieve njerëzore. Dashuria, që dikur ndërtohej mbi praninë, kohën dhe pritjen, sot shfaqet si një përvojë që mund të nisë me një add e të përfundojë me një unfollow. Kjo nuk artikulohet si gjykim moral, por si vëzhgim poetik i një realiteti të ri kulturor, ku afërsia virtuale shpesh shoqërohet me largësi shpirtërore.
Në të njëjtën frymë, vargu fëmijët mësojnë me rrëshqitë gishtin para se me mësue me prekë sintetizon një prej paradokseve themelore të kohës sonë: zëvendësimin e përvojës së drejtpërdrejtë me ndërmjetësimin teknologjik. Kështu, poezia e Dabishevcit e tejkalon regjistrin intim dhe shndërrohet në një reflektim mbi njeriun bashkëkohor, duke dëshmuar një vetëdije poetike që dialogon njëkohësisht me ndjenjën dhe me kohën.
Një nga boshtet më të rëndësishme të këtij libri është figura e “synit”, e cila shfaqet vazhdimisht dhe krijon një ndjenjë vazhdimësie mes poezive. Në leximin tim, “syni” nuk duhet kuptuar vetëm si figura e të dashurit. Ai është shumë më tepër se kaq. Herë është bashkëbisedues, herë dëshmitar, herë kujtesë, herë vetë ndërgjegjja e poetes. Në disa raste të krijohet përshtypja se poetja dialogon me një prani të padukshme, ndërsa në raste të tjera duket sikur po flet me vetveten. Pikërisht kjo shumëkuptimësi ia shton forcën artistike figurës dhe e bën atë një nga elementet unifikuese të gjithë vëllimit.
Tutje gjejmë vargjet “Ne nuk fituem, syni jem. Ne u harruem” ku harresa nuk lidhet me shuarjen e dashurisë mes dy njerëzve, por me ndjesinë e dy qenieve që i përkasin një sistemi tjetër vlerash dhe që, brenda ritmit të vrullshëm të epokës digjitale, mbesin në skaj të kohës. Ata nuk humbin njëri-tjetrin; humbin vendin e tyre në një botë që ndërkohë ka ndryshuar mënyrën e të jetuarit, të të dashuruarit dhe të të komunikuarit.
Në këtë kuptim, poezia fiton një përmasë brezore e kulturore. “Ne u harruem” shndërrohet në metaforë të një gjenerate që e ndien veten të zhvendosur përballë një realiteti të ri, ku shpejtësia, virtualiteti dhe konsumimi i çastit e kanë zëvendësuar ngadalësinë, praninë dhe thellësinë e përvojës njerëzore.
Një poezi tjetër që fiton peshë të veçantë është “Trup që flet”. Që nga titulli kuptohet se poetja synon ta zhvendosë komunikimin nga fjala te vetë qenia fizike. Trupi nuk është më vetëm prani biologjike; ai bëhet bartës i kujtesës, i plagëve, i mungesave dhe i dashurisë. Në poezinë e Donika Dabishevcit trupi nuk shërben për ta zbukuruar ligjërimin me nota erotike, siç ndodh shpesh në poezinë bashkëkohore, por shndërrohet në një hapësirë ku depozitohen përvojat më të thella të njeriut. Ai flet edhe atëherë kur gjuha hesht. Ai kujton edhe atëherë kur mendja përpiqet të harrojë.
Kjo është arsyeja pse në këtë libër marrëdhënia ndërmjet trupit dhe shpirtit nuk paraqitet si kundërvënie, por si bashkëjetesë. Të dy ecin paralelisht dhe e plotësojnë njëri-tjetrin. Ajo që përjetohet shpirtërisht lë gjurmë në trup, ndërsa ajo që prek trupin vazhdon të jetojë në kujtesë. Pikërisht në këtë ndërthurje qëndron edhe një nga veçoritë estetike të këtij vëllimi.
Këtij motivi i bashkohen natyrshëm poezitë “T’duem”, “N’ty”, “T’jam dorëzue, syn!” dhe “Yjet nën lëkurë”. Ato nuk flasin për dashurinë si gjendje kalimtare, por si një përvojë që e ndryshon qenien e njeriut. Dashuria nuk paraqitet si triumf romantik dhe as si strehë e sigurt. Përkundrazi, ajo është një proces që e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj vetes dhe ndaj botës. Pikërisht për këtë arsye poetja nuk ndërton deklarata të mëdha dashurie; ajo ndërton gjendje dhe lexuesi nuk ndeshet me retorikën e ndjenjës, por me përvojën e saj.
Një poezi si “A m’do?” mund të duket në pamje të parë si një pyetje e zakonshme intime. Mirëpo, gjatë leximit bëhet e qartë se ajo nuk kërkon përgjigje. Është një pyetje që i drejtohet po aq vetes sa edhe tjetrit. Në këtë libër dashuria nuk paraqitet kurrë si diçka e sigurt. Ajo mbetet gjithmonë në provë, gjithmonë e kërcënuar nga koha, nga largësia, nga ndryshimi dhe mbi të gjitha nga harresa. Kjo pasiguri e vazhdueshme e shpëton poezinë e Donikës nga sentimentalizmi. Ajo nuk ndërton iluzione; ndërton dilema. Nuk shpall të vërteta; shtron pyetje.
Një tjetër vlerë e këtij libri është mënyra se si autorja e koncepton kohën. Në shumë poezi koha nuk matet me vite apo me data, por me ndryshimet që lë brenda njeriut. Për këtë arsye cikli “T’fjetunat” zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e librit. Poezitë “E tashmja”, “Ditët”, “Netët”, “Çastet”, “Andrrat”, “Fjalët” dhe “Momenti” nuk përshkruajnë ngjarje të jashtme. Ato ndalen te çaste që në jetën e zakonshme mund të kalojnë pa u vënë re, por që në poezi fitojnë peshë ekzistenciale. Në këto poezi ndihet qartë pjekuria artistike e autores. Ajo nuk ka më nevojë për ngjarje dramatike që ta ndërtojë poezinë. Mjafton një fjalë, një shikim, një natë, një kujtim ose një heshtje për të krijuar një univers të tërë poetik. Kjo është shenjë e një autoreje që tashmë i beson plotësisht fuqisë së vargut të saj.
Një nga poezitë që më duket ndër më përfaqësueset e këtij cikli është “Fjalët”. Donika Dabishevci e njeh mirë kufirin e gjuhës. Ajo e di se fjala është mjeti i poetit, por njëkohësisht është edhe kufiri i tij. Për këtë arsye në shumë poezi krijohet përshtypja se heshtja flet më shumë sesa vetë ligjërimi. Nuk është rastësi që libri përfundon me ciklin “T’heshtunat”. Pas gjithë rrugëtimit poetik, autorja arrin në përfundimin se jo çdo përvojë mund të shprehet plotësisht.
Disa gjëra mbeten përgjithmonë në kufirin ndërmjet fjalës dhe heshtjes. Pikërisht aty lind poezia më e mirë. Ky raport ndërmjet fjalës dhe heshtjes është një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet “Grue prej zjermi”. Heshtja nuk është mungesë e komunikimit; ajo është vazhdimi i tij. Shpesh lexuesi ka ndjesinë se poezitë nuk mbarojnë në fund të faqes, por vazhdojnë të rezonojnë edhe pasi libri mbyllet. Kjo është një nga shenjat më të sigurta të një poezie që nuk jeton vetëm gjatë leximit, por mbetet gjatë në vetëdijen e lexuesit.
Nëse do të duhej të veçoja një poezi që e përmbledh frymën e të gjithë këtij vëllimi, pa dyshim do të ishte “Grue prej zjermi”, poezia që i jep edhe titullin librit. Në traditën poetike shqiptare figura e gruas është ndërtuar shpesh si simbol i sakrificës, i dhembjes, i amësisë ose i pritjes. Donika Dabishevci nuk e mohon këtë traditë, por nuk mbetet brenda saj. Gruaja e saj nuk është vetëm ajo që pret, as vetëm ajo që duron. Ajo është qenie që digjet për të mos u shuar. Pikërisht këtu zjarri e humb kuptimin e zakonshëm të shkatërrimit dhe fiton një dimension krejt tjetër. Ai bëhet metaforë e energjisë së brendshme, e pasionit, e qëndresës dhe e aftësisë për t’u ringritur.
Në këtë kuptim, “Grue prej zjermi” nuk është poezi që flet vetëm për gruan. Ajo flet për njeriun që kalon nëpër sprova dhe arrin të mos e humbasë vetveten. Zjarri nuk e djeg identitetin; e pastron atë. Ai nuk e shkatërron qenien; e kalit. Kjo është arsyeja pse titulli i librit nuk duhet parë si një metaforë dekorative, por si boshti simbolik mbi të cilin ndërtohet i gjithë vëllimi.
Po aq domethënëse është edhe poezia “E lirë”, e cila, sipas meje, nuk është vetëm mbyllja e ciklit të fundit, por edhe mbyllja filozofike e gjithë rrugëtimit poetik. Liria që shfaqet këtu nuk është një fitore spektakolare dhe as një çlirim i jashtëm. Ajo është një gjendje e fituar pas shumë përballjesh me vetveten. Pas dashurisë, mungesës, kujtesës, pritjes dhe heshtjes, poetja arrin në një pikë ku liria nuk varet më nga prania ose mungesa e tjetrit. Ajo lind nga pajtimi me veten. Pikërisht ky është një nga përfundimet më të bukura artistike të këtij libri.
Në planin gjuhësor, Donika Dabishevci vazhdon t’i qëndrojë besnike gegërishtes. Mirëpo, do të ishte gabim ta shihnim këtë zgjedhje vetëm si çështje dialektore. Gegnishtja në poezinë e saj nuk është as nostalgji dhe as ornament. Ajo është vetë mënyra e të menduarit poetik. Ritmi i vargut, muzikaliteti i ligjërimit dhe ngarkesa emocionale burojnë natyrshëm prej saj. Për këtë arsye lexuesi nuk ka ndjesinë se autorja po kërkon efekte gjuhësore; gjuha rrjedh si pjesë organike e përvojës poetike.
Kjo vërehet sidomos në përdorimin e fjalëve të shkurtra, të ndërprerjeve të befta dhe të ritmit të kursyer. Poezitë nuk mbështeten mbi fjali të gjata dhe as mbi shpjegime të tepërta. Donika Dabishevci i beson fuqisë së fjalës së vetme. Ka raste kur një fjalë, e vendosur në vendin e duhur, mban peshën që në një tekst tjetër do ta mbante një paragraf i tërë. Kjo ekonomi e ligjërimit është një nga cilësitë më të dukshme të pjekurisë së saj poetike.
Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është mënyra se si ndërtohet arkitektura e librit. Sot nuk janë të pakta vëllimet poetike që ngjajnë më tepër me përmbledhje tekstesh të shkruara në kohë të ndryshme, pa një lidhje të brendshme mes tyre. “Grue prej zjermi” nuk i përket kësaj natyre. Që nga faqja e parë deri te e fundit ndihet se poezitë komunikojnë me njëra-tjetrën. Motivet e syrit, trupit, natës, ëndrrës, zjarrit, fjalës dhe heshtjes rikthehen vazhdimisht, por jo si përsëritje. Çdo rikthim u shton atyre një kuptim të ri. Kështu krijohet një rrjet simbolesh që e mban librin të bashkuar dhe i jep atij identitet të qartë estetik.
Në këtë pikë bëhet e natyrshme të shihet edhe vendi që zë ky vëllim në krijimtarinë poetike të Donika Dabishevcit. Tri librat e saj të fundit nuk lexohen si vepra të shkëputura, por si tri nyje të një procesi të vetëm krijues. Në “Kam me ardhë si deka”, qendra e universit poetik është dashuria, e jetuar si pasion, zjarr, trup dhe përmbysje e çdo norme. Në “E gjithkohshmja Andërr”, poezia zhvendoset drejt traumës kolektive, duke e shndërruar luftën në përvojë ontologjike të njeriut. Ndërsa “Grue prej zjermi” i rikthehet dashurisë, por tashmë nga një lartësi tjetër artistike e ekzistenciale: ajo nuk është më vetëm marrëdhënie mes dy qenieve, por hapësirë ku sprovohen identiteti, liria, trupi, kujtesa dhe vetë kuptimi i qenies.
Korrik, 2026


