Kreu Letërsi Bibliotekë Margaret Atwood: Si e shkrova romanin “Rrëfenja e shërbëtores”

Margaret Atwood: Si e shkrova romanin “Rrëfenja e shërbëtores”

Disa libra i ndjekin pareshtur lexuesit. Të tjerë ndjekin pareshtur shkrimtarin. “Rrëfenja e shërbëtores” i ka bërë të dyja. Romani është ribotuar vazhdimisht që prej vitit 1985 kur u botua për herë të parë. Miliona kopje janë shitur në mbarë botën dhe ka njohur botime dhe përkthime të panumërta. Është kthyer në pikë referimi për ata që shkruajnë për të kundërshtuar politikat që synojnë kontrollin e grave, dhe posaçërisht të trupave të tyre dhe funksioneve riprodhuese: “A thua se ka dalë nga “Rrëfenja e shërbëtores” shkruajnë ata ose “Kjo na çon në botën e “Rrëfenjës së shërbëtores” fraza të cilat janë mëse të zakonshme. Romani është hequr nga shkollat e mesme, dhe ka frymëzuar blogje të çuditshme interneti ku diskutohet çfarë përshkruhet në roman dhe shtypja e grave. Njerëz të ndryshëm, jo vetëm gratë, më kanë dërguar fotografi të trupave të tyre me tatuazhe frazat nga “Rrëfenja e shërbëtores” si: “Nolite te bastardes carborundorum”(Mos i lini maskarenjtë të ju vënë përfund) ose “A ka pyetje?”  si më të shpeshtat. Libri është vënë disa here në skenë, është bërë film (me skenar të Harold Pinter-it) dhe opera (nga Poul Ruders). Hokatarët e Halloween-it vishen si shërbëtoret ashtu sikur ndodh edhe në marshime proteste, gj që pasqyron dykuptimshmërinë e saj. A simbolizon të çuditshmen zbavitëse apo profecinë e llahtarshme politike? A mund t’i nënkuptoj të dyja? Asnjërën s’e kam menduar kur shkruaja librin.

*

Kliko për ta blerë tani

E fillova librin gati 30 vjet më parë, në pranverën e vitit 1984, kur jetoja në Berlinin perëndimor, ende i rrethuar në atë kohë nga muri famëkeq i Berlinit. Nuk titullohej në fillim “Rrëfenja e shërbëtores” por “Efredit” dhe kam shënuar në ditar që titulli ndryshoi më 3 janar 1985, kur ishin shkruar gati 150 faqe. Kjo është gjithçka që kam mbajtur shënim. Megjithëse në ditar kam shumë shënime për librin që do të shkruaja pak para këtij romani, një sagë shumështresore ngjarjet e së cilës ndodhin në Amerikën Latine dhe duhej përmbyllur, për “Rrëfenja e shërbëtores” nuk kam gjetur shënime.

Në ditar ka ankesa të zakonshme shkrimtarësh, si për shembull, “Po i rikthehem të shkruarit pas një kohe tepër të gjatë” ose “Po humbas durimin” apo “Mendo pastaj tmerrin e botimit dhe akuzat që do të bëjnë në rencesionet për romanin.” Ka shënime për motin, shiun dhe bubullimat në veçanti. Kam shkruar si në një kronikë për kërpudhat, përherë burim gëzimi, darkat e shoqëruara me listën e atyre që morën pjesë dhe çfarë ishte gatuar, sëmundjet, të miat dhe të të tjerëve si dhe për vdekjet e miqve. Ka shënime për librat e lexuar, fjalime, udhëtimet e mia. Ka shënime se sa faqe kam shkruar. E kam zakon të shkruaj numrin e faqeve të shkruara si mënyrë për të nxitur veten por nuk ka asnjë reflektim për përmbajtjen apo lëndën librit. Ndoshta ngaqë mendoja se e dija se çfarë dhe si do të shkruaja dhe nuk ndjeja nevojë t’i bëja pyetje vetes.

Më kujtohet se shkruaja me dorë, pastaj e shtypja me makinë shkrimi, bëja shënime në faqet e shtypura dhe ia jepja faqet një daktilografisti profesionist. Në vitin 1985 kompjuterat personal ishin në fillimet e tyre. U largova nga Berlini në qershor të vitit 1984, për t’u kthyer në Kanada. Kalova një muaj në ishullin Galiano të British Columbia-s, shkruajta gjatë vjeshtës, pastaj kalova katër muaj në fillim të vitit në Tuscaloosa, Alabama, ku isha drejtuese programit të shkrimit krijues në këtë universitet. Aty e përfundova librin. E para që e lexoi ishte shkrimtarja Valerie Martin, e cila ishte gjithashtu atje në atë kohë. Më kujtohet që më tha: “mendoj se ke diçka në këtë libër”. Ajo vetë thotë se i kujtohet që ishte shumë më entuziaste.

Nga 12 shtatori 1984 deri në qershor 1985 nuk ka asgjë në ditarin tim, nuk përmend asgjë për romanin, madje as kërpudhat, megjithëse nga numrat e faqeve që kisha shkruar në atë kohë duket se po shkruaja shumë dhe shpejt. Në 10 qershor kam shkruar: “Javën e kaluar mbarova së redaktuari “Rrëfenja e shërbëtores”. Faqja dëshmon se e kisha mbaruar së lexuari më 19 gusht. Libri doli në qarkullim në vjeshtën e vitit 1985, i ndjekur me recensa që më ngjallnin habi dhe ankth por nuk kam shkruar ndonjë koment për recensat. Në 16 nëntor shoh se kam shkruar një tjetër ankesë tipike për shkrimtarët: “Ndjej se jam zbrazur.” Pastaj kam shtuar: “Por në gjendje pune”.

Libri u botua në Mbretërinë e Bashkuar në shkurt të 1986-ës, dhe po në atë kohë në Shtetet e Bashkuara. Në Britani, vend që kishte përjetuar kohën e Oliver Cromwell-it para disa shekujsh dhe nuk kishte ndërmend ta përsëriste, reagimi ishte i tipit, “Bravo, ke qëlluar në shenjë”. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht nga një recensë jo edhe aq vlerësuese në “New York Times” nga Mary MacCarthy, reagimi ishte pak a shumë: “Kur do të jemi si kjo shoqëri?”

Historitë për të ardhmen gjithmonë kanë si parakusht pyetjen: “Çfarë ndodh nëse”, dhe tek “Rrëfenja e shërbëtores” ka disa. Për shembull: nëse do të donit të merrnit pushtetin në SHBA, të anuloni liberal demokracinë dhe të vendosni diktaturën, si do të rridhnin gjërat? Cila do të ishte historia që do të shkruanit? Nuk do t’i ngjante asnjë forme të komunizmit ose socializmit, sepse ato do të ishin shumë jopopullore. Kjo diktaturë mund ta përdorte emrin e demokracisë për të përligjur zhdukjen e demokracisë liberale, gjë që nuk mund të përjashtohet, madje në vitin 1985 nuk e shihja si të pamundur.
Kombet nuk krijojnë asnjëherë forma të dukshme të skajshme qeverisjeje mbi themele që nuk janë provuar. Kështu, Kina zëvendësoi një burokraci shtetërore me një formë të ngjashme shtetërore me emër të ndryshëm, Bashkimi Sovjetik zëvendësoi policinë e frikshme sekrete me një polici edhe më të frikshme, dhe kështu me radhë. Themelet e Shteteve të Bashkuara, vijova mendimin, nuk ishte strukturat bashkëkohore deri diku të iluminizmit të shekullit të 17-të të Republikës, me ligjërimin e tyre për barazinë dhe ndarjen e Kishës nga Shteti, por teokracia e rëndë Anglisë së Re puritane të shekullit të 17-të, me qëndrimin e dallueshëm kundër grave, e cila do të kishte nevojë vetëm për një periudhë kaosi shoqëror për të ripohuar veten.

Ashtu si teokracia origjinale, ajo do të zgjidhte disa fragmente nga bibla për të përligjur veprimet e saj, dhe do të mbështetej shumë tek Testamenti i Vjetër, jo tek Testamenti i Ri. Meqenëse klasat në pushtet gjithmonë sigurohen që të marrin mallrat dhe shërbimet e dëshirueshme, dhe është një nga aksiomat e romanit që pjelloria në Perëndimin e industrializuar është e kërcënuar, e rralla dhe e dëshirueshmja përfshinte gratë pjellore, gjithmonë në listën e dëshirave njerëzore, në një mënyrë ose tjetër dhe kontrollin riprodhues. Kush do të ketë fëmijë, kush do t’u dal zot dhe t’i rris, kush do të fajësohet nëse diçka nuk shkon me këto foshnja? Këto janë pyetje me të cilat qeniet njerëzore bëjnë për një kohë të gjatë.

Do të kishte rezistencë ndaj një regjimi të tillë, madje edhe një hekurudhë nën tokë në retrospektivë dhe në pikëpamjen e teknologjive të shekullit të 21-të në dispozicion për rrjetin e spiunimit dhe kontrollit shoqëror, të cilat duken pak më të lehta. Sigurisht, komanda e Gielad-it do të kishte vepruar për të eliminuar Kuejkërët, ashtu siç kishin bërë paraardhësit puritan të shekullit të 17-të.

E bëra rregull për veten: Nuk do të përfshija asgjë që qeniet njerëzore s’e kishin bërë në një një vend dhe kohë tjetër, ose për të cilën tashmë nuk ekzistonte teknologjia. Nuk doja të akuzohesha për sajesa të errëta të shtrembëruara, apo për keqpërfaqësim të potencialit njerëzor për sjellje të mjerueshme. Kryerja e varjeve në grup, copëtimi i qenieve njerëzore, veshja specifike për secilën kastë dhe shtresë shoqërore, lindja e detyruar e fëmijëve dhe përvetësimi i rezultateve, fëmijët e vjedhur nga regjimet që jepen për t’u rritur tek zyrtarët e lartë, ndalimi i leximit, mohimi i të drejtës së pronës, të gjitha kishin ndodhur, dhe shumë prej tyre mund të gjendeshin jo në kultura dhe fe të tjera, por në shoqëritë perëndimore, madje brenda vetë traditës “së krishterë”. ( E fus në thonjëza “të krishterë” sepse besoj se shumë sjellje të mbështetura nga kisha dhe doktrina gjatë ekzistencës së saj dy mijë vjeçare si një organizatë shoqërore dhe politike do të shiheshin si të neveritshmenga njeriu emrin e të cilit ajo mban.)

“Rrëfenja e shërbëtores” shpesh është quajtur “distopi feministe”, por termi nuk është krejtësisht i saktë. Në një distopi plotësisht feministe dhe të thjeshtë, burrat do të kishin më shumë të drejta se gratë. Do të kishte strukturë dyshtresore: shtresa e lartë me burra, dhe shtresa e poshtme me gra. Por Gieladi është lloji i zakonshëm i diktaturës. I strukturuar në formë piramide, shfrytëzon funksionet themelore të të dyja gjinive, me burrat që në përgjithësi qëndrojnë më lart se gratë në të njëjtin nivel, ndërsa pushteti dhe statusi shoqëror strukturohet tek niveli më i fundit, ku burrat e pamartuar në shkallën e fundit të hierarkisë duhet të shërbejnë para se të shpërblehen me një grua.

Vetë shërbëtoret janë një shtresë e ulët brenda piramidës. Ato vlerësohen për çfarë mund të jenë në gjendje të sigurojnë, për pjellorinë e tyre, arsyeja pse janë të paprekshme. Të kesh një grua të tillë është tregues i një statusi të lartë shoqëror, ashtu siç ka qenë gjithmonë në të shkuarën numri i madh i skllevërve ose shërbëtorëve. Meqenëse regjimi vepron nën maskën e një puritanizmi të rreptë, këto gra nuk thuhet se janë gra haremi për t’u dhënë kënaqësi dhe fëmijë pronarëve. Rëndësia e tyre qëndron tek funksioni riprodhues më shumë se ai zbukurues.

*

Tri gjëra që më kishin ngjallur kërshëri për shumë kohë u bashkuan gjatë shkrimit të librit. E para ishte interesi im për letërsinë distopike, interes që lindi kur isha adoleshente pas leximit të romaneve “1984” të George Orwell-it, Botë e re e guximshme” e Huxley-t dhe “Fahrenheit 451” e Bradbury-t dhe vijoi gjatë studimeve pasuniversitare në Harvard në fillim të viteve 1960-të. Që në çastin kur të intrigon një formë letrare, gjithmonë ke dëshirë të zjarrtë për të shkruar diçka të tillë. E dyta ishte studimi që bëra për Amerikën e shekullit të 17-të dhe 18-të, po në Harvard, për të cilin kisha interes të veçantë sepse disa prej paraardhësve të mi kishin jetuar atje në kohën për të cilën po studioja. E treta ishte magjepsja ime pas zbërthimit të mekanizmave të diktaturave, diçka jo e pazakontë për dikë që ishte lindur në vitin 1939, tre muaj pasi shpërtheu Lufta e Dytë Botërore.
Ashtu si revolucioni amerikan dhe revolucioni francez dhe tri diktaturat kryesore të shekullit të 20-të, – them “kryesore” sepse ka pasur shumë diktatura si ajo në Kamboxhia, në Rumani, regjimi puritan i New England më herët e kështu me radhë, Gielada ka idealizëm utopik në vena shoqëruar me parime kinse fisnike, hijen gjithnjë të pranishme, oportunizmin e rrethanave dhe prirjen e fuqishme për të kënaqur në prapaskenë dëshirat seksuale të ndaluara për të gjithë pavarësisht nga parimet. Por aventura të tilla pas dyerve të mbyllura mbeten të fshehta sepse regjimi mbizotërohet nga arsyeja e vet shtetërore (raison d’être) nga nocioni se regjimi po përmirëson kushtet e jetesës, fizike dhe morale dhe si të gjitha regjimet, varet nga njerëzit që besojnë me të vërtetë tek ai.

Ndoshta isha pak si tepër optimiste për ta përfunduar historinë e romanit me një dështim të plotë. Edhe “1984”, një nga vizionet më të errëta letrare, nuk mbaron me një çizme të rëndë përgjithmonë mbi fytyrën njerëzore, apo me një Winston Smith të dërrmuar dhe të dehur nga dashuria për Vëllain e Madh, por me një ese për regjimin e shkruar në kohën e shkuar dhe me anglishte standarde. Në mënyrë të ngjashme, i lejova Shërbëtores time një arratisje të mundshme përmes Maine-it dhe Kanadasë dhe përfshiva një epilog nga këndvështrimi i të cilit si Shërbëtorja ashtu edhe bota në të cilën jetonte ajo rikthehen në histori. Kur më pyesin nëse “Rrëfenja e shërbëtores: “do të bëhet realitet”, i kujtoj vetes se ka dy të ardhmen për librin, dhe nëse e ardhmja e parë bëhet realitet, kjo mund të ndodh edhe me të dytën.

“Rrëfenja e shërbëtores” është libër që krijon shumë imazhe pamore. Ata që nuk kanë pushtet gjithmonë shohin më shumë sesa thonë. Është e përshtatshme që ilustrimet në botimin me format të madh i bëjnë jehonë paletave të piktorëve të viteve 1930-të, 1940-të, epokës së diktaturave kryesore dhe sistemit të shenjave dhe parullave, ashtu si në Gileadën e ardhshme, ku interesi është po aq i madh për propagandën dhe dukjen njëlloj si frazat mbresëlënëse të sloganeve në Amerikën e Veriut. Është ky këndvështrim që duket më i mundshmi për mua në ato çaste të ankthshme kur kuptoj se as unë nuk jam e bindur se sa i besueshëm është krijimi im i zymtë letrar.

Përktheu: Granit Zela
Shkrim i botuar në revistën letrare LitHub, prill 2018.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Viktor Frankl dhe kërkimi për kuptimin

Nga William J. Winslade Më 27 janar 2006, në gjashtëdhjetë e një vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes së...

Pajtim Statovci fitues i çmimit më prestigjoz në Finlandë për letërsi, “Finlandia”

Çmimet më prestigjioze të librit në Finlandë për letërsinë, jo-letërsinë dhe letërsinë për fëmijë u dhanë më 27 nëntor nga Fondacioni Finlandez i Librit...

Shkrimtarët mbështesin Agron Tufën

Te dashur Virion dhe Zoica, Deshiroj te jeni mire me shendet te tre dhe me gjithe familjet tuaja ne Gjirokaster.

Mimoza Hysa: Diktatura kërkon një trajtim nga brenda, me gishtin drejtuar vetes dhe jo tjetrit

Intervistoi Violeta Murati Pas një përvoje tridhjetëvjeçare me përkthimin e autorëve si Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi,...