Katharsis
Atë natë u ktheva në një Trojë të djegur,
e shkretuar prej çdo shkëlqimi
Të gjithë florinjtë me të cilët stolisja vetminë
materie krejt e pavlerë, më mbeti në duar
Mes mureve të lartë,
ndizeshin e ndizeshin pëshpërima të pakuptimta
zëra që tingullin kurrë s’ua kisha dëgjuar
Thembra ime ishte pasioni çmendurak i një gruaje që kërkonte domethënie,
kuptime të humbura nëpër kratere hënore
i të gjitha grave si unë,
që qëndrojnë mes mureve si enë të mbushura
me thëngjinj që ndizen papritur
Ah, sa shumë u dogja atë natë
krejt këmbëzbathur, e tejdukshme
e njëherazi aq e padukshme sa veten kund s’mund ta prekja
Isha Trojë prej hiri e gjitha në të gdhirë
Bashkë kishim vrarë gjithçka
të gjitha dëshirat, pasionet e gjakut,
atë ç›ka mund të bëheshim…
Pengje të betejave që nuk na përkisnin aspak
Mes hirit, një thëngji qëndronte duke bërë dritë!
David!
E kujtoj atë vend David!
Fushave bari ishte tharë
qielli, ngjyrë shkretëtirash kish
tempuj të rinj ngrinin përditë ata që kërkonin amëshim
E ashpër ish jeta edhe aty David!
Ti i pate zhdukur gjigandët që vinin nga qielli
e sërish unë dridhesha prej frikës,
pafuqisë së këtij trupi tokësor
E kujtoj atë vend David!
Ti më the se aty qëndronte Zoti për të gjithë ne
Më pajise me porosi
sesi përqark botës veten të kërkoja
Unë humba David,
Barin e fushave, shkretëtirën
Mbi tempuj ra vetmia,
Kurrkush nuk hyn më brenda tyre
Gjigandët u shndërruan në xhumaxhuxhë
përditë e më shumë zotërojnë të humbur e të vetmuar.
E humba vendin ku duhej të gjeja Zotin, David!
Një tempull ku ta ruaj veten s’kam!
Unë rri tek dera dhe trokas (Zbulesa)
Krejt të verbër lindëm
për të dëgjuar përshpirtjet e asaj nate
kur hëna u duk në qiell për herë të parë
Gjithçka mbiu krejt e re,
Krejt për herë të parë,
Edhe ti, edhe unë
Koha nuk ishte shpikur ende për t’u varur në kalendar
(për të matur më tej të gjitha mungesat e gjata)
Tek dera ime, tre trokitje u dëgjuan
Tri herë më pohove se në parajsë bëhej dashuri
Tri herë tregove me gisht perëndimin
Tri herë më the se ishe krijesë e një kohe të ligë
Premtove se në asnjë takim s’do mund të sillje gëzim
I shenjuar për t’u përsëritur në të gjitha burimet ku uji nuk ndërron kurrë
Ti s’mund të kesh tiparet e ujkut
Unë mjelmë s’mund të bëhem dot!
Uji nuk ndërron kurrë
Krijesa të një fati të paracaktuar
Tri herë u duk hëna në qiell këtë natë!
Dua të të harroj
Dua të të harroj kështu,
si pikë uii që rrjedh drejt lumit Lete
për të lagur livadhet e Asfodelit
Harrimi ynë s’ka nevojë për krijesa mitike
është i thjeshtë,
krejt i zhveshur
nga çdo lëndë që përbën kujtime
Shuk drite, me të cilin hënën mund ta gjuajmë të dy
nga vende krejt të ndryshme
që kërkojnë mistikisht të njëjtën përgjigje,
të njëjtën çarje prej nga rrjedh uji në lumë
vetvetes për t’i shpëtuar.
Kolonë zanore vetmie
në të cilin përsëritet pafund e njëjta notë
Takohen e ndahen fatet tona
ripërsëritemi unë e ti,
nëpër kohëra të mpleksura që rrjedhin,
rrjedhin gjithmonë drejt lumit Lete!
Vdekje të vogla
Nuk dua ta vras pëllumbin e bardhë
Nuk dua ta vras me peshën time
Çast prej mjegulle krijuar
lëshon kraharorit bulëza dëshirash
për të shkuar tek vetja
për të ardhur tek ty
për të kuptuar pse pëllumbi i bardhë tinguj nuk ka
Nuk dua ta vras!
Ka heshtje të tjera balte
heshtje të bardha uji
heshtje që rënkojnë të gjitha plagët,
ato që janë shëruar,
ato të rejat që mishit hapen
si sqepa të uritur për dritë
Që dot s’e vras
nuk e vras….
Flutërza që digjen në frymën time!
Të biesh në lartësi të atilla
ku mungon tërësisht graviteti,
duhet fat i një tjetër lloji
që nuk lidhet aspak me këmishën tënde të fatit
Pashë më pashë t’i biesh gjithçkasë dhe asgjës
që kurrë nuk i ke kuptuar
Duhet fat perëndish veten të soditësh në hiç
Aq hiç, sa një grimcë
grimcë krejt e tejdukshme
të mund të vërtitet veç anës dritës
(drita, dritën s’mund ta shoh)
Atëherë mund të rrëfesh diçka
për të kuqërremtën
e atij perëndimi që sodisje tek shtëpia në fshat,
baltën e kuqe
rrëpirën argjilore ku sfidoje ekuilibrin e këmbës njomëzake
Pastaj një fije në formë elipsi
dhe
Hiç!
Rreth e qark dritës
mungesa flutërzash që ngrihen e digjen
që digjen e bien në frymën tënde!
Gur dhe ujë!
Po ti, pret ndonjë gjë?
Në mes të kohës kemi mbërritur,
mbërritur kemi në pragun e saj,
si uji i mbetur prej shiut mbi një gur.
Shpresë e ujit që digjet
për të mos mbetur
thjesht simbole të një matrice të gabuar
e cila nuk prodhon dot asnjë zgjidhje
Mes nesh, ndër ne,
zjarre që presin dimensione të reja
si sot, veç ne jo të tjera duar, të ngrohin
Po ti a më pret?
A pret ndonjë gjë?
Kujtimet e ujit, memorien e gurit
e gjithçkaje të tretur, të lindur nga balta
Të tokës, të zjarrit, duart e tua
mishi dhe gjaku, i trupit tim
Të njoh prej gjithçkaje të humbur
si pikëzat e ujit që treten mbi gur!
Lojë dritash pa heronj!
Kalëroj përmbi dritën e yllit që u shua
ëndrrën e një gjumi të gjatë
Vetmitare në qiej britma e shpirtit tim
tinguj të tjerë heshtojnë nëpër natë
Yllin e parë pata kërkuar
dritën nga e mori vallë?
Prej drite të shoh
nëpër ëndërr të gjitha trajtat i merr
derisa sa shuhesh ngadalë si dru i ndenjur në shi!
………….
Mbi dritën e yllit që u shua kalëron ëndrra e një nate gjysmë të grisur
Krejt vetmitare britma e shpirtit tim
brenda ëndrrës, dritë mëton të bëhet
askund s’mund të shihet
kurrëkund s’dëgjohet
Të tjera vdekje drite heshtin nëpër natë
Unë yllin e parë pata kërkuar
dritën ku e gjeti, nga e mori vallë?