More
    KreuHistoriEvalda Paci: Teksti biblik përballë sprovës së shqipërimit e përshtatjes në autorë...

    Evalda Paci: Teksti biblik përballë sprovës së shqipërimit e përshtatjes në autorë e vepra të letërsisë së vjetër shqipe (shekujt XVI-XVII)

    Përkthimet e tekstit biblik në gjuhët e Evropës kanë qenë e mbeten objekt i një vëzhgimi në thelb ndërdisiplinor, po që nuk mund të mos kenë prioritare një përmasë që lidhet me një vetëdije të natyrshme që në syrin dhe botëkuptimin e përpiluesit a përpiluesve reflektohet në disa elemente përmbajtësore dhe teknike. Natyrisht që dhe kërkimi a gjurmimi i një lidhjeje mes zhvillimeve të kohës që ndikojnë drejtpërdrejt në kulturën librore dhe elemente të transmetimit të dijes falë shtypshkrimit dhe inicimit të tij në disa vende evropiane duhet parë në bashkëpërkim me çka parashtrojmë zakonisht kur bëjmë fjalë për veprat që shënuan një periudhë me rëndësi për shkrimin shqip dhe modelet me të cilat ky i fundit u shënua në pikëpamje realizimi dhe arritjesh konkrete. Janë me interes të veçantë zhvillimet gjegjëse në shekujt në të cilët kanë parë dritën e shtypit veprat e para të letërsisë së vjetër shqipe dhe pikërisht periudha që konstatohet prej vetë autorit të Mesharit në përmbyllje të librit të tij aq të ndërmendur në studimet tona është e shënuar nga përpjekje për reformime dhe ndryshime në konceptimin dhe realizimin e veprave të asaj natyre. Proceset mirëfilli evolutive që njohu në viset tej Adriatikut kultura e shtypshkrimit, çështja e njohjes dhe e atribuimit të të drejtave të autorit dhe rolit në këtë drejtim të vetë stampatorëve dhe botuesve nuk mund të mos kenë ndikuar në historinë konkrete të veprave mbi të cilat ndërtohet një kapitull i tërë i historisë së shkrimit shqip.[1] Pavarësisht paqartësive që shpjegohen dhe me mungesë indicesh konkrete në lidhje me dokumentet shkrimore më të hershme të historisë së gjuhës së shkruar shqipe, një ndikim i tillë mund të gjurmohet dhe nga vetë elementet që njoftohen nga autorë të letërsisë së vjetër shqipe, ndër të cilët dallohet veçanërisht Pjetër Bogdani, përpilues i veprës Cuneus Prophetarum(Patavii, 1685). Një periudhë si ajo e letërsisë së vjetër shqipe, emërtuar nga disa studiues si letërsi ungjillore, por dhe ekleziastike mbart dhe një karakteristikë themelore që me të drejtë ndikon t’i atribuohen të tilla emërtime, në veçanti dy të fundit. Përdorimi i gjuhëve të vendit, aq më tepër për një lëndë që në atë kohë iu nënshtrua rishikimeve tejet përmbajtësore dhe rrënjësore nga hierarkia kishtare e kohës, përbën të parën premisë për t’u konsideruar bashkë me faktin e peshimit të shkallës së përshtatshmërisë së teksteve në fjalë për botimet në të cilat dhe panë dritën e botimit. Shekulli në të cilin botohet libri i Gjon Buzukut në të vërtetë shënohet nga ndryshime që po të shihen me një sy veçanërisht kritik dhe në kërkim të një lineariteti të jutifikueshëm, bëjnë të mendosh për rishikime pikëpamjesh dhe mendimesh nga vetë përpiluesit e indekseve të veprave që duhej të ndaloheshin për konsultim a përdorim. Bibla në gjuhët e vendit nuk duket se ka përherë të njëjtin fat dhe ndërkohë do të shihet se revizionimit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës do t’i nënshtrohet Vulgata vetë, e cilësuar dhe si Vulgata Sistoklementine dhe që duket që ka pasur një përhapje të gjerë në viset italike pikërisht në këtë periudhë.[2] Do të jetë po ky shekull që do të karakterizohet dhe nga zhvillime të lidhura me vetë frymën e epokës së emërtuar si e Reformës dhe e Kundërreformës, zhvillime të konkretizuara nga përkthime të teksteve biblike në referim dhe qasje të qartë ndaj gjuhësh të konsideruara burimore: ebraishtja, greqishtja e vjetër etj.

    Trajtimi i shqipërimit të tekstit biblik në veprat e letërsisë së vjetër shqipe kërkon detyrimisht konsiderimin e një faktori që njëkohësisht hedh dritë mbi formimin dhe njohuritë konkrete të autorëve përkatës mbi modelet e kohës dhe përafrimin me një përmbajtje që pikërisht në këtë periudhë bëhet herë pas here objekt i një vëmendjeje revizionimi në pikëpamje të brendisë dhe elementeve të tjera ndërtimore. Një faktor i tillë që ofron dhe një fushë të gjerë diskutimi është pikërisht ai i burimeve referenciale që dhe ndryshojnë në një hapësirë kohore që ndan realizimin e librit të Gjon Buzukut (1555) me variantet doktrinare të Pjetër Budit, të ribotuara dhe pas vdekjes së tij, ndërkohë dhe me mbështetjen e Kongregacionit të Propaganda Fide-s. Në këtë hark kohor pikërisht në lidhje me librin dhe kulturën e religjionit shënohen ngjarje të diktuara nga rrethana mjaft specifike, që shoqërohen nga arritje konkrete në dy linja që kanë të bëjnë si me kishën e Romës, si me prirje që u mbështetën në krye të herës nga ithtarë të protestantizmit në Evropë. Është një periudhë në të cilën konkurrohet mirëfilli për njohjen sa më të mirë të burimeve të teksteve biblike, për brendësim sa më të thellë të gjuhëve të vjetra në të cilat figuronin variante me rëndësi për ezegjezën biblike dhe interpretimin tekstor të vetë pasazheve të Biblës, për qasje sa më autentike dhe sigurisht kompetente ndaj tekstit origjinar dhe elementeve që duhen receptuar prej tij. Vulgata latine mbetet një burim themelor nëse bëhet fjalë për qasje që hedhin dritë mbi sjelljen besnike të tekstit e të mesazhit biblik në shqipen e kohës, ndërkohë variante të Psalmeve dokumentohen pothuaj në të gjitha veprat e kësaj letërsie, sigurisht në mënyra të ndryshme paraqitjeje, e një diversitet i tillë diktohet mandej nga natyra e botimit dhe shkalla e koncizitetit që duhej të respektonte autori. Vulgata latine është korpusi tekstor mbizotërues në pikëpamje referencialiteti dhe jo pak gjurmime qoftë dhe në pikëpamje të ndikimeve që dëshmohen nëse studiohen nënsisteme të caktuara gjuhësore në një vështrim krahasues mes gjuhëve, e dëshmojnë një fakt të tillë. Për këdo që e njeh nga afër ndërtimin e Mesharit, psalmet zënë një vend të konsiderueshëm të përmbajtjes së pjesës së parë e jo vetëm në atë ndarje që u kushtohet plotësisht të ashtuquajturve psalma penecialë.[3]

    Studimet mbi tekstet e vjetra shqipe janë dalluar dhe nga prirja për të nënvizuar a deduktuar ndikime të kuptueshme nëse bëhet fjalë për zhvillime që lidhen me historinë e besimit të krishterë dhe me reflektimin e reformave që ndërmori kisha e Romës gjatë Pesëqindës dhe më tej. Kultura librore e kohës, por dhe zgjimi i një vetëdijeje kombëtare që receptohet në pasazhe të caktuara të veprave të letërsisë së vjetër shqipe bën të mundur të rikonstatohet dhe tash një fakt i tillë, si një element që vetëm se risjell në vëmendjen tonë idenë e një shkrimtarie që ruan tipare origjinaliteti që sigurisht tekstet qartësisht të përcaktuara që bëjnë pjesë në të nuk e zbehin. Vlerësimi objektiv i një pune kryesisht përkthimi në vepra konkrete të letërsisë së vjetër shqipe gjithashtu përbën një faktor për t’u marrë në konsideratë sa herë ndërmerret dhe një analizë e kujdesshme mbi brendinë, ndërtimin dhe modelin a modelet që çdo autor kishte si referim në proces të punës për përpilimin aspak të lehtë që kishte marrë përsipër.

    Po aq sa është diskutuar dhe në lidhje me natyrën e mirëfilltë të ekzemplarëve të veçantë me të cilët përfaqësohet kjo letërsi, po aq sa vijon të paraqitet sfiduese ideja e rizbulimit të modeleve analoge në ndërtim dhe natyrë tekstore, edhe vetë koncepti i përcaktimit të autenticitetit të teksteve që përbëjnë lëndën parësore mbi të cilët rindërtojmë prej vitesh arsyetime dhe interpretime kryesisht të natyrës filologjike, përbën një prej argumenteve që pikësëpari gjen mundësi të rimerret dhe falë faktorëve që me kalimin e kohës bënë më të afërt studimin përmbajtësor të tyre, në disa pikëpamje dhe mënyra vështrimi.

    Një hap i domosdoshëm që u hodh mbas përpjekjesh disavjeçare për të njohur nga afër veprat dhe kontekstin historik që shoqëroi realizimin e tyre është vetë transkribimi i secilës, i vënë zakonisht krahas riprodhimit fotomekanik të vetë përmbajtjes, duke qenë se ndërkohë dhe realizuesit e tyre dhe sot e kësaj dite vijojnë të hulumtojnë në kërkim të rrethanave konkrete që e bëjnë dhe periudhën në fjalë më të prekshme në ngjarje dhe realitetin që i karakterizon.

    Përkthimi i tekstit biblik i vëzhguar në përpilime të Pesëqindës e më tej akoma, paraqet pa dyshim një kompleksitet interesash studimore nëse kemi parasysh që dhe nga vepra në vepër gjurmohen tipare të lidhura me ndryshime konkrete që reflektohen në natyrën e librave që e përfaqësojnë letërsinë e vjetër shqipe dhe që mund të shpjegojnë më mirë dhe natyrën unike të disa prej tyre. Sidomos në raste të përpilimit të doracakëve doktrinarë e që pikënisjen e kanë në variantet e Roberto Bellarminos S.I., nuk mënjanohet dot prirja për ndërtime që flasin më qartë mbi formimin e autorit që ndërmerr një sprovë të tillë. Një fakt i tillë dëshmohet në botimet që njohim e që kapërcejnë Shtatëqindën nëse kemi parasysh dhe variantin dygjuhësh që arrin të realizojë së pari në vitin 1845 Atë G. Guagliata, një jezuit që reflekton në mënyrën e vet dhe përpjekje për të shpënë më tej një traditë që zë fill me Pjetër Budin e që në botimet më të para shihet se mbështetet nga editorë privatë. Raportin me tekstin biblik e përcakton më së pari natyra e veprës e kur bëhet fjalë për vepërza që në pamje të parë duken të paracaktuara për një përdorim të natyrës didaktike, një fakt i tillë mund të gjurmohet njëlloj, dhe pse në tekste më të përcaktuara në disa pikëpamje. Një dëshmi të qartë e jep varianti më i parë i botimit të Doktrinës së kërshtenë të Pjetër Budit(1618), në të cilin gjurmohen fraza latine të cilat dhe ndiqen po aty nga shqipërimi gjegjës, me gjasë një kontribut i vetë përpiluesit. Po në këtë variant paraqitet rasti jo pak herë të konstatohen përdorime që dhe pse mund të jenë kalkime fjalësh nga gjuha latine, formojnë natyrshëm një spektër terminologjik e semantik që i shkon më së miri formatit të një doracaku doktrinar. Katekeza e Budit karakterizohet nga referime permanente ndaj Ungjijve e një fakt i tillë përveç se orienton në njohjen më të mirë të brendisë së veprës së tij, bën të mundur dhe qasjen me pasazhe të ngjashme me një referent paraardhës si ai i Mesharit(1555).[4]

    Sprova me shqipërimin e tekstit biblik kanë kaluar pothuaj të gjithë autorët e kësaj letërsie: jo të thjeshtë e ka pasur ndërmarrjen dhe autori i Cuneus prophetarum(Patavii, 1685), që dhe pse duket se ka disponuar tjetër lirshmëri në pikëpamje të shtrirjes përmbajtësore dhe shtjellimit të krerëve përkatës të veprës së tij, natyrisht që ka respektuar një model libror që njihej në atë kohë dhe që kërkonte një vëmendje të madhe nga ana e Bogdanit. Në një diskutim që sigurisht do të kërkonte dhe hapësirë kohore më të gjerë, do të duhej të parashtroheshin në vijimësi çështje të origjinalitetit të përkthimit të frazave të caktuara nga ana e tij dhe prirja për të shoqëruar me interpretime thënie të përfshira në tekst;[5] përdorime në thelb analitike, por që dëshmojnë që shqipja zotëronte dhe përveçime në lidhje me  fjalë-terma që rezultojnë në variantin krahas atij në gjuhën shqipe; ndërtime që shërbyen më tej si bazë burimore për përpilues doracakësh më të thjeshtë, por që në pikëpamje doktrinare dhe shprehësie duhet të ishin njëlloj të vëmendshëm ndaj kanoneve kishtare të kohës.

    Me rëndësi mbetet në këtë drejtim theksimi i disa teksteve themelore në përbërje të Biblës e që pavarësisht nga autorët përpilues dhe periudha në të cilën iu nënshtruan modifikimeve të ndryshme, vijojnë të jenë më të rëndësishmit dhe për vëmendjen e studiuesve të letërsisë e të filologjisë së tekstit. Variante që paraqesin interes dhe në pikëpamje të studimit të nënsistemeve të veçanta mbeten pjesë të Besëlidhjes së Vjetër që më së pari i gjejmë në tekstet e Mesharit, bashkë me indice të vlefshme që pikërisht nga vetë siglimet e përpiluesit apo autorit japin të kuptojnë dhe burimet me të cilat ky i fundit mbështeste përgatitjen e veprës në fjalë. Duhet theksuar dhe në këtë rasë që në çdo periudhë të zhvillimit të mendimit filozofik njerëzor e në veçanti kur u vu re një vijimësi e qartë vëmendjeje dhe ndaj varianteve biblike e më saktë dhe gjuhëve në të cilat ato duhet të njiheshin, brendësoheshin, përktheheshin apo përshtateshin, analiza filologjike dhe vështrimi përmbajtësor ka qenë një prirje që ka karakterizuar çdo linjë a rrymë që koha prodhonte e që më tej bëri të mundur dhe të përvijohej një histori fort e pasur në arritje, burime dhe botime të studimeve të tekstit mbi Biblën dhe pjesët përbërëse të saj. Konsiderimi si tërësi i përmbajtjes së Mesharit ndër të tjera na shpie sërish drejt nënvizimit të kontributit unik dhe metodologjisë së gjurmimit tekstologjik që me largpamësi prej studiuesi të sprovuar Eqrem Çabej e dëshmoi në linjat e ndjekura jo vetëm në konceptimin e realizimit të një botimi filologjik e kritik që paraqitet ekzemplar në pikëpamje të arritshmërisë, por dhe qasjeve me vend që bën që shënimet me të cilat shpjegohen fragmente, sintagma, fjali e tekste të tëra të jenë prijës dhe në konstatimin e lidhjeve të natyrshme mes pjesëve që e përbëjnë këtë libër. Do të mund të gjurmohet i rimarrë dekalogu, qoftë dhe në tekste që u përkasin letrave të Apostujve,[6] një tjetër variant nëse kemi parasysh që ky i fundit do të renditet ndër tekstet tipike të pjesës së parë të librit; pasazhe nga ungjijtë që jo vetëm janë të njëjtë në pikëpamje burimore, por dhe mbeten dëshmi të konsultimit të përpiluesit me disa burime të mundshme referenciale; ndërtime të përveçme me vlerë sintagmatike që jo vetëm dëshmojnë një ndikim të qartë nga forma referenciale tipike për ligjërimin biblik dhe ungjillor, por dhe ngulitjen me kohë të përdorimit të tyre në kulturën kishtare shqiptare.[7] Do të jenë me të drejtë variantet e psalmeve të pendesës që të vëna përballë tekstesh në disa gjuhë, qoftë dhe në botime që diferencohen me ndonjë shekull nga realizimi i librit të sipërcituar, dëshmi e jo pak vështirësive konkrete në pikëpamje të përmbajtjes a më saktë përkimit ndaj burimit origjinar të konsultuar. Lapsuse të vëna në dukje dhe në shënimet e botimit kritik të sipërpërmendur (Tiranë, 1968) rikujtojnë rëndësinë e njohjes së paradigmave të fjalëve të caktuara, sidomos të atyre në gjuhën latine dhe që kanë një peshë të caktuar dhe në përbërje të vetë tekstit biblik në gjuhën që shërben si burim referencial. Do të jetë rasti pa dyshim të nënvizohen devijime nga kuptimi i mirëfilltë i frazës qoftë kur përpiluesi nuk ka të qartë trajtën përfaqësuese të një fjale të caktuar(më saktë, elemente paradigmatike të qenësishme që dallojnë një fjalë nga një tjetër dhe brenda së njëjtës ndarje kategoriale) e që ka shpënë në keqkuptime të pakthyeshme në pikëpamje të brendësimit të fjalisë nga psalmi,[8] qoftë dhe kur në përpjekjen për të përkthyer ad litteram nga varianti në gjuhën latine, nuk jep si duhet idenë a konceptin që në të vërtetë në atë gjuhë me të cilën është shërbyer përshkruhet në një mënyrë të caktuar shprehjeje. Psalmet përbëjnë tekste që dhe pse dallohen në pikëpamje të ndërtimit kryesisht të përcaktuar sa i përket shtrirjes së tekstit dhe koncizitetit të shprehësisë, në disa raste kanë mbartur dhe ndryshime që në thelb nuk duhet të jenë synim për të modifikuar atë çka duhet nënvizuar apo theksuar, por lidhen me vetë shprehjet që një gjuhë e caktuar zotëron në lidhje me një nocion të caktuar. Pothuaj në përmbajtjen e secilës prej veprave të letërsisë së vjetër shqipe gjinden premisa për të shtjelluar interpretime të tëra mbi shqipërime të mundshme që vijojnë të jenë shtysë diskutimi, mbi njohjen a priori të një regjistri a regjistrave terminologjikë që sigurisht mund të segmentohen në mjaft nëndarje nëse kemi parasysh linjat që autorët ndoqën në varësi të objektit të materies së trajtuar. Merita autoriale mund të konstatojmë dhe sa i përket respektimit të emërtimeve të festave të urdhënuome, gjithashtu festave të paluajtshme, që bëjnë të mundur dhe në pikëpamje të modifikimit fonetik të trajtave të veçanta të deduktohen gjykime mbi lashtësinë e praktikimit të tyre në viset tona. Përbën një periudhë e tillë një dëshmi realizimesh që shërbyen si dëshmi e një pasurie të konsiderueshme formash e përdorimesh, gjithashtu dhe tekstesh që rindërtojnë profilin e një gjuhe që bëri të renditen natyrshëm në regjistrat e kohës dhe vepra të formateve të sipërcituara, natyrisht në një linjë me prirjet e kohës dhe zhvillimet përkatëse kulturore.


    [1]   Castellani C., I privilegi di stampa e la proprietà letteraria in Venezia, në «Archivio veneto», XXXVI, 1888.

    [2]  Barbieri E., Zardin D., Libri, biblioteche e cultura nell’Italia del Cinque e Seicento, Einaudi, Torino, f.36.

    [3]  Meshari, botim kritik i përgatitur nga E.Çabej, Tiranë, 1968, f.41/b-49/a.

    [4]  Vërej ndër të tjeradhe shqipërimin përkatës të dhënë nga Budi(DC 1618, f.22) në lidhje me frazën biblike Beati mundo corde quoniam ipſſi Deum videbunt; lumtë mpaſterte ete delirete mendye e zemre pse atta cane meepaam tenezotne…

    [5]  Shih ndër të tjera dhe trajtimin gjegjës në Cuneus prophetarum, botim kritik përgatitur nga A.Omari, Shkalla I, Ligj.IV, Tiranë, 2005, f.13, në lidhje me njërin nga psalmet: David Profeta ndë Salmitë 66 thotë këto fjalë: Bekoftë neve Hyji, Hyji ynë bekoftë neve. Hyji do me thanë, na bekoftë neve Hyji Atë, bekoftë neve Biri, Hyji ynë përse bām nierī, bekoftë neve Shpīrti Shent.

    [6]  Meshari, botim kritik i përgatitur nga E.Çabej, Tiranë, 1968, f.103/b.

    [7]  Shih ndër të tjera dhe ndërtime sintagmatike te Meshari, (botim kritik i cituar), Tiranë, 1968, si:  Regjinë e shekullit, f.27/b; Regjina e mishëriersë, f.31/b; Regjina e qiellsë, f.31/b etj.

    [8]  Shih shënimin përkatës të E.Çabejt në lidhje me Psalmin 101 (po aty, botim kritik i cituar, Psalmus condra invidiam, f.45/b) që vë në dukje keqkuptimin mbi trajtën –os, që duhej të ishte përkthyer me kuptimin e ashtit, eshtrës, jo gojës: Ņ zanit së fshamëvet mive u afëruo goja eme mishit tim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË