Ismail Kadare, një nga figurat më të rëndësishme të Letërsisë Shqipe, ka lindur në vitin 1936 në qytetin e Gjirokastrës, i njohur në turqisht si Ergiri Kasrı, në kufirin jugor të Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai dëshmoi pushtimet e qytetit nga forcat italiane, greke dhe naziste, si dhe lëvizjet popullore kundër këtyre forcave pushtuese. Pas pushtimeve dhe luftërave për pavarësi, Shqipëria u qeveris nga një regjim i ri nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, i cili ndoqi politika të përqendruara fillimisht në Moskë dhe më vonë në Pekin. Ky regjim i ri, i cili do të zgjaste afërsisht 45 vjet, bëri që shoqëria shqiptare të përjetonte një “klimë të ashpër” që nga fillimi i tij deri në vdekjen e Enver Hoxhës. Mjedisi i luftës deri në vendosjen e regjimit të ri dhe qeverisja e Enver Hoxhës, shfaqen si periudhat më të rëndësishme që prekën fëmijërinë dhe rininë e Ismail Kadaresë.
Ismail Kadare u dërgua në Bashkimin Sovjetik në vitin 1958, si shumë bashkëmoshatarë të tij, për t’u shkolluar për t’u bërë shkrimtar socialist dhe për të ndërtuar Shqipërinë së bashku me ekonomistë, teologë dhe administratorë të tjerë. Për Kadarenë, atmosfera politike që hasi në Moskë ishte shumë e ndryshme nga regjimi që përjetoi në Shqipëri dhe ai pati mundësinë të mësonte letërsinë bashkëkohore perëndimore, të cilën ndoshta nuk do ta kishte pasur kurrë mundësinë ta lexonte nëse do të kishte qëndruar në Shqipëri. Pas këtij procesi, Kadare u kthye në Shqipëri dhe filloi t’i transferonte idetë e tij në letërsi me poezitë dhe romanet që filloi të shkruante. Prandaj, dashuria e tij për leximin që në fëmijëri dhe interesimi për ngjarjet që ndodhin rreth tij, u përzien me edukimin që mori në rininë e tij dhe u transferuan në një identitet letrar.
Ai u përpoq t’i pasqyronte lexuesit të gjitha ngjarjet që përjetoi gjatë gjithë jetës së tij përmes personazheve të ndryshëm në pothuajse çdo vepër të tij. Shumë prej veprave të Ismail Kadaresë, i cili botoi më shumë se tetëdhjetë vepra, kanë tërhequr vëmendjen mbarëbotërore. Këto vepra kanë një rëndësi të madhe, veçanërisht në drejtim të njohjes së Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare në botë. Ai ka kaluar nëpër shumë faza të trazuara që nga lindja e tij e deri më sot, dhe pothuajse në të gjitha veprat që ka shkruar, ka përshkruar të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare me ligjërimet e tij unike, herë të nënkuptuar e herë hapur.
Hapat e parë në letërsi Ismail Kadare i hodhi me librin e tij të parë me poezi Frymëzime djaloshare, të cilin e shkroi në vitin 1954. Që nga momenti kur ai filloi të shkruajë, veprat e Kadaresë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë shqipe. Vlerat që veprat e tij i dhanë letërsisë shqipe janë të dukshme në shumë mënyra. Një nga këto vlera është se, falë veprave të autorit, Letërsia Shqipe pushon së qeni një letërsi që vazhdimisht “merr” nga letërsitë e tjera dhe bëhet një letërsi që “i jep” atyre letërsive. Prandaj mund të thuhet se shkrimet e tij shërbyen si urë lidhëse midis Letërsisë Shqipe dhe Letërsisë Evropiane. Veprat e Ismail Kadaresë zënë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e Letërsisë Shqipe dhe hapjen e saj me botën. Romani i Kadaresë, i cili është vepra më e përkthyer në gjuhë të huaja deri më sot, është Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Turqishtja është ndër gjuhët në të cilat është përkthyer ky roman dhe brenda një viti është përkthyer pothuajse në të gjitha gjuhët e Evropës Perëndimore. Aktualisht Kadare ka dymbëdhjetë romane të përkthyera në turqisht. Katër nga këto romane të cilat janë; Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kronikë në Gur, Darka e Gabuar dhe Piramida janë përkthyer nga gjuha orgjinale (shqip) në turqisht. Këtë hap në Turqi e ka hedhur Shtëpia Botuese KETEBE e cila ka për qëllim të krijojë bibliotekën ballkanike. Ndërsa romanet e tjera janë përkthyer nga gjuhët anglisht ose frëngjisht.
Në këtë pikë, është e nevojshme të dimë efektet e përkthimit dhe të përkthimit ndërgjuhësor. Siç dihet përkthimi është përcaktuar në mënyra të ndryshme gjatë historisë. Këto përkufizime janë të përqendruara kryesisht në kontekstet e gjuhës, kulturës dhe komunikimit. Përkthimi; është transferimi i informacionit nga një gjuhë në tjetrën në mënyrë të përshtatshme dhe harmonike, qoftë me shkrim apo verbale. Gjatë kryerjes së këtij transferimi, elementët e gjuhës burimore duhet të përshtaten me gjuhën e synuar. Sepse përkthimi është një fenomen komunikimi që ndodh në mënyrë të përshtatshme jo vetëm midis dy gjuhëve, por edhe midis dy kulturave. Personi që ofron këtë komunikim është përkthyesi. Përkthyesi përdor fjalorin e tij gjatë aktit të përkthimit dhe bën përkthimin e tij sipas rregullave gramatikore, dhe përkthyesi përkthen duke marrë parasysh kulturën gjatë aktit të përkthimit.
Ndërsa kur shikojmë të kaluarën, mund të shihet se përkthimi nga ndërgjuhët ka një rol historik në transferimin ndërmjet kulturave të largëta dhe pranimin e klasikëve botërorë. Dihet se kur teksti burimor nuk është më i aksesueshëm ose nuk mund të gjendet një përkthyes që e njeh gjuhën burimore, përdoret përkthimi ndërgjuhësor dhe në këtë mënyrë bëhet shkëmbimi letrar. Megjithatë, përveç rolit të tij të rëndësishëm në të kaluarën dhe përdorimit të gjerë sot, përkthimi ndërgjuhësor duket se ka një konotacion negativ në fushën e studimeve të përkthimit. Kur vjen puna përse bëhet përkthimi nga një gjuhë e ndërmjetme, e cila shpesh konsiderohet si një lloj përkthimi problematik, ka arsye të ndryshme. Kërkesa e shtëpive botuese që t’ia japin punën përkthyesit me të cilin punojnë, në vend që të përpiqen të gjejnë një përkthyes që di gjuhën e librit që duan të përkthejnë, ndonjëherë që një përkthyes pëlqen një libër dhe dëshiron ta përkthejë librin dhe t’ia prezantojë lexuesit edhe pse nuk e njeh gjuhën origjinale, sidomos kur bëhet fjalë për përkthimin nga një gjuhë që ka një zonë të ngushtë sovraniteti ose nuk është në një pozicion qendror, fakti që nuk ka njeri që të përkthejë në gjuhën përkatëse dhe që shtëpitë botuese nuk kanë hyrë ende në institucionalizimin mund të të llogaritet ndër këto arsye. Ajo që përgjithësisht konsiderohet e pranueshme në kontekstin e përkthimit të një teksti nëpërmjet një gjuhe ndërgjuhësore është se teksti origjinal nuk është më i aksesueshëm ose teksti origjinal është dëmtuar.
Në këtë aspket dëshiroj të tregoj dy shembuj nga romani “Rrethimi” të Ismail Kadaresë. Romani u përkthye në turqisht nga Hasan Kaya në vitin 2011. Ky përkthim nuk është përkthyer nga burimi kryesor shqipja por nga frëngjishja.
Shembulli 1:
Citim nga vepra origjinale: “Duke i ndarë nga doket e tyre barbare e duke u dhënë zakonet tona madhështore, ne do t’ua çyshtim shpirtrat, vazhdonte shehu. Dhe pas shpirtit do t’i vijë radha trupit të tyre.”
Përkthimi ynë: “Barbarca geleneklerinden ayırıp bizim muhteşem geleneklerimizi vererek, ruhlarını arındıracağız, diye devam ediyordu şeyh. Ve ruhlarından sonra sıra bedenlerine gelecek.”
Përkthimi i Hasan Kaya: “Onları barbarca geleneklerinden arındırıp üzerlerine muhteşem elbiselerimizi geçirerek ruhlarını kötü yoldan kurtaracağız ki o yol bedenlerinin gittiği yoldur…”
Kur vlerësojmë përkthimet e kapitullit, shohim se të dyja përkthimet ndryshojnë nga njëri-tjetri për nga forma. Një nga arsyet për këtë është se përkthyesi i pasqyron dy fjali në tekstin burimor si një fjali gjatë përkthimit, ndërsa ne i përkthejmë në dy fjali, si në tekstin burimor, me një metodë të përkthimit fjalë për fjalë. Kur bëjmë një vlerësim tjetër, kuptojmë se përkthyesi ka bërë një përkthim të shkurtuar nga shprehja “vazhdonte shehu”, e cila është në tekstin burimor, por nuk është përfshirë në përkthim. Veç kësaj, fakti që përkthyesi e ka dhënë shprehjen “duke u dhënë zakonet tona” si “duke u dhënë rrobat”, ka bërë që kuptimi të ndryshojë për sa i përket tekstit burimor.
Shembulli 2:
Citim nga vepra origjinale: “I dogjëm trupat e të vrarëve dhe hirin e vendosëm në hinore e ato i fshehëm thellë nën tokë që, sido që të ndodhë, të mos mund t’i gjejnë dot e t’i përdhosin, siç e kanë zakon.”
Përkthimi ynë: “Ölülerimizin bedenlerini yaktık ve kül kaplarına koyduk ve her ne olursa olsun onları bulamasınlar ve hep yaptıkları gibi saygısızlık edemesinler diye toprakta derine sakladık.”
Përkthimi i Hasan Kaya: “Yanarak ölen adamlarımızın küllerini toplayıp kül kaplarına koyarak derinlere gömdük, böylece ne olursa olsun düşmanlarımız onları bulup, her zaman yaptıkları gibi, ölülerimize saygısızlık edemeyecekler.”
Kur vlerësojmë përkthimet e këtij seksioni, shohim se përkthyesi ka bërë përkthim kuptimor. Megjithatë, mund të thuhet se një ngatërrim kuptimor ka lindur për faktin se shprehja “i dogjëm trupat e të vrarëve” në tekstin burimor është përfshirë në përkthimin e përkthyesit me shprehjen “Burrat tanë që vdiqën duke u djegur”.
Kur shqyrtuam të gjithë veprën, sipas rezultateve që morëm nga vlerësimet e përkthimit, konstatuam se përkthyesi turk është munduar t’i zbuste tekstet që përcillte në kuptimin semantik. Megjithatë, duhet të theksojmë se qëllimi i krahasimit të përkthimeve tona nuk është zbulimi i gabimeve. Sepse në këto krahasime të përkthimit rëndësi të madhe ka edhe vepra e përdorur në gjuhën e ndërmjetme. Ne u përpoqëm vetëm të zbulonim kuptimin që donte të përcillte vepra burimore, pa u ndikuar nga asgjë, jo nga këndvështrimi turk apo shqiptar, por si dikush që u rrit në mes të të dyja kulturave, plotësisht objektivisht.