SONTE
Sonte,
nuk e dua qiellin ngjyrë jargavani
siç e duan të gjithë poetët,
prushin e trëndafilitë
ndezur tek mollëzat e tua,
s’e dua,
më pëlqen vetëm te fletët.
S’më hyjnë në punë vegimet e Dante Aligerit,
ç’më duhet ç’i rrëfeu Beatriçes, këtu e shtatë shekuj,
s’më joshin lirikat e Serembe arbëreshit
për strigaren e bukur – meteor i djegur.
Valët e lumit luajnë një romancë
e s’më qetojnë.
S’më qeton poetika ku rrjedh një krua.
Desha në këtë qytet një vajzë,
sonte të besonte që e dua.
PARA VAJZËS ME PROFILIN BJOND
Unë që kam recituar Nolin, Migjenin e Agollin
në salla koncertesh a kantjereve të largëta,
unë që ligjërata mbaj për Danten e Bajronin,
sonte s’i flas dot vajzës me flokë të arta.
Askush s’më njeh për djalë vagabond
që thur deklarata prej dashnori të marrë,
po përse para vajzës me profilin bjond
S’i lidhkam dot qoftë edhe dy fjalë?
Para saj ngjaj me një statujë,
(aktor antik me emër të humbur),
hutohem, dëshpërohem e qetësisht vuaj,
Ndërsa ajo më pëshpërit ëmbël:
Sonte jam e lumtur!…
Tiranë, 1972
NË BREG…
Një fjalë belbëzova për ty,
ma përpiu vala;
Pas më ndiqte si magji
imazhi yt me të bardha…
Budapest, 27 qershor 2016
NË SHTËPINË E MËRGIMTARES…
Nuk mund të kaloj pa hedhur sytë andej,
pas xhamave më ngjan se më sheh ti,
e shtang një çast, e mall ndjej,
pastaj, kallem në vetmi…
Asnjë perde nuk luan, asnjë mirazh,
kanata e dyer mbyllur,
fundvjeshta ikën e hutuar…
Gjithçka hesht e hesht pa prà,
thellë, përtej dritares,
vetëm kujtimet rrinë zgjuar
në shtëpinë e mërgimtares…
NGA PULLAZI I SHTËPISË FLUTUROI NJË PËLLUMB
Ata qëndronin nën strehëz të një shtëpie
dhe njëri-tjetrin s’e shihnin ndër sy;
një rrudhë shtohej te balli i vajzës,
te balli i djalit – dy…
Jashtë strehëzës pikonte shi,
mes tyre heshtja pikonte plumb,
djali ngriti kryet e buzëqeshi
e nga pullazi i shtëpisë fluturoi një pëllumb…
NATË E LARGËT…
Ti erdhe lehtas si një flutur,
gjithçka e bukur pranë meje u shfaq,
mandej në ritmin e zemrës sime të lumtur
Moxarti qe futur sakaq…
Ne s’patëm harqe ta luanim atë sonatë,
por, sa qe thënë në sonatën dyzet
e kënduan buzët e zemrat atë natë,
natë e largët e një vjeshte të tretë…
TANI, JAM MË PAK SE VETËM
Kur ti ishe ëndrra,
ne ishim dy;
dimnoi pritja ime
deri n’buzë të pranverëskur ti me krahët e erës
ma hape derën,
pastaj zemrën,
pastaj…
Asohere nuk mund të ishim më shumë se një.
Shirat e vjeshtës
i kalbën gjethet mbi supet tona,
dimni trokti fort e fort,
mbi ravën e ikjes bredh frulliza e borës.
Tani, jam më pak se vetëm…
BUZË E PLASUN
Një buzë e plasun,
zemrën ma plas,
çdo çast,
çdo ditë.
Një buzë e plasun,
nën ylbere shprese,
në terrin e një jete,
kërkon dritë!
Një buzë e plasun,
shpirt i trazue,
braktisun,
helmue…
Një buzë e plasun e vajzës dashtun
me jetën dashurue.
Buzë e plasune vajzës së dashtun
Sa të due!…
1978
BIBLIKE
Tani, që bie shi në qytetin e vjetër
të shoh në foto e ndjej trishtim;
me ngut një varg e hedh mbi letër
drejt teje e nis në udhën pa kthim.
Një varg i moçëm sa vetë bota,
Eva e shkroi e para,
ajo plagë që hapi te molla,
më dhemb dhe mua, te buzët e thara…
KUR IKI LARG…
Dhe kur iki larg,
kurrë nuk mbetesh vetëm,
me vete marr mallin
E ty të lë zemrën…
TË PRITA TY
Oh, sa të prita,
veç zemra e di.
Të prita,
e t’prita,
si bregu valën,
si zemra fjalën,
që bëhet këngë për Ty!
BREG…
Ti ma ban me dorë
nga i largti breg;
baj të bahem va,
Lumi bahet det.
Ti ma tund mandilinpër mua qendisur;
Baj te bahem varkë,
Vjen një shkulm i krisur.
Vikasim të dy;
s’e ndërrojmë dot një fjalë,
bie mbi supet tona
muzgu dalëngadalë…
PËR TY
Tani atje nuk bie shi, as borë nuk bie tani;
Oh! akulli pllakosi gjithkund,
nuk udhëtohet as me zinxhirë!
Po unë do të vij,
do vij tek ti,
nëse akulli më mund,
ani!
për dashurinë
s’përtoj të bahem martir!
SKICË E VJESHTËS SË VONË
Kur ishe syth i blertë, ende pa marrë trajtën e gjethes,
të bëra refrenin e një kënge.
Tani,
trokon vjeshtë e vonë,
unë shkujdesur
trumhasem me gjethet e rëna.
Druhem mos shkel atëqë i thura lavde,
ndaj në buzë mjerohet kënga…
E FUNDIT?!…
E fundit të jetë vallë,
për ty, e fundit kjo vjershë të jetë?!
nesër, kur për rininë do ndjej mall,
a do t’i hap prapë këto fletë?
Po, do t’i hap se ty do të gjej,
do zemërohem e ngrysem ndoshta,
veç, e di se shpirti do më ndjejëdashurinë,
që i thura lirika të ngrohta…
1978
ÇUDI ME TY
Në lëndinën e bardhë të gjirit tënd
shkrumbohen sytha zambakësh
të sapoçelur…
Çudibërëse kjo stinë me shi!
Në sytë e tu-ullishtë e ndezur,
paqja u fik si pisha në erë.
Çudibërës pëllumbat e buzëqeshjes sime…
Në dy buzë që digjen shpuzë,
avujt e mjegullt të instiktit
ngrijnë.
Çudibërëse fjalët e mia të ngrohta…
Hapi yt trokon drejt territ
e gjurmët thërrmojnë yje
plot vezullime.
Çudibërëse nata ime…
Çudi me ty!
SOT
Gjithë ditën kam pi
vetmuar pranë një gote
të mbushur me vetmi
nga mungesa jote.
VAJZËS ME EMRIN E NJË LULEJE
Ai maji çeli shumë lule,
por botës s’i hynin në sy,
pranvera me pekule
të priste ty,
për të t’shpallur
Kryelule.
DHORË, MOJ DHORKË E VOGËL
Të mbaja pranë si mbahet një motër,
të prushonin mollëzat, Dhorë moj Dhorkë e vogël.
Të flisja për shkrimtarë, flisja për poetë,
në dy sy bojë qielli t’hajnoi një sekret.
Përmbi kurba valësh lozte një pulëbardhë,
ti edhe ajo, si perlat mbi valë.
Deti leshterikët sillte mbi tallaz,
trok’ i hapit tënd, bregut më ndjek pas.
Ç’i hip atij kali ngarkuar me ëndrra,
Mos i thuaj ushtarit atë që t’thotë zemra!
Zbres nga Mirdita, nga bjeshkët vij unë,
kur shkrep syri i çikës ndizet një furtunë.
Eci përgjatë bregut, deti ka tallaz,
ç’ke moj Dhorkë e bukur, përse më ndjek pas?!…
Ta lexoj sekretin në dy sytë bojë qielli,
më don një vajzë fshati moj, porsi dritë dielli…
Unë të mbajta pranë, të desha si motër,
ç’e lëndove zemrën, Dhorë moj Dhorkë e vogël!…
BRIGJEVE TË URAKËS
Brigjeve të Urakës fryn veri i hollë,
përmbi flokë të vajzës
ra një lulemollë.
Zgjati dorën djali lulen me ta hjekun,
pa ty gushëgostare
nuk jam gjallë as dekun.
Mos e merr atë lule, se ma kanë fal brigjet,
merre zemrën time,
se për ty po digjet…
TRËNDAFIL I BARDHË
Ka do ditë që nuk flas me një njeri,
kjo pak a shumë do të thotë
në refrenin e këngës së përditshme
të të mungojë një notë.
Ka do ditë që nuk flasim me një shoqe,
kemi murosur fjalën, buzëqeshjen,
një trëndafil i bardhë te buzë e saj
sot paditi heshtjen…
FRASHËRLIES
Ëmbël-o, ç’më ëmbëlsove, frashërlie!
Më lëndove, më bukurove, hënëz Dangëllie.
Flakë më ndezje, kur ti qeshje, butësisht
Oh! si digjeshim nëpër dehje, paqësisht.
Nëpër gjethe, nëpër bar, aft’ i mbrëmjes fëshfërinte,
zgjaste dorën hënë e artë dhe na krihte…
Bukuronim bukurisht, buzëngjitur,
Qielli qeshte ëmbëlsisht, yjestërpikur.
Si u ndamë e më s’u pamë, frashërlie?!…
Ç’më rri ndezur mall’ i parë, prush djalërie!…
Herë ag i bardhë, e herë dritë hëne,
Këngë që brof në buzë, si muzë Naimjane…
[…] Cikël poetik nga Viktor Gjikolaj […]