Këtu mund të lexoni disa poezi të miat që nuk janë përmbledhur në vëllimin “The Italian Job” (“Onufri”, Çmimi “At Gjergj Fishta” për poezinë 2022). Po pse nuk janë përmbledhur? Sepse tek ai libër kanë zënë vend vetëm poezi të shkruara në Itali vërtet, por në shqip. Titulli nënkuptonte një akt (të shkruash shqip në dhe të huaj) të kryer jo nën dritën e diellit, një si aferë të pisët, do të thoshim. Tani “The Italian Job” po quhet nga shtypi botëror afera e korrupsionit që ka përfshirë Parlamentin Europian, në raportet e tij me Katarin, Marokun e vende të tjera ku shkelen të drejtat e njeriut. Ndaj autori, kur ia shqipton titullin librit të vet, ndihet një çikë në siklet dhe… i habitur. Kështu që iu kthye vesit të tij të hershëm: përkthimit – ves adoleshence edhe ky, gati po aq i hershëm sa ai i krijimi të poezive origjinale. Vetëm se kësaj here është e kundërta: iu desh të përkthejë veten nga italishtja në shqip, situatë gjithsesi e çuditshme, por e domosdoshme. E kush tjetër do ta merrte mundimin? Ndërkaq, kur e bën këtë gjë me vargjet e tua ndihesh ku e ku më i çlirët e i relaksuar: ia lejon vetes çdo “deformim” të origjinalit. Dhe, sidomos, pyetja është më legjitime se kurrë: në fund të fundit, cili është “origjinali”?
Pleqëria
Pas darke
ngjëruam pak raki mani
me arra të forta gur.
Isha mysafiri më i lartë
ndaj për të fjetur më liruan
shtratin martesor
shtruar
nga duar të padukshme.
S’e di ku fjetën
të zotët e shtëpisë
por pati një efekt domino
dhe nëna plakë
e verbër përfundoi te pragu
me qenin.
Ora e banjës
Tartabiqe
mos hyr
në dhomën e çupës sime
që myshk kundërmon e ftua.
Na u desh me thikë
ta prisnim avullin
niseshteja e orizit nuk mjaftonte
për shkojat e lëkurës së saj.
Larg prej ziftit e shinave
akuarelë të çelët janë shpëndarë mbi qilim
pa pyetur për krehëra e karfica.
Shko
te tryeza ime
ku pena e lapsa
si korparmata hitleriane
rrinë në radhë
bukurinë e shkujdesur të botës
ende për ta shpikur.
Eros & Thanatos
Rrinte për muri i mbështetur
pranë plehrave dysheku
(flakur në gjendje aq të mirë)
që ne dalëngadalë e zvarritëm
prej anës së vet më të gjatë
vizga e kërmijve pasqyronte
hënën e plotë na rrëfente
rrugën për në kampus dhomës
sonë të ngrohtë ku mbi
dysheme e mbështetëm na duhej
për të bërë dashuri edhe pse
ndonjëri aty paskësh vdekur.
[Me falangje të shkathta]
Me falangje të shkathta
nga jaka
një flok seç hoqe.
Thinjen e tij
prapë munda
gëzofit të zi ta pikas.
Qe m’e rëndë
se kjo pallto dimërore
qullur nga shiu
budallisht në modë.
Një burrë po pshurr…
Një burrë po pshurr pas një peme
dhe bën të fshihet tek andej kaloj.
Është pema e vetme e mëhallës.
Prapa, një radhë Bencash gri
me xhama t’errët e rrathë të shkëlqyer
njëri syresh e ka rrotën të lagur
por e ka bërë me siguri një qen
jo burri i fshehur pas pemës.
Arra
Djelmosha të fortë ngulin tre shkopinj
dhe shtrijnë një çarçaf e lidhin
shkopinjsh këndin e katërt
në trungun e manit se e dinë
që do t’ia behë era e mëngjesit
kokrra mani mbi çarçaf të lëngshme
të ngjitshme të ëmbla vese
do të ngjërojnë freski e mërzitje
do t’u bien në kokë ç’i rrëmbekan
pastaj shkopinjtë për të rrahur
atë plakën të pacipën veshrënduarën
arrën.